Koncerti i së martës ka zgjatur 3 orë në sallën "Magic Flutte"
Ledina ndez shqiptarët e Londrës
Interpreton për herë të parë variantin anglisht
Nga Londra
Muhamed Veliu
Ledina Çelo është ngjitur edhe herë të tjera në skenat londineze. Por pjesëmarrja e saj në një koncert të madh për rreth 3 orë të martën, ka qenë krejt i veçantë, si për këngëtaren ashtu edhe për shqiptarët e ardhur jo vetëm nga Londra por edhe nga Manchesteri dhe Birmingami. Kjo sepse për herë të parë Çelo, eksluzivisht në skenën londineze, ka interpretuar në anglisht variantin e këngës "Nesër shkoj". Looku i saj ka qenë mjaft i veçantë dhe provokativ. E veshur me një fustan të gjatë, punuar me një copë shumëngjyrëshe, ku dominonte jeshilja e zbehtë, i jepte mundësi këngëtares të shfaqte format perfekte të trupit të saj, duke tërhequr vëmendjen e një mase të madhe adhuruesish që e ndiqnin. Ajo ka interpretuar plot elegancë dhe dinamikë këngët e repertorit të saj dhe ka elektrizuar sallën e "Magic Flutte" në veri të Londrës, gjatë interpretimit në anglisht të këngës "Nesër shkoj" (Tomorrow i Go). Të gjithë emigrantët kanë kërcyer së bashku nën ritmet e këngës tashmë të kualifikuar për edicionin e 50-të të Eurovizionit, ku Çelo do të përfaqësojë Shqipërinë krahas 35 vendeve europiane. Kryeredaktori i "Gazeta Albania", Petrit Kuçana, inicues i koncertit, ka pasur si të ftuar nderi ambasadorin Kastriot Robo së bashku me kampionin e botës në boks Kreshnik Qato dhe bashkëshortet e tyre. Prezantuesi Ervis Maja e ka kaluar me sukses provën e parë të prezantimit në një skenë londineze. Tek ish-drejtuesi i programkt Profil R në Al-Sat ra në sy lirshmëria e komunikimit me të ftuarit dhe spektatorët. Koncertin e bënë më të larmishëm grupi i valleve i të rinjve nga "Shpresa Program" në Lindje të Londrës, të cilët janë pasuar edhe nga interpretimet e këngëtares së re shkodrane, por shumë premtuese Rudina Zefi. Më tej në vargun e të ftuarve të tjerë që kanë interpretuar krahas Ledina Çelos ishin edhe grupi muzikor C-Melody, nën shoqërimin e orkestrës "Triola" me instrumentistët Blerim Xhema dhe organistin e talentuar Kleant Halili.
Krijoni Kontakt