Per cilin bien kembanat ne Shqiperi?
E Marte, 17 Maj 2005
Nga Sami Repishti
Eshtrat e njezet-e-tete mije herojve, deshmoreve dhe viktimave te Luftes se Dyte Boterore ne Shqiperi duhet te jene trazuar me 5 maj 2005, kur kane degjuar se ceremonia e respektimit te kujtimit te tyre ne varrezat ku pushojne, eshte bere e ndare ne grupazhe politike. Pozite-Opozite kane refuzuar te perkujtojne se bashku keto heroj qe dhane jeten e tyre per lirine e vendit te okupuar. Cdo individ si qytetar, dhe kolektivi yne si komb shqiptar, duhet te ndihet i fyer rende nga nje sjellje e ketille banditeske. Para arkivolit te nje te vdekuri, bota e qyteteruar tregon dhembje dhe respekt. Po per 28 mije viktimat e luftes? Njeriu qe gjykon dhe ruan akoma te pafelliqur ndergjegjen, zakonisht ndalet, heshte, mendon dhe nderon...!
Por jo ne Shqiperi! Kaq shume eshte helmuar atmosfera ne vendin tim dhe te pareve te mij, sa qe edhe i vdekuri vritet per se dyti nga mungesa e respektit. Per kete, pa asnje dyshim pergjegjesia i bie katerciperisht klases politike shqiptare, pa perjashtim. Fakti qe grupimet politike kane rene kaq poshte ne Shqiperi tregon qarte mungesen e vlerave shpirterore dhe morale te kesaj klase, si dhe papjekurine e tyre politike.
Keto dite Europa e ringjallur ka perkujtuar mbarimin e Luftes se Dyte Boterore, me ceremonira qe perkujtojne 50 milione viktimat, nga te gjitha palet: rus, gjermane, anglez, francez, italiane, jugosllave, greke, shqiptare e te tjere. Shkaterrimet jane te pallogaritshme. Nenat jane lene pa djem, grate pa burra, femijet pa prinder: jetime, te varferuar, e shpesh te harruar nga bota qe ecen pa kthyer koken mbrapa. Kush eshte ai qe mund te llogarite vuajtjet e ketyre fatkeqeve te pa faj? Asnjeri!
Ngushellimi i vetem qe gjejme eshte perpjekja jone per te kuptuar thelbin e kesaj se "Keqe" (evil) qe na mbuloi, shpresa se do te nxirren mesime nga kjo katastrofe, dhe se, me te edukuar, do te gjejme pjekurine dhe vullnetin e duhur per te mos e perseritur me.
Une kam fituar pershtypjen se sot ne Shqiperi, mungon nje proces rigjenerimi moral qe pengon perseritjen e katastrofes, dhe se klasa politike e vendit ka humbur busullen morale qe duhet te udheheq ate ne lundrimin e valeve te detit te trazuar qe eshte bota jone sot. Une kam krijuar pershtypjen se solidariteti mes qytetareve te lire shqiptare nuk eshte perforcuar mjaft sa t'u thuhet fuqishem; "MJAFT!" te gjithe atyre qe pretendojne se kane te drejten hyjnore te na sundojne. Arroganca e sundimtareve dhe plogeshtia qytetare e ardhur mbas nje gjysem shekulli vuajtjesh nga diktatura e kuqe po tregohen si dy arsyet kryesore te kesaj situate kaq te padeshirueshme ne Shqiperi.
