Nën arrën degëgjerë, Besi i bërë tërë sy e veshë, nuk luajti vendit tërë kohën. Aty afër në ballkonin e një shtëpie, pa një vajzë që e ngriti zërin mjaftë lartë, duke kënduar këngë trimërie për luftëtarët e lirisë, atëherë kur po digjte çdo gjë në piskun e vapës. I ishte bërë zakon të shihte gjininë tjetër pa rroba. Pothuajse çdo femër e zhvishte me sy dhe e shihte ashtu si ia donte mendja, lakuriq. Kështu Besi, bëri edhe me vajzën këngëtare e trupshkurtër, të ballkonit.
Besi, ishte bërë pjesë e pandarë e hijes së drurit të arrës, ashtu sikur edhe paraardhësit. Delet mrizonin, lopët përtypeshin me plot dembeli e vetëm dy silueta në fund të oborrit pa gardh, të Rexhës, po lëviznin. Plaka e vet, po e lante Rexhën me ujë që merrte nga një kovë e kaltër. Ky ishte shumë i lodhur nga pleqëria dhe kishte nevojë për çdo ndihmë. Tani mbahej për shkopi dhe ashtu asht e lëkurë, që zvogëluar e kërrusur fare. Trupi lakuriq, vezullonte i mavijosur nën rrezet e diellit. Lëkura e zhubrosur mbushej përplot mornica dhe dridhej nga të ftohtit, përkundër vapës që po digjte. Plaka me kryeneçësi, vazhdonte të derdhte ujë mbi trup dhe e fërkonte me sapun kudo.
Besi psherëtiu edhe njëherë fort dhe rregulloi krahun e gipsuar mbi prehër. Sytë nuk po i ndante nga kthesa, te ara e Qerimit, prej nga edhe duhej të vinte Lumi. Burrat që shkuan në kërkim, u kthyen dikur, por nuk sollën asnjë lajm nga i zhdukuri. Nuk i kishin lejuar ushtarët jugosllavë të bënin udhë më tutje. Si duket, prapë kishin hetuar diçka.
Besi nuk e humbte durimin aty te druri i arrës. Po lëvizte më në fund diçka, atje tej. Këtij, bebëzat e syve iu zmadhuan dhe zgjati kokën edhe më. Ishte diçka e pa formë, përmes drurëve, që kur u tendos rrugës së pashtruar teposhtë, ia dha me të katërta. Andej nga duhej të zdirgjej Lumi, u duk një gomar. U afrua pastaj te Besi dhe ngriti veshët bigë. Kafsha kishte një shikim të çartur. Kur pëlliti me forcë, nga larg iu përgjigj gomarica e Shahinit. Besi mbeti gojëhapur dhe picërroi sytë me kujdes. Qe ngritur instinktivisht në këmbë nga buçima e pëllitjes dhe pastaj ashtu gojëhapur picërroi sytë me kujdes. U përkul nën poshtë gomarit dhe veneroi shumë gjatë nën barkun e tij, mes këmbëve të pasme. Besi u bind për problemin e kafshës.
Krijoni Kontakt