Close
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 7
  1. #1
    i/e regjistruar Maska e Xhuxhumaku
    Anëtarësuar
    19-11-2003
    Vendndodhja
    sopr'un'curva
    Postime
    13,379

    Çamët e Amerikës, letër Bushit

    Shoqata “Çamëria”: Zoti president ndërhyni për zgjidhjen e çështjes sonë!


    Çamët e Amerikës, letër Bushit

    Kërkesa me rastin e takimit të presidentit amerikan me kryeministrin grek




    Çamët e Amerikës i dërgojnë letër presidentit amerikan Xhorxh Bush. Takimi i këtij të fundit me kryeministrin e Greqisë, Kostas Karamanlis, e ka "detyruar" Shoqatën e të Drejtave të Njeriut Çamëria të dërgojë një letër, ku në takimin e tyre të diskutohej për çështjen çame. Madje, ata kanë parashtruar edhe zgjidhjen e këtij problemi në një propozim prej 17 pikash. Gjithashtu, letra i është dërguar edhe senatorit Riçard Lugar Onorevoli dhe guvernatorit të Masaçusets, Mit Romni. Madje, ajo ka mbërritur në dorën e këtyre të fundit përpara se ata të takojnë kryeministrin grek. Kjo, për arsyen se në axhendën e tyre duhej të shtohej një pikë tjetër, çështja çame.

    Letra

    Shkeljet e të drejtave të njeriut ndaj minoritetit çam i ka detyruar këta të fundit t'i shkruajnë një letër presidentit amerikan Xhorxh Bush në takimin që do të zhvillonte me kryeministrin grek Karamanlis. Shoqata kërkonte që në këtë takim të diskutohej dhe çështja çame. "Ne ju kërkojmë që të diskutoni në takimin tuaj me zotin Karamanlis për çështjet e të drejtave të njeriut dhe të pronave të minoritetit çam në Greqi. Mijëra qytetarë amerikanë i përkasin sot minoritetit çam. Ne nuk na lejojnë të vizitojmë Greqinë, të ndërtojmë shtëpitë tona dhe as të jetojmë atje nëse kemi dëshirë", shkruhej në letrën e Shoqatës së të Drejtave të Njeriut Çamëria. Ndër të tjera, letra kishte edhe një pjesë të historisë çame. Por këta të fundit nuk kanë harruar që të lavdërojnë edhe presidentin Bush për punën e mirë që po bën lidhur me besimin mysliman. "Ne ju lutemi ju, zoti president, në emër të të gjithë shtetasve amerikanë me origjinë çame, që të promovoni një projekt për të drejtat e njeriut të minoritetit çam në lidhje me traditat demokratike greke, si dhe me normat e standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut", përfundonte letra.

    Propozimet

    Në një propozim prej 17 pikash, Shoqata e të Drejtave të Njeriut Çamëria, parashtron "zgjidhjen" e problemeve që e shqetësojnë prej shumë vitesh. Mbrojtja e historisë së lashtë, kulturës dhe traditës së njerëzve çamë. Përparimi dhe mbrojtja e të drejtave njerëzore që i është mohuar në atdheun e tyre në Greqi, është një nga propozimet e kësaj shoqate. Madje, ata tregojnë edhe kontributin e tyre në historinë dhe kulturën greke. Por mes morive të propozimeve, shoqata ka sjellë edhe një kronologji të ngjarjeve historike të minoritetit çam, si dhe shpresën që kanë ata në zgjidhjen e problemeve. Masakra nga e dëbimi nga forcat e gjeneralit grek, Napoleon Zervas, si dhe persekutimi i refugjatëve çamë gjatë regjimit komunist, janë dy nga historitë e shumta të diskriminimit të minoritetit çam në vite. Në kërkesat e tyre ata parashtrojnë faktin se hyrja e Greqisë në Bashkimin Evropian dhe në NATO, ndryshimet demokratike në Shqipëri e klima pozitive e marrëdhënieve dypalëshe midis Greqisë dhe Shqipërisë, shfaqin një shans për zgjidhjen e çështjes çame, madje dhe kthimin e refugjatëve pranë familjeve të tyre. Por ata mendojnë se hyrja e ardhshme e Shqipërisë në BE do ta çojë një hap më tej zgjidhjen e problemeve të refugjatëve çamë. Në kërkesat tyre mbizotëron mendimi se një Evropë e bashkuar do t'u garantojë atyre lirinë e lëvizjes së njerëzve nga një vend në tjetrin. Gjithashtu dhe të drejtat e tyre politike e individuale, që me siguri do t'i ndihmojnë për kthimin në shtëpi.

    Lëvizja çame sot

    Pothuajse sa herë një ministër grek viziton Tiranën, çamët dalin në protesta rrugëve. Shoqata Çamëria është organizata joqeveritare më aktive, e cila u jep zë çamëve që jetojnë në Shqipëri për të kërkuar të drejtat e tyre. Ndërkohë, një sërë kërkesash janë hartuar në lidhje me të drejtat e tyre të mohuara nga Greqia. Në Shqipëri jetojnë rreth 200 mijë çamë, të cilët kërkojnë pronat e tyre në Greqi. Për këtë çështje, ata i janë drejtuar vazhdimisht qeverisë, për të cilën thonë se nuk e ka ngritur zërin aq sa duhet në arenën ndërkombëtare për çështjen





    Subjekti: Takimi me kryeministrin Karamanlis

    I
    nderuar Xhorxh Bush
    Presidenti i SHBA-së
    Shtëpia e Bardhë
    1600 Pennsylvania Avenue Nw
    Uashington D.C. 20500

