Të kërkuara seksualisht nga pedagogët për të kaluar provimin. Një sondazh i organizuar nga fondacioni Soros me 1.300 studentë bën publik për herë të parë edhe këtë fenomen në auditoret e shkollave tona të larta. Rreth 53 për qind e studentëve të pyetur kanë pohuar raste të tilla, ndërsa dukuria duket më e shprehur në Universitetin e Elbasanit ku përgjigje pozitive për pyetjen kanë dhënë 74 për qind e studentëve. Jo më pak i shprehur është fenomeni dhe në Universitetin Politeknik të Tiranës, ku raste të abuzimeve seksuale janë pohuar nga 63 për qind e studentëve. Përqindja është marrë më e ulët kur pyetja është bërë direct. Gjithsesi këto konkluzione kanë shokuar dje krerët e universiteteve dhe fakulteteve, të pranishëm në publikimin e sondazhit. Një pjesë syresh i kanë kundërshtuar në përgjithësi të dhënat e studimit, duke vënë në dyshim besueshmërinë e pyetësorëve për të bërë përgjithësime të tilla, ndërsa disa nga rektorët dhe dekanët e kanë konsideruar të turpshëm edhe ekzistencën e pohimeve të kësaj natyre që çojnë të mendosh praninë e këtyre fenomeneve të turpshme në auditore.
Indirekt
Në rang universitetesh 53 për qind e studentëve të pyetur pohojnë se kanë dëgjuar raste të abuzimit seksual, 45 për qind janë shprehur se nuk janë në dijeni të fenomenit dhe sërish dy për qind kanë abstenuar ndaj kësaj pyetjeje. Në nivel universitetesh 74 për qind e studentëve të Elbasanit konfirmojnë abuzimin seksual në auditore, duke përfaqësuar dhe shumicën e përgjigjeve pozitive për këtë pyetje. Në këtë mënyrë fenomeni është pranuar masivisht dhe në Universitetin Politeknik (nga 63 për qind e studentëve), në Universitetin e Tiranës nga 54 për qind dhe në Vlorë 50 për qind.
Direkt
Ndërsa një vlerësim direkt i situatës jep të dhëna më pak të frikshme. 6 për qind e studentëve të pyetur në mënyrë direkte nuk kanë ngurruar t'i përgjigjen po pyetjes nëse janë kërkuar seksualisht nga pedagogët e tyre. Kështu 6 për qind kanë thënë po dhe 2 për qind kanë hezituar, duke mos shprehur asnjë qëndrim rreth kësaj teme. Përgjigjet pozitive direkte janë mbledhur kryesisht në Universitetin Bujqësor, ku 12 për qind e studentëve kanë pranuar faktin. Më pas renditet Akademia e Arteve, ku 10 për qind e studentëve pohojnë se janë kërkuar seksualisht nga pedagogët për të kaluar në provim. Me 8 për qind është shprehur ky pohim në Universitetin e Elbasanit, 5 në atë të Tiranës, 5 në Politeknik. Por, siç u tha, rezultatet janë më befasuese në mënyrën indirekte të të pyeturit. Ku studentët që kanë pranuar një fenomen të tillë në auditore kanë qenë shumëfishi i të dhënave të mësipërme.
25 pyetje për 1.300 studentë në të gjithë vendin
Anketa, si u shpërnda në 7 universitete
Studimi është përgatitur me mbështetje të fondacionit Soros dhe kryer nga Qendra për Kërkim dhe Zhvillim. Anketimi është bërë gjatë muajit prill. Nga pikëpamja statistikore në të janë marrë në konsideratë Universiteti i Tiranës, Politeknik, Bujqësor, Akademia e Arteve si dhe universitetet në rrethet kryesore të vendit, Elbasan, Shkodër, Vlorë ku janë kontaktuar mbi 1.300 studentë nga të cilët 1027 i janë përgjigjur pyetësorit. Studentët e intervistuar janë të degëve si Ekonomi, Mjekësi, Inxhinieri, Histori-Filologji, Juridik, Shkenca Sociale, Arte etj dhe të gjinisë së ndryshme; 74 për qind e të anketuarve janë femra dhe 26 për qind janë meshkuj. Sondazhi i shpërndarë përmbante 25 pyetje duke nisur me komentin për rregullat e pranimit në universitet, paguhen apo jo para për t'u regjistruar, shkelen apo respektohen rregullat e një provimi, a mund të jepet provimi pas datës së caktuar, a jeni ndikuar direkt apo indirekt (seksualisht) nga pedagogu për të kaluar provimin, sa të korruptuar janë pedagogët dhe administrata e fakultetit për të përfunduar me pyetjen nëse studentët kanë apo jo ndonjë idhull, që mund të jetë prindi i tyre, pedagogu, figurë politike, ndonjë shkencëtar etj.
Krijoni Kontakt