Ne boten perendimore eshte shkruar shume me rastin e 60 vjetorit te mbarimit te Luftes se Dyte Boterore. Dy aspekte me kane terhequr vemendjen me shume: reagimi i shkrimtarit gjerman Gynter Grass, dhe ai i shkrimtarit rus Viktor Erefejev. Grass deklaron se gjermanet nuk kane gje te krenohen mbas nje lufte qe pushtoi, dhunoi, dhe masakroi popullesi te tera ne Europe. I vetmi gjest rigjenerues ka qene mirepritja e 12 milione gjermaneve te Lindjes te shperngulur me force nga Polonia dhe Cekosllovakia. Ky ka qene gjesti me njerezor qe i ka ngritur ata. Ngritja e nje sistemi demokratik, "mrekullia" ekonomike, dhe denimi i pa kompromis i se kaluares (rreth 52.000 naziste kane dale para gjyqit) - sidomos krimi i shemtuar kunder izraeliteve - jane fenomene qe jane bere te mundur vetem me ndihmen e tjereve, sidomos amerikaneve. Por sot, Parlamenti gjerman luan nje rol udheheqes, drejtesia ka rrenje te forta per hir te tradites dhe profesionalizmit. Nje shtet modern ka zene rrenje dhe edukon rinine e vete me frymen e demokracise, nje zhvillim qe nuk lejon kthimin e diktatures. Karizmat personale te diktatoreve jane zevendesuar nga puna kolegjiale, dialogu, debati dhe diskutimi i lire e i qyteteruar. Gjermanet e kane pranuar fajin qe u ngarkoi diktatura naziste, dhe e kane denuar ate pa rezerva. Kjo ka lehtesuar ndergjegjet e tyre. Ata e ndiejne veten me te lire per te qene anetare te shoqerise se re europiane.
Shkrimtari rus Erefejev eshte i indinjuar nga paradat ushtarake ne Moske dhe ne qytete te tjera te Rusise. Mbi eshtrat e 50 milione te vdekurve, marshon perseri cizmja ushtarake ruse qe glorifikon luften, dhe nenvlefteson sakrificen e viktimave. Zhurma e bandave ushtarake dhe ajo e cizmes shtypese mbyt edhe zerin e ndergjegjes qe kerkon hapesire.
Fitorja e merituar mbi nazizmin eshte e zvetenuar nga fakti se "Ushtria e kuqe" okupoi Polonine dhe te gjithe Europen Lindore. Kjo ushtri qe "cliroi" vendin e vet, "okupoi" vendet e tjera qe priten lirine e premtuar, dhe sherbeu si shtylla kryesore per mbajtje ne kembe te diktatures me te rende ne Europe. Edhe sot, Presidenti Putin deklaron se kolapsi i Bashkimit Sovjetik ka qene "katastrofa gjeopolitike me e madhe e shekullit". Megjithe njohurine e pergjithshme se "Bashkimi Sovietik" ka qene de fakto "nje burg i popujve" udheheqja ruse "harron" tmerret e diktatures sikur te mos kishin ekzistuar per 73 vite te gjata, e perqendrohet ne lavdine ushtarake te imperializmit sovjetik. Rusia e Presidentit Putin, shkruen Erefejev, po i largohet cdo dite e me shume Krushovit, Gorbacovit, Jelcinit, dhe po i afrohet "Gjeneralisimit Stalin".
Gjysma e popullesise ruse -pleq, te varfer, te paarsimuar, dhe te deshepruar nga ndryshimi i rregjimit - e perqafojne kete drejtim, dhe kerkojne monument per Stalinin. "Kjo," shkruen Erefejev" nuk ka me shume logjike se kerkesa qe mund te bejne izraelitet per te ngritur nje monument per Hitlerin." Por gjysma tjeter, ruset e edukuar, e kuptojne se totalitarizmi stalinian dhe rregjimi i Hitlerit jane dy anet e se njejtes monedhe. Eshte kjo gjysem qe ka kuptuar se te paret jane nje bllok qe nuk ka te ardhme, se faji i se kaluares duhet njohur, pranuar, e paguar, dhe se pa nje zgjim moral e rigjenerim, Rusia do te mbetet e izoluar ideologjikisht ne Europe - ashtu sic u veteizolua me 9 maj 2005.
Reagimi i vendeve baltike dhe atyre te Europes Lindore ka qene ai i nje bote te cliruar. Clirimi nga Hitleri prej ruseve nuk ka qene "clirim", sepse ruset sollen nje forme te re shtypje te pameshirshme. Ushtrite sovjetike forcuan kufijte e imperatorise se kuqe staliniane. Entuziazmi me te cilin popujt baltike dhe gjeorgjiane priten viziten e Presidentit amerikan e tregojne kete ndjesi. Kemba e te huajit rus, e ideologjia e imponuar jane dy tragjedi qe mbollen vdekjen ne Europen Lindore, dhe nuk harrohen shpejt.
