Policia: Nga hetimet e para rezulton se Miltjon Zaka, 14 vjeç, është vetëvarur pasi është qortuar nga nëna e tij
Vetëvaret për notat 14-vjeçari
V. Muçaj
FIER- Gjendet i vetëvarur në rrethana ende të paqarta një adoleshent nga rrethi i Fierit. Tragjedia ka ndodhur në orët e mbrëmjes së djeshme, në familjen Zaka, banuese në lagjen “Sheq” të Fierit. Adoleshenti Miltjon Zaka është gjetur i vetëvarur në oborrin e shtëpisë, rreth orës 19:00 të ditës së djeshme. Zaka, nxënës në klasën e tetë, i ka dhënë fund jetës me një litar, në një hekur që ndodhej në oborrin e shtëpisë. Policia që ka shkuar menjëherë në vendngjarje, ka nisur hetimet për këtë rast të vetëvrasjes, ndërsa mendohet se adoleshenti i ka dhënë fund jetës në kushtet e një depresioni të çastit.
Ngjarja
Rreth orës 19:00 të ditë së djeshme, 14-vjeçari larg syve të të afërmëve të tij, ka vendosur t’i japë fund jetës. Prindërit e adoleshentit, sipas hetimeve të para të policisë, nuk ndodheshin në shtëpi në atë orë të mbrëmjes. Ata kanë një lokal aty pranë shtëpisë, që ndodhet në periferi të qytetit të Fierit. Në shtëpi nuk ndodhej as vëllai i vogël i Miltjonit, nxënës në klasën e katërt. I vetëm Miltjoni ka dalë në oborrin e shtëpisë dhe pasi ka siguruar një litar, i është drejtuar një hekuri që ndodhej aty pranë. Aty ka realizuar dhe vetëvarjen. Fëmija është gjendur i vdekur nga një fqinje e tij e cila e tronditur nga ajo që ka parë ka lajmëruar menjëherë banorë të tjerë të lagjes që kanë mbërritur me urgjencë pranë viktimës. Po ashtu banorët kanë lajmëruar menjëherë dhe policinë e cila ka mbërritur në lagjen periferike “Sheq” dhe ka nisur hetimet lidhur me këtë ngjarje.
Policia
Një grup hetimor i policisë së komisariatit të Fierit mësohet se ka marrë në pyetje prindërit e 14-vjeçarit të vetëvarur, fqinjët, mësuesit dhe shokët e tij. Burime nga grupi hetimor, megjithëse të rezervuara lidhur me këtë ngjarje, thanë për gazetën se fëmija mendohet t’i ketë dhënë fund jetës pas një qortimi nga ana e prindërve. Mësohet se Miltjoni, nxënës në klasën e tetë, kishtë rënë nga mësimet kohët e fundit, dhe nuk iu kishte treguar prindërve për disa nota negative që kishte marrë kohët e fundit. Por nëna e tij është njoftuar për notat që kishte marrë i biri dhe e ka qortuar atë për rezultatet në shkollë. Sipas hetimeve të para, mendohet se 14-vjeçari është prekur shumë nga qortimi i së ëmës dhe ka vendosur t’i japë fund jetës. Gjithsesi, thanë burimet e policisë për gazetën, këto janë hetimet praprake lidhur me këtë ngjarje. Gjithçka do të zbardhet në ditët në vazhdim.
Rastet
Fenomeni i vetëvrasjes tashmë ka prekur jo vetëm moshat e rritura, por dhe ato të mitura. Vetëm në dy muajt e fundit rezultojnë mbi 6 fëmijë të vetëvrarë, të gjithë nxënës të shkollës 8-vjeçare. Për disa prej tyre është folur se kanë qenë frekuentues të shoqatave fetare dhe kjo ka ndikuar në vendimin e tyre për vetëflijim. Hetimet dhe deklarimet e policisë, që janë bazuar në dëshmitë e të afërmëve dhe të njohurve të viktimave, janë hedhur poshtë nga prindërit e tyre. Gjithsesi vetëvrasjet e fëmijëve janë kthyer në një fenomen shqetësues për shoqërinë shqiptare, gjatë këtij viti.
23/04/2005
Krijoni Kontakt