Flet biznesmeni amerikan Gilbert George Jennelli
“Përse do të investoj në Shqipëri”
Biznesmeni amerikan tregon se përse erdhi në Shqipëri dhe planet që ka për turizmin
--------------------------------------------------------------------------------
Roland QAFOKU
Çdo të thotë që një biznesmen amerikan vjen, viziton dhe pëlqen Shqipërinë?
Ikën me idenë se ky vend është i jashtëzakonshëm dhe në fund vendos të investojë mirë ca miliona dollarë? Përgjigjja ka vlerë vetëm pozitive. Vendi ynë nuk është më ai i pari. Këtu nuk të shqetëson më njeri, nuk të sulmon njeri, je i qetë dhe më e rëndësishmja është se jemi një vend në zhvillim. Ose më mirë akoma, pas dhjetë vjetësh kemi shansin të kemi zhvillim "eksploziv". Ky është Gilbert George Jennelli, një amerikan me prindër italianë, bos i vërtetë në Florida, me plazhe në Kosta Rika dhe Tiga. Biznesmeni i njohur shqiptar Alban Xhillari është njeriu që e ka ftuar për bashkëpunim, madje ka firmosur edhe një kontratë me të, e cila pritet të jetë një ogur i mirë edhe për kontrata të tjera dhe me biznesmenë të tjerë. Vetë Xhillari thotë se këto investime, të parashikuara në ndërtim e në turizëm, do t'i japin një zhvillim, këtyre dy industrive në Shqipëri. Madje në fushën e ndërtimit Xhillari shton se biznesmeni amerikan ka patur interes të investojë edhe në gropën e Hajdin Sejdisë. Në një intervistë për gazetën "Tirana Observer", Jennelli vlerëson përpjekjet e biznesit shqiptar për zhvillimin e vendit dhe i shikon investimet amerikane si mjaft të rëndësishme, duke nënkuptuar vendimin personal se do ta bëjë këtë gjë shumë shpejt. Por nuk harron të lëshojë edhe disa akuza ndaj një pjese të të rinjve shqiptarë, që, sipas tij, pinë kafe mëngjes, drekë, darkë dhe nuk janë produktivë.
Sa njihet në SHBA Shqipëria dhe për se ju si biznesmen vendosët të vinit këtu?
Është e thjeshtë, ata nuk kanë qenë asnjëherë këtu dhe shumë njerëz, kur dëgjojnë për një vend të huaj, flasin në bazë të perceptimeve të tyre individuale. Në SHBA, shumë njerëz as e dinë se ku ndodhet Shqipëria dhe ky është një problem. Por ka edhe një problem tjetër, që historia e Shqipërisë njihet pak, sepse ju keni qenë për një kohë të gjatë nën komunizëm. Perceptimi për vendin tuaj është korrupsion, banda, vjedhje, mafia shqiptare. Dua të them që është një mendim shumë negativ dhe nuk flitet aspak për gjëra të mira. Kështu që unë erdha këtu, pasi njoha disa shqiptarë në "Clear Water Xhimi One" dhe pashë se ishin njerëz të mirë biznesi, njerëz familjarë, të rregullt dhe mendova që ta provoja se si mund të shkonte biznesi këtu. Unë jam me profesion okulist, por në Florida kam një kompani turistike dhe zotëroj disa plazhe, po ashtu edhe në Kosta Rika, Tiga e në pjesë të tjera të SHBA-së. Kështu, ishte në interesin tim të vija dhe të eksploroja plazhet që keni ju këtu e të shihja mundësinë për të sjellë në Shqipëri ato gjëra që ne bëjmë në Amerikë. Miqtë e mi më thanë se isha i çmendur, se nuk kisha asnjë arsye që të vija deri këtu. Ata më thanë se ne kemi aq shumë gjëra për të bërë në Florida, se kemi kompani të ndryshme ndërtimi dhe mjaft gjëra për të zhvilluar. Dhe unë u thashë se tani SHBA-ja ka një ekonomi globale dhe bëjmë tregti në të gjithë botën. Amerikanët i kalojnë pushimet gjithë andej nëpër botë. Shumë të huaj vijnë në SHBA, madje ne kemi më shumë të huaj tani, për shkak të dobësimit të dollarit. Madje, mjaft evropianë vijnë në Amerikë për të blerë gjëra dhe për të investuar, për shkak se dollari është më i dobët se sa euro. Megjithatë, ne biznesmenët gjithmonë përpiqemi të blejmë lirë dhe të shesim shtrenjtë. Sigurisht, perspektiva mund të ndryshojë. Kështu që nëse dollari do të forcohet dhe euro do të bjerë, atëherë është shumë e rëndësishme që ne biznesmenët amerikanë të shohim jashtë vendit për ato lloj investimesh që në perspektivë mund të na sjellin miliona dollarë fitime, e sigurisht të na bëjnë të ndjehemi mirë.
