Close
Faqja 0 prej 4 FillimFillim 12 ... FunditFundit
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 39
  1. #1
    Konservatore Maska e Dita
    Anëtarësuar
    17-04-2002
    Postime
    2,925

    Rrno vetëm për me tregue - At Zef Pllumi

    Rrno vetem per me tregue

    Ne kete teme do te sillen fragmente nga libri i At Zef Pllumi-t „Rrno vetem per me tregue“. Teksti flet vete, ndaj si koment hyres po mjaftohem me ate qe ky liber ben pjese tek ata per te cilet ndonese te publikuar ne periudhen pas renies se diktatures, eshte bere perpjekja ta zhdukin, qe e verteta brenda tij te mos e gjente rrugen ne mendjen e shqiptareve.





    LIBRI I KUJTIMEVE
    Pjesa e pare
    1944-1951


    Botues
    "Hylli i Drites"
    1995




    Fq.11


    Lexuesit

    Mbas atij udhëtimi të gjatë e të vështirë mbërrijta te Ura e Ngushtë. U ndalova: m’u duk se po frynte nji tjetër ere me freski. Mbështetun ndër parmaket, kqyra ku uji vërshonte me turr e me zhurmë. Valët shkumbëzuese, edhe pse pa pushim të lëvizuna, ishin po aty, sikur të nguluna! E pra ujët e shumtë vinte i ri...gjithmonë i ri... Njerzit dhe veprat e njerzimit! Thohet se Bota ecë! Së pakut kështu thonë të gjithë të rijtë, që mund jenë edhe pleq. Shumkush, për mos me thanë „gjithkush“, mendon se i jep nji diçka të re botës, njerzimit! Kurrgja e re nën këtë diell! Ndërsa ujët rrjedh, bota po aty. Kur po lexoj Biblën, o kur po kundroj piramidat atje në shkreti, pyes: si asht e mundun që njeriu i shek.XX, në kulm të qytetnimit material, të jetë po aq barbar sa ai i 40 shekujve përpara?
    Ngjarjet që ktu tregohen nuk janë fantazi, as trillime a shpifje të njaj propagande politike, por përshkrime të zbehta të atij realiteti t’idhun historik që u zhvillue në Shqipni për gati 50 vjet. Vendi im nuk asht në fundin e botës o diku në skajin e saj, por në Europë, ku farkëtohen fatet e qytetnimit perëndimor. Ngjarjet që tregohen ktu janë tepër të vështira me u shkrue, prandej autori kërkon të falun mbasi nuk asht shkrimtar, dhe me dashamirsi ju këshillon që të reflektoni shumë mbi këto ngjarje dhe të kërkoni shkakun e vërtetë se pse ndodhën ato... Pse?“

  2. #2
    Konservatore Maska e Dita
    Anëtarësuar
    17-04-2002
    Postime
    2,925
    Fq 37


    DHUNA BAHET PUSHTET

    Dhuna tiranike e quejtun „proletare“, e ushtrueme ditë e natë, gjithkund e pa pushim, pa dallue fshat, as qytet, e shoqnueme me britmat e slloganet papagale dhe torturat çnjerëzore, me rrenat e kacarrenat e njerzve servile o t’paguem: mbas gjithë atyne pushkatimeve të përgjakshme, burgimeve e shpërnguljeve të dhunshme masive, ia duelën me e përkulë popullin e lire të Shqipnisë dhe kështu dhuna partizane ia duel me u ba Qeveri.
    Me 9 maj 1945 ra Gjermania. Erdhi urdhni për me u ra të gjitha kumboneve. Për botën duhej t’ishte gezim i madh. Por nuk kje për ne. Fitues kishte dalë Stalini. Atij i këndohej ndër të gjitha rrugat nga grupet e reparteve partizane.

    “Bijt e Stalinit jemi ne,
    që çlirojme botën anë e m’anë,
    e do t’valoje përmbi dhe
    flamuri i kuq, flamuri partizan.“

    Mbas darke, siç mblidheshim, tue folë për ngjarjet e ditës njani tha: ndigjoni fjalët e kangës: aman, sa shumë djelmët i paska ky Stalini në kët dhenë tonë!
    Lene ma – iu përgjegj nji plak – se këtu pat djelm baba Sulltani e kushdo që të na sundojë na e thrrasim babë o xhajë. Por kjo luftë që mbaroi sa do të zgjasi pa fillue nji tjetër: ajo e treta!
    - Pse po interesohesh ti? Sikur t’ishin këta të rijt hajde de, por ti?...Para njizet vjetësh sigurisht që jo.
    - Un – tha – mendoj që Çurçilli nuk ka si e duron Stalinin që ka zaptue gjysën e Europës, prandej së shpejti anglezët e rusët do të jenë në luftë.
    - Anglia ka paktin njizetvjeçar të miqsisë me Bashkimin Sovjetik dhe ajo i mban paktet se e zen lepurin me qerre.
    - Nuk asht pune paktesh – tha nji tjetër – por Çurçilli vetë për me shkatrrue Gjermaninë ja u ka shitë Europën me gjithë kolonitë biznesmenëve të Amerikës e gjysën tjetër Rusve. Gjatë historisë shofim se shumë ngjarje të mëdha të politikës i cakton vetëm trilli personal i udhëheqsave. Me këtë rasë ky i gëzohet vetëm titullit të naltë: “Strategu politik i luftës së dytë botnore” pamvarsisht se gjysën e Europës e ka hjedhë në skllavni e gjysën tjetër copë e zhel në rrugë të madhe me lypë nji copë bukë prej jankive.
    - Ai që ban, din çka ban – tha plaku. – Un mendoj që ai bashkë me Amerikën nuk kanë me e lanë gjatë komunizmin në Europë.
    - Po ti, Pater Gjon – pyeti nji tjetër, - çka mendon.
    - Un ndryshoj – tha At Gjon Shllaku. – Kjo luftë asht ba për me i sjellë botës nji epokë të re, atë të “Kombeve të Bashkueme”. Karta e Kasablankës na çon te nji bashkpunim i të gjitha kombeve.
    - Ajo nuk asht gja tjetër, por nji version i ri i Lidhjes së Kombeve të presidentit Uilson: ajo ma shum e nxit luftën se e kundërshton.
    - Kjo lufta e dytë – tha At Gjoni – u ba luftë ideologjike. Në njanën anë demokracitë kapitaliste bashkë me komunizmin dhe në tjetrën fashizmi e nazizmi që flitshin për nji Rend të ri. Kështu ky bashkpunim ka me i përpunue njerzit që hem kapitalistat të përqafojne idetë e socializmit, edhe komunizmi ka me u ba demokratik e dikur do të jetojnë bashkë.
    - Kurrgja nuk po na thue pater Gjon – tha përsëri plaku. Komunizmi e demokracia janë krejt dy shejtana të kundert dhe nuk mund aviten kurr bashkë. Hori e pasaniku jeton veç me fitue, ndërsa komunizmi asht si ai djalli që kur rrin pa punë çohet e rrahë e mbytë fëmijët e vet. Mjerisht ne na ka përfshirë ky e na do të vuejm deri të na lshojë. Ky nuk na lshon, por deri të vije nji tjetër me e hjekë qafet...
    Ndërkaq ndër të gjitha qytetet administrata erdh tue u forcue e pak a shum filloi me i sistemue edhe forcat deri atëherë partizane. Disa i veshi me uniformë policie e disa tjerë me ngjyrë tjetër. Filluen me u dukë bile edhe oficera të veshun me uniforma të bukura, por që nuk dihej se të çfare ushtrije mund ishin.
    Edhe nëpër zyra filloi me marrë punën në dore ndonji nieri që ishte me mjaft shkollë, megjithse pak kush të kryente punë, por të dërgojshin herë te ai o te nji tjetër deri që të shumtën e herës të përcjellshin pa gja. – U shpallën ligje financiare e monetare me urdhnesa drakoniane: Vulosën kartmonedhat dhe vunë tatime luftet, superfitimit e fitimit dhe e mblodhën gjithë florinin e ruejtun me shekuj ndër qypa. Ndër komisjonet e tatimit emnuen edhe shumë tregtarë, për me u dukë se janë të ndershëm, por ata të shkretët as nuk i pyeste kush e ma vonë ranë edhe në burg. Së fundi, banë edhe shumë reforma e filluen diskutimet për ligjin elektoral, i cili vazhdoi gjatë. Në kët kohë u zhvilluen edhe veprimtari të randsishme kulturore. Shumë njerz edhe filluen të mendojne se këta e kishin marrë punën mbarë e përnjimend me vullnet të mirë, se ishin djelm të mirë që dojshin me i dhanë nji zhvillim të vërtetë gjendjes sociale të popullit shqiptar aq të mbrapambetun. Por shumë prej njerzve të dijtun e kishin kuptue gjendjen. N’at kohë në Kishën Françeskane kishim nji kujdestar Kishet që ishte shumë i ndershëm e besnik, por edhe jepte shejet e nji të mbete mendore dhe kushdo që e shifte tallej me te me dashuni. Ashtu vepronte edhe At Gjon Shllaku. Sa herë që e shifte n’oborr të Kuvendit apo në kjostër e merrte mbrapa tue qeshë e i thonte: „O more Mark sa i lumtun je ti sot! Të gjithë duhet të kishin kokën tande që nuk shef se çka ndodh: Hajde t’i ndrrojmë krenat bashkë“! Marku ikte si fëmija se ndoshta mendonte se kokat mund ndrrohen me të vërtetë.
    Deri aty kish vojtë puna: me ia pasë lakmi nji të marri.



    Fq.73


    KUJTOJ

    Ishte shkurt i vjetit 1946. Në Kuvendin Françeskan të Gjuhadolit At Frano Kiri kishte thirrë nji mbledhje të avoketënve ma të përmendun me qëllim që me organizue mbrojtjen që do t’i bahej At Gjon Shllakut, si edhe organizatës „Bashkim Shqiptar“ në Gjyqin e Popullit. Dihej se prokuror komunist ishte Aranit Çela. Nji gjysë ore mbasi u err erdhën kto persona: av. Dhimitër Bojaxhiu, av. Ranko Cervenkoviqi, av. Tedeskini, av. Myzafer Pipa; ishte edhe nji avokat tjetër që nuk po më kujtohet emni, muer pjesë edhe Prof. Kolë Prela. Un ishem aty me makinë shkrimi, i gatshëm për çdo kërkesë. – At Frano Kiri u kujtoi se kjo mbledhje nuk duhej të zgjaste ma shumë se tri orë, mbasi Shkodra ishte në gjendje shtet-rrethimi, e u parashtroi kërkesën që At Gjon Shllakut i duhej shpëtue jeta me çdo kusht. Folën me rradhë e pa rradhë. Për të gjithë gjendja ishte shumë e randë. Prof.Kolë Prela ishte deputet, mik i ngushtë i At Gjon Shllakut. Kishte ardhë me formulue nji deklaratë mbrojtje për t’ia paraqitë gjykatës. Megjithkëtë avokatët, me prognozen e tyre, nuk ishin optimiste dhe vejshin në dyshim edhe t’ardhmen e Profesorit deputet. Por ai ishte i vendosun për të edhe në rast se do t’i kushtonte jetën. Nxuer nji copë letër të tutulueme prej xhepi ku kishte shenjue pikat kryesore mbi të cilat do të formohej deklarata mbrojtëse. U diskutuen këto pika. U formulue edhe deklarata; un e rraha në makinë dhe ua lexova; kjenë të gjithë të nji mendje. Atëherë filloi çashtja se cili prej avoktave duhej ta merrte përsipër mbrojtjen. Të gjithë ia propozuen Myzaferit. Ai përgjegji se do t’ishte shumë i nderuem ta mbronte At Gjonin, bile ishte nji detyrë ndaj françeskanve, porse në kët process ishte i ngarkuem randë edhe me mbrojtjen e nji prej kryesuesve të B.SH. (shënim Dita: Bashkimit Shqiptar) e kështu mund të binte në sy, e në vend që me e mbrojtë edhe mund ta rrezikonte. Atëhere iu suellën avokat Dhimitrit, por edhe ky kishte ngarkesë të madhe. Pothuej gjatë gjithë këtij takimi avokat Tedeskini kishte ndejë pa za. Iu suellën atij.
    Ti, - i thanë – je ma i përshtatshmi për kët mbrojtje. Ti nuk ua acaron nervat prokurorit e gjyqtarëve se je gjithmonë i qetë. Duhet ta mbrojsh.
    Atëherë ai foli:
    - Të dashtun kolegë, un kam studiue për drejtsi.
    - Po mirë, - i thanë ata – edhe na të gjithë për drejtsi kemi studiue.
    - Mirë, mirë, - u përgjegj ai, - un thom për vedi që kam studiue për drejtësi.
    - Po çdo me thanë ti me këto fjalë, se na nuk kemi studjue?
    - Jo, jo – tha – ju mos u nxehni. Punën e kam se këto procese gjyqsore të këtyne e sidomos këto “Gjyqe të Popullit” nuk kanë të bajnë fare me drejtsinë.
    Mbas këtyne fjalëve, megjithse deri n’ato çaste gjendja ishte shumë e randë e shqetësuese, shpërtheu nji ilaritet i përgjithshëm. Kur u kthye përsri serioziteti, Tedeskini u shpjegoi se „këta“ At Gjon Shllakut i kishin vu akuzën si kryetar i Demokristjanes dhe, rregullat e shoqatave fetare: „Antoniane“, „Bijat e Zojës“ e „I treti urdhën“, i paraqitshin si statute organizatash politike. „Këta“ nuk mund kuptojnë asgja jashtë fjalve: politikë, spiun e terrorist, prandaj kjo mbrojtje për të ishte e pamundun mbasi ishte antilogjike. Vetë fakti që akuza lidhte organizatën „Bashkimi Shqiptar“ me këto organizata fetare e edukative jepte sinjalin e nji sulmi të tërbuem antikatolik. Prandej, në këto rrethana, mbrojtjen duhej ta merrnin mbi vedi avokatë të nji feje tjetër. Muzaferi tha se jo vetëm ishte gati për kët mbrojtje, por ai para komunistave këtu kishte nji minus të madh sepse ai vetë edhe pse mysliman, kishte studjue në gjimnazin françeskan derisa ishin mbyllë shkollat e klerit në 1933, dhe kështu logjika partizane do ta nxirrte të kompromentuem si bashkëpunëtor. – Dhe me të vërtetë ashtu ndodhi. – Nuk e mbaj mend aq mirë se si avokatët i ndanë mbrojtjet: ata ishin të gjithë bashkë nji grup mbrojtësish. Megjithkëta, po gjatë seancës gjyqsore, prokurori Aranit Çela kërkoi arrestimin e Myzafer Pipës si bashkëpuntor i Demokristjanes e Bashkimit Shqiptar. Nuk u arrestue atë ditë, por disa muej ma vonë me lëvizjen e Postripës. Mbas sa vuejtjesh e torturash vdiq i pushkatuem në oborrin e seksionit të Sigurimit të Shtetit nën pretekstin se „deshti me ikë “.
    Seksioni i Sigurimit të Shtetit në atë kohë e kishte selinë e vet në shpi të Pjetër Çurçisë afër Sahatit të Inglizit. Oborri i vogël mbrapa, me nji pjeshkë në mes, ajo trumë bishtshkurtë te dera, ato shkallë mbi WC, ato podrumet ngjitun.
    O Zot i Madh vetëm ti e din se aty u kryen krimet ma të mëdhajat e tokës!
    Ai oborr aty asht krejt i lamë me gjak të pafajshëm. Gjatë këtij moji kishin organizue banda rrugaçash që silleshin nëpër lagjet katolike të Shkodres, kryesisht rreth institutive fetare për gjithë nate, gjithmonë natën vonë tue u çirre me sa za kishin: “Vdekje tradhëtarve!”, “Poshtë pllumbi i paqes” ose “Poshtë pllumbi i Papës”. Sulmuen dyert e Kishës sikur të dojshin me i shpërthye. Na kallshin frigë e tmerr: gjindeshim si delet mbrenda nji vathi të rrethuem prej ujqve të tërbuem.
    Po ndër ato dit në Tirane u ba pushkatimi i At Anton Harapit, i cili, në njanën anë, e shtoi edhe ma shume etjen për gjak, ndërsa na tjerët shifshim nji hekatombë të hapun që na priste.
    Me 22 shkurt u dha sentenca e gjyqit. Me pushkatim:

    1. At Gjon Shllaku
    2. At Gjon Fausti
    3. At Danjel Dajani
    4. Mark Çuni
    5. Gjergj Bici
    6. Gjelosh Lulashi
    7. Fran Miraka
    8. Qerim Sadiku

