DIOGJENI
DIOGJENI nga Sinapi, filozof i shquar grek që jetoi në shek. IV p.e.r.
* E pyetën Diogjenin se cila ishte koha më e mirë për të ngrënë.
- Në qoftë se je i varfër, ha kur të mundesh, - u përgjigj ai, - kurse po të jesh i pasur ha kur të duash.
* Diogjeni pa një të ri që u skuq nga turpi.
- Mos ki frikë djalë, - i tha, - kjo është ngjyra e virtytit.
Diogjenin e qortuan sepse duke qenë i paditur ngatërrohej me filozofi.
- Ngatërrohem pikërisht sepse dua të mësoj, - u përgjigj Diogjeni.
* Diogjenin e kapën piratët dhe si të gjithë skllevërit e tjerë e nxorën në treg për ta shitur.
- Çfarë di të bësh? - e pyetën.
Të komandoj njerëzit, - u përgjigj filozofi. Pastaj iu drejtua atij që i binte trumpetës, duke e urdhëruar se në vend të formulës së zakonshme. "Kush do të blejë një skllav? - të thoshte me zë të lartë:
- Kush do të blejë pronarin e tij?"
* Diogjeni admironte shumë një harpist me duar tepër të shkathta, por e urrente shumë për karakterin e tij të dobët. Kur e pyetën se pse ushqente gjithë atë admirim u përgjigj:
- Sepse, duke pasur në duar gjithë atë shkathtësi për të vepruar, është bërë harpist në vend të bëhej vjedhës.
* Dikush e pyeti Diogjenin nëse kishte shumë njerëz në Lojërat Olimpike. - Kishte shumë shikues dhe pak njerëz - u përgjigj filozofi.
* E pyetën Diogjenin:
-Më thoni si mund të hakmerrem me armiqtë e mi?
-Duke u bërë njeri më i virtytshëm se ata, - u përgjigj filozofi.
* I thanë Diogjenit një ditë:
- Lum Kalisteni që jeton në oborrin e Aleksandrit dhe merr pjesë në bankete madhështore.
- Përkundrazi, - u përgjigj Diogjeni, - duhet vuajtur fati i Kalistenit, që duhet të hajë, vetëm kur ka dëshirë Aleksandri.
* E gjetën njëherë Diogjenin me duar të shtrira përpara një statuje, sikur i kërkonte lëmoshë. E pyetën përse e bënte atë veprim.
- I kërkoj lëmoshë një objekti që nuk mund të më flasë, kështu do të mësohem të mos fyhem kur të më refuzojnë ata që flasin.
* E pyetën Diogjenin se si duhej sjellë ndaj të fuqishmëve.
- Duke qëndruar si ndaj zjarrit, - u përgjigj Diogjeni, - jo shumë larg dhe jo shumë afër.
Krijoni Kontakt