Artiola Alimadhi - 06/05/2005
Në ankandin e fundit në tregun e bonove të thesarit, Yield-i i tyre ra në një minimum të ri historik prej 5,08 për qind. Këto të fundit kanë edhe luhatshmëri më të madhe krahasuar me bonot me maturim 6-mujor ose njevjeçar
Bonot e thesarit tremujore kanë pësuar një ulje të mëtejshme të Yield-it të tyre, duke shënuar minimumin historik të vlerës së këtij treguesi që prej krijimit të tij. Në ankandin e fundit të zhvilluar në Bankën e Shqipërisë, norma e interesit e bonove tremujore ra në 5,08 për qind, nga 5,11 për qind që ishte norma e ankandit paraardhës. Rënia në përqindje ka qenë 0,59 për qind.
Para një muaji, blerësit e borxhit të qeverisë përfitonin 5,24 për qind mbi shumën e investuar prej tyre në bono thesari me maturim 3-mujor, ndërkohë që një vit më parë, norma e interesit ishte në nivele shumë më të larta, 7,06 për qind. Në ankandin e fundit bonot tremujore kanë pasur një normë 28 për qind më të ulët se një vit më parë.
Luhatshëmria e normave të interesit për bonot gjashtëmujore ka qenë e madhe, ndërkohë që për ato njëvjeçare kjo luhatshmëri ka qenë më e ulët (duke krahasuar ndryshimet relative në përqindje nga njëra periudhë në tjetrën). Kështu, bonot gjashtëmujore në ankandin e fundit kishin një Yield prej 6,52 për qind. Në atë paraardhës, norma e rregjistuar ishte 6,06 për qind, në atë të zhvilluar para një muaji norma e interesit ishte 6,51 për qind, ndërsa para një viti ka qenë 8,34 për qind. Gjatë dy ankandeve të fundit, Yield-i i bonove të thesarit gjashtëmujore reagoi në drejtim të kundërt me bonot 3-mujore apo 1-vjeçare. Ai u rrit në vlerë relative me 7,59 për qind ndërkohë që krahasuar me një vit më parë, norma e tyre ka rënë me 27,9 për qind.
Për bonot me maturim njëvjeçar, luhatja ka qenë më e lehtë duke iu referuar termave relativë. Në ankandin e fundit norma e bonove njëvjeçare ishte 6,94 për qind, nga 7,08 për qind që ishte një javë më parë. Ndryshimi në përqindje ka qenë një rënie prej 1,98 për qind. Para një muaji, bonot 1-vjeçare kishin një normë 7,14 për qind, ndërsa para një viti norma e interesit ishte 9,22 për qind.
Krijoni Kontakt