Mos harroni, ne jemi një vend shumë i ri, me një moshë rreth 200-vjeçare krahasuar me Evropën. Por në Amerikë ne kemi vendosur lirinë, kufijtë e hapur, sipërmarrjen e lirë dhe për këtë ka njerëz të lumtur. Sipas opinionit tim, shumë shtete në botë po ndjekin shembullin tonë. Madje e gjeta këtë opinion edhe këtu në Shqipëri. Unë pashë se shqiptarët ishim mjaft miqësorë me ne amerikanët. Gjatë këtij qëndrimi u ndjeva shumë i qetë dhe i sigurt. Mjaft herë eca vetëm natën dhe ditën, askush nuk më bezdisi, nuk u ndjeva asnjëherë i frikësuar apo që dikush të më vinte pistoletën në kokë dhe të më kërkonte paratë. Shqiptarët për mua janë njerëz shumë miqësorë. Kur shikoj rreth e rrotull shoh mundësi të pafundme këtu. Mendoj se Shqipëria ka shansin që të jetë një "eksploziv" në 10 vitet e ardhshme. Ju keni burime natyrore, që mjaft vende nuk i kanë. Ju keni ide shumë të bukura, plazhe të mrekullueshme, male të bukura dhe një kohë shumë të bukur. Me këto katër gjëra, një vend mund të ketë zhvillim.
Është hera e parë që ju vini në Shqipëri?
Po, për herë të parë vij këtu.
Çfarë mendoni për Shqipërinë, më saktë për Tiranën?
Problemi më i madh që unë shoh këtu është shkalla e lartë e papunësisë. Është e pabesueshme. Unë shkoj në mëngjes për të pirë kafenë dhe shoh aty gjithmonë të rinj të moshës 20, 21, 22-vjeçare, që s'bëjnë gjë tjetër vetëm pinë kafe. Kthehem pasdite dhe janë po ata njerëz duke pirë të njëjtën kafe e sigurisht duke folur shumë. Askush nuk punon e s'ka ambicie për të punuar, e fatkeqësisht nuk ka bëhet asgjë për ta ndryshuar këtë qëndrim. Por për të ecur përpara si vend, ju duhet që t'i fusni njerëzit në punë. Po si mund të bëhet kjo? Kur qeveria mos të përfshihet në biznesin privat, atëherë ai do të ketë sukses, duke rritur prodhimin dhe duke rritur gjithashtu edhe numrin e të huajve që do të vijnë në Shqipëri për turizëm apo si investitorë. Dhe nëse ndodh kjo, atëherë do të ketë më shumë vend pune. Qeveria duhet që ta shpenzojë kohën dhe paratë e saj për të ndërtuar infrastrukturë e siguri, që është shumë e domosdoshme për Shqipërinë dhe për Tiranën.
Çfarë mundësish kemi ne shqiptarët për të pasur sukses në Amerikë?
Unë mendoj që Amerika është vendi i mundësive. Ne jemi njerëz të lumtur dhe të suksesshëm. Në SHBA mund të bëhesh shumë i suksesshëm kur ke një familje të mirë, një edukim të mirë dhe një punë të mirë. Mendoj se këto mundësi janë të zakonshme në SHBA dhe po bëhen të zakonshme në mënyrë globale.
A e njihni historinë tonë?
Kam pak informacion, sepse nuk më ka interesuar. Me origjinë unë jam italian, sepse të parët e mi ishin italianë dhe di më shumë për Italinë. Nuk kam pasur arsye që të mësoja në lidhje me historinë e Shqipërisë. Amerika është e varfër në histori dhe ne nuk e kemi studiuar historinë e Evropës ashtu siç do të duhej. Unë mund të them po ashtu se nuk kam pasur dijeni në lidhje me Shqipërinë. Dija vetëm që ajo ishte një vend komunist dhe që më pas fitoi lirinë, por nuk dija për historinë e Shqipërisë. Po sigurisht tani që jam këtu jam duke mësuar.