    I dashur Zoti President

    Në emër të Shoqatës së të Drejtave të Njeriut Çamëria, përshëndesim takimin tuaj me Kryeministrin e Republikës helene, zotin Kostas Karamanlis. Ne ju kërkojmë që të diskutoni në takimin tuaj me zotin Karamanlis për çështjet e të drejtave të njeriut dhe të pronave të minoritetit çam në Greqi. Mijëra qytetarë amerikanë i përkasin sot minoritetit çam. Shumë nga ne kanë interesa financiare dhe ekonomike në Greqi që mund të numërojnë miliarda dollarë. Madje, ne nuk na lejojnë të vizitojmë Greqinë, të ndërtojmë shtëpitë tona dhe as të jetojmë atje nëse kemi dëshirë. Në një mënyrë më koncize, çamët janë shqiptarë nga Veriperëndimi i Greqisë. Ne kemi dhënë kontributin tonë në mënyrë të dukshme për historinë dhe kulturën e Greqisë. Fatkeqësisht, në një nga "faqet" tragjike të Luftës II Botërore, në qershor 1944, mijëra myslimanë çamë janë masakruar brutalisht në Çamëri nga forcat e Napoleon Zervas dhe mijëra të tjerë i detyruan me forcë të braktisnin shtëpitë e tyre. Ata i kanë kaluar si refugjatë kufijtë e Shqipërisë. Më shumë se 30 mijë çamë, me besimin mysliman, janë nxjerrë "virtualisht" nga shtëpitë e tyre në 1944-ën në Greqi. Justifikimi zyrtar për këtë masakër ishte se çamët ishin bashkëpunëtor me nazistët. Faktikisht, arsyeja e vërtetë ishte një pretekst brutal për pastrim etnik. Është një e vërtetë e hidhur, që edhe sot çamët, prezentë në Evropë, janë të harruar si minoritet.
    Zoti president
    Nën udhëheqjen tuaj, SHBA-ja po bën përpjekjet maksimale për të promovuar liri dhe demokraci në botën myslimane. Greqia, nga ana tjetër, mund të sigurojë një shembull mjaft të fuqishëm se si ata e trajtojnë minoritetin dhe t'i bëjnë ata të harrojnë tragjeditë e së kaluarës. Ne ju lutemi ju, zoti president, në emër të të gjithë shtetasve amerikanë me origjinë çame, që të diskutoni me zotin Karamanlis, si dhe të merrni hapa kurajoze e të kuptoni interesat e shtetasve amerikanë me origjinë çame. Të promovoni një projekt për të drejtat e njeriut të minoritetit çam, në lidhje me traditat demokratike greke, si dhe me normat e standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut.

    Marre nga Gazeta Tirana-Observer.
    http://www.tiranaobserver.com/gazeta/speciale.htm
    --- La Madre dei IMBECILI e sempre in cinta...

    ---voudou.. ---

  2. #2
    i/e regjistruar Maska e Xhuxhumaku
    Anëtarësuar
    19-11-2003
    Vendndodhja
    sopr'un'curva
    Postime
    13,379

    Historia e çështjes së minoritetit shqiptar çam ne Greqi

    Si u dëbuan shqiptarët etnikë nga Greqia nga viti 1913 - ‘44


    Historia e çështjes së minoritetit çam



    --------------------------------------------------------------------------------
    Nga korrespondenti ynë në SHBA Arben Ademaj


    Njihet si një nga paradokset më të mëdha të historisë sonë: 200 mijë shqiptarë që gjenden refugjatë në Shqipëri. Ata quhen çamë dhe mbetën jashtë kufijve të Shqipërisë në vitin 1913. Atëherë kur Konferenca e Ambasadorëve të Londrës me një majë pene hoqi një vizë në hartën shqiptare duke i dhënë Greqisë atë që këta të fundit e quajnë Threspotia, ndërsa shqiptarët Çamëria. Që nga ai vit e deri në '44-ën, për shkak të dhunës e përndjekjes greke, mijëra çamë braktisën shtëpitë e tyre për të ardhur në drejtim të Shqipërisë së mbetur.

    Çamëria

    Emri Çamëria vjen nga emri antik i lumit Çamis, i cili përshkonte territorin e fisit antik të Threspotisë. Rajoni përreth lumit Çamis shtrihet në Veri nga Butrinti deri në Liqenin e Prespës. Në Lindje deri në malet e Pindit dhe në Jug deri në Prevezë e Gjirin e Artës. Çamët janë kryesisht myslimanë dhe janë të vendosur në zonën e Greqisë Veriperëndimore. Tashmë nuk ka një statistikë të saktë se sa është numri i çamëve në Greqi. Por ekziston një shifër prej 40 mijë shqiptarësh, të cilët jetojnë në Greqinë Veriperëndimore, të cilët janë të krishterë ortodoksë.

    Konfliktet

    Konflikti çam lindi si rezultat i përvijimit të kufirit midis Greqisë dhe Shqipërisë në fund të luftërave ballkanike. Në vitin 1912, Konferenca e Ambasadorëve në Londër ia la Greqisë zonën e Çamërisë dhe në Shqipëri sot ka vetëm 7 fshatra çamë. Ka pasur tre faza të emigrimit të popullsisë çame nga Greqia: e para, ishte gjatë luftërave ballkanike 1912 - 1914, e dyta, pas nënshkrimit të Konventës turko-greke të Lozanës në janar të vitit 1923, ku u bë marrëveshje për shkëmbimin e pakicave dhe e treta, nga qershori 1944 deri në mars 1945, ku llogariten të jenë vrarë 5 mijë burra, gra dhe fëmijë. Dëbimi me forcë nga Greqia i gjithë popullsisë myslimane shqiptare, përveç ndjenjës së keqe, kanë lënë dhe një mal problemesh pas. Ndërkohë, sipas deklaratave të autoriteteve greke, "Çështja çame nuk ekziston". Ndërkohë, çamët iu janë drejtuar gjykatave ndërkombëtare për të hedhur në gjyq Greqinë për kompensimin e pronave dhe pasurive të tyre.

