Diplomati zvicerian Jean-Jacques de Dardel flet për Kosovën dhe të ardhmen e statusit të saj

“Kosova do të ketë një lloj pavarësie”

Shefi i sektorit të parë politik në Ministrinë e Jashtme të Zvicrës deklaron se do ketë bisedime të komplikuara deri në shpalljen e pavarësisë

Enver Robelli, Bernë

Debati për zgjidhjen e statusit të Kosovës është intensifikuar dukshëm ditë e fundit. Pas prezantimit të raportit të Komisionit Ndërkombëtar për Ballkanin, ku rekomandohej mëvetësia shtetërore e Kosovës, e cila do të arrihej në katër faza, këtë javë edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë konkretizuar planet për rregullimin e statusit të Kosovës.

Në debatin për të ardhmen e Kosovës tashmë është kyçur edhe Zvicra, me tone befasisht të reja. Në një bisedë me agjencinë zviceriane të lajmeve SDA, shefi i sektorit të parë politik në Ministrinë e Jashtme të Zvicrës, Jean-Jacques de Dardel, deklaroi se në fund të procesit për zgjidhjen e çështjes së Kosovës do të pasojë “një lloj pavarësie”. Deri atëherë, sipas tij, do të zhvillohen bisedime të komplikuara. “Vetëm një zgjidhje pozitive për serbët dhe për shqiptarët e Kosovës, një situatë kur të dy palët do të fitojnë, mund t’i sjellë stabilitet rajonit”,- tha De Dardel. Kërkimi i një zgjidhjee të tillë pritet të fillojë muajt e ardhshëm. Bashkësia ndërkombëtare pret nga Beogradi dhe Prishtina që të sqarojnë raportet mes tyre. Këtu nuk është fjala vetëm për statusin e Kosovës, por edhe për mbrojtjen e pakicave, shkruan SDA.
De Dardel, i cili është njëri prej diplomatëve kryesorë të Zvicrës, tha se Ministria e Jashtme në Bernë i kushton një rëndësi të madhe procesit politik në Kosovë dhe dëshiron ta shoqërojë atë nga afër. “Ekziston gatishmëria që diplomacia zviceriane të vihet në shërbim të pajtimit mes serbëve dhe kosovarëve”, - tha De Dardel.

Në këtë kontekst agjencia e lajmeve SDA citon kryeministrin e Kosovës Bajram Kosumi, i cili në një bisedë me gazetën “Tages Anzeiger” ka deklaruar se e konsideron Zvicrën si vend të përshtatshëm për bisedime mbi çështjen e statusit. Kosumi llogarit se Prishtina dhe Beogradi në vjeshtë do të fillojnë bisedimet për të ardhmen e Kosovës.

Deri më tani Serbia ka refuzuar të bisedojë mbi pavarësinë e Kosovës dhe angazhohet për një kompromis. Formula e Beogradit është: “Më pak se pavarësi, më shumë se autonomi”. Njëkohësisht Serbia kërkon angazhim ndërkombëtar për mbrojtjen e pakicave. De Dardel tha se janë të domosdoshme “garanci absolute”. Për diplomatin zvicerian është e qartë se “statusi dhe standardet demokratike” në Kosovë për diplomacinë evropiane do të jenë në krye të rendit të ditës në pjesën e dytë të këtij viti.
De Dardel, i cili është edhe koordinator i Zvicrës në Paktin e Stabilitetit për Evropën Juglindore, përkujtoi se zemërimi i njerëzve në Kosovë nuk ka të bëjë vetëm me çështjet e pazgjidhura politike. “Papunësia në mesin e të rinjve arrin në 70 për qind. Do të zgjasë shumë derisa të përmirësohet situata”. Në këtë drejtim Zvicra, sipas tij, do të angazhohet në një aspekt afatgjatë. “Nuk ka kornizë kohore” për praninë në Kosovë,- tha ai. Angazhimi ushtarak, diplomatik dhe zhvillimor do të vazhdojë edhe për disa vite. Në kuadër të KFOR-it, Zvicra ka dërguar në Kosovë mbi 200 ushtarë. Në mars mandati i kompanisë Sëisscoy është përtërir sërish.

Kosova, përparësi për Zvicrën

“Kosova do të ketë përparësi në politikën e jashtme të Zvicrës”,- tha De Dardel. Kontaktet me Kosovën janë rritur nga disa gjenerata: “Pothuaj secila familje kosovare ka lidhje me Zvicrën”. Nga ana tjetër, Serbia dhe Zvicra gjenden në grupin e njëjtë në Bankën Botërore dhe në Fondin Monetar Ndërkombëtar.

Agjencia SDA shkruan se përkundër rëndësisë së madhe që Zvicra i kushton Kosovës dhe Serbisë, deri më tani pothuaj asnjë përfaqësues i vendit nuk është shprehur në lidhje me statusin e ardhshëm të Kosovës. De Dardel deklaroi se kjo heshtje nuk mund të kuptohet si kundërthënie: “Për dallim nga aktorët e mëdhenj në skenën ndërkombëtare siç janë BE-ja dhe OKB-ja, ne jemi të detyruar që përherë të arsyetojmë. Ne kemi përfytyrime precize“.
Me sa duket, pjesë e këtyre përfytyrimeve precize të Zvicrës është edhe organizimi i një takimi mes politikanëve të Ballkanit gjatë dy javëve të para të qershorit në Gjenevë. Gjatë këtij takimi pritet t’ia japin dorën njëri-tjetrit edhe kryetari i Kosovës Ibrahim Rugova dhe ai serb Boris Tadiq (?).

Së paku Rugova ka paralajmëruar një mundësi të tillë, pasi me javë kishte refuzuar të bisedojë me Tadiqin. Pas presionit të shtuar ndërkombëtar dhe paralajmërimit të administratorit Sören Jessen-Petersen se është duke kërkuar një vend të përshtatshëm për t’i takuar Rugovën me Tadiqin, kryetari i Kosovës ndërroi mendjen dhe tani është i gatshëm ta takojë Tadiqin edhe para “njohjes së pavarësisë nga Serbia”, siç kishte këmbëngulur më parë.

Një propozim tjetër nga ai i diplomatit De Dardel për Kosovën është bërë javën e kaluar nga Komisioni për politikë të jashtme i Dhomës së Dytë të Parlamentit zvicerian (Ständerat). Anëtarët e Komisionit kanë përkrahur praninë ushtarake të Zvicrës në Kosovë dhe kanë bërë thirrje që “pa asnjë paragjykim të diskutohet çështja e ndjeshme nëse paqja në Kosovë mund të realizohet sipas modelit të tanishëm të bashkëjetesës etnike apo më shumë përmes ndarjes gjeografike-etnike”.

Burimi: Gazeta Shekulli.