Per te forcuar akoma me shume kete vije mendimi, Presidenti Bush beri deklaraten historike kunder vendimeve te Jaltes (1945): "Roberimi i milioneve ne Europen Qendrore dhe Lindore do te kujtohet si njera nga padrejtesite me te medha ne histori...Perpjekja per te sakrifikuar lirine per hir te stabilitetit, ka lene nje Europe te ndare dhe pa stabilitet." Ai pranoi gjithashtu" ...padrejtesine e Marreveshjes se Jaltes (l945) dhe pergjegjesine e Aleateve" (anglo-amerikane). Ky akt burreror nderon Ameriken dhe Presidentin e saj.
Erdhi dita e "lirise" ne Shqiperi mbas nentorit 1944?
Erdhi dita e "demokracise" ne Shqiperi mbas marsit 1992?
Koha do te tregoje, dhe historia do te gjykoje. Per mendimin tim, dy datat e mesiperme shenojne dy deshtime me permasa te jashtezakonshme. Fjalimet e thata, mungesa e elementit thelbesor te "clirimit" moskuptimi i situates dhe i momentit historik (Zeitgeist-i gjerman) dhe mungesa e nje perspektive te qarte per te ardhmen, me detyrojne te arrije ne kete perfundim te dhimbshem.
Nentori l944, prodhoi nje entuziasem pothuajse te pergjithshem. Por pyetjet e paevitueshme ishin ne ajer: kush na cliroi, dhe nga kush? Liria e fituar, a do te na siguronte pavaresine e humbur, dhe sistemin demokratik te premtuar, shtetin ligjor te domosdoshem, zhvillimin ekonomik me rendesi jetesore, dhe prestigjin nderkombetar qe lufta jone heroike kishte ngritur mjaft lart?
Fatmiresisht, ne kundershtim me vendet e tjera te mundura mbas Luftes se Dyte Boterore, Shqiperia gezonte privilegjin e mospranise se trupave te huaja ne vend. Ajo kishte hapesire per manovrim. Me ne fund, ajo zgjodhi rrugen e turpit, te nenshtrimit politik, ekonomik e ushtarak kundrejt jugosllaveve, sovjetikeve dhe pjeserisht edhe kinezeve te Maos. Nga keto vende ultra-diktatoriale, ajo huazoi metodat e diktatures: dhune, mashtrim, varferi, te percjellura me arrestime, burgosje dhe ekzekutime masive, sidomos ne zonat e pambrojtura te Veriut. Nga hovi revolucionar i Luftes Nacionalclirimtare qe premtonte lindjen e herojve te rij, komunistet shqiptare ne fuqi perfunduan ne militantizem stalinist, pa respekt per shenjterine e jetes, as per jeten e lire e dinjitoze te qytetareve, nje deshtim qe i coroditi ata ne anti-heroj tipike. Ata vrane pa meshire njeriun dhe njerezoren ne perpjekjet e tyre per te ndertuar nje bote te re ku nuk kishte vend per njeriun, nje shoqeri te pashpirt, pa mend, ku lenda e vdekur dhe prodhimi i detyruar mbizoteruan mendimin dhe veprimin e tyre. Nen tiranine e kuqe, lufta e njeriut kunder njeriut ka qene nje akt qe theu ne menyren me te pafalshme "kontraten sociale", dashurine e vellait per vella. Eshte ky "clirim"?
Shqiperia njohu formen me primitive te sistemit stalinian, e zbatoi ate me fanatizem e egersi shembullore, dhe as me pare dhe as tani, nuk gjen force morale te pranoje turpin qe i solli vetes per nje gjysem shekulli.