    Çamët në shifra

    7 është numri i fshatrave çamë në Shqipëri
    200 mijë është numri i çamëve që jetojnë në Shqipëri
    400 mijë është numri i çamëve në Greqinë Veriperëndimore
    2.5 miliardë USD pretendohet të jetë vlera e sotme e pasurisë që iu është mohuar çamëve
    5 mijë është numri i çamëve që kërkojnë njohjen e të drejtave pasurore
    150 mijë është numri i çamëve të zhdukur, si rezultat i konflikteve

    Marre nga Gazeta Tirana-Observer.
    --- La Madre dei IMBECILI e sempre in cinta...

    ---voudou.. ---

  3. #3
    i/e regjistruar Maska e Brari
    Anëtarësuar
    23-04-2002
    Postime
    18,826
    mir kan bere qe jan shkundur ..

    suksese..

  4. #4
    i/e larguar
    Anëtarësuar
    30-05-2004
    Vendndodhja
    Ministria e Mbrojtjes Se Republikes Demokratike te Shqiperise
    Postime
    1,499
    Skane fat kurdet me mbeshtetje te plote nga Greqia do kene fat camet? Mos flini me endrra, ceshtja came zereni se nuk ka ekzsituar.

  5. #5
    i/e regjistruar Maska e Xhuxhumaku
    Anëtarësuar
    19-11-2003
    Vendndodhja
    sopr'un'curva
    Postime
    13,379

