Blerina Limaj është aksidentuar dje në afërsi të drejtorisë së policisë së Tiranës, teksa po kalonte kryqëzimin
Vdes në aksident ekonomistja e “Albautor”
Pranga shoferit të kamionit që aksidentoi 24-vjeçaren. Viktima, e diplomuar një vit më parë
Lindita Çela
TIRANË- Vdes në një aksident tragjik pranë drejtorisë së policisë së Tiranës, ekonomistja e shoqatës “Albautor”. Blerina Limaj, 24-vjeçarja e sapodiplomuar në fakultetin Ekonomik ka qenë duke kaluar rrugën, në urën afër policisë së kryeqytetit, kur është shtypur nga një kamion. Ngjarja e rëndë ka shkaktuar panik tek shumë njerëz, që ndodheshin aty në momentet kur trupi i Blerinës u përfshi nga rrotat e kamionit, me targa TR 4604F. Vajza 24-vjeçare ka humbur jetën menjëherë, pasi trupi i saj është dëmtuar së tepërmi nga rrotat e pasme të kamionit. Punonjësi i policisë rrugore që kryente shërbimin në afërsi të vendit të ngjarjes ka lajmëruar kolegët e tij, ndërkohë që më shumë se 30 minuta trupi i masakruar i 24-vjeçares ka mbetur përtokë, duke tmerruar kalimtarët e shumtë.
Aksidenti
Aksidenti i rëndë ka ndodhur mesditën e djeshme, në momentin që semafori i vetëm në këtë kryqëzim ndërroi ngjyrën e kuqe në jeshile. 24-vjeçarja Limaj, e shoqëruar nga një shoqe e saj nuk e ka vënë re ndryshimin e semaforit, duke rënë brenda pak sekondash nën rrotat e kamionit të drejtuar nga 53-vjeçari Kujtim Rizai. Trafiku, tepër i dendur në këtë zonë të Tiranës është ndërprerë menjëherë, ndërkohë që në vendngjarje kanë mbërritur forca të shumta policie. Ekspertiza në vendin ku ndodhi aksidenti u ka ngrënë mjaft kohë uniformave blu, kohë në të cilën trupi i copëtuar i Blerinës ka mbetur përtokë. Ndërkaq, punonjësit e policisë rrugore kanë shoqëruar shoferin e kamionit, i cili është marrë në pyetje për rrethanat e këtij aksidenti tragjik. Pas përfundimit të ekspertizës, trupi i Limajt është dërguar në morgun e Tiranës, ku është marrë më pas nga familjarët e saj.
Viktima
Që në hyrje të pallatit ku banon prej disa vitesh familja Limaj, në rrugën “Naim Frashëri” dëgjohet zëri i mbytur i grave që qajnë me fjalë jetën e prerë në mes të Blerinës. Të gjithë banorët e kësaj rruge i ka tronditur vdekja e Blerinës, e cila sapo kishte përfundur studimet. Vajza 24-vjeçare, e cila humbi jetën dje si pasojë e aksidentit tragjik ka përfunduar studimet vetëm një vit më parë. Blerina Limaj ishte punësuar në shoqatën “Albautor”, si financiere. Blerina është vajza më e madhe e familjes Limaj, ndërkohë që motra e saj studion në Rusi për Letërsi. Megjithëse trupi pa jetë i 24 -vjeçares ka mbërritur në shtëpi rreth orës 15.00 të ditës së djeshme, ceremonia mortore do të kryhet gjatë ditës së sotme, pasi pritet të vijë në Tiranë motra e saj.
23/04/2005
Krijoni Kontakt