    Tjeret u dënuen prej 5 vjet deri përjetë. Prej të dënuemve me vdekje iu fal jeta Gjergj Bicit, i cili bani shumë burg, u lirue, u martue, bani përsri burg derisa vdiq. Tjerët vuejtën dënimin disa në Burrel dhe e shumta ndër kampet e çfarosjes së „punës së detyrueme“.
    Në kino-teatrin „Rozafat“ kur u lexue sentenca me vdekje për 8 persona, salla e kinemasë pothuejse nuk ra mbrendë nga duartrokitjet e çmenduna e brimet e çjerruna te asaj zhumilje që kishte përvetsue e monopolizue emnin „popull“ dhe e shfrytzonte atë për t’i dhanë ngjyrën ultrakriminale gjithë popullit shqiptar.
    Na prej Kuvendit Françeskan me vëmendjen ma të përqendrueme ndiqshim nga radio zhvillimin e gjygjit drejt nga salla e teatrit „Rozafat“. Kur u dha ky vendim makabër, në vend të njaj heshtje mortore, u ndigjue rrahje shuplakëve triumfante të nji sadizmi të pashoq. U filluen me çjerrje kangët e hakmarrjes të shoqnueme me shfaqje aq të egra e shtasore, sa At Mati Prendushi nuk mund u mbajt pa thanë me të madhe: „të lumtë o serbian se sot ia dole me ia paraqitë tanë botës se shqiptari, me bisht ose pa bisht, asht nji egërsinë e vërtetë!“
    E ajo egërsi vazhdote çfaqjet e veta të terrorit përditë e përnatë rreth institucioneve katolike. Gazetat e radioja mburreshin me këtë sukses të madh kundra „anmiqve të popullit“. „Drejtsia Popullore“ (ec e gjeje vështrimin e këtij termi juridik) me fantazi të madhe ia kishte dalë me e ba mizën buell tue u nisë nga hovi guximtar i ndonji djaloshi të shkolluem e veprimet e papjekuna të disa fëmijve, t’i paraqiste ato sikur t’ishin organizata terroriste të drejtueme prej atyne njerzve ose instituteve që partia komuniste donte me i zhdukë.
    Me ankth pritej çdo të ndodhte. Para se me dalë drita e datës 4 mars 1946 breshnitë e zgjatuna të armve thyen atë heshtje të thellë që ndan terrin e dritën. Ato breshni vijshin prej vorreve katolike në breg të zallit te Kirit. Qyteti u zgjue i tmerruem. Ishte nji zakon partizan që të pushkatuemët me i lanë ashtu të shtrimë rrah përmbi tokë, që popullit me i shti frigën. Gjithkush e kuptoi se çka ka ndodhë. Prej të gjitha anve njerz vrapuen aty me pa. Ata që shpijat i kishin afër mbrrijtën aq shpejt sa e gjetën ende të nxehtë gjakun e tyne tue gurgullue. Kje ndonji që nxori nji shami të bardhë dhe e ngjeu në gjakun e At Gjon Shllakut. Por mandej roja partizane e vendosun aty nuk i lejonte që t’aviten ma afër se 2-3 metër. Ishin gjashtë të shtrimë në mënyrë të çrregullt siç ishin rrxue prej automatikve të skuadrës së pushkatimit. U shifej në krye vetëm goditja e fundit e dhanun secilit prej prokurorit. Skuadra partizane e pushkatimit kishte kthye me atë kamjon, tue këndue me histeri kangët e njoftuna partizane. Atë ditë ata u shpërblejshin nga komanda me dy racjone gjelle. Njani prej tyre në konfidencë të madhe i kishte thanë nji djaloshit katolik: „kurr s’kam pare asi trimash“ të gjithë vdiqën tue thirrë me të madhe: „Rroftë Krishti!. Deri mbas mesdite trupat e tyne mbetën aty të shtrimë e populli shkoi me i pa. Atëherë erdhi nji skuadër tjetër partizane, u hapi nji vorr të përbashkët, kund nji gju të thellë, dhe i varrosi aty, në varg me sa e sa të tjerë që përpara tyne ishin pushkatue mbas murit të vorreve katolike, nën hijen e dy çinarve të mdhaj: Ata dy çinarë janë dhe sot dishmitarë të gjithe atij gjaku të derdhun pa faj ndër rrajët e tyne. Un shpesh shkoj aty e me duket sikur flas me ta dhe shoh se qysh atëherë, kanë fillue me u brejtë e me u plakë.”



    Fq.81


    DUHEN KURBANE TJERA

    Këto triumfe të Pushtetit Popullor demokratik shkaktuen nji eufori të madhe në pushtetarët e rinj. Ata menduen se ia kishin dalë me e rrejtë gjithë opinionin publik botnor me atë parodinë e „zgjedhjeve të lira“ që përfunduen me 90% e sa tjera këso manipolimesh të dhunshme: ata ishin verbue fare, ose ishin kenë gjithmonë të verbuem për me shti në dorë e me mbajtë pushtetin përmbi vllazënt e vet shqiptarë me të cilët aspak nuk u treguen vllazën, por si katila të verbtë të Beogradit: E kryezoti i ri i Shqipnisë – Beogradi kishte me marrë shumë hake në shqiptarët deri atëherë kryeneçë. Së pari, duhej zhdukë krenaria kombëtare e nji shteti sovran: ç’i duheshin përfaqsueset e huej Shqipnisë në Tiranë? Politika shqiptare planifikohej në Beograd. Prandej qitën jashtë misionet përfaqsuese diplomatike të Anglise dhe SH.B.Amerikës tue shpallë se kishin organizue spiunazhet në Shqipni. Si përfaqsues konsullarë simbolikë mbetën ai i Francës dhe i Bashkimit Sovjetik, njani për Prendimin e tjetri për Lindjen. „Vllazërimi i popujve shqiptar-jugosllave“ mbrrijti kulmet e euforisë. Ky „vllazërim“ kërkonte medoemos dy kurbane: Klerin katolik dhe inteligjencën shqiptare. Lufta kundër tyne ishte zhvillue qysh nga dita 29 Nandor 1944, por disi e mbulueme me shkaqe të ndryshme tue u mundue me i dhanë pamjen ligjore: me akuzat o si bashkpuntorë të ushtrive të hueja ose si pjesmarrës ndër veprimtaritë politike antinacional-çlirimtare. Këta që kishin teprue nuk kishin njolla, megjithkëtë duheshin zhdukë: kushedi, ndoshta në nji t’ardhme mund të baheshin të rrezikshëm, sepse mendojshin me krye të vet e jo të huej.
    Viti 1946 kje viti i gjuetisë ma të tërbueme. Gjuetia nuk ishte ma ajo e shtrigave si dikur, por „e shtrigajve“. Të gjithë u akuzuen sikur t’ishin rekrutue ndër spiunazhet e atyne vendeve ku kishin krye studimet. Për ma tepër edhe të gjithë ata që kishin marrë mësim ndër shkollat teknike amerikane të Kavajës e Tiranës i futën në burg si spiuna të Amerikes: si „agjenta të Fultzit“. Në të njajtën kohë u zhvillue e pamëshirshme lufta ndërmjet vllazënve në pushtet, „kundra grupit të Deputetve“, e cila përfundoi me zhdukjen fizike të gjithë atyne njerzve me emën të cilët kishin marrë pjesë në drejtimin e asaj që thirrej „Lufta Nacionalçlirimtare“."

  3. #3
    Konservatore Maska e Dita
    Anëtarësuar
    17-04-2002
    Postime
    2,925
    Fq.88