    Çamëria, resurset gjeografike dhe burimet ekonomike

    Çamëria, resurset gjeografike dhe burimet ekonomike

    Autori i Lajmit: Nga Prof. Dr. Gjovalin Shkurtaj


    E mora këtë libër dhe, ndonëse nuk merrem me gjeografi, e lexova me ëndje, po edhe me dëshirën për të ditur më shumë për një trevë shqiptare të shkëputur padrejtësisht nga tërësia truallësore e Shqipërisë dhe për të cilën deri vonë në librat e shkollës dhe në botimet e tjera është shkruar pak ose aspak. Për Çamërinë, qoftë edhe për shtrirjen, vendbanimet, onomastikën shqiptare dhe vlerat e saj gjeografike e natyrore nuk shkruhej ose thuheshin disa gjëra të rrudhura, të vëna në peshoren e frikës se mos shkaktohet ndonjë “reagim diplomatik” nga fqinjët. Vetëm për të folmen e Çamërisë, duke u mbështetur në vjeljet e hetimin e bërë në ligjërimin e këngët e çamëve të shpërngulur në Shqipëri, studiuesi i shquar prof. Qemal Haxhihasani shkroi dhe arriti të botonte në përmbledhjen “Dialektologjia shqiptare” një studim të plotë dhe shumë interesant për gjuhën, onomastikën dhe leksikun e frazeologjinë e çamërishtes, duke vënë në dorë të studiuesve një sasi shumë të vlefshme lënde nga një e folme aq interesante e me fytyrë ruajtëse. Po ashtu, zoti Fatos M. Rrapaj, pasi kishte qëmtuar e ndjekur për shumë vjet radhazi onomastikën e folklorin çam, arriti të botonte në kolanën “Mbledhës të folklorit” vëllimin madhor “Këngë popullore nga Çamëria” (Tiranë, 1983, 846 faqe), me një parathënie vlerësuese nga Ismail Kadareja. Disa vjet më vonë, pas shndërrimeve demokratike në Shqipëri ky mbledhës i zellshëm i folklorit dhe i onomastikës çame nisi të botojë edhe veprën tjetër të tij “Fjalori onomastik i Epirit”, vëll.I Çamëria, Eurorilindja, Tiranë, 1995, 570 faqe. Ky ishte, si të themi, “logu” i veprave dhe botimeve për Çamërinë, prandaj libri “Çamëria, vendi, popullsia dhe jeta ekonomike” i Prof. As. Dr. Selman Shemes, si e para monografi gjeografike në llojin e vet, vjen kështu në dorën e studiuesve si një libër shkencor që ka për temë të paraqesë një pamje të hapët e të dëshirueshme rreth krahinës së Çamërisë, duke na njohur me vendin dhe pamjen truallësore të saj, me popullsinë dhe jetën ekonomike të asaj treve për të cilën, siç e thamë, për shumë vjet radhazi ka qenë shkruar e folur pak ose aspak. Autori ka bërë aty një paraqitje të hapët e duke ndërthurur natyrshëm të dhënat natyrore e mjedisore ose mirëfilli gjeografike e demografike me prurje e “ekskurse” të thukëta historike, etnokulturore dhe ekonomike, gjë që e bën monografinë të thithshme edhe nga një masë e gjerë lexuesish të thjeshtë që nuk merren mirëfilli me gjeografi, por që kanë dëshirë të njohin e të dinë shumëçka që u mungon për Shqipërinë e sotme dhe për trevat shqiptare jashtë saj. Mendoj se kjo ka qenë një zgjedhje e përligjur shkencërisht, po edhe shumë e përshtatshme dhe e mirëseardhur për masën e gjerë të njerëzve në Shqipëri, sepse Çamëria është krahina më jugore e trojeve shqiptare, e cila, pavarësisht se është shkëputur politikisht nga tërësia truallësore dhe i është aneksuar Greqisë, ka qenë dhe mbetet një rajon gjeografik me karakteristika që e dallojnë qartë nga rajonet përreth. Tek lexon këtë studim monografik, për hir të asaj frymëmarrjeje të trajtimit që i ka dhënë autori, të duket sikur ndërmerr një udhëtim ditunor në Çamëri, mëson shumë gjëra dhe formon një pamje ndikuese rreth një treve shqiptare të privilegjuar nga natyra, e hapur ndaj detit Jon dhe e mbrojtur nga erërat që vijnë nga veriu, verilindja e veriperëndimi. Çamëria na del parasysh ashtu siç ka qenë dhe është: një vis i bukur dhe i pasur, me pozitë të përshtatshme gjeografike dhe gjeopolitike, duke qenë se nëpër të kalojnë rrugë të rëndësishme që e lidhin atë treve me viset përreth dhe me brendësinë e Ballkanit. Nga territori i Çamërisë kontrollohen rrugët që kalojnë nëpër Kanalin e Korfuzit. Ka qenë ky pozicion dhe ato pasuri e vlera gjeonatyrore që e kanë bërë atë krahinë të dashur për banorët e saj shqiptarë, për çamët punëdashës e të dalluar për cilësitë e tyre të larta atdhetare, por edhe të lakmueshme për fqinjët që kurrë nuk rreshtën nga prapashpinat derisa edhe e aneksuan dhe e bënë atë arenë ploje e pësimesh dramatike për banorët çamë autoktonë qysh në mugëtirat e njerëzimit në ato troje.
    Dy fjalë për autorin. Selman Sheme është gjeograf, pedagog me përvojë të gjatë në shkollat e larta të Shqipërisë, së pari, për rreth 30 vjet, nga 1968 deri më 1997, në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, pastaj, qysh nga viti 1997 e këtej, në Fakultetin e Historisë e të Filologjisë të UT-së. Qysh kur ka kryer shkollën e lartë më 1968, ai u është përkushtuar mësimdhënies dhe studimeve shkencore në lëmin e gjeografisë, duke u bërë titullar, autor ose bashkautor i një vargu tekstesh dhe librash për shkollat e larta, të mesme dhe tetëvjeçare. Përmendim, gjithashtu, se emri i tij ka dalë shpesh si autor kumtesash, artikujsh dhe studimesh interesante në faqet e organeve shkencore të profilizuara, si “Studime gjeo-grafike”, “Studime albanologjike”, “Ekonomia dhe tranzicioni”, “Revista pedagogjike” etj.
    Këto vitet e fundit, prof.as. dr. Selman Sheme ka botuar edhe disa monografi gjeografike për trevat shqiptare më skajore, por edhe më spikatëse për bukuritë e natyrën e tyre, si “Kelmendi-vështrim gjeografik e turistik” (1998), ku përshkruan dhe na ndjell në bukuritë mahnitëse dhe mundësitë turistike të alpeve të Malësisë së Madhe, dhe, tashti së fundi, librin “Çamëria, vendi, popullsia dhe jeta ekonomike” (2005).
    Përtej këtyre, z. Selman Sheme është tashmë i mirënjohur edhe si veprimtar i gjallë dhe personalitet që shkruan e flet me përkushtim për Çamërinë, për çamët dhe të drejtat e popullsisë çame mbi pasurinë dhe trashëgiminë e tyre të pasur që u ka mbetur në vendin e të parëve, në Çamërinë e dashur e gjithmonë të paharrueshme për ta.
    Të dhëna përnjohëse për monografinë. Në morinë e botimeve që dalin sot ndër ne, sigurisht, nuk është gjithmonë e lehtë të orientohesh e të gjesh atë që u shkon për shtat dëshirave, kërshërive dhe sidomos plotësimit të ndonjë zbrazëtie në dijet e në formimin e përgjithshëm kulturor të secilit. Ia vlen, pra, për disa prej librave me vlerë, përveç punës që bëjnë librashitësit dhe bibliotekat, të ketë edhe ndonjë vështrim, qoftë edhe të thukët e të përkorë, që të drejtojë vëmendjen e lexuesve dhe të studiuesve në radhë të parë në librat me prurje të vyera, në studimet me hulumtime serioze, në monografitë që janë fryt i një pune shumëvjeçare dhe të përkushtuar. E tillë është edhe vepra e Selman Shemes, një monografi gjeografike që na tëhollon e sqaron më së miri çfarë përfaqëson Çamëria, si vend, si natyrë, cila ka qenë dhe është popullsia e saj, çfarë mbetet me vlerë studimore për etnografinë, gjuhësinë, sidomos për dialektologjinë dhe etnografinë e të folurit, po edhe për onomastikën etj.
    Libri ndjek ecurinë e mbarështimit të veprave shkencore të degës përkatëse. Ai nis me një parathënie të shkurtër, por mjaft të vlefshme, shkruar nga gjeografi prof. as. dr. Sabri Laçi, një nga emrat tashmë të njohur të studimeve gjeografike dhe veçmas demogjeografike, i cili vë në dukje disa nga vlerat kryesore të monografisë “Çamëria, vendi, popullsia dhe jeta ekonomike”. Bashkohemi me vlerësimin e z. Laçi, i cili thotë se në çdo paragraf të këtij libri ndihet dëshira e autorit për t’i transmetuar lexuesit krahas të vërtetave shkencore edhe dhimbjen për një popull të martirizuar, pjesë e të cilit është edhe ai vetë.
