Që prej dy javësh janë regjistruar raste të shumta të kapjes së kartëmonedhave 1 000 lekëshe të falsifikuara



Florian Papadhimitri

TIRANË- Që prej dy javësh, pothuajse kudo në qendrat tregtare të Tiranës dhe në ambientet ku ka konsumatorë të ndryshëm, janë vënë re ankesa për raste të kapjes së kartëmonedhave falso. Raste të shumta janë vënë re në pikat e ndryshme ku shiten ushqime, por bllokim të kartëmonedhave të falsifikuara ka pasur dhe në sportelet e bankave të nivelit të dytë. Një prej punonjësve të Bankës Kombëtare Tregtare, i pyetur dje nga gazeta, bëri të ditur se që prej dy javësh bllokohen sasi të shumta parash në sportele dhe rastet janë shtuar shumë gjatë ditëve të fundit të kësaj periudhe. “Kemi gati dy javë që jemi ndeshur me kartëmonedha falso, dhe ditët e fundit është vënë re një shtim i ratsve”, - thotë një prej punonjësve të BKT-së. Ndërkohë, lidhur me problemin në fjalë, po dje janë pyetur edhe punonjës së sporteleve të disa bankave të tjera, të cilët kanë pohuar fenomenin e ditëve të fundit. Raste të shumta janë bërë publike dhe nga punonjës të ndryshëm të kompanive private. Klodi, punonjës në një kompani që merret me shpërndarje mallrash, tha dje se para pak ditësh, gjatë marrjes së pagesës së tij mujore kishte vënë re që disa kartëmonedha të prerjes 1 000 lekëshe të reja ishin falso. “Nuk e mbaj mend me saktësi, por tri apo katër klartëmonedha ishin të falsifikuara dhe unë i ndërrova në moment te financierja e kompanisë sonë”, - tha Klodi.
Kartëmonedhat
Kartëmonedhat e falsifikuara janë të prerjes 1 000 lekë të reja dhe më së shumti ka pasur raste të kartëmonedhave të prerjes që është emetuar në vitin 1992. Përveç këtyre kartëmonedhave, ka pasur dhe raste të pakta të kartëmonedhave falso prej 1 000 lekësh, që është hedhur në qarkullim pas vitit 1997. Po kështu raste shumë të rralla mund të ketë pasur dhe me kartëmonedhat e huaja. Pak raste janë vënë re me disa prerje të kartëmonedhës së Bashkimit Evropian. Punonjës të bankave që u prononcuan dje për gazetën thanë se mënyra e parë për të dalluar nëse një kartëmonedhë është e falsifikuar, është parja e tyre me makinat me rreze ultravjollcë. Në lidhje me kartëmonedhat që janë kapur në sportelet e bankave, ata thonë se dallimi i parë mund të jetë letra më të cilën janë shtypur, pasi, sipas tyre, ajo është pak më e trashë. Në disa raste kartëmonedhat e falsifikuara janë shumë të vështira për t’u dalluar, pasi falsifikuesit kanë vënë në to dhe fillin e sigurisë. Gjithsesi, gjëja më e mirë për t’u bërë, nëse u bien në dorë, është grisja e tyre me pak dhimbje, por duhet.

Elementet e sigurisë së kartëmonedhave 1 000, 500, 200 dhe 100 lekë rishtypje e vitit 1996


Shtypi i thellë është i aplikuar në të dyja anët e kartëmonedhave të prerjes 200 dhe 500 lekë. Te prerja 1 000 lekë, ai është i fuqishëm në anën e përparme, ndërsa në anën e prapme është jo i plotë.
Te prerja 100 lekë, shtypi i thellë është vetëm në pjesën e përparme të kartëmonedhës.
Shtypi i thellë ndiehet lehtësisht në prekje dhe është më i dallueshëm mbi vlerat nominale, shkrimet, portretet dhe dekoracionet e kartëmonedhave.

Dy numëratorët për prerjen 100 lekë, për prerjen 200 lekë dhe për prerjen 500 lekë janë fluoreshentë nën dritën e llampës ultravioletë, ndërsa për prerjen 1 000 lekë, njëri numërator është fluoreshent (majtas poshtë) dhe tjetri (djathtas lart) është manjetik.

Firmat në këto kartëmonedha janë të guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Kristaq Luniku dhe të drejtorit të Departamentit të Emisionit dhe Administrimit të Parasë, z. Palok Kolnikaj. Te prerja 1 000 lekë, firmat janë fluoreshente nën dritën e llampës ultravioletë.

Numri i padukshëm fluoreshent. Në të djathtë të vlerës nominale të lexueshme është përsëritur kjo vlerë nominale, e cila në dritën e llampës ultraviolet është fluoreshente.

Filigrama është e dukshme kundrejt dritës dhe paraqitet e shpërndarë brenda kartëmonedhës. Për prerjet 100, 200, 500 dhe 1 000 lekë ajo është me inicialet B.Sh.Sh., kurse për prerjen 500 lekë (prerja me nuanca violet dhe të kuqe), filigrama është një figurë mitologjike.

Filli i sigurisë është i dukshëm kundrejt dritës së zakonshme në të pesë prerjet.
- Për prerjet 100 dhe 500 lekë (prerja me nuanca violet dhe të kuqe) është i metalizuar edhe brenda letrës, si dhe i dukshëm kundrejt dritës. Në prerjen 100 lekë, nën dritën e llampës ultraviolet, ai është fluoreshent në ngjyrë të kuqe.
- Për prerjet 200, 500 dhe 1 000 lekë, në pjesën e përparme të kartëmonedhës është i ndërprerë (me dritare) dhe nën dritën e llampës ultraviolet është me ngjyrë të verdhë. Në kartëmonedhat 500 dhe 1 000 lekë, filli i sigurisë ka të mbishkruar vlerën nominale të prerjes në mënyrë të alternuar.

Fibrat e sigurisë janë të shpërndara në letër në mënyrë të çrregullt. Ka fibra të dukshme dhe fibra të padukshme, konkretisht:
- Fibra sigurie të dukshme me ngjyrë violet të errët;
- Dy fibra fluoreshente nën dritën e llampës ultraviolet me ngjyrë jeshile dhe të kaltër.


shekulli