    ARMET NE KUVENDIN FRANÇECKAN

    I mbështetun në shpalljen qeveritare për dorzimin e armëve, gardjani i Kuvendit At Çiprian Nika lajmoi se kishte në Muzeun e Françeskanve 3 copë armë dhe në Kuvendin Françeskan nji armë gjeutie me tri gryka, që dikur e kishte pasë në përdorim në Kep të Rodonit deri në vj. 1929. Po n’atë kohë ishte tue u vu në veptrim e quejtuna Reformë agrare dhe kështu tokat e Kishës Françeskane në Lezhë ishin shtetzue, ashtu dhe të Kuvendit të Troshanit. At Çipriani u nis për Tiranë më kërkue kthimin e ktyne tokave, mbasi françeskanët nuk kishin mundsi jetese pa ato. Posa u kthye prej Tirane, n’oborr të Kuvendit rrijshin tue e prtië oficerat e arrestimit: i vunë prangat në duerë menjiherë dhe i kërkuen armët për të cilat ai kishte lajmue. At Cipriani i dërgoi në muzeum, ndërsa armën e gjuetisë me tri gryka dhe nji tjetër me A.Zog i kishte shti nën dyshemen prej drrase në odën e vet.
    Ahmet Zogu, tue njoftë mirë dishirin e shqiptarve për armë të bukura, kishte porositë në nji fabrikë armësh jashtë, nji sasi revlverash, të zbukuruem me emnin A.Zog, të cilën ua jepte dhanti miqve të vet. Ajo armë, dikur ishte mbajtë në Muzeumin franceskan, por tue kenë se mund të përdorej, At Cipriani e hoqi prej muzeumit dhe e mshefi në dhomë të vet. Mueren armët, e At Ciprianin e dërguen në burg.
    Mbas pak ditësh erdhën e arrestuen At Pal Dodajn. Mbas tij kje arrestue edhe Superjori i Franceskanve të Shqipnisë At Matí Prendushi. Përditë vijshin lajme të sigurta se kishin arrestue në qytet pothuej njerzit ma të një njoftun e ma të mirët. Mbas arrestimit të At Palit, Ap Ciprianit e At Matisë, mbet si Superjor At Donat Kurti: erdhen e arrestuen edhe atë. Shifej kjartë se do të na arrestojshin të gjithve. At Aleks Baqli, i cili tash bante detyrën e ekonomit të Kuvendit franceskan më tha nji ditë: Fra Zef, shif se edhe mue do të më arrestojnë: u pa kjo punë. Në dorë të Zotit kjoshim. Mund arrestojn edhe ty, sidokjoftë na të dy duhet t’i kombinojmë fjalët mbasi jena shokë të ngushtë: në rasë se na arrestojnë të dyve mos gabo me pranue kur kanë me të thanë se At Aleksi ka deponue kështu e ashtu për ty. As un nuk kam me pranue.
    - As të vërtetat? – e pyeta.
    - Të vërtetat ... të vërtetat kishte me u dashtë me i pranue, megjithkëta ata i shtremnojnë aq shumë e u ndrrojn vështrimin krejtsisht.
    - E si t’ia bajmë na atëherë? Për shka pregatitemi?
    - Jo, deshta veç sa me të thanë se na ende nuk i kemi provue torturat, por kur i shofim e i ndigjojmë të tjerët në atë gjendje të mjerueshme, dridhem në shpirt. Kushedi mund pranojmë edhe gjana të pakenuna: Ti qindro.
    - E si të qindroj un? A ta merr mendja që u reziston kush torturave?
    - Nejse – më tha ai – na do të mundohemi me qindrue: Kjoftë ndima e Zotit. Por puna asht që asnjani mos t’u besojmë fjalve që kanë me na thanë ata.
    - Unë nuk e dij se për cka mund na akuzojnë.
    Me dt. 14 Nandor 1946 Kuvendi Franceskan i Gjuhadolit u gjet i rrethuem që në orët ma të para. Zakonisht na fretent në Kuvend u zgjojshim shumë herët pa dalë drita, aq sa në Shkodër thuhej fjala: „çohen ma heret fretent se dreqent“. Kur At Ferdinand Pali e fra Ndou deshtën me hapë dyert, gjetën rojet partizane, të cilat nuk i lanë me dalë, as me i hapë dyert. Para orës 8 ersh oficer Dul Rrjodhi me nji skuadër ushtarakësh. Na urdhnuen me u mbledhë të gjithë në mensë. Ata vetë filluen me kontrollue Kuvendin. Mbasi perfunduen kontrollin e parë kah mesdita, na urdhnuen mos me dalë prej mense pa leje as për nevoja personale. Në derë të mensës vunë nji roje dhe nji tjetër në korridor. At Aleks Baqli kishte veprue pothuej si ai ma i zoti i punës. Foli me Dulin për shërbimin fetar në Kishë dhe për jetesën e komunitetit. Duli vendosi që na do flejshim sejcili në dhomë të vet. Mbas zgjimit me atë orarin e funksionave fetare që njifte populli Kisha do të mbyllej, na do të rrijshim gjithë diten e lume në mensë me polic në derë e korridor e në mbramje persri do të kthejshim me fjetë ndër dhomat tona. Kështu do të veprojmë derisa të duen qeveria. Ashtu u ba. Për blemjen e ushqimeve At Aleksi do të delte në Pazar i shoqnuem me nji polic: kurr vetem. Kryeroje mbi ne ishte nji farë Smajl Sheme: Falna o Zot, por ai ishte gjysa kafshë e gjysa nieri. Nuk e pyetëm kurr se nga ishte. Por shpeshherë ai këndonte: “Kurvelesh o zemra ime”. Ai kur donte me sha ndonjanin prej nesh i thonte: “Krisht! He Krisht!”. Nji ditë e pyeta: A e din ti shka asht Krishti? Ai u përgjegj „nji fashist i qelbur si ju“.
    Mbas nja 3-4 ditësh, aty në mensën ku ishim të mbledhun, na vijshin për vizitë oficera të sigurimit si Nesti Kopali, Zoj Shkurti, Fadil Kapisyzi e shumë tjerë që tash ua kam harrue emnat, si edhe shumë tjerë që nuk i njifshim. Na kritikojshin, bile na shajshin si borgjez shovinista e fashista, sikur vetem na ta kishim fajin që ish ba Shqipnia! Duli i kishte marrë në dorzim të gjithë çilsat e Kuvendit, jo vetem të hymjes e daljes, por edhe të gjitha zyrave, ashtu të Arkivit, të Muzeumit, të Bibliotekës, të Odës-Muzeum të Fishtës, të ambienteve tjera të kulturës e të çlodhjes, ashtu edhe çilsat e odave të fretënve që ishin në burg. Ndigjoheshin disa njerz që lëvizshin e punojshin neper Kuvend, ndersa ai e kishte si zakon e vinte ndonji orë e rrinte aty me ne në mensë poshtë. Nji ditë pruni disa foto të mëdha, që i kishte hjekë nga albumet që ishin në arkiv. Fotot paraqitshin pritjen e Viktor Emanuelit. Ndër ata njerzit e veshun me kostumet e bukura kombtare ishte dhe ai vetë. Iu suell At Marinit e i tha: Këto i keni ruejtë për me na akuzue? At Marini I shpjegoi se po t’ishte për me akuzue, ato nuk do t’u ndryjshin në arkiv. Prej Odës-Muzeum të Fishtës ai merrte, si pa gja të keq stilografat, lapsat e tjera kinkaleri dhe i mbante në xhepin e gjoksit me kreni. Nuk kishim shka me I thanë mbasi tash ishte ai zot shpie. Në nji mbrame Duli erdh e më muer, më shoqni deri në nji dhomë-zyrë. Mbasi më bani me u ulë, nxuer atë stilografin e cmueshëm të Fishtës e më tha: do të shkruejm një procesverbal se ma kërkojnë shokët në seksion. Ti e din se Pater Palin e kemi në burg. Na kerkojme prej tij ditarët: i kemi marrë të gjithë, por i mungojnë këto 3-4 vjetët e fundit, dhe ai thotë se t’i ka dhanë ty me i mshefë. Si asht puna e tyne e na i dorzo.
    Un iu pergjegja se gjatë kontrolleve që kishin ba brigadat kah fillimi i 1945, ai m’i kishte dhanë, un i mora ato dhe i shtina në tubin e nji stufe e cila nuk do të ndezej e kur mbaroi kontrolli, i mora persri e ia kam kthye.
    - Ai thotë se i ke ti gjithnji.
    - Ai asht plak e ka harrue ku i ka lanë.
    - Po shif – më tha – se kjo punë asht me pergjegjsi se un të ballafaqoj me te.
    - Më ballafaqo.
    - Ven firmë ti këtu.
    - Po.
    A e din si asht puna më tha: kjo puna juej mbaroi. Në të vërtetë si të dukena na ty?
    - Për çka po më pyetë ti? A e mendon se e ha un at kokerr ullini? Don me më shti në burg me firmen teme?
    - Jo, mor djalë i mirë, më tha ai, as që më shkon mendja me të shti ty në burg, se un kam mundsi me të shti aty ku nuk të nxjerr as buelli. Por na e kemi krijue nji farë besimi dhe mund i flasim me sinqeritet kto fjalë. Un nuk kam me shkrue kurrgja por vetem kështu shoqnisht me i dijtë. Edhe na duem orientim.
    - Sa për shoqnisht – i thashë un – duhet të tregoj të vërtetën se sa për mue e për popullin, jeni ma zi se shejtani.
    - Ti fol për vedin e jo për popullin, se populli jemi na.
    - A më the që po flasim si shokë e sinqerisht? Ju nuk jeni populli, por katilat e tij. Ju flitni për gjermanët, po ata ishin zotnitë e zotnive karshi jush! Ju i mbytni njerzit pa pikë faji.
    - E kur i mbytem na kta të pafaj?
    - Nuk po i përmendi të gjithë se ndoshta gabhem, por po të paraqes vetem atë të dajave të mi në Gurzë: janë pushkatue 10 vetë. Dhetë vetë për nji nieri që as atë nuk e kanë vra ata! As gjermanët nuk e banë ketë punë që keni ba ju.
    - Po tjetër? Pyeti Duli. Din tjetër?
    - E shka pvetë për tjetër? Ju a e shifni se nuk jeni si tanë bota? Po kush e rrahë popullin në hu përvec jush edhe i thoni mandje: „je anmik në kjoftë se nuk më don!“ po a nuk e dini se dashunia nuk vendoset me dhunë. Ju e dini mirë fjalën e popullit tonë që thotë: „Më duej e më druej nuk i thohet kurrkuj“.
    - Gëzohem – tha Duli – gëzohem shumë për sinqeritetin tand: kshtu i duem djelmët: Bravo Zdravo!
    Ai nuk shkroi atë natë kurrnji procesverbal, por mbas dy ditësh më thirri përsri e më tha:
    - Duhet nënshkrue ky procesverbal.
    - A e lexoj nji herë para firmës?
    Un e lexova. Ai kishte shti ato cka kisha thanë për At Palin edhe atë paknaqsinë që i kisha thanë për vrasjen e dajave të mij pa kurrnji faj.
    - Po ti më the se nuk do ta shkruejshe në procesverbal!? A i kishim fjalët kështu, apo jo?
    - Ashtu, ashtu asht – më tha Duli. Këtu kërkohet vetëm çashtja e Pater Palit. Të tjerat nuk kanë kurrfarë randësie.
    - Ndigjo Dul, un po e nënshkruej arrestimin tem – dhe vuna firmen.
    - Jo, djalë i mirë – më tha Duli, as që na shkon ndër mend me të arrestue. Na kështu i duem njerzit: që të na thonë të vërtetën ndër sy. Na jemi të sinqertë. Por ket procesverbal, këte deklaratë tanden na do ta ballafaqojmë përsri me At Palin. Na duem të vërtetën.
    Ndër ato dit muarem vesh se në burg kishte dekë At Bernardin Palaj. Kurrkush nuk dyshonte për mbarimin e tij ndër tortura. Iu lutem Zotit.
    Mbas nja katër-pesë ditësh Duli erdhi e më muer përsri. Më dërgoi në atë zyrën e vet që e kishte vendosë në Kuvend e më tha:
    - Zef ti je i ri, mos e merr vedin në qafë. Pater Pali nuk e pranon procesverbalin që kemi ba bashkë. Ai thotë se asht e vërtetë që m’i ka kthye nji herë, porse tue kenë se kontrollet ishin të shpeshta, atëherë ia kam dhanë përsri e nuk ia kam kërkue ma, veçse i kam thanë siguroi mirë e mos t’i gjejnë. I thashë Dulit se Pater Pali ishte plakë e nuk mbante mend kurrgja: un nuk i kam ato ditare, të cilët i kërkon ti. Mendojshem me vedi: e ku t’i çoj shkrimet e tjerve?
    Atehere Duli më muer me vedi. Duelëm jashtë. Ishte natë. Ecëm rrugës bashkë. Më dërgoi te seksjoni i Sigurimit të Shtetit, në shpi të Pjetër Çurçisë. Un e pashë se po don me më arrestue. Ai u ndal para se t’u ngjitej shkallëve dhe foli me nji ushtarak. E prita aty në kambë për gati nji çerek ore. Erdhi Duli përsri e u ngjitëm shkallëve. Në krye të shkallëve ishte nji copë korridor ku shifeshin dy njerz të mbuluem me batanije dhe katër dyer. Hapi njanën prej tyne dhe hymë mbrendë. Në tavolinë ishte nji burrë i veshun ushtarak. U ula në nji karrige. Pritshem se kur po m’i venë hekurat në duer. Ai ushtaraku foli:
    - Si të quajnë?
    - Zef Pllumi.
    - Zef?
    - Po.
    - Ndigjo Zef, po ta tham un se nuk duhet luajtur me qeverinë, por duhet thënë e vërteta, sepse ju priftërinjtë katolikë nuk keni lënë gjë pa bërë kontra qeverisë e popullit. Sot u ka ardhur fundi. Thuaje të vërtetën dhe ti do të shpëtosh.
    - Un e thom të vërtetën, por edhe ju duhet t’i besoni të vërtetës, se po s’i besuet së vërtetës atëherë më merrni më qafë mue edhe të tjerët.
    Në atë çast u hap dera dhe hini mbrendë Dul Rrjodhi e mbas tij At Pali. Ai merzi i lëvizte kambët: nuk i kishte mbetë as gjysa, atë e kishin kthye në gjysë njeriu. Mbas tij edhe nji ushtarak që e mbante për krahit. Ndërsa Duli filloi me folë:
    - Pater Pal, besoj se e njeh mirë Zef Pllumin, un kërkoj ditarët e tu të viteve 1939, 1940, 1941, deri më 1945. Njani prej jush do të m’i dorzojë mue: ti ose ti, ndërkaq shenjoi me dorë atë dhe mue. Fol ti Pater Pal, si asht puna juej.
    At Pali tha se që në rasën e kontrollit të parë, kah fillimi i 1945, ai m’i kishte dhanë mue 3 ose 4 blloqe, që ishin ditarët e ktyne vjetve ia dhashë për me i mshefe, sepse ky asht i ri e i gjallë ndërsa mue m’i kapte kontrolli në dorë.
    - Fol Zef, më tha Duli. Ku i çove ti e si i shpëtove prej kontrollit; por fol të vërtetën.
    Un atëherë tregova që me të vërtetë Pater Pali m’i dha atë ditën e vështirë të kontrollit të parë. Për fat tim ndër oficerat që drejtojshin kontrollin ishte edhe Halil Bala. Këtë e kam pasë jo vetëm shok klase në gjimnazin françeskan, por edhe me të cilin kishim shkue mirë. Ai kje shkëputë mbas semimaturet nga gjimnazi. Mbas sa vitesh u takuem gjatë këtij kontrolli. U përqafuem me dashuninë e nji rinie të parë: na kishte marre malli për shoqi-shojnë se nuk ishim pa për sa vite. Më tha: ku e ke dhomën tande? Un ia tregova. Ai hyni mbrenda dhomës, muer letër e lapsë e shkroi: „Kjo dhomë asht kontrollue prej meje Oficer Halil Bala“. Këtë letër ai e ngjiti jashta derës, të cilën e mbylli dhe ma dha çilsin mue. Vetëm këtë lejoje me qarkullue. – Un atëherë hyna në atë dhomën e përbashkët ku ishte stufa e pandezun, nxora ditaret e At Palit dhe i shtina në dhomën time që nuk do të kontrollohej. Por mandej un ia ktheva Pater Palit: ç’më duheshin mue?
    Duli atëhere iu suell At Palit:
    - E ndigjon apo jo? Trego ku i ke ditarët!
    Atëhere At Pali, që mezi qëndronte në kambë u suell kah un, sikur të kërkonte mëshirë, e me atë za të mekun më tha:
    - Djalë, a e shef si jam? ... Në daç me më shpëtue jetën dorzoji! … Mos më mbyt ti me dorën tande!...
    N’atë çast un vdiqa. Nuk kishte ma kurrnji vështrim qindresa ime. Pse të vdiste At Pali për ditaret e tij? Kje nji ças tepër urgjent i jetës time. Nuk muejta me e durue At Palin që vuente. Vendosa për jetën e tij e jo për letrat e tija. Po ndera, po besa ime? Nëkjoftëse asht jeta, të gjitha do të skjarohen e do të shërohen. Jeta ka shumë plagë: Sot pvesë a thue kje nji gabim? Le të gjykojnë të tjerët: Nemo Judex in causa sua! (Kurrkush nuk mund të jetë gjykatës i vetes).
    Ndër këto çaste të rralla ma shumë punon zemra e nxehtë sesa logjika e ftohtë. Të gjitha këto veprime u banë vetëm në nji sekond: aq ishte. Vendosa për jetën dhe jo për letrat!
    Thashë: Po! Ditaret i kam un.
    Katilave që kishim përreth u ndritën sytë prej gëzimit. Duli qeshi me të madhe. Ia tha atij oficerit që ishte ulun në tavolinë.
    - A e din prej nga asht ky? – Prej Malit të Rrencit: dhe mendon se do të na rrejë neve! – Më duhet të baj nji parantezë. Mali i Rrencit asht ai mal përmbi Shëngjin. Etimologjia i vjen: Mali i Lorencit, por në gjuhen shqipe shkurtimi i emnit e qet – rencit (gënjeshtarit).
    Duli atëhere më kapi për krahit e më tha: Shkojmë! U ulëm për shkallëve: atje poshtë partizanët këndojshin tue hjedhë valle: “Sofo lule djalë, Sofo lule djalë”. Duli ia filloi me më qestisë: “Zef o lule djalë, Zef o lule djalë!”. Krah për krah duelëm në rrugë. Atëhere filloi me folë.
    - Zef, a e din ti se shka kam punue un?
    - Jo.
    - Un ishem bazhdar. Bazhdar që peshojshem në treg me kandar. Un e kam rrenën profesion, sepse sikur mos të rrejshem me kandar un do të delshem filuze. E si mendove ti me më rrejtë mue? – Shikoj më tha: Un ishem nji njeri i përbuzun prej gjithkuj: dikush më thirrte Dul Qorri e dikush Dul Rrena. Ndërsa Partia sot më ka ba nieri të nderuem: Më shef? I veshun e i mbathun si krajl, ha e pi shka më do qefi: e atëhere si mos të punoj për Partine. A e mendon ndopak se këto sorollatje që m’i ke ba mue ose që ia ke ba Partisë dënohen me burg? Të shofim shka kanë me thanë shokët. Ti je mësue me i rrfye mëkatet aty ku të kanë dhanë pendesë pesë Falemi Mari, por na rrfejmë ndryshe: të japim pesë vjet burg. Apo don edhe ti me hi në burg si të tjeret? E don burgun?
    - Jo, nuk e due.
    Kur mbrrijtëm në Kuvend më tha:
    - Ku janë ditarët? Ec para. Thirri edhe nji roje me fener në dorë. U ngjitëm në shkallë që çonte nalt në trapazan përmbi tavan të arkivit. Aty kishem vendosë ato dy arkat metalike: njana me dorshkrime të P.Ambroz Marlaskajt dhe tjetra me dorshkrime të P.Shtjefën Gjeçovit. Këtu në këtë të dytën kishem shti edhe ditaret e P.Palit. Ishin me dry (kyç). Çilsat i kishem lanë për nën arkat. I mora e i hapa:
    - Qe ditaret e P.Palit.
    - Po këto tjerat çe janë?
    - Dorshkrime të P.Shtjefën Gjeçovit, thashe unë.
    - Kush ishte ky maskara?
    - Shka thue ashtu! Ky asht shkencëtar me famë botnore: Ky që ka mbledhë Kanunin e Lekë Dukagjinit.