    Kreu i parë, me vlera kryesisht përnjohëse dhe hyrëse, titullohet “Aneksimi i Çamërisë dhe strategjia greke për helenizimin e saj”, një paraqitje e nevojshme dhe e mbështetur në të dhëna historike e dokumentare rreth fateve e pësimeve të popullsisë çame në rrjedhë të shekujve, deri në aneksimin e asaj krahine në Greqi. Kjo pjesë është shkruar me zemër të trishtuar, por edhe me synimet e dëshirat e mira të birit të Çamërisë, i cili, nga lartësia e ngritjes së tij arsimore, kulurore dhe politike bashkëkohore, gjithsesi moderne dhe evropiane, beson se edhe një çështje kaq delikate, e dhimbshme dhe e mbetur pezull për kaq shumë kohë, siç është çështja çame, mund të gjejë rrugëzgjidhje gjithmonë në përputje me ligjet dhe me standardet e sotme ndërkombëtare. Autori përmbyll në hyrje se, duke u mbështetur në Konventën Evropiane dhe në Deklaratën Universale, qeveria greke duhet të kryejë detyrimet ligjore kushtetuese për trajtimin e popullsisë çame dhe arvanitase në Greqi si pakicë etnike.Lidhur me këtë, autori i referohet edhe një thënieje të mençur të shkrimtarit Ismail Kadare, i cili ka theksuar: “Çamëria nuk është një fantazmë që ngrihet për të errësuar miqësinë e grekëve dhe shqiptarëve, përkundrazi, kur poput lehtësojnë ndërgjegjen e tyre nga peshat e vjetra, ata afrohen më shumë dhe e duan më shumë njëri-tjetrin”.
    Kreu i dytë mban titullin “Veçori të përgjithshme fiziko-gjeografike” dhe jep nëpër sythat e nënsythat e tij kufijtë natyrorë dhe gjeografiko-etnologjikë të Çamërisë, duke zhdavaritur mirë lidhjet midis emrit Çamëri dhe Epiri i Jugut, si dhe midis etnonimeve çamë dhe epirotë, duke bërë edhe përqasjet e pikëtakimet e natyrshme midis tyre dhe trevave te tjera shqiptare, si Labëria, Toskëria, Myzeqeja etj. Kur flet për emrin e vendit dhe të banorit, autori na rikujton lidhjen e tyre me emrin e lumit Thjami të lashtësisë, prej nga rrjedhin edhe format e sotme çam e Çamëri. Aty flet edhe për ndërtimin gjeologjik të territorit të Çamërisë, për peizazhet e saj të larmishme etj., duke sjellë edhe foto shumë të bukura e mbresëlënëse.
    Kreu i tretë i kushtohet organizimit politiko-administrativ të krahinës së Çamërisë, duke sjellë aty të dhëna me interes përnjohës e vlerësues rreth kësaj gjeohapësire shqiptare në rrjedhë të shekujve, duke ftilluar qartë se ajo në periudha të ndryshme historike nuk ka qenë njësi administrative më vete dhe gjithnjë ka mbetur e papërcaktuar mirë. Autori na jep aty një shkurtore të shtrirjes së bashkësisë thesprote, përgjatë brigjeve të detit Jon, nga lumi Kalama ose Thiamysi i vjetër deri në luginën e Prevezës. Nga lindja kufizohej me molosët e grekët e Dodonës, ndërsa kufiri jugor shkonte deri në Akarnani dhe ndahej prej saj nga fiet e amfilokëve dhe kasopëve. Në fakt, aty na jepet një pamje e përmbledhur e krejt historisë së shtetit të Epirit, i cili mori zhvillimin e vet më të madh në kohën e sundimit të Pirros, kufijtë e shtetit të të cilit qenë zgjeruar prej Epidamnit në veri deri në gjirin e Korintit në jug. Në mesjetë, pas rënies së Kostandinopojës (1204) në trevën e Epirit të Vjetër do të lindte Despotatit i Epirit dhe kryqytet u bë Arta, porse një qytet tjetër me rendësi ishte Janina. Popullsia ishte shumetnike. Në krahinat veriore mbizotëronte popullsia shqiptare, kurse në viset jugore ajo greke.
    Në fundin e shek. të 18-të dhe në fillim të shek. të 20-të krahina e Çamërisë bënte pjesë në pashallëkun e Janinës. Nën juridiksionin e vilajetit të Janinës do të mbetej deri në vitin 1913, kur, me vendimet e padrejta të Konferencës së Ambasadorëve, pjesa më e madhe e Çamërisë, si dhe rrethet e Konicës, Grebenesë, Kosturit dhe Follorinës mbetën jashtë kufijve të shtetit shqiptar, duke iu dhënë Greqisë. Vetëm rripi verior i Çamërisë me qendër qytetin e Konispolit mbeti brenda kufijve të shtetit shqiptar. Në ndarjen e sotme administrative të Greqisë, Çamëria është e ndarë në katër prefektura: të Thesprotisë, të Prevezës, të Artës dhe të Janinës. Këto katër prefektura formojnë rajonin e Epirit, siç e emërtojnë grekët Çamërinë. Sipërfaqja e asaj zone është 9203 km katrorë.
    Ky krye, i shkruar me njohje të thellë të historisë dhe të gjeografisë, si dhe i pajisur me harta e pasqyra demografike dhe të ndarjeve administrative të vilajetit të Janinës etj. i jep lexuesit një pamje mjaft të qartë dhe të vlefshme për shtrirjen, përmasat dhe rrjedhat historike e përgjithësisht për kahet e zhvillimit të mëtejshëm të asaj gjeohapësire. Para pushtimit grek, viset e Çamërisë të populluara me shumicë nga shqiptarët ishin rrethet e Filatit, të Gumenicës, Margëllëçit dhe të Paramithisë. Brezin anësor e përbënin rrethet e Artës, të Prevezës, të Janinës. Në këto hapësira jetonte dhe vijon të jetojë një popullsi shumetnike: shqiptare, greke, vllahe etj.
    Në kreun e katërt flitet për popullsinë dhe vendbanimet, duke trajtuar, së pari, autoktoninë shqiptare të Çamërisë dhe të trojeve të tjera etnike në Greqi, pastaj jep popullsinë dhe strukturat e saj, pasqyron ndarjen e saj në sanxhaqe e nahije sipas një tabele të qartë, duke dhënë aty edhe një përqasje e ravijëzim të vendit të saj në tërësinë e shqiptarëve në Ballkan. Po ashtu, paraqitet struktura fetare dhe etnike e Çamërisë, për të ardhur deri te shpërnguljet dhe ndryshimi i strukturës demografike të krahinës. Autori përshkruan me të dhëna e pasqyra të qarta edhe popullsinë çame në Republikën e Shqipërisë, jep vendet ku janë shpërnguluar masivisht çamë dhe përmbyll se “mendohet që numri i popullsisë çame në Republikën e Shqipërisë në ditët tona të jetë rreth 250 mijë banorë”.
    Një syth shumë interesant paraqet ai me titull “Aspekte demografike të popullsisë së Epirit sot”, i cili ndiqet nga një pjesë përshkruese shumë e vlefshme ku jepen tiparet dhe veçoritë gjeografike të vendbanimeve, duke i marrë ato një për një dhe duke dhënë aty faktime të plota rreth emërtimeve gjeografike dhe onomastikës së tyre, po edhe shumëçka tjetër me interes për njohjen e kësaj krahine.
    Kreu i pestë jep tiparet dhe veçoritë e zhvillimit të ekonomisë së Çamërisë, duke u nisur qysh nga lashtësia e deri në ditët tona, ndërsa kreu i fundit jep një pamje etnogjeografike të Çamërisë në optikën e udhëtarëve të huaj.
    E lexova me shumë ëndje këtë monografi të prof. as. dr. Selman Sheme dhe, si çdo shqiptar, ndjeva dhimbje e keqardhje të madhe për pësimet dhe fatet historike të pamira të një treve e krahine aq të bukur, për plojën e dhunën e ushtruar ndaj një gjindjeje aq punëdashëse e ndenjtare siç kanë qenë e janë çamët, të cilët edhe në kushtet trysnive të shfrenuara e të parreshtura shkombëtarizuese e denigruese, kanë mbetur kudo që gjenden dinjitarë e kryelartë, njerëz të punës, të kulturës dhe të arteve. Prej sish kanë dalë deri maja të larta të shkencës e të letrave shqipe, që nga Hoxha Tahsini, Faik Konica deri te Bilal Xhaferri. Në gjurmët e hullinë e mbarë të tyre shkon edhe një brez i sotëm studiuesish të përkushtuar, veprimtaria dhe shkrimtaria e të cilëve i bëjnë nder Çamërisë dhe përpiqen të shfrytëzojnë të gjitha hapësirat e mundshme demokratike për t’i dalë zot çështjes çame, për të kontribuar në rrjedhat e mbara të qartësimit dhe të zgjidhjes së të drejtave të çamëve. Një nga më të dalluarit është edhe autori i kësaj monografie, veprimtari i gjallë dhe studiuesi i njohur prof. as. dr. Selman Sheme, i cili, bashkë me prof. dr. Bashkim Kuçukun dhe studiues të tjerë kanë organizuar veprimtari shkencore e botime me rëndësi për njohjen e vlerave dhe traditave etnokulturore të çamëve dhe të Çamërisë.
    I urojmë mikut tonë të nderuar suksese e vepra të tjera të vlefshme për të mirën e Shqipërisë e të shqiptarëve.


