Plani i Metës për të votuar qeverinë e PD
--------------------------------------------------------------------------------
TIRANE
Ilir Meta, kryetari i LSI duket se ka një plan për të mbështetur krijimin e një qeverie të PD pas zgjedhjeve. Dhe pse para pak ditësh Meta deklaroi në një miting se "të ndalet ardhja në pushtet e Berishës", ai nuk ka përjashtuar mundësinë e një mbështetje me anë të votave në Parlamentin e ri për t'i dhënë mundësi qeverisë së re të Berishës si kryeministër, por pa marrë pjesë në qeverinë e PD-së.Moskthimi i Berishës është linja zyrtare e LSI-së. "Vendi nuk mund të lihet pa qeveri", ky është komenti që bëhet nga brenda Lëvizjes Socialiste për Integrim. Kjo quhet mbështetje nga jashtë, por pa marrë pjesë në qeverisje. Mbështetja bëhet me votat pro qeverisë kur Berisha të kërkojën votëbesimin në Parlament. Çështja është diskutuar edhe gjatë një takimi të përfolur mes Metës dhe Berishës, thonë burime të pakonfirmuara plotësisht. Në LSI nuk e mohojnë aspak faktin se ideja e një mbështetje me anë të votës në momentin e votbesimit të qeverisë së PD është diskutuar në mes krerëve të LSI. Sipas burimit qëllimi nuk është thjeshtë bërja e vendit me qeveri por krijimi i kushteteve për të larguar nga skena politike dhe nga PS, kryetarin e saj Fatos Nano. Plani i supozuar në LSI, parashikon që vendi të hyjë në zgjedhje të parakohshme në vitin 2007 kur Presidentit Moisiu t'i përfundojë mandati i tij. Për shkak të pamundësisë të krijimit të ndonjë koalicioni që të ketë 2/3 e votave në Parlamentin e ardhshë, çdo kandidaturë e re për Presidenti do të dështojë. Sipas Kushtetutës, nëse nuk arrihet konsensusi atëherë vendi hyn në zgjedhje të parakohshme. Ky projektplan i drejtuesve të LSI, në veçanti i Ilir Metës nuk gjen mbështetjen e duhur te emrat e tjerë të kësaj partie. Ata thuhet se janë dakort deri në momemtin kur mendohet se gjithçka bëhet për të nxjerë jashtë loje Nanon, e pas kësaj mbase për të ribashkimit të së majtës në një forcë të vetme e cila do të fitojë zgjedhjet e parakohshme të vitit 2007. Por janë kundër për faktin se mund të përballen keq me elektoratin e majtë gjatë zgjedhjeve të vitit 2007. Socialistët e LSI nuk do të pranonin që të rivotonin një forcë politike që bëri të mundur kthimin e Berishës dhe të PD-së në pushtet. Ata e quajnë thikë me dy presa këtë plan për t'i dhënë mundësi Berishës të krijojë qeverinë e re pas zgjedhjeve. Rezultatet e sondazhit të organizuar nga Instituti Demokratik Amerikan tregojnë se të majtët qëndrojnë në pushtet vetëm nëse PS dhe LSI bëjnë aleancë. Nano dhe Rama bëri ftesë disa herë për këtë forcë politike por përgjigjia e Metës ishte e prerë. Jo. Një zgjidhje tjetër që vjen po nga LSI është një aleancë e mundshme mes PS dhe kësaj force politike por me një kusht. Jo më me Nanon. Kryeministri aktual nuk duhet të jetë as në qeveri dhe as në parti. Për të arritur këtë qëllim, kryetari i LSI ka menduar edhe një plan që parashikon dhënien e votave në Kuvend për qeverinë e re të PD-së drejtuar nga Sali Berisha. Kryetarit të PD do ti duhen edhe shumë vota të tjera që të krijonë qeverinë edhe sikur të fitojë zgjedhjet. Përplasja mes forcave politike në këto zgjedhje do të bëjë që asnjë forcë politike të mos arrijë shifrat për krijimin e qeverisë. LSI sipas sondazhit të NDI fiton deri në 11 përqind të votave duke u bërë kështu një forcë e cila ka në dorë miratimin apo rrëzimin e çdo kabineti të ri qeveritar pas zgjedhjeve. Me afrimin e ditës së votimit por më saktësisht me daljen e rezultateve të zgjedhjeve do të mësohet përfundimisht se për cilin do të votojë grupi parlamentar i Lëvizjes Socialiste për Integrim.
G.Shqiptare
Krijoni Kontakt