Rrjedhimet katastrofike te "diktatures se proletariatit" i ndiejme edhe sot me mbijetesen e mbeturinave toksike qe helmojne cdo dite boten tone. Kjo nuk harrohet nga bota tjeter qe na vezhgon e refuzon te na trajtoje me dinjitet, sepse ne vete refuzojme te clirohemi nga pesha e turpit e fajit te se kaluares sone te zeze. Edhe sot, ne refuzojme te pranojme se per te mire ose per te keq, historia e vendit tone eshte ajo qe eshte, e ne duhet ta pranojme - me krenari, ose me turp! Ka mjaft individe sot ne Shqiperi qe nuk e vrasin mendjen fare per krimet e kryera nga ata vete, ose nga rregjimi qe ata perkrahen per 45 vjet me rradhe, per vuajtjet e pergjithshme e te perditshme, per te nesermet plot premtime qe u transformuan ne denesa e vaj te burgjeve dhe kampeve te perqendrimit ne te gjithe vendin.... Ka edhe nga ata qe enderrojne te ngrejne monumente per satrapin oriental qe planifikoi dhe urdheroi "ashpersimin e luftes se klasava", figuren me te shemtuar te vendit tone, sherbetorin servil te Titos e Stalinit. E tmerrshme!
Duke adaptuar idene e komunizmit primitiv shqiptar si nje trashegimi shqiptare, gjysma "e humbur" e popullesise se vendit, tjeterson gjysmen tjeter, gjysmen e viktimave te akteve te tyre monstruoze, dhe e ve vendin tone kunder vendeve te Botes se Lire, qe me aq hipokrizi kerkojne te afrohen... Duke mohuar ekzekutimet masive, cfarosjen e klerit katolik dhe te intelektualeve perendimore, abandonimin e Veriut nga "Qeveria" per me shume se gjysem shekulli, duke mohuar torturat, burgimet, kampet e perqendrimit, friken e pergjithshme te cdo qytetari nga nje elite e zgjedhur xhelatesh dhe propagandistesh politike, mbylljen hermetike te vendit nga bota, me rrjedhimet e pevitueshme - varferi, prapambetje ekonomike, e shkeputje nga progresi shkencor e shoqeror - struktura e urrejtur, e njohur me akronimet PKSH dhe PPSH, i ka mohuar popullit shqiptar perfitimet e clirimit, dhe frytet e nje bashkepunimi te hapur nderkombetar. Eshte ky "clirimi?"
Eshte nje ironi e fatit qe sot xhelatet jetojne me mire se ne ditet e PPSH, jane me te sigurt per jeten e tyre, e pasurohen edhe me shume. Femijet e tyre, fatmiresisht, nuk kercenohen me ditet e zeza te internimit ne kampet e Lushnjes e Fierit, atje ku prindet "deviacioniste" dhe "anti-parti" e familjet e tyre te pafajshme u derguan te vdesin te harruar, - nga "Nena Parti".
Me ndryshimet politike te viteve l991-92, e njejta pyetje behet me ze te larte: a ka siguruar sistemi "demokratik" lirite e premtuara? Pergjigjen do ta jape historia. Tani per tani, cirren vetem partite politike. Komedia e te vetequajturve "demokrate" dhe "anti-komuniste" qe mbizoterojne skenen politike shqiptare nuk premton shume per te ardhmen. Shtremberimet e fakteve historike ne fjalimet zyrtare e konfirmojne ate. Eshte periudha e "neespeak" oruelliane qe po lulezon sot ne Shqiperi. Arroganca e ish-gjerarkeve komuniste, sot akoma ne pushtet, tjeterson pjesen tjeter te popullesise. "Nuk kemi gjetur asnje verior te pergatitur per nje post ministrie", me tha ne Nju-Jork, nje zyrtar i larte i pozites. Koncepti "popullesi maloke" mbetet akoma i gjalle ne vitin 2005 per gjysmen e popullesise. Populli largohet, sepse nuk ka shprese per te ardhmen. Parlamenti eshte kthyer ne nje kafene ku te gjithe kane te drejte per gjithcka...edhe per grushte! Ky eshte institucioni qe duhet te perpunoje vijat e pergjithshme te zhvillimit te vendit. Politizimi i pakontrolluar, korrupsioni i perfaqesuesve, tragjedia e votave te "vjedhura" pa nderprerje dhe pa brerje ndergjegje, ka mundesuar degjenerimin e sistemit gjyqesor qe eshte kthyer ne biseda banale, ose shikohet me tallje si nje enderr idealistesh. Nga jashte, vendi shembellen me nje province otomane, ku koncepti modern i "shtetit" nuk ka zene rrenje, dhe ku "shteti" vete eshte vetem nomenklatura e kolltukofageve dhe kleptomaneve qe sherbejne strukturen shteterore sikur te ishte nje lope qumeshti.... .
Kjo eshte "demokracia"?
Vete kalimi ne demokraci eshte bere pa nje plan, pa pergatitje, pa vizion nga elemente te bindur se vuajtjet e bashkeatdhtareve e drejtesia, nuk ngrene peshe para karizmes personale qe zevendeson opinionin publik, debatin e hapur, eksperiencen dhe devocionin per kauzen e demokracise. Si rrjedhim, "Shteti" u dobesua, demokracia deshtoi, dhe kriminelet e uritur per pushtetin e humbur u hodhen ne sulm te armatosur qe kushtoi jeten e me shume se 2.000 qytetareve te pafaj, me 1997. Sot, akoma nuk pergjigjet njeri per kete katastrofe qe rrezikoi vete ekzistencen e shtetit shqiptar. Kjo eshte demokracia?
Sot, une shoh Shqiperine te lodhur, te dobesuar, dhe me shpresen e fikur. A do te gjej vendi im e i te pareve te mij fuqi te mjaftueshme per te perballuar nje klase politike te padenje qe vret shpresat tona cdo dite? Kembanat e deshperimit bien cdo dite ne Shqiperi, dhe bien per te gjithe. A i degjon njeri?
Une kam akoma shprese! Une kujtoj heroizmin e historise sone te kaluar. Une kujtoj heroizmin e diteve tona ne luften e lavdishme kunder okupatoreve italiane dhe gjermane, mijerat e te rijve e te rejave qe rroken armet dhe mbushen malet tona me frymen e patriotizmit dhe entuziasmin e rindertimit te vendit tone, megjithese pas debimit te te huajit nga tokat tona, u tradhetuan nga "karrieristet staliniste".
Une kam akoma shprese! Une kujtoj vellezerit e motrat tona qe i thane Jo! diktatures se kuqe, heroizmin e rezistences anti-komuniste, devocionin per demokraci, vuajtjet e papershkrueshme te mbajtura me dinjitet, solidaritetin ne mes te bashkevuajtesve, levizjen studenteske te Dhjetorit, te gjitha te frymezuara nga dashuria per "Nenen Shqiperi", dhe marr zemer.
Une kam akoma shprese! Do te vije dita qe ky arsenal moral dhe politik i pasur dhe i fuqishem energjie shqiptare nuk do te vdes per deshiren e kolltukofageve dhe kleptokrateve qe shohim rreth e rrotull nesh. Une kam akoma shprese, se ky arsenal do te gjej momentin e duhur te organizohet dhe te hidhet ne aksion per nje Shqiperi te lire, te pavarur, demokratike, te bashkuar dhe europiane, dhe se do te munde njehere e pergjithmone kolltukun, krimin e korrupsionin qe e kercenon me vdekje.
Une kam akoma shprese! Ata qe luftuan per lirine e vendit dhe u tradhetuan nga stalinistet, dhe ata qe u shkrine per fitoren e demokracise ne vend dhe u abandonuan nga pseudo-demokratet, do te shterngojne rradhet e tyre si velli me vellane, e do te marrin persiper ngjalljen e kauzes se Rilindjes Kombetare, e te rigjenerimit moral te atdheut te tyre, te atdheut tim.
Une kam akoma shprese!
Balduin, Nju-Jork
me 11 maj 2005
Sami Repishti
ish i burgosur politik (1946-56)
aktivist per te drejtat e njeriut
Marre nga "Korrieri"
Krijoni Kontakt