    Data e Publikimit: 06/07/2005 Ballkani.

  6. #6
    i/e regjistruar Maska e Xhuxhumaku
    Anëtarësuar
    19-11-2003
    Vendndodhja
    sopr'un'curva
    Postime
    13,379
    EVROPA DHE MINORITETI ÇAM


    Agron Alibali

    Janë vetëm 1 100 individë të minoritetit çam të dënuar në mungesë nga gjykata e Janinës me akuzën për bashkëpunim me gjermanët”, do të deklaronte më 1995-ën drejtoresha e Drejtorisë Juridike të Ministrisë së Jashtme Greke në takimin e nënkomisionit të përbashkët për problemet juridike konsullore në Tiranë.
    Kjo deklaratë e një përfaqësuese zyrtare greke ishte një hap i rëndësishëm në përpjekjet e dikasterit të ish-ministrit të Jashtëm, Serreqi, për të filluar procesin e zgjidhjes së problemit të kthimit të individëve që i përkisnin minoritetit çam të shpërngulur me gjak e me dhunë nga vatrat e tyre më 1944-’45-ën dhe të vendosur përkohësisht në Shqipëri. Me të vërtetë, edhe pse deklarata merrte si të mirëqena disa vendime gjyqësore të dhëna in absentia nga një gjykatë e paregullt apo kangur, prapëseprapë ajo shfajësonte plotësisht shumicën dërrmuese prej mëse 40 000 çamësh – kryesisht pleq, gra e fëmijë – të cilët arritën të shpëtojnë të gjallë nga masakrat e tmerrshme të Paramithisë dhe Filatit, apo nga i ashtuquajturi kampi i refugjatëve në Fushën e Mursisë pranë Sarandës, ku qindra pleq, gra e fëmijë vdiqën në pritje të riatdhesimit të afërm, si pasojë e kushteve të tmerrshme të jetesës, sëmundjeve apo elementëve të natyrës.
    Por kanë kaluar thuajse dhjetë vjet dhe, përveç disa deklaratave të tjera me gjysmë zëri, shumë pak është bërë për zgjidhjen e këtij problemi madhor të të drejtave të njeriut në Evropë. Madje edhe një rezolutë e propozuar në legjislaturën e kaluar të Kuvendit shqiptar dhe e miratuar me shumicë votash – u quajt çuditërisht e pamiratuar nga kryesia e tij.
    Për ta thënë përmbledhurazi, bashkësia çame përbën një minoritet autokton e kompakt në një shtet anëtar të Bashkimit Evropian. Por, për fat të keq, mund të thuhet se minoriteti çam është më i harruari dhe më i rrezikuari sot për sot në Evropë. Si rrjedhim, nuk mund të mohohet se individët e minoritetit çam të shpërngulur me dhunë nga shtëpitë e tyre në Greqinë Veriperëndimore dhe që jetojnë përkohësisht në Shqipëri, janë de facto qytetarë të Evropës së Bashkuar dhe shtetas të Republikës Greke ashtu sikurse vëllezërit e tyre ortodoksë që kanë mbetur në Çamëri.
    Prandaj, nuk ka asnjë arsye që riatdhesimi i tyre të mos përfshihet në traktativat midis Shqipërise dhe BE-së, aq më tepër kur kjo e fundit i ka imponuar Shqipërisë një Marrëveshje Riatdhesimi për emigrantët e paligjshëm shqiptarë që punojnë në vendet anëtare të BE-së.
    Në vonesën e zgjidhjes së problemit të riatdhesimit të menjëhershëm të çamëve pas hyrjes së tyre në territorin shqiptar ndikuan një sërë faktorësh negative.
    Së pari, ishte lufta civile greke, si dhe fillimi i Luftës së Ftohtë, që i hodhi të dy vendet fqinje në kampe të kundërta.
    Së dyti, ishte ligji grek i Gjendjes së Luftës, një ligj absurd, i cili bllokoi për një kohë të gjatë marrëdhëniet normale dypalëshe dhe që mbahej thjesht në fuqi për të nxitur pretendimet e kota të shovinizmit grek ndaj Toskërisë e Labërisë. Është vendi për t’u theksuar se Ligji i Gjendjes së Luftës nuk ka kurrfarë lidhje logjike me problemin çam; ky i fundit është thjesht problem i të drejtave të njeriut; nga ana tjetër Ligji i Gjendjes se Luftës – i miratuar më 1940-ën, d.m.th. gati katër vjet para fillimit të genocidit- është problem i së drejtës ndërkombëtare ose më mirë i shkeljes së normave të saj nga ana e shtetit grek.
    Së treti, pengesë përbënte edhe ekzistenca në të dy vendet e regjimeve që shkelnin të drejtat e njeriut të shtetasve të tyre.
    Së katërti, ishin disa norma absurde me karakter diskriminues e racist në legjislacionin grek që pengonin individë vendës, të cilët nuk i përkisnin etnisë greke dhe fesë ortodokse që të merrnin shtetësinë greke. Disa prej këtyre dispozitave janë shfuqizuar, disa janë ende në fuqi.
    Së pesti, ishte dekreti i vitit 1952 i Presidiumit të Kuvendit Popullor të Republikës së Shqipërisë që, në kundështim me të drejtën ndërkombëtare si dhe të drejtën e brendshme shqiptare, me detyrim e ngutje i zhveshi nga shtetësia greke të gjithë refugjatët çamë në territorin shqiptar në kundërshtim me dëshirën e vullnetin e tyre.
    Dhe së fundi, ishte fryma e fondamentalizmit obskurantist dhe e shovinizmit grek që mbizotëronte atëhere – por disi edhe sot – në Kishën Greke, në ushtri si dhe në policinë sekrete.
    Por nuk mund të mohohet se sot punët deri diku kanë ndryshuar. Greqia është një vend kryesisht demokratik, anëtar i BE-së dhe i NATO-s, dhe me një klasë politike të sotme relativisht të evropianizuar dhe disi më të çliruar nga pasionet shoviniste apo mitet e shkuara të epërsisë racore, të intolerances etj. Po ashtu, marrëdhëniet midis Greqisë dhe Shqipërisë sot mund të quhen të mira dhe që gjithsesi japin shpresë për fillimin e zbatimit të një programi konkret që do të siguronte riatdhesimin e çamëve. Më tej, vetë bashkësia çame ka treguar gjithmonë një kthjelltësi gjykimi dhe durim të admirueshëm ndaj pengesave burokratike dhe politike të shtetit grek e atij shqiptar, si dhe ka hedhur poshtë ndonjë provokim për qëndrime të skajshme, duke demonstruar një frymë të palëkundur paqësore dhe miqësore për të shërbyer si një minoritet që përbën urën e vërtetë të miqësisë në marëdhëniet shqiptaro-greke.
