Komisioni Amerikan i Helsinkit kërkon që zgjedhjet të përmbushin standartet ndërkombëtare
SHBA: Listat, mbeten problem për zgjedhjet
Hand: "Ritmi i zhvillimit demokratik në Shqipëri dhe respektimi i shtetit ligjor është ngadalësuar, nga vala e krimit të organizuar dhe korrupsioni, herë-herë e kombinuar kjo me amulli politike"
Komisioni i Helsinkit të Kongresit Amerikan shprehu shqetësim mbi përgatitjet e procesit zgjedhor, ndërsa paralajmëroi mundësinë e problemeve me të cilat mund të ndeshet procesi zgjedhor nga manipulimi i listave të zgjedhësve.
Takimi është zhvilluar në ndërtesën e njohur Capitol Hill në Uashington. Sean Woo, përfaqësues i Komisionit të Helsinkit të Shteteve të Bashkuara në fillim të seancës theksoi faktin se: "Qeveria amerikane dhe Komisioni i Helsinkit do të mbajë këtë seancë dëgjimore, për të treguar kujdesin amerikan për përgatitjet që po bëhen, që këtë verë në Shqipëri, të mbahen zgjedhje të lira, të ndershme dhe demokratike".
"Ne, tha Woo, po mbajmë këtë seancë dëgjimore të udhëhequr nga motivi ynë kryesor "Shqipëria, Zgjedhjet Parlamentare 2005: Si të jenë ato të lira të drejta e të ndershme?".
Një nga problemet e vjetra të zgjedhjeve në Shqipëri, por që ka dalë përsëri në pah këto ditë, janë listat e votuesve. Problemi i listave ishte edhe një nga problemet kryesore që doli edhe takimin e djeshëm të Komisionit Amerikan të Helsinkit. Ekspertë ndërkombëtarë të zgjedhjeve theksuan se përparimi në Shqipëri nuk duhet matur me zgjedhjet e kaluara, por me plotësimin e standarteve ndërkombëtare.
"Një problem që vazhdon të ekzistojë dhe që besoj se mund të bien dakord edhe kolegët, mbetet saktësia e listave të votuesve. Nikolai Vulchanov, zëvendësshef i Departamentit të Zgjedhjeve për ODIHR-in, ka ndjekur prej vitesh zgjedhjet në Shqipëri. Zoti Vulchanov tha se megjithëse ka patur disa përmirësime si për shembull lënia në dorë të zyrtarëve lokalë të hartimit të listave, ekziston rreziku për problemet me këto lista dhe mundësia për dublikimin e tyre. Ai shtoi se nuk pati marrëveshje politike për të kontrolluar saktësinë e të dhënave nga një komunë apo bashki në tjetrën.
Zoti Baliey, drejtor i projektit për Shqipërinë i fondacionit ndërkombëtar Sistemet e Zgjedhjeve, paraqiti gjithashtu si shqetësim listat e zgjedhjeve. "Ekziston mundësia që listat e votuesve të shkaktojnë polemika si nga ana teknike, ashtu edhe politike". Me të vërtetë disa nga komentet e udhëheqësve politikë lënë të kuptohet se polemika të tilla kanë filluar.
Zoti Vulchanov tërhoqi vemendjen se rekomandimet e organizatës së tij u plotësuan vetëm pjesërisht, si dhe shprehu shqetësimin për mënyrën e numërimit të votave, duke i zbrazur kutitë e votimit një nga një, si dhe për caktimin e personave që do të numërojnë votat, vetëm dy orë para fillimit të numërimit.
Pjesëmarrësit thanë se klima e acaruar politike mund të jetë nga pengesat kryesore për një proces normal zgjedhor. Megjithëse zoti Vulchanov përmendi balancimin e forcave politike në komisionin e zgjedhjeve dhe në hartën zgjedhore, ai theksoi se mosbesimi vazhdon të jetë një faktor mbizotërues.
Bob Hand, këshilltar në Komisionin Amerikan të Helsinkit, tha se zgjedhjet e lira dhe të ndershme kanë rëndësi jo vetëm për qytetarët dhe votuesit e Shqipërisë, por edhe për rajonin në përgjithësi. Toni kritik i deklaratave ndërkombëtare pasqyron shqetësim padyshim, por gjithashtu pasqyron edhe shpresa pozitive që Shqipëria mund t'i përmbushë standartet e zgjedhjeve të lira dhe të drejta, nëse udhëheqësit e vendit bëjnë përpjekje në këtë drejtim. Po ashtu, fryma e këtyre deklaratave pasqyron mbështetje për popullin e Shqipërisë, që meriton plotësisht këtë.
Zoti Hand tha se sfida tani për Shqipërinë nuk është të vendosë se në çfarë drejtimi do të shkojë, por për të gjetur rrugën se si do të arrijë atje, duke iu referuar integrimit euroatlantik të vendit. "Ritmi i zhvillimit demokratik në Shqipëri dhe respektimi i shtetit ligjor është ngadalësuar, nga valë e krimit të organizuar korrupsioni, herë-herë e kombinuar kjo me amulli politike", tha zoti Hand. Ai shtoi se cilësia e zgjedhjeve të ardhshme do t'ia ndryshojë drejtimin zhvillimeve dhe do të ndihmojë Shqipëinë që t'i hyjë një rruge të sigurt.
Xhenifer Buzd, drejtor i Institutit Kombëtar Demokratik për Shqipërinë tha se nëse klima politike nuk ndryshon, ëndrrat për integrim euroatlantik do të jenë të largëta. Përfaqësuesi i Institutit republikan Amerikan në Shqipëri e vuri theksin tek rëndësia që do të ketë plotësimi i standarteve të zgjedhjeve për integrim, jo në krahasim me të kaluarën dhe me problemet që ka patur Shqipëria, por në krahasim me ato që duhet të arrijë për të qenë e denjë për integrim".
RD
Krijoni Kontakt