Në një deklaratë të bërë dje, është bërë e ditur se ky projekt është prioritet i qeverisë dhe zhvillon ekonominë
Projekti i modernizimit të hekurudhës Tiranë-Durrës është prioritet i qeverisë dhe kryerja e këtij investimi është një domosdoshmëri. Me këtë deklaratë ka dalë ditën e djeshme Ministria e Transportit dhe Telekomunikacioneve, menjëherë pas kundërshtimeve për këtë projekt nga ana e Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar. Në reagimin e djeshëm, Ministria e Transporteve dhe Telekomunikacionit shprehet se për këtë projekt është biseduar më parë me përfaqësues të Bankës Botërore dhe FMN-së, të cilët, sipas ministrisë, e kanë mbështetur atë. Përveç kësaj, në deklaratën zyrtare thuhet se studimi është i mbështetur dhe ka qëllim “integrimin e transporteve tona në rajon e më gjerë, ashtu dhe për zhvillimin ekonomik te vendit”. Duke nisur nga ky segment prej rreth 30 kilometra në qendër të Shqipërisë, ministria thekson sy ky është ndër projektet më të rëndësishme dhe që integron rrjetin tonë në rajon. “Ky projekt është një ndër prioritet kryesore të qeverisë shqiptare në fushën e infrastrukturës së transportit dhe si i tillë ka për qëllim jo vetëm rritjen ekonomike dhe zhvillimin e brendshëm të vendit, por në të njëjtën kohë synon përshtatjen e shpejtë të transporteve tona në standardet rajonale dhe ato evropiane”, - shprehet në deklaratën e saj Ministria e Transporteve. Lidhur me deklaratat e dy institucioneve të huaja në Shqipëri, bëhet e ditur nga ministria se “për këtë projekt, në mënyrë të veçantë me Bankën Botërore, FMN-në dhe me institucione të tjera prestigjioze ndërkombëtare, specialistët tanë, të Ministrisë së Transportit dhe Telekomunikacionit dhe ekspertë të tjerë të fushës kane pasur kontakte të vazhdueshme dhe bisedime të frytshme lidhur me kryerjen e studimeve përkatëse të fizibilitetit për implementimin e këtij projekti”. Po dje është bërë e ditur se impakti i këtij investimi është i gjithi me ***akter social, që do të thotë se ky projekt do t`i shërbejë komunitetit të kësaj zone, i cili aktualisht përfaqëson rreth 40 % të popullsisë së vendit. Pavarësisht nga mbështetja e qeverisë dhe Ministrisë së Transportit dhe Telekomunikacioneve, i mbetet Parlamentit që ta miratojë zbatimin e këtij projekti.
Florian Papadhimitri për Gazetën "Shekulli"
Krijoni Kontakt