    E drejta e riatdhesimit të popullsive të shpërngulura me dhunë përbën tashmë një normë të së drejtës ndërkombëtare sa i takon mbarë rajonit të Ballkanit e më gjerë. Por edhe në të drejtën e brendshme greke (neni 4.3 dhe deri diku Neni 118 i Kushtetutës) si dhe atë shqiptare (Neni 8 i Kushtetutës) ka hapësira të mjaftueshme që mund të angazhojnë makineritë shtetërore të të dyja vendeve për riatdhesimin e minoritetit çam.
    Për më tepër, parimet madhore të integrimit evropian për lëvizjen e lirë të njerëzve, ideve, mallrave dhe kapitaleve, nuk mund ta pengojnë madje, përkundrazi, do të mund ta lehtëonin e ndihmohnin zgjidhjen e problemit. Prandaj, nuk mund të justifikohen më tej qëndrimet e disa instancave të BE-së, të cilat në emër të kinse të drejtave të njeriut dhe minoriteteve, adoptojnë pa të keq pikëpamjet shoviniste greke në marrëdhëniet me Shqipërinë, ndërkohë që deri më sot kanë anashkaluar apo injoruar të drejtat e njeriut të minoritetit çam të një vendi anëtar, por që jeton përkohësisht në Shqipëri. Ka ardhur koha që Brukseli të investohet plotësisht në trajtimin njerëzor, të drejtë, jodiskriminues dhe të barabartë të qytetarëve të vetë evropianë me prejardhje nga Çamëria duke u njohur atyre – në kuptimin e gjerë të fjalës - të drejtën e pasaportës europiane. Gjithashtu, nuk ka më asnjë arësye që ndërkombëtarët që merren me të drejtat e njeriut në Shqipëri e Greqi, por edhe organizatat jo të pakta joqeveritare vendëse, ta injorojnë më tej shkeljen e të drejtave të njeriut të minoritetit çam.
    Por në fund të fundit, është vetë shteti grek që duhet të jetë më i interesuar në riatdhesimin e çamëve në shëpitë e tyre. Greqia e sotme nuk është më ajo e politikanëve thellësisht shovinistë sikurse Venizellos apo Micotaqis. Greqia nuk humbet asgjë sikur të njohë dhe të pranojë kontributin e madh që kanë dhënë çamët dhe paraardhësit e tyre në historinë antike dhe kulturën e sotme greke, qysh nga një personalitet si Pirrua e deri tek elemente të botës shpirtërore e materiale sikurse vallja e Osman Takës apo fustanella. Nga ana tjetër, ka rëndësi të theksohet se as shteti shqiptar nuk ka pretendime territoriale ndaj Greqisë, dhe as çamët nuk kërkojnë ndryshim të kufirit. Ata thjesht kërkojnë që të kthehen në vatrat e tyre, të rindërtojnë jetën e tyre atje ku kanë jetuar stërgjyshërit e tyre dhe në paqe e harmoni me popullin grek.
    Hapi i parë konkret për riatdhesimin u hodh dhjetë vjet më parë me deklaratën zyrtare të përfaqësuese së ministrisë së jashtme greke. Ai u ndoq nga Traktati i Miqësisë Berisha-Stefanopullos. Vazhdimi i hapave të tjera nga ana e Greqisë drejt riatdhesimit të plotë do të tregonte se ajo – si djep i demokracisë dhe i vlerave të qytetarisë dhe humanizmit evropian – është plotësisht e pjekur dhe në gjendje që të zgjidhë problemet e vështira të së kaluarës së vet të hidhur. Çka do ta rriste pa masë peshën dhe autoritetin e Greqisë në rrafshin ndërkombëtar. Por një kontribut mund të jepte edhe Peshkopi Janullatos - i ndodhur përkohësisht në krye të Kishës Vetanake Ortodokse Shqiptare - i cili ndofta duhet ta ketë një rremb të gjakut çam ngase u lind në Prevezë, apo skajin më jugor të Çamërisë. Ai vetë u pat dhënë ndihmë refugjatëve kosovarë më 1999-ën dhe nuk ka se pse të mos ta përdorë autoritetin e tij për të zbutur qëndrimin instransigjent dhe mohues të Kishës Ortodokse Greke kundrejt popullsisë çame, dhe që shpesh ndikon aq negativisht tek opinioni publik grek.
    Duke përshkruar hyrjen e tij në Çamëri rreth viteve 1820, ish-Konsulli i Përgjithshëm i Francës pranë Ali Tepelenës e akademiku Fransua Pukëvil do të shprehej si më poshtë: “Këtu bukuria kthehet sërish në perandorinë e vet, por nën një qiell më të ëmbël”…”Të lirë, të panënshtruar nga ligjet osmane, të përjashtuar nga tatimet, çamët nuk njohin sundimtar tjetër përveç Zotit, të cilit i falen në kishë dhe xhami”. Ata, vazhdon më tej Pukëvil, “dallohen nga flokët e verdhë apo gështenjë, nga gjallëria e tipareve, nga melankolia e syve, nga butësia e lëkurës dhe mbahen si ndër më të pashmit dhe më zemërgjerët ndër shqiptarët”. Udhëtarit të huaj që i sheh ata të veshur me kostumet e tyre plot ngjyra dhe me armë të shtrenjta do t’i ngjanin si “koloni e ushtarëve të Pirros, të kthyer me plaçkë nga Troja dhe që kanë zbarkuar sërish në brigjet e Epirit”. Dhe së fundi “të dhënë pas tregtisë, të guximshëm në përplasjet politike që i veçojnë, ata ësot] ecin përpara drejt qytetërimit”. Për fat të keq, marshimi i tyre drejt qytetërimit u ndëpre përkohësisht edhe prej masakrave dhe spastrimit etnik të bandave fashiste të N. Zervës.
    I takon bashkërisht dy shteteve fqinj dhe miq, Greqisë dhe Shqipërise, por sidomos edhe Evropës së Bashkuar të shekullit XXI që të ndreqë pa humbur kohë këtë padrejtësi të madhe ndaj një popullsie të lashtë e të pafajshme europiane, të zgjidhë këtë shkelje të hapur të normave të së drejtës ndërkombëtare dhe të drejtave të njeriut, dhe këtë njollë të zezë në historinë e ndërgjegjen e mbarë kontinentit.

