Pandi Laço dhe Adrian Hila, autorët e këngës që pritej të përfaqësonte Shqipërinë në Festivalin Evropian janë tërhequr. Arsyeja? Janë shkelur të drejtat e autorit. Sipas tyre Çelo duhet të shkojë në Kiev me një këngë tjetër
Autorët tërhiqen, Shqipëria rrezikon Evropianin
Alma Mile
Autorët e këngës “Nesër shkoj”, kompozitori Adrian Hila dhe hartuesi i tekstit, Pandi Laço, kanë deklaruar dje, tërheqjen e tyre nga Festivali Evropian, ku do të merrnin pjesë pas disa ditësh. Sipas tyre, Ledina Çelo mund të shkojë në Kiev, por me një këngë tjetër, ose në të kundërt, duhet të merren parasysh pasojat. Një konferencë shtypi e zhvilluar mesditën e djeshme nga drejtuesit e Televizionit Publik Shqiptar dhe njërës prej kompanive të telefonisë celulare në vend, për promovimin e këngës së kënduar nga Ledina Çelo, i ka shtyrë dy autorët të marrin një vendim të tillë. “Ne autorët e këngës “Nesër shkoj”, sipas dispozitave të ligjit për mbrojtjen e të drejtave të autorit dhe kontratës me Radio Televizionit Publik Shqiptar, deklarojmë me përgjegjësi të plotë se RTSH, rrjedhimisht dhe kompania e telefonisë celulare AMC, organizatore e konferencës për shtyp pak orë më parë, kanë shkelur të drejtat tona si autorë të këngës”, - kanë deklaruar autorët, duke shtuar se në bazë të kontratës ata janë të vetmit përfaqësues ligjorë shqiptarë në Festivalin Evropian. “Kushdo tjetër që merr një përgjegjësi të tillë përsipër, përvetëson të drejtat e autorit dhe do të ndiqet nga organet e drejtësisë”, - është shprehur kompozitori Hila, duke shtuar se tashmë ata kanë kontaktuar me një studio ligjore që do të merret me këtë çështje. Gjatë konferencës për shtyp të organizuar dje në orën 13.00, përveç përfaqësuesve të kompanisë celulare që janë paraqitur si sponsorë gjeneralë të përfaqësimit të Shqipërisë në Kiev, kanë qenë të pranishëm edhe drejtues të RTSH-së, këngëtarja Ledina Çelo, koreografi Arian Sukniqi, ndërkohë që mungonin dy realizuesit e këngës, Hila dhe Laço. Kjo ka qenë një tjetër arsye, që autorët ta ndiejnë veten të fyer. Sipas tyre, askush nuk i ka ftuar të merrnin pjesë në këtë përfaqësim. Por problemi nuk qëndron thjesht këtu. Kjo konferencë shtypi përbën shkelje të njërës prej pikave të kontratës së nëshkruar me RTSH-në. “Sipas kontratës, veprimtaritë promovuese, konferencat e shtypit, i takojnë licencuesit dhe licencues të saj janë Adrian Hila dhe Pandi Laço. Licencuesi i jep të drejtën TVSH-së të mbivendosë informacione dhe grafika në transmetim televiziv, por këtu përjashtohen informacionet grafike e zanore të sponsorëve”. Gjithashtu, gjatë konferencës së djeshme promovuese, janë shpërndarë edhe CD e DVD të këngës, të cilat janë realizuar me shpenzimet e Laços e Hilës. Ndërkohë mësohet se për këtë aktivitet Këshilli Drejtues i TVSH-së ka firmosur një shumë prej 100 milionë lekësh. “Produksioni audio i këngës në studiot më të mira italiane, produksioni i videos në Maqedoni, duke përfshirë udhëtimet e stafit, janë realizuar me shpenzimet tona. Gjithashtu me shpenzimet tona kemi nxjerrë 2500 CD dhe 2500 DVD. TVSH nuk ka dhënë asnjë qindarkë për këngën. Nuk bëhet fjalë vetëm për një fyerje morale, por edhe për dëm ekonomik”, - është shprehur Hila, duke shtuar se për këtë çështje kanë kontaktuar edhe me “Albaautorin” dhe EBU-në. “Ne si autorë tërhiqemi nga konkurrimi në Festivalin Evropian, duke hapur një çështje gjyqësore për dëmshpërblim moral dhe financiar”, - janë shprehur ata.
Çelo, asnjë provë me këngën
Pjesëmarrja e vetme në konferencën për shtyp të organizuar nga AMC-ja, deklarata e Gëzim Podgoricës, por edhe e vetë autorëve të këngës. Laço-Hila gjatë konferencës për shtyp, të dhënë dje pasdite, dëshmojnë për një konflikt mes këngëtares Ledina Çelo dhe autorëve të këngës “Nesër shkoj”, Adrian Hila dhe Pandi Laço. “Nuk e dimë sesi mund të këndojë Ledina live në festival, pasi deri më sot, ajo nuk kanë bërë asnjë provë me këngën, për shkak të impenjimeve dhe udhëtimeve të saj të shumta”, - është shprehur kompozitori Hila, sipas të cilit, Çelo nuk ka pranuar të marrë pjesë në konferencën e organizuar nga ata. “Nuk e dimë se çfarë kontratash në favor të saj, mund të ketë lidhur Ledina”,- ka vazhduar Hila, i cili është shprehur i fyer prej pjesëmarrjes së saj e vetme në konferencën promovuese dhe për faktin që as ajo nuk denjoi të ftonte atë dhe Pandi Laçon. Autorët e këngës janë shprehur se Çelo, në bazë të ligjit “Mbi të drejtat e autorit”, është thjesht një ekzekutuese e këngës dhe nuk ka asnjë të drejtë mbi të, kështu që nëse ajo do të shkojë në Kiev, duhet të shkojë me një këngë tjetër, por jo me krijimin e tyre.
Ku është shkelur e drejta e autorit
Sipas kontratës, veprimtaritë promovuese, konferencat e shtypit, i takojnë licencuesit dhe licencues të saj janë Adrian Hila dhe Pandi Laço. Licencuesi i jep të drejtën TVSH-së të mbivendosë informacione dhe grafika në transmetim televiziv, por këtu përjashtohen informacionet grafike e zanore të sponsorëve
Në bazë të kontratës autorët janë të vetmit përfaqësues ligjorë shqiptarë në Festivalin Evropian. Kushdo tjetër që merr një përgjegjësi të tillë përsipër, përvetëson të drejtat e autorit dhe ndiqet nga organet e drejtësisë.
TVSH nuk ka shpenzuar asgjë për këngën. Produksioni audio i këngës në Itali, produksioni i videos në Maqedoni, duke përfshirë udhëtimet e stafit, janë realizuar me shpenzimet e autorëve. Gjithashtu me shpenzimet e tyre janë nxjerrë 2500 CD dhe 2500 DVD.
Marre nga gazeta Shekulli.com
ZiM
Krijoni Kontakt