Çfarë mendoni për miqtë tuaj shqiptarë?
Kam takuar shumë njerëz këtu dhe mes tyre persona që kanë një nivel të lartë e njohuri të mira për biznesin. Persona tepër të ndershëm e shumë të suksesshëm dhe unë shpresoj të rikthehem këtu së bashku me kompaninë time, për të bërë gjëra serioze e mjaft investime; shpresoj që mjaft të tjerë të bëjnë po ashtu si unë.
Keni ndonjë ide se ku mund të investoni në Shqipëri?
Po, kam ide për të investuar në Shqipëri me gjëra të ndryshme, si dhe në importin e eksportin e mallrave.
Keni pasur kontakte me ambasadën amerikane në Shqipëri?
Sot u prezantova me konsullin e ambasadës sime, i cili ka 2 vjet këtu. Ai më foli shumë mirë për Shqipërinë dhe u tregua i gatshëm të na ndihmonte. Jam mjaft i kënaqur që qeveria jonë shpenzon para dhe ka njerëz këtu që e vlerësojnë mundësinë e hapin rrugën që amerikanët të investojnë këtu e të jenë të suksesshëm. Konsulli iu përgjigj një sërë pyetjeve që unë kisha dhe më premtoi se do të më gjente të dhëna dhe disa gjëra të tjera që ia kërkova. Ndiej kënaqësi kur mendoj që paratë e taksave që ne paguajmë, shpenzohen kështu.
A mund të na jepni ndonjë ide se si mund të kemi sukses me gazetën?
Ndoshta do të ishte mirë që të kërkoni dhe të merrni reklama. Në SHBA ne shpenzojmë shumë para për reklamë. Reklama në gazetë është ajo që kushton më shumë.
A mund të na thoni diçka për veten tuaj, biznesin, familjen?
Unë jam okulist në Florida dhe për shumë vite kam qëndruar aty. Nëna dhe babai im janë nga Italia, kurse vetë kam lindur në Bruklin, Nju-Jork. Në "Clear Water" kam shkuar pas Luftës II Botërore. Atje ndoqa të njëjtin biznes si im atë; ai ishte sipërmarrës dhe kishte një sërë kompanish. Ndërsa tani kam edhe një numër investimesh në fushën e okulistikës, gjithashtu jam shumë aktiv në fushën e organizimit të pushimeve verore e turistike. Jam i angazhuar në tregtinë ndërkombëtare, kryesisht me Kosta Rikën, por po investoj dhe biznesi im ka një zhvillim të mirë edhe në Tiga, një vend në Karaibe. Kam dy fëmijë të mrekullueshëm, një vajzë 25-vjeçare që sapo ka përfunduar kolegjin dhe është mësuese e një djalë të vogël që është vetëm 2 vjeç e gjysmë e që quhet Domenik.
Si erdhët dhe kush ju ftoi këtu?
Alban Xhillari dhe kompania e tij më ftuan.
Nuk bëhet fjalë për politikanë?
Jo, nuk bëhet fjalë për politikanë, unë kam ardhur si apolitik. Madje, dua të them se jam nga ata persona që këmbëngul se politika duhet të rrijë totalisht jashtë sipërmarrjes private. Mendoj se sipërmarrja private duhet të ecë përpara, pa ndërhyrjen e qeverisë. Në SHBA është një teori që kur ul taksat, ka më shumë para. Me më pak taksa çdo person mund të fitojë më shumë, të investojë më shumë dhe të prodhojë më shumë. Ne mendojmë se një njeri i varfër nuk mund të hapë vende pune. Fatkeqësisht ne në SHBA kemi njerëz që lindin, rriten e vdesin me ndihmë sociale dhe kjo nuk është e mirë për prodhimin. Siç edhe thashë, një i varfër nuk mund të hapë vende pune, kështu që qeveria duhet të qëndrojë larg iniciativës private dhe atëherë kjo e fundit do të zhvillohet. Ky është kyçi i zhvillimit. Mendoj se pozicioni i qeverisë duhet të jetë ai mbrojtës.
Përse shqiptarët, ndryshe nga pjesa tjetër e vendeve me përqindje të lartë myslimane, janë gjithmonë e më "të dashuruar" me Amerikën?