    13/09/2005
    KATEGORIA: Analiza. Shekulli.
    --- La Madre dei IMBECILI e sempre in cinta...

    ---voudou.. ---

  7. #7
    i/e regjistruar Maska e shitesi
    Anëtarësuar
    17-11-2003
    Vendndodhja
    ne frymemarrjen time
    Postime
    1,069
    Citim Postuar më parë nga Brari
    mir kan bere qe jan shkundur ..

    suksese..
    Eshte nje padrejtsi qe i eshte bere shqiptareve ndaj te gjithe duhet te shkundemi nga pak.
    Feja e Shqiptarit eshte Shqiptaria

Tema të Ngjashme

  1. Zbulimi i Amerikës u bë nga arabët
    Nga Davius në forumin Historia botërore
    Përgjigje: 22
    Postimi i Fundit: 20-11-2009, 16:49
  2. Zëri i Amerikës shënon sot 65 vjetorin
    Nga DYDRINAS në forumin Problemet ndërkombëtare
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 24-02-2007, 18:01
  3. Bushi po perpiqet te krijoje supershtetin e Amerikes se Veriut?
    Nga Darius në forumin Problemet ndërkombëtare
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 19-06-2006, 20:01
  4. Vazhdojne luftimet ne rripin e Gazes
    Nga StormAngel në forumin Problemet ndërkombëtare
    Përgjigje: 140
    Postimi i Fundit: 22-04-2006, 08:44
  5. Jep dorëheqjen avokati i fushatës së Bushit
    Nga StormAngel në forumin Problemet ndërkombëtare
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 26-08-2004, 22:08

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •