Dje u morën në dorëzim 100 ambulanca me vlerë 5,5 milionë euro. U blenë me prokurim të drejtpërdrejtë
Specialistët: Ka shkelje të procedurave të blerjes, prokurimi i drejtpërdrejtë vetëm në raste të veçanta
************************************************** *************
Kryeministri Fatos Nano ka “shpërblyer” dje presidentin e përfaqësisë së koncesionarit “Mercedes Benz”, për nderin që ai i ka bërë, duke i “dhuruar” Mercedesin prej 360 mijë euro. Gjatë ditës së djeshme, në një ceremoni e cila u zhvillua në ambientet e “Auto Star Albania”, kryeministri Fatos Nano ka marrë në dorëzim 100 autoambulancat e markës “Mercedes Benz”. Burime nga Kryeministria kanë bërë të ditur dje se autoambulancat e reja, për të cilat buxheti i shtetit ka paguar 5,5 milionë euro janë blerë me prokurim të drejtpërdrejtë. Pavarësisht se Nano e ka mohuar dje se blerja me këtë procedurë bëhet për t`i kthyer borxhin Basri Rukës, blerja është bërë për të falënderuar presidentin e “Auto Star Albania”. Duke ironizuar me pyetjet direkte të gazetarëve, dje kryeministri Fatos Nano, pas dorëzimit të 100 autoambulancave tha se gjithçka është ligjore dhe se gjithkush mund të investigojë për blerjen e 100 ambulancave benz, blerje kjo me prokurim te drejtpërdrejtë. Dorëzimi i djeshëm ka ardhur pas vendimit të nëntorit të shkuar të qeverisë, për blerjen e autoambulancave, blerje e cila u kushtëzua dhe erdhi pas një debati të madh dhe dyshimeve për prejardhjen e makinës personale të Fatos Nanos. Makina e shumëpërfolur e Nanos ishte e tipit Mercedes Benz dhe ka qenë një ndër më të shtrenjtat, pasi çmimi i saj ishte mbi 360 mijë euro.
Autoambulancat dhe blerja
Kryeministri Fatos Nano ka mohuar dje se shkaku i blerjes më prokurim të drejtpërdrejtë i 100 autoambulancave është “Mercedesi Benzi”, që ai ka deklaruar si deklaratë nga kjo kompani. I pyetur dje nga gazetarët e pranishëm në ceremoninë e dorëzimit të autoambulancave “Mercedes Benz”, kryeministri Nano tha se “Ky është një fakt publik, legal dhe i dokumentuar në institucionin që kontrollon deklarimin e pasurive. Mua më pëlqen gazetaria investigative, vazhdoni ta studioni”,- tha Nano dje. Blerja e autoambulancave është bërë me prokurim të drejtpërdrejtë, mënyrë kjo që nuk mund të përdorej, pasi bie ndesh me ligjin për prokurimet publike. Specialistë të fushës, të cilët nuk duan të identifikohen, shprehen se janë shkelur disa pika të ligjit për prokurimin e drejtpërdrejtë. Kështu, duke u bazuar në ligjin i cili përcakton rastet kur duhet të blihet me procedurën “prokurim i drejtpërdrejtë”, ata thonë se janë shkelur të gjitha pikat e nenit 19 të ligjit nr. 7 971, datë 26. 7. 1995 “Për Prokurimin Publik”. Një ndër pikat, që është dhe më kryesorja, përcakton se “prokurimi i drejtpërdrejtë” funksionon vetëm në rastet kur mungon kunkurrenca për të ofruar shërbimin, pikë e cila është shkelur. Po kështu janë shkelur dhe disa pika të tjera të nenint 19 të ligjit “Për Prokurimin Publik”. Vendimi për blerjen e 100 ambulancave është marrë në mbledhjen e Këshillit të Ministrave të datës 11 nëntor të vitit të kaluar, dhe titullohej "Për lejimin e Ministrisë së Transportit dhe Telekomunikacionit për furnizimin me autoambulanca të sistemit shëndetësor publik". Mjetet e blera janë prodhim i viteve të fundit dhe janë të pajisura me shumë aksesorë të nevojshëm, të cilët ndihmojnë në transportimin e pacientëve. Të gjitha mjetet do të shpërndahen, duke zëvendësuar mjetet e vjetra.
Krijoni Kontakt