Unë mendoj se bota myslimane i reziston suksesit të Amerikës, sepse në jetët e tyre ka pasur gjithmonë një ndikim të madh feja myslimane dhe ëndrra për të jetuar si të tillë. Ndërkohë, nga ana e saj, në Amerikë preferohet liria. Ne na pëlqen që njerëzit të zgjedhin se çfarë do të bëjnë me jetët e tyre dhe mendoj se lufta agresive kundër terrorizmit ishte një nga gjërat e mira që ne kemi bërë. Në fakt, ajo që ndodhi më 11 shtator 2001, ka ndryshuar botën përgjithmonë dhe bota nuk do të jetë më e njëjtë. Nëse do ta përkthejmë këtë për Shqipërinë mendoj se vendi juaj ka një pozitë të mirë gjeografike. Ju jeni në mes të ekonomisë globale dhe është vetëm një çështje kohe deri sa ky vend të shpërthejë me burimet natyrore, në zhvillimin dhe edukimin e tij. Këshilla ime për shqiptarët është që të marrin një arsim të mirë, një punë të mirë dhe të vazhdoni të jeni po kaq pro-amerikanë. Ju kurrë nuk do të pendoheni për këtë. Amerika nuk ka për t'ju zhgënjyer kurrë, sepse ajo asnjëherë nuk i tradhton miqtë.
Çfarë duhet të bëjë Shqipëria për të tërhequr investitorë të huaj?
Shqetësimi i të gjithëve është qëndrueshmëria e qeverisë. Çdo amerikan që do të vijë të investojë këtu kërkon qëndrueshmëri. Kjo është kërkesa kryesore, pasi një qeveri e paqëndrueshme dhe një vend me kriminalitet të lartë, nuk i pëlqen askujt dhe janë frenuese për biznesin amerikan. Ne na pëlqen një qeveri stabël. Te ne në SHBA nuk ka rëndësi se kush është në pushtet, atje ka qëndrueshmëri dhe kjo bën që gjithmonë të ketë përparime. Kështu, nuk mendoj se te ne ka rëndësi nëse janë republikanët apo demo-kratët në pushtet. Sigurisht amerikanët kanë një opinion të vetin për këtë, por përgjithësisht për biznesin kjo nuk ka shumë rëndësi, pasi ne kemi një qeveri shumë të qëndrueshme. Unë vetë jam republikan dhe jam një përkrahës i Xhorxh Bushit. Pëlqej idealet e tij, respektoj idetë e tij dhe mendoj se është një nga presidentët më të mirë që ne kemi pasur. Madje, në një periudhë shumë të vështirë, pasi askujt nuk i pëlqen të drejtojë një luftë, Bushi ia ka dalë mbanë. Ai nuk e ka zgjedhur vetë luftën, megjithatë ai e drejtoi atë, pasi ne nuk duam që të bëhet luftë në vendin tonë, por që lufta të jetë diku tjetër. Bushi nuk e kërkoi luftën më 11 shtator 2001, atë e detyruan. Historia do të tregojë që ai bëri atë që duhej, madje mendoj se do të ishte pozitive për të gjithë Evropën dhe shumë pozitive për vendet në zhvillim.
Cilat janë planet për të ardhmen tuaj?
Unë kam shumë gjëra në mendje. Kur të kthehem në Amerikë do t'i rigrupoj edhe një herë e do të mendoj për këtë. Madje, do të flas edhe me miqtë e mi, pasi ka shumë gjëra që mund të bëhen këtu nga një grup investitorësh. Mendoj se mund të kemi shumë përparësi dhe sukses financiar. Nuk mund t'ju them me saktësi se çfarë kam ndërmend të bëj, pasi më duhet që t'i rigrupoj dhe t'i rimendoj mirë gjërat. Megjithatë ka një numër të madh mundësish në import-eksport, në arsim, në agrikulturë, turizëm, ndërtim e mjaft gjëra të tjera në një vend në zhvillim.
Sa njihen shqiptarët në Amerikë?
Kam dëgjuar për skandalin me ambasadorin në "CNN" dhe në disa gazeta që i kam parë gjatë qëndrimit tim këtu. Pastaj pashë gazetën lokale të vendit ku unë banoj dhe nuk gjeta asgjë. Ajo që dua të them është se shumë amerikanë nuk e dinë se ku ndodhet Shqipëria. Nuk po them se akuzat mbi ambasadorin tuaj janë gjëja më e rëndë, por po të kisha një kompani, e cila do të investonte në Shqipëri, do ta ndiqja këtë histori.
Po për sa i përket turizmit në Shqipëri, çfarë gjeni të mirë dhe pëlqeni?
Unë mendoj se pjesa jugore e Shqipërisë është një nga pjesët më të bukura të Evropës, është një vend i mrekullueshëm. Por mund të them se turizmi këtu nuk ekziston. Nëse vij në Tiranë me familjen për një javë, nuk kam ku të shkoj. Mund të shkoj në muze, në galeri, të shoh një film, të bëj një xhiro me makinë dhe të shoh ndërtimet e me kaq mbaron. Unë nuk mund të vij këtu që të pi kafe në mëngjes e kafe në pasdite. Për mua pirja e kafesë është diçka jo produktive. Çuditem se si mjaft të rinj e harxhojnë kohën në këtë mënyrë duke pirë kafe, duke tymosur duhan dhe pastaj çfarë?! Është thuajse e papranueshme, sepse ata padyshim që janë e ardhmja. Kur të jeni 65 apo 75 vjeç, ata do të kujdesen për ju, do të jenë biznesmenët e ardhshëm, liderët e ardhshëm e kështu me radhë.
Cilën gazetë lexoni në mëngjes?
Nuk është se kam shumë kohë. Megjithatë marr çdo ditë dy gazeta "SP. Time" dhe "Wall Street Journal". Unë jam investues dhe më pëlqen të shoh se si po ecën ekonomia e për këtë marr "Wall Street Journal". Ndërsa "SP. Time" është një gazetë shumë liberale dhe në dy zgjedhjet e fundit përkrahën kandidatin republikan. Mund të them që në SHBA, ne jemi bërë më shumë konservatorë dhe më shumë republikanë jo vetëm në zgjedhjet kombëtare, por edhe në ato lokale.
Çfarë mendon se duhet të bëjmë ne shqiptarët që të njihemi jashtë për ato të mira që kemi si komb dhe të ndryshojmë mendimin e të tjerëve?
Mendoj se ju duhet të ofroni një qeverisje të qëndrueshme, gjithashtu duhet t'u jepni përparësi burimeve natyrore. Madje, ju mund të sponsorizoni fermat dhe artizanët këtu dhe do të konkurronit me Kinën e me shtete të tjera. Sigurisht duhet të përmirësoni infrastrukturën, rrugët tuaja janë të tmerrshme po t'i krahasosh me standardet amerikane. Ju duhet të rrisni dhe t'i jepni prioritet turizmit tuaj. Gjëja më e rëndësishme që shoh se duhet bërë këtu, është një plan për zhvillimin. Duhet të keni tashmë një master-plan për të gjithë vendin. Kur isha në Durrës pashë se në çdo metër kishte nga një ndërtesë të re, por gjithçka ishte pa plan. Në SHBA nuk do ta lejonin kurrë një lloj zhvillimi të tillë. Mendoni sikur të gjitha ndërtesat të ishin ngjitur me njëra-tjetrën. Ju po shkatërroni pamjen e bregdetit dhe po shkatërroni çdo mundësi për të përdorur burimet e çdo lloji. Mendoj se plazhet ishin madhështore, po nuk pashë asnjë plan për zhvillimin e asaj zone. Dhe nëse ajo që është bërë aty është bërë me ndonjë plan, ky plan është shumë i keq. Sigurisht ju duhet diçka më e mirë, diçka e teknologjisë Perëndimore dhe ne kemi plot nga kjo. Nuk ka pjesë të infrastrukturës që të mos ndikojë në zhvillimin e vendit. Në SHBA, nëse duhet të zhvillosh diçka duhet ta planifikosh atë dhe kjo mund të zgjasë deri në dy vjet. Kur ke një vend në zhvillim, qeveria duhet të kontrollojë dhe duhet të bëjë plane. Kjo vjen kur ke një qeveri të stabilizuar dhe për këtë duhet të bësh disa sakrifica. Këtu qëllimet e qeverisë dhe të biznesit privat duhet të bashkohen në të mirë të zhvillimit të vendit.
A do të ktheheni sërish në Shqipëri?
Do të kthehem në Shqipëri. Madje kam menduar se mund të bëhet një linjë direkte fluturimi mes Shqipërisë dhe Amerikës. Duhen 24 orë që të mbërrish këtu në linja jodirekte dhe kjo është shumë e lodhshme. Kjo ndoshta është një nga gjërat e mëdha që duhet të bëjë ky vend që të sigurojë fluturimet direkte dhe lidhje direkte me vendet e Evropës dhe Amerikën.
Marre nga Tirana-Observer.
Krijoni Kontakt