    - Kanunin e Leke Dukagjinit? Po e kam edhe un atë libër plot marrina malsorësh. Ku asht ky tash: ku gjindet?
    - Po këtë e kanë vra serbët në Zym.
    - Mirë ia paskan ba: duhen qirue hesapet. Po arka tjetër e kuj ishte?
    - P.Ambroz Marlaskaj, profesor filozofie në Romë.
    - Ky edhe ma maskara. – tha Duli. Ku gjindet?
    - Edhe ky ka dekë. Ishte nji kundërshtar i Zogut, i internuem në Itali, por ishte antiitalian: flitet, nuk dihet kurrgja me siguri, se mbasi hyni Italia në Shqipni, nja dy-tre muej mbrapa e kanë mbytë italjanët: ai vdiq në Romë në nji operacion apendesitit. A des kush prej apendesitit?! E ku? Në Romë.
    - Apendesitit? E kam ba dhe un atë operacion, jo more si des kush prej apendesitit! Megjithëkëte nuk kanë ba keq: na kanë kursye nji plum neve; do ta kishte ër se s’ban. Tashti – tha Duli, - mbylli mirë arkat, m’i jep këtu çilsat e bravave: ky këtu, dhe ky këtu! – tha, ndërsa ata i vuni në vende të ndryshme në tubën e çilsave, që mos të guxonte kush me i prekë.
    Atëhere, kur u ulëm prej trapazanit, Duli me mue në zyrën që kishte formue aty në Kuvend dhe më tha: Duhet të mbajmë procesverbalin. Edhe procesverbali u ba mbi ditaret e at Palit e mbi dy arkat me dorshkrime të Gjeçovit e të Marlaskaj. Nuk i shkroi keq, por më tha:
    - Ksaj here po të fali e nuk po të shtie në burg. Më trego a ke gja tjetër të mshefun?
    - Jo.
    - E kush të beson ty që të zumë me presh në dorë?
    - Në daç beso, në daç mos.
    N’e nesre kje nji qetsi e plotë. Ndërsa mbas dy ditësh Kuvendi u mbush me partizanë që kontrollojshin çdo skutë e çdo birë. Muret i rrahshin me çekiça në se ishin golle permbrenda. Me leva e kazma çoheshin drrasat e dyshemeve. Me fenere kërkohej nëpër trapazanet ma të errtat. Kuvendi ushtonte nga krismat e kontrollit, ndërsa na të mbledhun në mense ndiqshim me veshë se ku po kontrollohej e ku po hapej. Gjatë ksaj kohe thirrën në pvetje Fra Ndue Vilen prej Oroshit. Fra Nduen e zhdukën për nja dy net: kur kthei ishte shndërrue krejtësisht: ba verdh në fëtyrë, nuk ndigjonte me folë me kurrkënd, veç vente gishtin te buzët e thonte nën za: „Jam rob i Zotit, mos më fol: kemi mbarue me të tana“! Ishte i terrorizuem krejtsisht.
    Shërbtorët gjatë periudhës së anarkisë në kohën e gjermanve ishin kenë të armatosun që Kuvendi të dukej i ruejtun prej bakqijve. Por, mandej, me ardhjen e partizanve ata i kishin mshehë armët në bykun e shtallës së derrave. Kur i nxuerën, i pastruen, se ato ishin të ndryshkuna e të kalbuna. Duli me nji grup ushtarakësh na i prunë që t’i shohim na të izoluem në mensë: ata me nji gzim djallzor na i treguen sikur të kishin gjetë gja të madhe.
    Qyshkur kje arrestue At Çipriani e At Pali, në Kuvendin françeskan shumkush e priste arrestimin, ndër tjerë edhe un e At Aleks Baqli. E parashifshim se Kuvendi do të mbyllej, mbasi ishte vu në plan, por për Kishat mendojshim se duhet të mbeten të paprekuna si gjithkund në Europën e lindjes. Prandej At Aleksi i muer disa libra të vet ma të çmueshëm dhe i dërgoi në Kishë. Aty nën nji lter i stivosi, në mënyrë që të kishte kohë me i bajtë mandej e me i çue te shpija e vllaut të vet. Tashti ajo skuadra partizane kur i shpërtheu pothuej të gjitha muret, dyshemetë e trapazanet e Kuvendit, u hodh në Kishë. Së pari mësynë tabernakullin, si objekt ma sekret: e sulmuen me e hapë me leva. Nuk muejtën. Atëhere Duli i kërkoi çilsin At Aleksit. Çilsi i tabernakullit ruhej në Sakresti. At Aleksi muer çilsin, vuni stolen në qafë, u ul në gjunjë para tabernakullit (arka ku ruhet sakramendi) dhe e hapi. Ndigjoni u tha: U lutem vetëm shikoni e mos prekni. Këtu nuk ka kurrgja kundra ligjeve. U paraqiti enët e shejta.
    - Këto – tha njani – janë floririt. Floriri asht i ndaluar.
    - Jo, - iu përgjegj At Aleksi, - se deri tash nuk janë ndalue as vathët e byzylykët, as unazat: janë ndalue vetëm paret florinit.
    Duli i duel zot.
    - Po ç’është mbrenda këtyne enve të florinjta?
    - Këtu tha At Aleksi nuk mundet me prekë kurrkush përveç njerzve të shuguruem. Kto janë Oste. Na besojmë në Krishtin; u lutem mos prekni. Qe ... oste të gjitha oste!...
    - E ç’duhen këto që i ruani ndër enë të florinjta?
    - U thashë edhe nji herë: asht Krishti.
    - Krishti? E ku e shef Krishtin? Aty?
    - Un besoj kështu: e shof me sytë e fesë. Ju nuk besoni, por nuk keni të drejte me dhunue besimin tem. Ju lutem!
    - Duli atëhere qeshi me të madhe. U suell kah shokët e vet oficera ma të nalte e u tha: A e shifni se Aleksi e ka përnjimend! Po ia respektojmë besimin. Aleks, mbylle kasafortën (për tabernakull) dhe rueje çilsin. Na e pamë se ç’ishte mbrendë.
    Ndërkaq disa partizanë tjerë ishin shpërnda nëpër Kishë, tue kontrollue qoshe për qoshe. Kisha Françeskane ishte shumë e bukur: elteret anash ishin sjellë prej Tirolit, të punuem me art nga firma „Stufflesser“. Njani prej këtyne lterve ishte porsi raft përmbrenda, ndërsa mbulohej nga nji basoreljev përjashta, i cili fiksohej me katër burma. Partizanët i hoqën burmat dhe nën elter gjetën të stivosun nji sasi librash. Ndërsa ata po i nxiershin Dyli me oficera tjerë u turrën te ai lter me pa se shka po del. Tue i shfletue librat gjetën të shkruem emnin e at Aleks Baqlit.
    - Aleks, tuejtë janë këta libra?
    - Po.
    - E pse i ke mshefë këtu?
    - Për me i shpëtue prej jush. Këtu kam pru librat që kam ma për zemër nga biblioteka ime. E kuptoj se ju keni për të na qitë jashtë prej kuvendit, e mendova me i pasë me vedi këta libra.
    Ndërkaq partizanët që kontrollojshin kishën, mbas njaj statuje të nji shenjti, gjetën nji mikroskop. Ata nuk dijshin se shka asht ai: ndoshta e menduen për nji armë të sofistikueme. As Duli nuk e kuptoi se shka ishte, por thirri At Aleksin e e pveti:
    - Edhe kjo asht e jotja?
    - Jo. Ky asht nji mikroskop, i cili më duket se i përkiste kabinetit të shkencave të natyrës, kushedi kush e ka pru këtu.
    - Neve sigurisht që jo – tha Duli – por juve. Mos u ban marak se do të dalin ai që e ka pru këtu me e mshefë mbas shejtneve – edhe lshoi nje bestemje. Na kemi shkopin magjik që na tregon gjithshka. Na kemi shkopin magjik që na tregon gjithshka. Atëhere mbasi u kontrollue Kisha krejtsisht dhe nuk u gjet kurrgja tjetër, oficerat urdhnuen që gjithshkahja të vehej ashtu siç ishin. U vu nji roje ushtarake dhe mbrendë në Kishë. Fra Ndout ia muerën të gjithë çilsat e Kishës: ajo hapej për popull vetëm kur donte Duli.
    Fra Ndue Vila. At Aleks Baqli, edhe dy shërbtorë thirreshin shpesh në hetuesi. Mbas nja 4-5 ditësh më muerën edhe mue. Kur dola prej menset, atje nëpër qoshe të korridorit pashë se i kishin sjellë prej seksionit të Sigurimit At Pal Dodën, At Matí Prendushin, At Donat Kurtin, At Çiprian Nikën, At Filip Mazrekun e At Leon Kabashin. Të gjithë ishin largas, të veçuem njani prej tjetrit e të lidhun në pranga: pothuej të gjithë ishin me mjekër të gjatë, mbasi nuk i kishin lanë me u rrue: të gjithë të ruejtun me rojë. Kah kalojshem nëpër korridor Duli më pyeste: e njef këtë? E njef? Dhe un i përgjigjshem: „po“. Më dërgoi në atë korridorin e arkivit: aty kishin zbritë edhe dy koshujt e mdhaj me dokumenta të arkivit. Korridori ishte plot me oficera shqiptarë e ma shumë jugosllavë. Kishin pru edhe specialistat jugosllavë të filmimit me aparatura, por dukej se kishin pru edhe shumë specialista tjerë të punve të kqija. Njani prej tyne nxuer nji dosje nga njani prej dy koshujve, dhe prej dosjet nxori nji fletë: e bërtiti në gjuhën nashke:
    - Qe se çfarë lidhjesh kanë pasë këta me Stepinacin!
    Kështu tha nji përkthyes, tue më avitë para sysh nji letër të shkrueme latinisht prej Stepinacit, Arqipeshkvit të Zagrebit, me të cilën falenderonte Kuvendin françeskan për ndihmën bujare që i kishin dhanë nji prifti të ri kroat, të zanun rob luftet prej ushtrisë italiane.
    Në gjithë atë grumbull njerzish dallova edhe fotografin, Gegë Marubin. Duli e thirri, mue më vuni para, u ngjitëm bashkë shkallve e hypëm në atë trapazanin përmbi arkiv. Aty te ato valixhet metalike me dorshkrime të Gjeçovit e Ambroz Marlaskajt më shkrepi nga 2-3 foto me blitz. Ndërsa, kur u ula në korridor, aty afër koshujve ndritshin llampat me hark karbonit që u përdorshin në atë kohë për filmim.
    Duli më shtini krahin në korridor dhe më thotë:
    - He, more Zef e kur e kishi mendue me e fillue luftën ju për me rrxue Pushtetin Popullor?
    - Ti je ushtarak – i pergjigjem – dhe e din mirë se me 3-4 pushkë të kalbuna nuk mund bahet luftë. Mandej këto ti po e shef se janë letra, dokumenta: me këta nuk bahet luftë.
    - Pse nuk e beson se kemi gjetë armë?
    - Jo nuk kam si e besoj, mbasi un e njof Kuvendin shumë mirë.
    - Po, por na e njofim edhe ma mirë se ti. Na i kemi gjetë të gjitha ato që ju i keni mshefë. Ndërkaq më shtini në atë odën ku kishim vendosë mes dy muresh krejtsisht arkivin historik të „Hyllit të Dritës“, si dhe nji pjesë ma të randsishme të arkivit të Provincës françeskane.
    - A e shef – tha Duli. A e beson tashti?.. Qe shka keni ba!..
    - Po këto janë letra, vetëm letra z.Dul; me këto nuk bahet luftë!
    Ndërkaq kqyra me dhimbje të madhe punën që kishem ba për sa e sa muej, nën sekretin ma të madh, tue i kalue netët pa gjumën, herë me At Palin e herë me At Gjon Shllakun. Zemra më ra në fund të barkut. Në atë mendjen teme, aty mes dy muresh, kishem krijue nji vend të msheftë, të cilin e dijshem vetëm un mbi tokë. E si u shemb gjithshka? Bashkë me atë mur ra dhe zemra ime. Në dukje të jashtme u mundova me e mbajtë vedin me gjakftoftësi, ndërsa zemra më dridhej. Krah për krah me Dulin e dehun nga gëzimi i suksesit e, ndoshta, edhe nga ndonji gotë raki përshkojshem korridoret e gjata të Kuvendit. – Udhtim i përbashktë i gezimit e idhnimit, i jetës e i vdekjes. Pra kurrgja e re nën kët diell. – Më dërgoi te ajo dhoma ku e kishin mbushë me armë: hapi derën e më tha: Shif, sa armë i keni pregatitë për me na luftue ne!..
    - Por kur i paskeni pru ju kto?
    - Çka po thue? – tha Duli – këto i keni mshefë juve.
    - Jo, - i thashë – kto nuk janë armë të mshefuna. A e shef si ndrisin? – ndërsa ato katër-pesë të mshefunat a i shef si janë të ndryshkuna e të kalbuna!
    Aty ishin nji numër i madh armësh që ndritshin e sidomos disa arka me bomba të kuqe të reja fringo.
    Ajo natë kje që jugosllavët e shqiptarët muerën të gjitha ato foto e ata filma dokumentarë, të cilat Sigurimi i Shtetit i ekspozonte si trofej të luftës kundra reaksionit klerikal ndër të gjitha muzeumet e Sigurimit të Shtetit apo edhe në Muzeumin Ateist të Shkodrës, unik në botë. – At Çiprianin e At Matinë i fotofilmuen me armë në dorë: edhe fra Ndue Vilën. At Palin te pjesët e arkivit të gjetun, mue në trapazan me dorshkrime, At Leonin, At Donatin e At Aleksin në Kishë mbrendë tue nxjerrë librat prej lterit e aparatin e mikroskopit. Të gjitha u paraqitën si armatime, mbasi nji pjesë e tyne ishin shti ndër arka metalike municionit për me i shpëtue nga lagshtia, pluhuni e drita. Nuk vonoi shumë e mbas nja tri-katër ditësh u zhvillue nji aksion i madh i drejtuem nga oficera sllavë e shqiptarë për bartjen e të gjithë dokumentave arkivale. Nji kamjonçinë gjatë gjithë ditës e natës bate prej Kuvendit Françeskan në nji drejtim të panjoftun të gjithë librat e gjetun në Kishë, të gjithë arkivin si atë të mshehun ashtu edhe atë të palëvizun prej arkivit. Në këtë ditë u shkatrrue edhe Oda-muze e Fishtës, u bartën barbarisht të gjitha dorshkrimet e tija në atë kamionçinë që shkonte e vinte pa pushim. Dokumentat i shprazeshin aty pa kurrfarë rregullit e pa kurrfarë kujdesit mbasi u merrshin dosjet. At Marin Sirdani nuk mund u durue ma pa folë para këtij vandalizmi barbar e i tha Dul Rrjodhit:
    - Shikjo Dul, këta janë dokumenta tepër të randësishëm për historinë e Shqipnisë, prandaj tregoni kujdes të veçantë për ta!
    - Mos u baj marak P.Marin, se këto paçavure ne nuk ka vlejnë fare: historinë e shkruejm neve!..
    Këto kjenë ditët e fundit të Kuvendit françeskan. Jeniçerët e Enver Hoxhës u dukën në mëngjesin e 11 Dhetorit te dyert e Kuvendit me dekret në duer për me vu në zbatim atë shka pritej me kohë prej udhëheqsave të komunizmit sllavo-shqiptar: Cartago delenda est! (Kartagjena duhet të shkatërrohet!)
    Në mensën ku ishim të mbledhun hinë disa ushtarakë madhorë dhe organet e prokurorisë. Mbasi lexuen me solemnitet dekretin e ardhun nga lart për mbylljen e Kuvendit Françeskan, na urdhënuen që të ktheheshim të gjithë ndër dhomat tona dhe të merrshim për udhtim vetëm nji palë ndrresa e kurrgja tjetër, as libra, as orendi, sepse Kuvendi Françeskan me gjithshka kishte mbrendë kishte kalur në pronsi të shtetit. Te dera na priste kontrolli.
    Dikush pveti nëse kishim leje me i marrë librat e lutjeve të përditshme. Na lejuen me marrë në dorë vetëm nji libër uratësh (breviarin).
    Secili u kthye në odën e vet. E shka të merrshim ma parë, mbasi të gjitha tashti ishin të ndalueme për ne? Un kishem dy sende tepër të çmueshme që nuk kishem si me i lanë aty: Lahutën e Malsisë, me autograf të autorit dhanti e drejtueme për mue, si edhe shkopin e Fishtës; atë shkop ku mbeshtetej trupi i tij madhshtor, e që mbahej prej asaj dore e cila kishte gdhendë vargjet ma të bukurat në nji gjuhë deri atëherë pak të latueme. Nuk mujta me i lanë aty. Shkopin e vara në kyçin e dorës së majtë, tue e mshefë ndër palat e pelerinës së gjanë të petkut françeskan, ndërsa në dorën e djathtë kishem vetëm librin e uratve bashkë me „Lahutën e Malsisë“. Kur dola në derë me u kontrollue Duli ndej gati dhe thirri:
    - Ti Zef Pllumi do vijsh me u kontrollue te un.
    Ishin edhe 5-6 tjerë që kontrollojshin. M’u desht të paraqitem para tij. Ai kontrolloi xhepat, preku me duer ijet, gjoksin, shpinën; në torbën e vogël kishem vetëm nji palë ndrresa të mbrendshme: në dorën e djathtë librin e lutjeve e „Lahutën e Malsisë“. Ai e muer at libër e bërtiti me të madhe:
    - Shoku prokuror, ky Zef Pllumi ka „Lahutën e Malsisë“ dhanti me firmën e Fishtes: çka të bajmë? – e kërkon se e ka kujtim personal:
    Prokuro ishte Hys Zaja, nji ish-nxanës i Lyceut Franceskan: ndonji vjetë para meje, dhe përgjegji:
    - Jepja!
    Desht Zoti e shkopin e Fishtës nuk e ndeshi kurrkund. E shpëtova: e kam edhe sot mbas gjithë peripecive që ka kalue ai dhe un.
    Përpara se të delshim prej Kuvendit njani nga ato autoritete na mbajti nji fjalim të shkurtë ku na u suell sidomos ne të rijve studenta. Ai tha se për ne kjo ishte nji ditë lirije prej këtyne mureve të zymta dhe se tash e mbrapa do të ishim pjestarë të asaj rinije që gëzon të mirat e socializmit. Prandaj nuk duhej kthye kryet mbrapa e me u ndikue nga mendimet reaksionare të klerit françeskan, sepse vigjilenca e Partisë ju ndjek në çdo hap të jetës suej. Mbasi na regjistruen të gjithve adresat ku do të shkojshim në ato tri ditët e para, na lëshuen n’oborrin para Kuvendit e Kishës françeskane. Nuk mujshim as me kja, as me kthy kryet mbrapa prej friget: sytë e Partisë ishin mbi ne.
    Kah mesdita përfundoi gjithshka. Të gjithë u shpërndamë kryeultë e pa ba za, për atje ku kishim shenjue adresën.
    Un u nisa për Melgushë: aty kishem axhën. Rruga bante nja tri orë me shkue në kambë. Më dukej se të gjithë më kqyrshin mue. Ndoshta edhe ashtu ishte. Por kurrkush në qytet nuk e pat trimninë me ardhë e me më pvetë e me folë me mue.
    Dola jashtë qytetit, përtej Urës së Bahçallëkut. Fillova me recitue “Super flumina Babilonis, illic sedimus et flevimnus, dum recordaremur Sion”. (Përmi lumë të Babilonit, atje ndejem dhe lotueme, kah na shkonte malli i Sionit). Ecëshem i vetmuem. U mundojshem me e shpejtue hapin, që të mos më xajë nata në rrugë. Por nata mue më kishte xanë, nata e mendjes. Un nuk dijshem ma se kah me ia mbajtë. Ku jam? Ku shkoj? Aty? Atje? Ku? Ç’do të baj? Të gjitha ato andrrat rinore: me u ba frat, me u ba shejt, me u ba dijetar, me u ba i përmendun për dishka; të gjitha u zhdukën në këtë ças. E ndjeva vedin se nuk ishem kurrgja tjetër por nji balonë, nji tullumbac në hava që sillet në atë drejtim që ta çojë era. E shka asht era? A thue asht vetë jeta? Trishtim i madh!
    “O Zot, rri me ne se asht kah erret!”"

  4. #4
    Konservatore Maska e Dita
    Anëtarësuar
    17-04-2002
    Postime
    2,925
    fq.121


    Nga kapitulli

    SHTYLLA NE OBORR TE PILATIT


    “Un nuk kishem çka me folë. Mbasi u lodh ai, edhe un ishem i derrmuem, thirri kapterin dhe i tha: Merre. Kur më zbriti në oborr ajo pjeshka ishte e zanun, sepse kishin varë nji tjetër, atë që e kishin larë ndër parmakët e shkallëve, e kështu mue më varen aty përballë WC e hamamxhikut. Paulini aty. Kqyrshim vazhdimisht shoqishojnë. Por gardjani sillej aty afer e nuk mund folej. Në murin e WC ishin shumë shkrime, pothuej të gjithë emna e data të grryeme në mur me prangat e duerve. Ajo që më mbeti e ngulun në mendje kje:
    „Un Dom Vlash Muçaj, këtu më 22 korrik piva urinen time për mos me dekë etjet.”
    U tmerrova:
    A thua njeri arrin deri aty, ma keq se kafsha? O Zot, mos na provo!
    Me t’u largue gardiani, - roja tjeter ishte jashtë n’oborr, - fola me Paulinin. Ai:
    - A të njof?
    - Jo, nuk njifemi.
    - Si fytyrë e pame dikund. Kush je?
    - Me At Gjon Shllakun: Fra Zef Pllumi.
    - Në Kuvendin Françeskan?
    - Po
    - Ç’bahet me Kuvendin?
    - Na kanë shperda krejtsisht.
    - Të gjithë në burg?
    - Shumica.
    Atëherë ai fshani gjatë e gjatë. Ndjeu nji tronditje të thellë. Sikur e kapi një krizë, filloi me ulëuritë. Gardiani u avit.
    - Eë derr i derrit! Ç’ke që ulërin?
    Paulini vazhdonte të qante me britmë, ndërsa kapteri e shante me fjalët më të ndyta. Dikur gardiani u largue e mbetëm përsëri vetëm. Më kqyrte me dy sy të cangulluem. Me duert e lidhuna në pranga krehte mjekrën e gjatë e të zezë dhe shkundte morrat.
    - Jam plot morra, shif!
    Me të vërtetë un nuk kishem pa kurr aq shumë në jetën time, i nxirrte me grushta. U pregatita shpirtnisht edhe për nji vuejtje të tillë.
    - Kur të kanë arrestue?
    - Nji javë.
    - Si janë punët? Angleze cka thonë?
    - Punët i kemi keq. Anglezve nuk u beshet, ata na i prunë “këta”; le të thonë cka të duen. Interesat e tyne janë shkaktarët e vuejtjeve tona.
    - E njef X?
    - Jo.
    Atëherë Paulini filloi me uluritë persri. M’u duk sikur duel jashtë binarve. Filloi të flasë fjalë pa kuptim: ... autosugjestion ...jo, nuk funksionon asnji metodë...autosugjestion...
    Ndoshta kjo shkëputje kontaktit me Paulinin filloi të rëndojë mbi shpatullat e mia të varuna në parmakët e shkallve. Nji peshë përherë e ma e randë që vinte tue më djegë ndër sjetulla si prush i ndezun. Kambët nuk i ndjeshem ma se i kishem të miat, por si t’ishin drunit. Ulurimave të Paulinit erdhën e iu shtuen tjerat ma të tmerrshme: ato të kapterit që çfrente me të shame gjithfaresh mandej kërcnohej:
    - Pusho! Pusho se të lidha si Krishtin!...
    M’u duk qesharake. Paulini, un, ai tjetri e tjetri, të gjithë ishim të lidhun si Krishti. Të gjithë të rrahun e të munduem si Ai. Po aty ku ishte Ai: në Pretorium. O Zot i madh! Mbas njizet shekujsh, njerzimi i njajtë se i njajtë: tue rrahë, tue mundue e tue mbytë të pafaj!... E ç’ndryshim kishim na ndër ato çaste prej Krishtit? Shtylla n’oborr të Pilatit, pjeshka në seksion të Sigurimit të Shtetit, ishin nji për nji. Ndoshta të njajtat fyemje e të njajtat shamje e ulurima. Por kjo ishte vetem faqja e jashtme. Përmbrenda shpirtit e zemrës sonë urrejtja sillte urrejtjen. „O Zot fali se nuk din çka bajnë“ – thotë Krishti aty. E na i pergjegjshim: „Vërtetë nuk e dijshin ata, atëherë, por këta e dijnë“ ...Këta me i falë...jo kurrë...Këta me i dashtë?...jo kurrë“!...Kjo ishte ajo luftë e mbrendshme që randonte edhe ma shumë në litarin ku ishem i varun.
    O Zot më jep ndihmë!
    Mbasdite, mbasi filloi me u errë, erdhën e më muerën përsëri. Po ajo zyrë e ngroftë, po ai oficer elegant, me çizme të lustrueme. Po ajo pritje e bukur.
    - U mejtove? Sigurisht që je mejtuar. Je djalë me shkollë dhe inteligjent. Nuk do ta marrësh veten në qafë. Fol, ç’ke për të thënë?
    Heshtje.
    - Jo ti nuk don të flasësh, por të bëj un tani, të bëj atë që s’ta ka bërë kush, por më mirë fol! Fol!
    - Po më pvet zoti major mbi çka të flas...
    - Eë!...derr i derrit nuk flet ti! Ja, qumshtin e mëmës hidhe këtu! Qumshtin e mëmës!...- dhe filloi me shputa kresë, mandej me grushta, më shtyni, më përplasi përtokë, mu vërsul me shtjelma me ato çizme luster. Shtjelma në bri, në kambë, në shpinë, në krye e në fytyrë deri që më shpërthe gjaku. Kur pa gjakun u ndal. Shkoi te radioja e vuni te nji stacion: ndigjoheshin kangë Këshndellash. Ai iu avit dritares dhe kqyrte kush po kalonte. Hapi xhamat. Poshtë ndihej ni za femne.
    - Nuk mund të pres shumë, se asht ftohtë.
    - Pa eja mbas nji ore se jam shumë i zënë dhe nuk mund ta lë punën.
    Ashtu i shtrimë siç ishem i kapa mirë fjalët dhe u ngushllova se dikur edhe urrejtja do të kish mbarim. Kur mbylli dritaren hapi derën dhe thirri nji aspirant që ishte dikund andej.
    - Mbushja mendjen këtij të flasë, mund merreni vesh si shkodranë që jini, dhe ai duel jashtë.
    Ai aspiranti (D.L.) emnin ma dijte dhe më pveti çfare shkolle kishem ba. Kur un i thashë për filozofi etj. Ai mu kthye:
    - Ju doni të na shitni neve filozofi. Po na filozofinë e kemi ba në mal. A e shef un nuk dij me shkrue e me këndue, ama filozofinë e dij njiqind herë ma mirë se ti me shkollë: Un jam nji aspirant që ngrohem te soba e ti aty i lamë me gjak. Çou!
    Un u cova, atëherë ai filloi me atë shufren e hekurt të sobës tue më ra papushim e tue thanë: Filozofi ti!...qelbanik! fashist!...Fashist…fashist…deri që hyni persri oficeri I lartë, I cili shkoi drejt e te radio, ndrroi stacionin dhe gjeti nji muzikë të fuqishme, kor ushtarak.
    - Filloi të flasë apo jo?
    - Jo, - u përgjegj aspiranti.
    Dhe kur tha kështu muer nji aparat të vjeter telefonik. Dy telat mi lidhi ndër veshë mandej aspiranti filloi të sjellë manovelën. O Zot i madh! Korrent elektrik: nji korrent që të therrte me mija, miljona, miljarda gjylpana në kokë e gjithkund në të tanë trupin. Dridhje çuditërisht të tmerrshme, ndërsa oficeri i naltë sillej si bishë nëpër dhomë. Fol!...fol!...qumshtin e mëmës!...Fol...qumshtin e mëmës...! Nuk mund tham me siguri se sa zgjati ky operacion i tmerrshëm, ndoshta nji orë. Por në pastë kenë nji orë, atëherë mendoj se kje ora ma e gjatë e gjithë jetës sime. Nuk mujshem me folë, por n’ato momente kje e para herë që iu luta Zotit me ma të madhen perkushti:
    “O Zot, ma merr jetën, më shpëto!“
    Mandej erdhën dy roje, m’i shtine krahët e më zbritën n’oborrin e vogël e aty te pjeshka më varën. Nuk shifshem kurrgja përreth n’at terrinë. Ajri i hollë i cigrimtë i dhetorit sikur më bani mirë. Fillova të ndigjoj, fillova të shoh edhe në terr. Këqyra në hahamxhik. Paulini nuk ishte aty, ai burri po te truma bishtëshkurtë te dera. Tjerë njerëz n’oborr, të shtrimë palmuç e të mbuluem me lecka. Dikush në kambë pranë murit. Kishte pasë arsye ai oficer Nesti që i tha aspirantit: „Dërgoje të pushojë e të mejtohet”. Pushim i çuditshëm, i varun në nji pjeshkë! Por kishte keq e ma keq.“





    Fq. 125


    ULKONJA DHE BIJT E VET

    Shoh se Paulinin po e zbrisnin shkallve. Ai trup i gjatë dymetrosh ishte kërrusë dyfish. Mezi gjimonte. Nuk e lidhën aty në hamamxhik por e nxuerën n’oborr, diku afër murit, në kambë, i hodhen nji batanije në krye si të gjithë tjerëve që mos ta njifshin shoqishojnë. Roja me automatik në dorë sillej andej e këndej nëpër oborr. Mandej u ndrruen rojet që i dorëzojshin njani-tjetrit në prani të kapterave inventarin njerëzor: pesë në këmbë, gjashtë palmuç, nji tjetër të lidhun në mur, në shkallë apo në trumë. Më shkundën edhe mue në atë pjeshkë. Mbas asaj zhurme që shkaktoi ndrrimi i rojeve u ba nji qetësi e cingrimtë, ku ndigjoheshin zanet e mbytuna të pshertimave. Nuk mund thom nji orë, mbasi un në atë gjendje qëishem kishem humbë edhe nocionin e matjes së kohës, nuk jam i sigurtë nëse e numroshem me shekuj apo me kilometër a me milje, por mbas do kohe u ndie nji brimë e çmendun: Ndal! Ndal! Dhe nji e shtime breshnije automatiku. N’ate çast filloi nji stuhi e vertete zhurmash të ndryshme. Nga të gjitha anët e ndertesës e oborrit turreshin njerëz me armë e fenerë dritash. Brima, të shame e ulurima. Urdhna. Un ishem i varun aty në pjeshkë, n’atë pozicion që e shumta e skenës zhvillohej mbrapa meje. Ata që kishem para ishin palmuç porsi thasë. Nuk mujta me kuptue mire cka flitej për vdekje apo plagosje në kambë. Me çka pash në terr, sepse dritë elektrike nuk kishte, pa fenerë vajgurit bajtën nji njeri per kambësh e për krahësh dhe e derguen per nuk dij se ku. Mandej i muerën të gjithë ata që ishin drejt në kambë, mbulue me batanije. Disa i ngjitën nalt, disa poshtë. U erdhi radha atyne 4-5 vetve që ishin palmuç para meje, nji nga nji i zhdukën. Mbeta për pak minuta un i vetem i varun. Por më muerën dhe më shtinë në nji dhomë aty poshtë ku mund ishim nga gjashtë nejrëz, palmuç nën batanije. Dhoma nuk kishte dritare. Nji fener vajguri kishte tymosë aq shumë sa gadi m’u xu fryma: pamvarsisht dhimbjeve si i varun, ishem kenë pothuej ma shnëdosh atje jashtë në cingrimë Të gjithë ishin të shtrimë palmuc e mbulue me batanije lecka, pervec meje që më urdhnuen me ndejë në kambë. Në të vërtetë edhe ata që ishin pertkë ishin shumë ngusht. Mbas pak kohe erdhi kapteri e më dergoi persri në hetuesi te ai oficeri i naltë. Ishte i terbuem nga operacioni që kishte drejtue pak minuta para. Çfryni kundra meje me shputa, grushta, kërcnime e të shame: „Asnji nga ju qelbanikët nuk do mbetet i gjall”! – Mandej thirri kapterin. Ai më muer, më zbriti per shkallësh. Kur mbrrijtem n’atë dhomën që ishim, i largoi ata njerzit palmuç porsi thasë në mjedis të dhomes; me nji çels hapi nji dry: ishte nji kapanxhë drrasash. E çoi kapakun dhe ashtu të lidhun më hodhi mbrendë. Ishte nji podrum i naltë sa me nxanë nji njeri në kambë. Krejt terr. Kur e mbylli kapanxhen, u solla ashtu në terr tue prekë me duer para. Nuk ishte aq i madh. M’u duk se dikund ndesha në nji gomë automobili o diçka të tillë. Mandej ndesha në nji gjasen si thes. Ishte kenë njeri dhe më foli:
    - Kush je?
    - Jam un fra Zef Pllumi – iu pergjegja – Po ti që kur gjindesh këtu?
    - Jam N.N. Më kanë pru kot, krejt kot. Me emnin tim gjindet dhe nji tjetër burrë në Mirditë, por ai asht i arratisun në mal dhe flitet se ka vra X oficer partizan. Mbasi kemi të njajtin emen më kanë kapë mue për të. Ka ma shumë se dy javë që jam këtu nën tokë. Puna asht se na kena të njajtin emen, por nuk jemi në të njajtin katund. Ndersa këta thonë se „të gjithë mirditorët thirren me tre emna, e kështu mendoni ju se do të na e hidhni neve”.
    U ula aty në batanijet që kishte. Më tha se ishte i mbushun në morra. Kapanxha hapej vetem nji herë në ditë për të dhanë racionin e bukës e shpesh nji tas ujë. Për nevojë i kishin thanë: „bëje aty“. Më tha se aty ishte nji si gomë makine dhe se ulej aty mbi të. Më pveti se c’ditë ishte, mbasi ai aty tue mos pa dritë kurr me sy, nuk përcaktonte se kur mbaron nji ditë e kur fillon nji tjeter. Më tha se ishte arrestue në muejin gusht, se kishte kalue atje nalt tre muej torturash ma të tmerrshmet. Më kallxoi se mbasi e kishin torturue për shumë ditë tue i lidhë korentin ndër veshë, atëherë ai hetuesi ia kishte lidhë telat edhe në organet e ulëta të trupit. E ku me të sjellun të manovelës ai kishte provue ato therje të cuditshme që e bajshin me u hjedhë përpjetë e me u përplasë përtokë¸ai kishte cue duert nalt për me folë dhe u kishte thanë: “Or burra, tash sa dit” që keta tela m’i keni ba provë në krye. Po si mendoni ju se kur nuk din gja kryet po din gja b…?” Qysh atëherë ata e kishin lanë të qetë nga torturat tjera por e kishin heshë për së gjalli n’at varr të qelbtë ku jetonte tash. Ai mendonte se ishte tash dy javë, tue e llogaritë me buk’ që e kishin hjedhë aty me 15 Nandor, e kështu i takonte që t’ishte aty prej ma shumë se nji mueji. E kishte marrë malli me folë e nuk pushonte. Un kishem gjumë dhe i kerkva të falun. Ai me dashamiresinë ma të madhe më vuni bri vedit. Dhoma ose varri ishte shumë i ngrohtë. Fjeta. Për ku ishem fjeta mirë. Nocionin e kohës e kishem bjerrë tashma edhe un, prandej mund thom se fjeta gjatë por edhe në gjumë i ndjejshem dhimbjet e trupit të derrmuem prej varjes e të rrahunave.
    Kur erdhën e më nxuerën, un ishem në kulmin e bisedimeve me atë malok aq të mendshem e praktik. Kishem mësue prej tij gjakftohtësinë edhe në vuejtjet e pabesueshme. Jeta na ndau përgjithmonë, por kujtimi më mbet i pashlyem. Ai oficeri i naltë bukurosh u tregue shumë i shqetsuem për gabimin e kapterave që më kishin shti me pushue n’atë varrin e X-it. E kishte humbë durimin e mbas disa ushtrimeve të boksit mbi trupin tim hapi defterin ose „dokumentat“ sic i thirrte ai, për nji akuzë absurde. Më tha se Kleri Katolik ishte ma obskurantisti i shekujve dhe kishte djegë gjallë Galileo Galilein e Xhordano Brunon. M’u kërkue llogari për kryqzatat e inkuizicionin. Un iu përgjegja se nuk ishem as Pier L’Eremite, as Torquemada, bile nuk kishem të baj fare me ta, un ishem për dashuninë me të gjithë njerzit, ishem nji bir i padenjë i Franceskut që ka moto Pax et bonum. Kje nji gabim fatal. M’u turr si i terbuem:
    - Me dashtë armikun? Po ky është diversioni më i madh i shekujve. Mejtoni se i ha këto profka proletariati?! Neve e kemi luftën e klasave që do ta rregullojë njerzimin dhe do vërë drejtësinë mbi njerzit e jo gënjeshtrat tuaja.
    Mandej nxori prej sirtarit nji bllok shënimesh, format mesatar.
    - E njeh ti këtë?
    - E njoh. Asht nji lloj ditari që mbajshem.
    - Ç’ke shkruar apo ç’ke katranosur këtu?
    - Disa mendime të mija.
    - Mejtime? Po cfarë mejtimesh se? Ti je mishërimi i reaksionit borgjez. Dhe ne do t’ia këpusim kokën borgjezisë. E do ta këpusim edhe ty. Ja ç’ke shkrojtur:…
    Dhe mbasi e lexoi tha me terbim:
    - Pse gjerman na konsideron ti neve? Më ti se fashistat jemi ne, kështu thua ti? Fol!
    - Un e kam shkrue ket kur ju pushkatuet 10 burra prej familjes së dajave të mij vetëm për raprezalje: Mue nuk më duket e drejtë që të pushkatohen 10 për nji.
    - Po a mejton ti se ai një ishte Babë Rexha. E din ti se kush ishte Babë Rexha?
    - Kushdo që t’ishte, zakonet shqiptare i lajnë burrat gjak për gjak dhe nuk kemi nevojë të veprojmë sipas ligjeve të luftës që kishin vu gjermanët. Kjo nuk ishte logjikë.
    - Ti do të na mësosh neve logjikën? Ti…ti – dhe nuk u përmbajt ma, por veproi simbas logjikës partizane. Kur u lodh tue më rrahë, atëherë thirri kapterin dhe e urdhënoi që të më varte në pjeshkë.
    Oborri ishte vu persri në veprim. Ndersa po më varshin kqyra në se po i shof kund ato njollat e gjakut. Paulinin nuk e pashë ma kurr. As atë burrin lidhë në trumë bishtshkurtë. Dita dhe nata ishin shumë të ftohta. Nji firifickë e hollë ma merrte shpirtin. Por tjera tortura filluen mbrenda meje: mendimet. Mendimet gjithfarësh, njani ma zi se tjetri. Ai burri atje poshtë në varr më pati tregue: „Nder biruca të Lezhës, kisha ndejë gadi nji muej me nji frat, i cili na fillonte uratët e rruzaren: sa burrë i mirë që ishte, na mësote e na këshillote. Por mbas disa kohe që më prunë këtu në Shkodër, baj be se e kam pa të veshun ushtarak dhe kur un e kqyra me cudi ai m’u zhduk.“ Për tregimin e malsorit nuk kishem kurrfarë dyshimi; ishte i saktë, por m’u lodhte mendja tue pvetë: kush mund ketë kenë ai? A thue mund t’ishte ndonji prej shkove të mij? Cili? Për nji ishim të sigurtë se ishte Juda, por kishim dyshime edhe për të tjerë. Na kishim jo vetëm dyshime, por edhe fakte ndoshta për ma shumë se nji. Mendime të pafundme. A thue ndonji oficer ose nënoficer mund të ketë luejtë pjesën e fratit? Problem me shumë të panjohura, por që më mundonte aq. Ku ishin gjithë ata freten profesora e superjora të mij që nuk shifshem asnjanin prej tyne? Apo ndoshta ishte ndonjani prej këtyne të lidhun palmuç këtu para meje e të mbuluem me batanije?... Edhe pse trupi ishte mpi krejtësisht, për çudi truni vazhdonte veprimet e veta në rregull apo jo? Kush e di?...
    Në nji moment të caktuem, ndjeva cizmet e lustrueme të oficerit (N.K.) tue ngjitë shkallët e hymjes. Trupi filloi të më dridhej në nji mënyrë të cuditshme, nji të dridhun frige. Mbas shkrepjes së çizmeve do të vinte tortura me korent. Normalisht ishte krejt e pamundun që të ndigjoheshin ngjitjet dhe zbritjet e atyne shkallëve që ishin në të hymen kryesore të shpisë: ishin shumë larg. Mandej po t’ishte ashtu pse nuk ndigjoheshin kur hypshin dhe zdrypshin tjerë oficerë e kaptera, por vetëm ato të oficerit bukurosh. M’u avit e më tha: „Kërcllin dhëmbët? Aty të ngordhësh!“
    Pak ma vonë nuk m’erdh fare çudi kur erdhi kapteri, më hoqi nga pjeshka e më shoqnoi atje nalt në zyrë. Dridhjet vazhdojshin. Ato çizme të lustrueme.
    „Qumshtin e mëmës! Ne nuk lodhemi, jemi pranë zjarrit, nuk dridhemi si ti. Eshtë më mirë të flasësh, se do të vuash më pak. Këtu nuk ka burra, që nuk i përulim. Këtu jemi e me gjithfarë mjetesh. Fol!”
    Ndersa ai fliste m’u përfytyronte shkrimi në WC „Un Dom Vlash Muçaj, sot më 22 korrik …”, takimi atje nalt në zyrë kur At Pali më tha: “dorëzoji, e shef si jam”, Paulini i gjatë…, Guljemi në raft…, ai mirditori në vorr...O Zot më shpëto!
    Atë c’ka kishem ma tepër frigë, atë ma suell: aparatin e vjetër telefonik. Dridhjet që kishin fillue para nji ore n’oborr u shndrruen në dhimbje tjera, të padurueshme, të tmerrshme. O Zot, pse më lshove doret? Miliona gjylpana therse... Përplasje në dysheme. Përplasje. Atëherë nuk munda të rezistoj ma gjatë. Çova duert e lidhuna nalt si sheje se doja me folë. M’i hoqen telat prej veshve, tue më qeshë me nji gaz pëbuzës. Më lanë me pushue pak, mandej: fol!
    - Shikjo, - thashë un – ju shkrueni cka të doni dhe un firmosi…
    - E dimë, - tha – që do të firmosësh si gjithë të tjerët ose me lanë shpirtin. Por na trego ne këtu ato lidhjet që ke ti.
    - Po cfarë lidhjesh, kur nuk kam lidhje me kurrkend?
    - Mos u shtir si naiv. Aty reaksionarët që janë me pushkë në dorë ndër male kush I drejton? Juve, ju kleri katolik.
    - Po, un nuk jam kleri katoli, por nji zog i tyne.
    - Nji zog shumë i rrezikshëm, që jep urdhëra të vriten njerëzit tanë. Ja dokumenti, ja letra e shkruar me dorën tënde, fashist i qelbur. Dëgjo! Dhe lexoi: „Për veprime tradhtare që ke ba tuj u shërbye anmiqve të fesë e Atdheut shpërblimi asht ky: Plumbi“. Kjo letër është gjetur mbi kufomën e një njeriut tonë të vrarë prej reaksionit me vulën tënde.Ç’thua?
    - Kjo nuk kerkon nji dije të madhe – i fola un – Mjafton t’i krahasoni shkrimet e mia që i keni këtu, me këtë shkrim gërmë për gërmë. Të lutem avite ta shoh, konfrontoi gërmat.
    - Njeriu shkruan si të dojë.
    - Jo nuk asht e drejtë.
    Atje poshtë në rrugë u ndie nji sinjal fishkullimë. Oficeri bukurosh iu avit dritares. Hapi xhamin dhe i tha: “Prit se erdha” E kuptova që e thirrte nji vajzë.
    O dashuni – thashë me vedi – vetëm ti duhet të sundosh botën. Vetëm ti mund t’i zbutish kafshët e egra.
    Oficeri bukurosh e mbylli seancën e pvetjeve. Më kthyen persri te ajo pjeshkë që priste mue ose nji tjetër. I varun aty filluen mendimet. Nuk e ndjejshem aq shumë premjen që shkaktojshin litarët nën sjetulla. O Zot i madh! Kshtu e krijove ti boten?...Dhunë e dashuni? ...Dhunë e dashuni?! Po, e gjithë historia njerzore asht dhunë e dashuni! Ç’kërkon ajo vajza aty me ket kriminel sadist? Si mundet nji femen shqiptare të bajë dashuni me nji kafshë, me nji egërsi, me nji ujk që ka etje vetëm për gjak?!...Jo, ajo nuk asht njeri, ajo nuk mundet të jetë nanë. Nanë! Nanë simbol i dashunisë! Ajo femen asht ulkonjë, nji ulkonjë e zezë e untë për gjak njerzor... Jo, cdo femen shqiptare që don ta shtojë ket racë antinjerzore, meriton me u zhdukë. Kjo nuk asht dashuni, asht vetem nji instikt i ndytë. E ky instikt që synon me perjetsue krimin sadist nuk ka të drejtë me egzistue në shoqninë njerzore. Asht e poshter ajo femen shqiptare që në këto çaste, nuk flitet për çaste, por për nji periudhë kritike fatale, të paimagjinueshme në histori, nji periudhë e zezë me lot e gjamë nanash, me lot e vaj fëmijsh, me torturat ma cnjerzore për burrat, për njerzit, për shoqninë, për kombin e këto femna t’i përkdhelin këta përbindsha njerzorë, t’i dashunojnë, të shtojnë farën e tyne? Jo, jo, ky asht krimi ma i madh. Ato duhet ta bojkotojnë ket krim. Vetëm kështu i jepet fund së keqes mbi tokë. Ato duhet të jenë të ndërgjegjshme për damin e madh që po i bajnë shoqnisë njerzore e kombit shqiptar. Tue shtue këtë farë të keqe ato janë edhe ma kriminele se vetë kriminelët. Duhen zhdukë: ato për instikte shtazore të vetat degradojnë shoqninë e kombin. Për to nuk duhet me pasë mëshirë, jo. Gratë e vërteta shqiptare, e dimë nga historia se, u hodhen nga shkambi për të mos plotsue dëshirat e kqija të anmikut… ato po, shembull heroik. Ndërsa këto?...Këto!... Po sikur këto të bajshin si mendoj un c’do të ndodhte? Populli shqiptar do të shuhej: të mirët po i zhdukin këta, të kqijtë po i zhduki un. Çka mbetet? Kurrgja. Vdekje. Vdekje me nderë! E kush e din si do ta gjykojnë të tjerët. Vdekja asht vdekje: asgjasimi, kulmi i së keqes asht hici. Ndërsa jeta asht jetë, ka të mirën e të keqen. Ka shpresën: ajo me gishtin shënues të drejton kah e mira. Kanuni i ynë: „Prej të keqit lenë i miri e prej të mirit lenë i keqi”. E mira dhe e keqja. Filozofi e vjetë, besim i vjetër. Ai njeri i vjetër nuk ishte budall si mendojmë na, ai ishte filozof i vërtetë. Fajet i ka Zoti. Zoti para materjes, para nesh krijoi Engjëjt: shpirtin pa materje. Ata shpirtën i krijoi të mirë dhe gjysma e tyne u banë të kqij. Pra para materjes kje e mira dhe e keqja. Edhe mbas krijimit të materjes Zoti, si demokrat i vërtetë, e lejoi të mirën e të keqen: lejoi lirinë. Liria asht e mirë apo e keqe? Asht e mirë dhe e keqe. Dhe i Biri i Tij predikoi: „Mos i zhgulni barnat e kqija deri të vijnë të korrat. Kur të vijnë të korrat barnat e kqija hidhni në zjarr e grunin në hambar“. Hambari i njerzimit. Po hambari i njerzimit, ai i historisë, mjerisht ka ma shumë të kqij se të mirë. Njerzimi asht në rrugë të gabueme. Ai kultivon me saktësi të gjitha kafshët e gjalla e bimët e kopshtit, kultivon vetëm racat e zgjedhuna. Kultivon frytet e arave e të pemve, të gjitha racat të zgjedhuna, jo vetëm të bukura, por frytdhanse. Kultivon racat e kuajve, lopve, berreve. Edhe të derrave. Por nuk kultivon vehten. Raca njerzore duhet kultivue. Seleksionimi asht nji detyre e domosdoshme për me dashtë me shpëtue njerzimi; të gjithë të marrtë, idjotët e të smundët nuk dijn me ba kurrgja tjeter, por me shtue marrinë, idiotësinë. Njerzimi do të bahet nji xhahil handikapatësh, i cili do të përpijë gjallë njerzit e mendshëm. Shtatë lopët e liga të faraonit që përpijnë lopët e majme. Si rrjedhim duhet të neutralizohen të gjithë idjotët, të smundët e të poshtrit. Të kultivojmë racën e zgjedhun. Mirë e ka Hitleri: „Pastroje tokën prej së keqes, pastroje me zajrm“ e vrau miljona. Po mirë, vrau milojna cifutën dhe tjerë. Po kush i njofti që janë të kqij? Çifutët thonë për vedi se janë ma të mirët: popull i zgjedhun. Thonë se janë ma të mirë se gjermanët. Po, gjithkush thotë për vedi se asht ma i miri në botë, edhe na shqiptarët. Ndoshta edhe jevgjit e thonë. Kush e ka këtë të drejtë të vendosë se cili asht i miri e cili i keqi?
    - O Kanuni ynë i maleve, ti je ma i urti i botës: „Prej të mirit del i keqi e prej të keqit del i miri“. Ani le të shtohet edhe kjo racë e keqe se të bijt e tyne kanë për t’i përpi. Po a kanë për të kenë të zotët bijtë e tyne? Revolucioni asht nji ulkojë që han bijt e vet... Edhe këtu ashtu do të ndodhin. Të bijt e ktyne, së paku nipat e ktyne do t’i dënojnë randë. Brezat, vitet kalojnë. Jeta gjallon. Kundra çdo anmiku jeta vazhdon ciklin e vet me të mirë e me të kqij...
    Trupi aty varun në pjeshkë ishte mpi krejtësisht, ba akull, dru. Vetëm truni kishte jetën, gjallninë, bile mendonte me reformue njerzimin.
    Un nuk ishem ma në ket botë. Erdhi roja e më zgjidhi nga pjeshka. Mezi lëizja kambët e ajuna. Kur mbrrita në WC nuk dijshem ç’të baj, syni më ishte ngulë aty në mur ku ishte shkrue: „Un Dom Vlash Muçaj këtu me 22 korrik piva urinën time për mos me dekë etjet“.
    Jeta ban çmos për me jetue. Un thashë me vedi: „Pse?“. Roja uluriti me tërbim:
    - Hej, ti atje, ç’ben? Shpejt!
    Un nuk mujshem ma as shpejt, as kadalë. Erdhi e më kapi për krahu. Iu duk se po i rezistoja. Po të kishem fuqi me rezistue, edhe aty i varun në pjeshkë dojshem me jetue.
    Pse?




    Fq.146

    Nga kapitulli

    FRATEL GJON PANTALIA

    “Me hekurat e mija na lidhen të dyve bashke. Ai pruni dyshek leshit e mbulesat, kishte edhe pak enë të vogla për ushqime. U sistemuem, u gëzuem e u përqafuem. Fratel Gjoni kje i vetmi jezuit, që, kur u shpërnda gadi nji vit para shpija e tyne, erdh e banoi në Kuvendin tonë Franceskan. Me origjinë ishte prej Prizreni, djalë i vetëm në moshën 20-vjeçare, kishte lanë punën si nëpunës i hekurudhës dhe nanen e vet me ndigjue thirrjen e Zotit per me hi antar i Shoqnisë „Jezu“. Tash ishte në moshen 64-vjecare, nji trup mesatar i lidhun: mendjen e vullnetin i kishte edhe ma të fortë. Mjeshtër i të gjitha zanateve, me nji bagazh të mirë kulturor ndë shkencat humanitare. Njeri shumë i gjallë, me cilsi të nalta organizative dhe me aftësi të rralla për jetën praktike. Kishte shetite shumë vende të Europës dhe zotnonte latinishten, gjermanishten, frangjishten, italishten, turqishten e sllavishten. Aso kohe Fratel Gjoni konsiderohej prej popullit kyçi kryesor i jezuitëve në Shqipni, pamvarsisht se ai si fratel prej superjorave emnohej vetëm këpucar o rrobaqepës: punën e bante ai, nderimet i merrshin tjerët.”


    Fq.156

    po nga ky kapitull

    “Edhe mue filluen përsri me më nxjerrë me fshi korridorin dhe banjot. Sado punë e randë dhe papërshtatshme që ishte, e bajshem me andje dhe më dukej privilegj. Më takonte me pastrue edhe shumë dhoma ku ishin të burgosunit. Në nji birucë pa dritare, në terr kishin shti Dr.Kol Prelen deputet, që i kishte dalë në mbrojtje At Gjon Shllakut. E njifshem e e cmojshem. E pveta tinze:
    - Si të duket puna?
    - Mua, - tha – do të më pushkatojnë. Nuk parashof ndonji ndryshim deri sot pesë vjet, mandej ndoshta po.
    Kur u ktheva n’odë e ia tregova Fratelit, ai më tha:
    - Kola si edhe Paulin Pali janë dy njerzit ma të pregatitun nder ne për politikë perëndimore se ajo orientalja asht e bazueme vetem në rrenë e pabesi. Sa për at pesë vjetshin që të ka thanë, duhet kuptue se në politikë pesë vjet janë njizet e pesë vjet, prandej më beso mue: para 25 vjetve nuk kemi liri.
    Gjatë ksaj kohe shifshem shumë njerz që nuk i njifshem; kur i kallzojshem Fratelit ai m’ shpjegonte se kush ishin, se i njifte të gjithë. Më ndeshi rasa me shumë kënd, të fitoj edhe besimin e tyne e më rastisi me ba edhe ndonji lidhje e shkuesi ose me bajtë fjalë: “mos prano, se nuk kam pranue” ose “kam pranue nen torturë, por ti qindro” etj. etj., “se në gjyqë nuk do të pranoj”. Ky ishte nji veprim shumë i rrezikshëm për mue se në rasen ma të vogel un do të hiqshem tortura të pabesueshme. Falemnderës Zotit e nuk më ndodhi kurrgja.
    Nji rast i tillë më solli te dhoma e Patër Palit. Kur gardiani hapi drynin, te dera doli nji vajzë e re dhe më mori fshesën. U bana shumë kurioz. Mfshehtas e pveta:
    - Kush je ti?
    - Drita Kosturi.
    Për mue ishte nji emën krejt i panjohun. A thue mund të ishte ajo ndonji spiune provokatore për t’i nxjerrë sekretet të shkretit Patër Pal? Kur u ktheva në qelinë time, ku isha i lidhun dorë për dorë e kambë për kambë me fratel Gjon Pantalinë, u vuna menjiherë në takim me dhomën përbri, kur ishte i vetëm Gac Çuni. Ajo vrima e murit ishte edhe telefoni ynë sekret. Ai më pveste për të gjithë të rejat ose mjerimet që kishte rastisë me pa gjatë orëve të pastrimit. E pveta me ngut:
    - A din gja kush asht Drita Kosturi?
    Ai e përsëriti pvetjen time, por me çudi të madhe shtoi:
    - Pse edhe atë e paskan shti në burg?
    - E njef ti?
    - Jo, jo, nuk e njof, por me të ndëgjuemen: ka qenë e fejuemja e Qemal Stafës. Si mund të jetë ajo në burg? Ndoshta mund të jetë ndonji tjetër që ka të njajtin emën: këtu s’merret vesh kurrgja!
    E me të vërtetë, kurrgja nuk merrej vesht, as nuk kuptohej, pse kësaj burije i frynte edhe shoku im i prangave, fratel Gjoni, i cili mund të konsiderohej njeriu ma i përplasun me jetën, njoftësi ma i mirë i karaktereve dhe i punëve të kësaj toke të ngatërrueme.
    Mbas disa muejsh ndodhi qi un të isha kojshi me dhomën ku ishte Patër Pali. Në këtë rast ai ishte vetëm. Ato vrimat sekrete ndërmjet dyshemesë dhe murit, të ciluna me bishta të lugëve të drunjta, për ne të burgosunit nuk ishin ma sekrete se i dinim të gjithë. Sinjali se folësi i anës tjetër nuk ishte polici o provokatori ishte përplasja e prangave të duerve për dërrasa.
    - Patër Pal, je vetëm?
    - Tash po.
    - Kush ishte ajo Drita Kosturi?
    - Nji engjëll i dërguem prej Zotit për me më ngushllue.
    - A nuk ke dyshime në te?
    - Dyshime? Çfarë dyshimesh! Ajo asht nji vajzë e ditun, idealiste e vërtetë!
    - Ajo ka qenë e fejuemja e Qemal Stafës, komuniste!
    - Komuniste ndoshta po, por me atë ideal të sinqertë që e karakterizon rininë. Mos i gjyko njerëzit ashtu. Asht nji Amazonë që lufton kundra çdo tiranie, prandej edhe kundër tiranisë komuniste.
    - Atëhere përse e kanë pru te ti?
    Dhe më tregoi se si, gjatë torturave të hetuesisë, ai nuk kishte mujtë me durue ma. Nuk ishte puna vetëm për te, kërkojshin ma tepër që ai të merrte në qafë të tjerët. Në nji cast dishprimi, kishte humbë gjykimin, kishte kalue në krizë cmendunie dhe u hodh prej dritare e poshtë. Kishte humbë ndjenjat dhe, mbasi kishte ardhë në vete, nuk mundej me lëvizë: dicka kishte thye. Atëherë ia kishin pru ate vajzë, që kishte studiue në Itali për mjeksi. I kishte shërbye jo sikur Patër Pali t’ishte babai i saj, por sikur t’ishte nji fëmijë i saj.
    - Sakrificat e saj për mue, kurrë nuk do t’i harroj dhe po të porosis që, në kjoftë se vjen ndonjëherë dita e lirisë, ajo duhet konsiderue si mike e urdhnit françeskan.
    Aty kah mesi i Prillit më larguen prej odës së Fratelit e më cuen në nji korridor të vetmuem. Te Fratel gjoi derguen nji tjeter. Kush ishte ai? Nji Zot e din. Por si flitej ma vonë ishte vllai i nji prej udhëheqsave lokalë të pushtetit komunist, ndoshta spiun i prokurorit. Kush e din? Fakti asht që mbas nji mueji Fratel Gjoni mujti me hy në nji prej atyne odave që ishin të lidhuna me Kishën dhe u hodh poshtë. Naltsia kje e madhe dhe Frateli thej kambët. E zunë në Kishë dhe e prunë në nji batanije persri në odën ku ishte. Çfare të rrahunash i banë, megjithse me kambë të thyeme. Çfare ulurimash ndigjuem. Na veç luteshim që Zoti t’i jepte ndihmë atij edhe ne, se na kapi frigë e madhe.
    Për disa muej nuk ia ndjeva ma zanin, as nuk ia njofta të ecunën neper korridor kur ishte orari i banjës. Nuk mund e kuptova kurr. Por kah fillimi i Shtatorit, përsri u ndje zani i tij në nji korridor ku me hundë të mbështetun në nji rreth që vizatojshin në mur e lanë disa dit ashtu në kambë, të lidhun, pa guxue me ba asnji lëvizje. Mbas disa ditësh se cfarë torturash i bane nuk e kam të kjartë as sot, por ulurimat e tija tmerruen të gjithë të burgosunit. Aty në tortura vdiq."



    Shenim (Dita): Theksimet brenda tekstit me te erret apo me te pjerret sillen sipas librit.

  5. #5
    ________
    Anëtarësuar
    08-11-2003
    Postime
    1,516
    Une i kam lexu tre librat e tij ' Rrno per me tregu' me ka lan pa mend egersia e rregjimit komunist me te burgosurit dhe me ka mahnit kujtesa e fuqishme e Pater Zefit qe i kujton ngjarjet me date ore dhe ne detaje te hollesishme.

  6. #6
    Konservatore Maska e Dita
    Anëtarësuar
    17-04-2002
    Postime
    2,925
    Po, Floriri, librat te mahnisnin qe te tre. Autori ka nje force te madhe pershkruese dhe pothuajse ne cdo kapitull sjell nga forca e mendimit qe ka mundur ta ushtroje ne rrjedhen e viteve. Keta libra jane pasuri, te pakten per nje pjese te popullit shqiptar. Per pjesen tjeter qe ndihet e sulmuar jo. Libri ka qene i rrezikuar,

    Vazhdojme me tekstin.

  7. #7
    Konservatore Maska e Dita
    Anëtarësuar
    17-04-2002
    Postime
    2,925
    Nga kapitulli

    XHABIR DIBRA

    Fq.161

    „Përveç tjerash tash, aty m’u shtue edhe nji mungesë tjetër. Në këtë kohë racjoni i burgut ishte vetëm 400 gr bukë e nji tas (1/2 lt.) ujë: ujë mund jepshin edhe ma shumë simbas enes dhe rastit. Un nuk kishem kurrfare ndihme prej familjes, sikur kishin shumica e të burgosunve. Gjatë jetesës me Fratel Gjonin, ai më kishte furnizue me 2 palë ndrresa, por tash ku t’i dërgojshem me i la? Ndrresat i hiqshem e i ndrrojshem përsri po me ato të palamet në krye të javës. Bukën që më bijshin e hajshem me nji vrull dhe mandej shtijshem kryet në legenin e madh, porsi lopët, për me pi nji pikë ujë.
    Ndodhi rastësisht që un tue pi në këtë mënyrë, kalon nëpër korridor Ali Xhunga. Ishte hetuesi kryesor përgjegjës i Burgut të Kishës. U ndal e me pveti:
    - Përse pin ashtu?
    Un iu përgjegja se legeni ishte i madh e me duert të lidhuna si kisha për ta mbajtë.
    - Po enët e ushqimit ku i ke?
    - Un nuk kam kurrgja përveç ktij legeni.
    - Po bukën me çka e përcjell?
    - Vetëm me ujë.
    - Çfarë profesioni ke?
    - Frat françeskan.
    - Prift?!
    - Gadi prift: djakon.
    - Dhjak?!
    - Po, dhjak.
    - Shif, - më tha – un po të dërgoj te nji hoxhë, i cili ka ushqime aq shumë sa i kthen përditë në shpi. Po të çoj te ai dhe lutnju Perëndisë së bashku: ai turqisht e ti shqip. Ç’thua ti?
    - Un jam gadi, ashtu due.
    - Merri teshat!
    Un i mblodha e u nisa mbas tij. Gardiani ishte gadi. Hapi derën Nr.24.
    - Ja, - tha – ky është hoxha e ti prifti. Mos u rrahni bashkë, se do u rrahim neve.
    Gardiani i Burgut më la që të avitshem dyshekun tim me të tijin. Kur u shtriva në dyshek na lidhi së bashku dorë për dorë e kambë për kambë.
    Nuk ishte hoxhë: ishte Xhabir Dibra, vllai i dentist Dr.Ibrahim Dibrës, që kishte studjue në Austri, prej nji familje të shqueme të myslimave të Shkodres. Vllaun tjeter e kishte mjek të lauruem në Universitetin e Bolonjës (Itali) si dentist-laborant. Ishte nji djalë i pashëm bardhosh, trup shkurtë e i shëndoshë. Më tregoi se i vllai i tij Dr.Ibrahimi kishte për grue motrën e Av.Myzafer Pipës, e cila kishte dy vajza engjullushe të vogla. Dr.Ibrahimi ishte edhe ai në burg e, për rrjedhim, në shpi kishte mbetë motra e vetme bashkë me nanen: Nijen.
    O Zot i madh e pse i kishin arrestue të gjithë ata njerz? Vetëm se ishin tregue perëndimorë. Mysliman po dhe perëndimorë! Ky ishte faji i madh! Kristiani dhe myslimani nuk mund jetojshin bashkë! Pra, ky ishte koncepti i sundimtarve të rij.
    Xhabiri ishte nji fisnik i vërtetë. Për fenë e vet, për Muhamedin, ai pothuej nuk dinte kurrgja, por kishte nji besim të ngulun në Zotin: krijues e rregullues të gjithshkafes. Besonte. Mue më respektonte si nieri i kushtuem këtij Zoti. Si moshë ishte nja dy-tri vjet para meje. Prej shtëpie i vijshin gjithë të mirat. Dhoma ishte plot, por, për shkak të mijve, ai ushqimet e bukën i kishte vendosë në prakun e dritares së mbyllun. Më pveti:
    - Po ti, ku i ke ushqimet?
    - Nuk kam.
    - Kurrgja?
    - Jo, nuk me bjen kush.
    - Ke familje?
    - Të gjithë i kam, por janë në malsi edhe nuk e njofin qytetin: edhe në paçin ardhë, qytetarët mund të jenë tallë me ta.
    - Po Kuvendin Françeskan?
    - Ato do të jenë tue dekë unit për vedi, jo që nuk dij a ka mbetë kush gjallë.
    - Shif, - më tha – un, faleminderes Zotit kam ushqime jo për nji, por për tre-katër vetë. Nana ime asht shumë bujare, ashtu edhe motra. Më bien ma shumë me qëllim që un të baj sevap tue u dhanë tjerve. Prandej gjithshka kam un asht edhe jotja, mos të vijë marre, as mos thuej jo.
    Por un thashë jo. Nuk mujshem me hangër buken e njanit që nuk e njifshem.
    N’e nesret atij i erdhën ushqime plot. Nxuer pothuej të gjith ato gjana të mira që i kishin teprue. Dihej mirë që i hajshin policët vetë, se nuk kishin pse i kthejshin në shpi. Un nuk pranova të haj bashkë, më dukej nji padrejtsi që i bajshem atij edhe familjes. Ai nuk ndigjoi me hangër vetëm. Nguli kambë: “O do të hame bashkë, o asnjani”. Un ishem shumë i untë, por shumë i qetë. Gjatë gjithë rinisë e kishem ushtrue vedin me mortifikacjone, ndër të cilat ishem shumë kryenece. Por, at ditë ndeshi sharra në gozhdë. Un nuk mora nga ushqimet e tija, as ai nuk hangri. Kur erdh Elez Mesi me i marrë u kthyen të gjitha mbrapshtë. E pveti:
    - Xhabir, nuk i paske prekë?
    - Jo, - tha ai – por thuej motrës që të më bien për dy.
    Kur shkoi ai më tha: “A nuk ke turp me përbuzë gjellët që gatuejnë nana dhe motra ime? Apo, ju priftent jeni msue me hangër mirë e nuk i begenisni gjellët tona?
    Un po të thom se gjellët perëndimore janë tepër të shijshme, por edhe nana e motra ime dijnë me i gatue ato ma mirë se gjellët orientale“. Kishte mbetë i fyem me të vërtetë kur më pa se un hangra bukën thatë.
    U mundova me atë timen t’i shpjegoj se secili nier kishte riskun e vet, të cilin duhet ta bajë me vetmohim e me ndërgjegje e mos t’i bahet barrë shoqit të vet, se prej këtyne lindin mandej paknaqsitë dhe kontradiktat e kështu ma mirë secili në punë të vet.
    Ai m’u kthye se ai edhe familja e tij besojshin në Zotin si myslimanë.
    - Nana, - tha ai – thotë që çdo mysliman i mirë duhet të paguajë zeqatin, edhe jo vetëm që ajo jep zeqatin vetëm për vedi, por insiston që edhe na djelmët e saj duhet ta japim zeqatin, se asht detyrë ndaj Zotit. Prandej për mue, këtu ti je në vend të Zotit.
    Un i kërkova të falun edhe i thashë: „un nuk kam ndër mend me ta spjegue doktrinën kristjane, as me të ba kristian, por vetë ungjilli thotë që dashunija e Zotit tregohet ma së shumtit në dashuni të shoqit“. Prandej u gëzova për besimin e ngultë të tij dhe pranova të ha si lypsar në shtëpinë e tij. Që ate ditë na kjem vllazën të vërtetë. Kjo dashuri e vërtetë vllaznore na mbeti gjithë jetën, jo vetëm me te, por edhe me pjestarët tjerë të familjes, si nanën Nije, ashtu edhe motrën. Ndoshta ma vonë do të bien rasa të flasim përsri, mbasi gjatë burgut e kanë dijtë të gjithë tjerët prej tij e prej meje se ishim vllazen të vërtetë.
    Me Xhabir Dibren kam ndejë i lidhun dorë për dorë e kambë për kambë afër pesë muej. Na ndodhën histori të pambarim e që, ndoshta, lexuesi mund të dyshojë për vërtetsi, por ato çka shkruej nuk janë fantazi o shpikje, por të gjitha të vërteta.
    Mbas nja dy-tri javësh në dhomën tonë prune edhe katër tjerë të lidhun çift e çift: Simon Harapin e Gjok Dodën sie dhe Man Krujën e Lorenc Vatën. Simoni sa kishte kalue të tridhjetat: burrë i urtë e i kulturuem, specializue si inxhinier pyjesh. Mani, që ishte ma i vjetri në ode, ishte kenë në xhandarmëri me grada të ulta. Të dy këta pijshin shumë duhan. Por cingaret aty në Burg të Kishës i ndezeshin vetëm nji herë në ditë, në mëngjes kur hapej dera për shërbime. Prandej ata të dy e pijshin me rradhë e kur u lodhshin na u donte ne të tjerve që nuk e pishim duhanin me ua mbajtë cingaren e ndezun. Kështu, të gjithë na tjerët në atë rasë e muerëm vesin me duhan të tyne. Gjoka ishte kenë nji tregtar i vogël, me origjinë prej Mirdite dhe shiste qymyr bashkë me motrën. Ishte i vetmi në dhomën tonë që nuk kishte kalue ende nëpër hetuesi dhe nuk dijte se pse e kishin arrestue. Nji ditë prej ditesh e muerën. Nuk mujtëm me ia ndigjue zanin për shumë ditë. Kuvendi ishte i madh, kishte shumë kopshtije me pemë, ku mund të varej, shumë shkallë gjithashtu e shumë biruca. Çdo ulurimë torturash që ndigjojshim pvetshim njani-tjetrin: “A asht ky zani i Gjokës? Jo…” Mbas nja dy javësh ndigjuem kjartë zanin e tij që bërtiste: “Poshtë Stalini! Poshtë Stalini! Rrnoftë Krishti! O katila mizorë, shpirti im shkon te Krishti e b… e mija merrni e çonja për meze Stalini”. Ky za erdh e u shoqnue me zhurmat e ushtarve që e rrahshin pa kurrfare mëshire derisa ai venitej. Mbas ndonji gjysë ore ai fillonte përsri me thirrje të forta: „Rrnoftë Krishti Mbret!”, “Poshtë Stalini!”, “Shpirtin e Krishtit e b… e Stalinit“. Ket frazen e fundit e përsriste pa pushim derisa të rrahunat e pamëshirshme të ushtarakve e bajshin me u venitë përsri. Kjo vazhdoi gjithë ditën. Natën e lanë të bërtiste. Po ashtu n’e nesret, derisa, në natën e dytë, duket se ia lidhen gojën me ndonji leckë, pse ndigjohej vetëm nji za i mbytun. Në mëngjesin e ditës tjetër ai za i fuqishëm ushtoi gjatë gjithë korridorit të gjatë, i shoqnuem me brimet, të rrahunat e të shamet e ushtarakve të cilët, ashtu tomruk të lidhun, e përplasën në dhomën tonë. I shkreti Gjokë. Nuk kishte mbetë kurrgja prej tij, përveç atij zani që tash gadi po fillonte t’i merrej dhe përsriste pa da po të njajtat fjalë: „Shpirtin Krishtit e b... Stalini!“ Mbas nja pesë minutash Simon Harapi u çue me e qetsue. Ai u turr. Atëherë Simoni muer nji enë ujit dhe i aviti me pi. Gjoka prani, por me duert e lidhuna çonte nalt ibrikun si me e përpi. Ishte kenë i djegun për ujë. Ra në qetsi. Fjeti deri mbasdite dhe u çue tue bërtitë përsri po të njajtat fjalë. Simoni iu avit me i dhanë me hangër, por ai e largoi. Kqyrte si i trembun. Gjoka ishte çmendë. Ai nuk dinte ma se ku ishte. Nuk fliste ma asnji fjalë përveç thirrjeve të veta: „Shpirtin Krishtit e b... Stalinit!“ Edhe nën za ai vazhdonte me shqiptue gjithnji të njajtat fjalë. Na u dhimbt në shpirt. E merrshim me të mirë, i jepshim me hangër, e qetsojshim, por ai gjithnji ashtu me të njajtat huqe. Vetëm mbas nji jave u duk se filloi me kuptue se na ishim shokët e tij, ata që kishim vuejtë bashkë po në atë dhomë. E la brimen, por nuk ishte në rregull. Filloi me u ankue se i dhimte kryet, por na njofti. Atëherë u gzuem se Gjoka dha shejet se do të shërohej përsri. Mbas pesë ditve tjera u normalizue dhe jeta e përditshme e burgut: në at dhomë vazhdoi si ma parë. Tashma me Xhabirin ishim vllazën të vërtet dhe ai më kishte pajise me ndrresa që m’i lajshin në shpi të tij. Sa herë që vijshin teshat prej shpisë së Xhabirit, ai kqyrte kartonin e vogël ku ishte shënue emni i tij dhe lexonte ndonji fjale të shkrueme me majë të gjylpanës që të mos dukej: „Të fala“. E përmes atij kartoni të vogël lidhesh me shpinë, familjen, zemrën. Përgjegja ishte ma e vshtirë me u shkrue se në burg nuk kishte gjylpana, megjithkta ndonji mjet rrethanor si p.sh. ashkel drrase e plotsonte punën. Ndonjiherë edhe mirsia e ndonjanit prej rojeve shërbente për t’u dërgue ndonji porosi gojarisht.
    Në fillim të muejit Korrik na e zhdukën dy prej rojeve, të cilët u siellshin mirë me ne. Me u sjellë mirë don me thanë që nuk na i shtërngojshin hekurat si policët tjerë se mund t’u jepte ndonji lajm familjeve.
    Ishte nji djalë korçar, quhej Dhimitër, këndonte shumë bukur dhe, para se të fillonte kontrollin e prangave, ai fillonte kangën si sinjal se ishte ai e jo Hekurani ose Smajli që i shtërngojshin deri në kockë. Por si u pa më vonë, Dhimitrin e Tomorrin i kishin arrestue me akuzën si ndërlidhës të burgosunve.“



    Po nga ky kapitull

    Fq.174

    “Mbas pak ditësh erdhën e muerën edhe Xhabirin. Un përsri vetëm. Por nuk zgjati shumë kjo vetmi. Mbas tri-kater ditësh më prune nji plak: Qazim Danin, me profesion avokat. Kishte studjue për drejtsi në Stamboll, ku kishte ba edhe shkollën e mesme. Dijen e njohunitë e tija mund i vejshem në diskutim, por jo kurr mirsinë e shpirtin e tij të paster. I tregova se ishem françeskan. Ai më pveti për të gjithë „fretënt e mdhej“, më tha se personalisht nuk i njifte, por kishte lexue shkrimet e tyne dhe vrojtonte punët e tyne.
    -Asht e vërtetë, - më tha që juridikisht ata njifen me emnin „Fretënt e vegjël“, por në realitet janë „Fretënt e mdhej“, të cilve Shqipnia duhet t’u jetë mirënjohëse jo vetëm për lirinë, por aq ma tepër për kulturën. Bektashijtë e françeskanët janë ata ma kryesorët që kanë formue ndërgjegjen kombtare. Un – më tha – jam sunij, besoj në Zotin e në Fenë Islamike, ama për çashtjen kombtare na mendojshim se po u larguem prej Turkisë, ishim largue edhe prej Fesë. Na kemi luftue verbtas në vjetin 1914 kundra flamurit të „Sorres“. Dojshim Hanën e Hyllin, simbolin Turk, Islamik. Por mandej kuptuem se nuk ishte nji tradhti ndaj Fesë Islamike me dashtë Atdhenë. Na kemi ba shumë gabime nga injoranca, mendojshim se Islam e Turki janë nji. U gabuem dhe tash që e kemi kuptue jemi nji soj vllazën me ju françeskanë e bektashijë. Tash të gjithë e dijn këte, përveç këtyne që kanë pushtetin në duere e nuk e dijnë se çka kanë. Janë axhamij, nuk kuptojnë kurrgja dhe as nuk duen me dijtë kurrgja. U bjen Pasha në gju. Por kta nuk janë kurrgja tjeter, por disa halabakë, vagabonda, që nuk njofin as fe as atdhe, as Dinë as Imanë. Ruena Zot prej tyne.
    Un n’at kohe kishem formue bindjen se njashtu si fmija i vogël ka dy shpija të vetat: atë të babës trashgim, ka edhe të nanes (dajave), njashtu, përveç atdheut të vet atnor kishte edhe vendin ku kishte studjue, ku ishte formue shpirtnisht. Prandej, edhe e pvetshim për Stambollin e për Turkinë. Ai kishte jetu 25 vjet në Turki, kishte kalue kohë edhe në Austri. Por Stambolli për te ishte mrekullia ma e madhe. Më tregonte me imtësi mbi mure-ledhet kolosale, mbi saranxhat e ujit, mbi xhamijat e urat, e përveç tjerave, më thonte se Stambolli ishte qyteti ma i madh i shqiptarve, sepse kurrnji qytet i Shqipnisë nuk kishte aq banorë shqiptarë sa ç’kishte Stambolli. Edhe ai u interesonte për jetën që kalojshim në Kuvendin Françeskan e për studimet. Shpesh herë mbetej i habitun e më thonte: „Pse në Shqipni i mësove të gjitha këto dije?!“, “Nuk i kam njoftë personalisht as Fishtën, as P.Anton Harapin, as P.Gjon Shllakun, por, si kam ndigjue prej tjerve, ata nuk kishin kurrgja mangut prej njerzve të mdhej të kulturës që kishte Europa”.”



    Nga kapitulli

    BURGU I MADH

    Fq.211

    „Dom Pjetër Gruda. Në dhomën Nr.5 ishim na të dy ma të rijtë. Urdhnat e vogjël i kishim marrë bashkarisht, ndërsa për mungesë të moshës kanonike un nuk pata mundsi me u shugurue meshtar në të njajtën ditë me te. Si moshë ai ishte dy vjet para meje, ndërsa për msime ishim paralelisht ndër dy shkolla të ndryshme. Dom Pjetri kishte lindë për artist skene. Talenti i tij ishte i jashtzakonshëm. Un, si koleg, për shaka ia thashë dy-tri herësh se ai ishte i lindun për skenë e jo për Kishë, ndërsa ai ma kthente se prirja e tij ishte prifti, mandej skena. E me të vërtetë ishte nji prift katolik krejtsisht i përkushtuem për të tjerët. E kishin shti në burg, se në salonin e teatrit të Kolegjës Saveriane në vitet 1943-44 kishte vu në skenë nji dramë, e cila paraqiste nji episod të luftës civile spanjole në Alkazar, prandej duhej që ta lante me burg ket propagandë antikomuniste; e kishin dënue 5 vjet. Gjatë hetuesisë nuk kishte pasë tortura aq mizore: natyrisht shtërngimi i prangave, mosdalja për nevojat fiziologjike etj ishin për të gjithë. Ai më tregoi se për dy muej e kishin lanë me nji grue në dhomë. Ma vonë e kishin largue nga ajo. Por nji ditë, më tregonte ai, e thirrën në drejtori të Seksjonit të Sigurimit. Aty, ai majori, drejtori i Punve të Brendshme i paraqet nji deklaratë të shkrueme në të cilën thuhej: „X grue dishmon se gjindet me barrë dhe këtë e ka me D.Pjeter Gruden“.
    - Ç’ka doni të më thoni ju me këtë?
    - Na nuk thomi gja të keq – i thotë majori – por e kemi punën se grueja asht në burg dhe ajo nuk mund e përballojë shtatzaninë. Duhet ta çojmë në spital, ama spitali si dokumentacion sekret i kërkon femnës edhe atësinë. Prandej deshëm të të vemë në dijeni.
    - Mirë, - u përgjegj D.Pjetri – ju doni me thanë se baba jam un.
    - Sigurisht, nuk asht puna se e thomi neve o e duam neve: këtu flet deklarata me shkrim.
    - E po, atëherë mbasi un jam baba, un kam të drejtën e Babës dhe kërkoj që grueja mos të shkojë në spital për abort. Un due fëminë.
    - Po çka të duhet ty femia? Ti je në burg e ajo në burg. Mejtoni se do t’u lirojmë?
    - A na lironi apo jo, a jetojmë në burg a jo, asht punë tjetër kjo, por un në kjofsha babë e due me doemos fëmijën!
    - Mblidhni mendtë D.Pjetër! Ti je nieri i zgjuet e i din këto punë. Si lind e si mbahet fëmija në burg?
    - Un e kërkoj me çdo kusht dhe bjere nji letër këtu e të shkruej.
    - Çka don me shkrue?
    - Un due me ba këtë deklaratë: në rasë se ajo grue aborton fëmijën, un atësinë, që më vehet e deklaroj shpifje dhe nuk e pranoj në kurrnji mënyrë. Në kjofsha baba un due fëminë.
    - Mirë, D.Pjeter, çka të duhet?
    - Mue ai më duhet, se vetëm ai ka me provue fajsinë time. Un do t’i baj letër të gjitha organeve kompetente që, porsa të lindin fëmija, të bahen analizat e gjakut tim si babë e të nanës ashtu edhe të fëmijsë. Në kjoftë se analizat e rruazave të gjakut e ngarkojn mbi mue, më duhet ta duroj shpifjen derisa Zoti ta qesë në dritë, por nuk duelën analizat nuk kam si e pranoj.
    - Pse e tregojnë analizat shkencore se kush asht babai?
    - Po si s’e tregojnë. Zoti ka vu ligjet e krijesës, me rregullsi të saktë. Shkenca vetëm se përpiqet t’i njohë të msheftat e Ligjeve, që ka vu Zoti.
    Dom Pjetri më tha se ai oficeri kishte mbetë gojëhaptë. Thuhej se para se të delte në mal, ai kishte qenë samarxhi dhe ishte e para herë që ndigjonte për këto metoda. Atë ditë e mbrapa nuk i bani kurrkush za. Por më tha: „Për si mendoj un, kjo ishte nji ndër torturat ma të randat, që ushtronte sigurimi: kërcnimi moral“.
    Në burg ato femnat e akuzueme përgjithsisht ishin gra të ndershme, bile pjesa ma e madhe heroina të vërteta. Megjithëkëtë ndër disa momente të jashtezakonshme, nieri asht nieri dhe mund ligshtohet e i shpifë edhe vetes gjana, që nuk i ka pas as në andërr. E me këto deklarata atëhere sigurimi luente si qeni me sukull. Un aty e kuptova se jo vetëm atij, po edhe ndonji kleriku tjetër, ishin përpjekë me i kurdisë ndonji kurth. Nuk dij se ka pasë ndonji rasë që të ia kenë mbrrijtë.”




    nga kapitulli

    KAMPI I BEDENIT


    fq.231

    „Ky emën nuk ekziston ndër hartat gjeografike, as ndër ato më precizet, por asht shumë i njoftun ose do të bahet i njoftun në historinë e vuejtjeve njerzore të shek.XX. Aty, perveç atyne pallateve rrgostash të perfundueme, vazhdojshin punimet në baraken e fundit: identike si ato tjerat. Punojshin 4-5 puntore frikacakë. Njanin e pvetëm:
    - Si quhet ky vend?
    - Nuk e dij.
    Pvetem tjetrin:
    - Si quhet ky vend?
    - Beden.
    Pvetem tjetrin:
    - Si quhet ky vend?
    - Hajdaraj.
    Pvetem tjetrin:
    - Si quhet ky vend?
    - Zhabjak.
    - Si quhet ky vend?
    - Kryevidh
    ...e kështu, sa herë që na pvetshin delshin emna të ndryshëm: Luz i Madh, Luz i Vogël, Hasdushk, Ballaj, etj...Mendo tashti cili ishte ky vend me njiqind emna? Koordinatat të dergojshin dhetë minuta larg Shkumbinit, aty ku ai bante nji kthesë rranxë nji kodre të zhuritun, dhetë minuta larg njajë kënete në të cilën punojshin kanalin. Nji kanal 60 metra i gjanë me dy bankina sejcila nga 20 m. Banorët kryesorë: ushujzat dhe bretkosat, ndërsa mushkajat nuk kishin kufij se kishin liri të plotë mbasi mujshin me fluturue, por dishiri i tyen, i pangopshëm për gjak, i sillte gjithmonë aty përmbi ne. Ata të cilët e njifshin mirë gjeografinë e vendit thojshin se për karshi, po të kalohej Shkumbini, ishin katundet Sultozaj edhe Shna Premte. Ditë e zezë! Kur nuk din as emnin e vendit ku jeton!„


    Nga fq.233

    „Mbas atij burrit të parë vinte Shyqyri Rrjodhi, drejtor i burgut të Shkodrës, që kishte gradën toger, ndersa si muerem vesht ai oficeri kryesor ishte Haxhi Pela, drejtor i burgut të Durrsit. Na mblodhi të gjithë të burgosunve që erdhem dhe na mbajti nji fjalim „magjistral“.
    Partia e pushteti – tha ai – mendojnë gjithmonë për ju. Tha se Marksi ose Engelsi kishte thanë se puna e bani njeriun, sepse nieri ishte kenë majmun dhe vetem puna e kishte ba nieri. Kështu nana Parti, mendonte për të gjithë ne me kujdesin ma të madh dhe na kishte pru këtu për të punue e për t’ju ba t’aftë me hy në shoqninë njerzore. Puna asht lavdi. Si perfundim delte që na nuk ishim njerz, por majmuna, që me punë do të mbrrijshim me u ba njerz. Aman o Zot se sa e bukur ishte kjo teoria e luftës së klasave: nji herë majmun, mandej skallv, mandej padron, mandej Zot që kishte në dorë pushtetin ose „njeri që gëzon lirinë“! Megjithkëtë ai Haxhi Pela në fjalimin e tij të gjatë teorik leninist-stalinian, mbrrijti te përfundimi praktik se duhej të përballojmë mjaft vështirsi të shkaktueme nga kapitalizmi botnor, nga borgjezia. Si rrjedhim na tregoi se rrugen Kavajë-Beden do ta rrahte nji makinë e vetme, që do të furnizonte ujin e pijshëm me fuçia benzine o nafte, karburantin dhe ushqimet për gatuemje të gjellës. Racioni ditor ishte 2 gr vaj, 4 gr makarona ose oriz dhe 10 gr sheqer. Kështu kishte vendosë Partia.“


    Nga fq.234

    „Na ishim 29 priften:

    D.Mikel Koliqi
    D.Tom Laca
    D.Nikollë Shelqeti
    D.Nikollë Laska
    D.Rrok Frisku
    D.Nikollë Mazreku
    D.Ndue Suma
    D.Ndue Soku
    D.Mark Hasi
    D.Pjeter Gruda
    fr.Zef Pllumi
    D.Vlash Muçaj
    D.Pal Gjini
    D.Injac Gjoka
    At Gegë Lumaj
    At Agostin Ashiku
    At Donat Kurti
    At Çiril Cani
    At Frano Kiri
    At Djoniz Makaj
    At Karlo Serreqi
    At Leon Kabashi
    At Aleks Baqli
    At Filip Mazreku
    At Mëhill Miraj
    At Mark Harapi
    At Jak Gardini
    At Anton Luli
    At Alfons Çuni

    Kur u ba ky organizim, ne aty për aty na ndane veçmas, në njanën anë që të na shifshin e njifshin të gjithë, sikur na të ishim shkaktarët e të gjitha të kqijave që kishin mblue popullin shqiptar: na ishim “caper expiatorius” (cjapi i shperblimit).
    N’e nesret filluem punën jo fort larg kampit. Puna e parë ishte për t’u zhdukë nji kodrinë e vogel në breg të Shkumbinit, e cila pengonte rrjedhjen e ujnave të ultësinës. Dheu gërmohej me kazma e lopata, transportohej me karroca druni dore: karrocat ishin punue si ato ma primitivet e historisë së njerzimit: me rrotë drunit, peshonte ma shumë karroca sesa dheu që hidhej mbrendë. Policët aty me shkop, sa herë që pengohej trafiku, sillshin mbi shpina njerzish të kthyem në kafshë pune. Vetëm n’atë moment e kuptova kjartë se si ishin punue piramidat e Egjiptit. Aty e pashë se në kohën skllavopronare ishin formue klasat. Brigadjerët, komandantat e kompanive, spijujt e xhelatët, disa ishin të plotfuqishem dhe tjerët me kompetenca të mdha. Atëherë un mbrrijta me kuptue shumë rregullore e ligje ushtarake ku jeta e nji mushke vlersohej e barabartë me atë të pesë njerzve. Nieri nuk ishte ma nier, por vetëm nji vegël pune, nji mjet prodhimi. Vetëm atëherë e vertetova në jetë marksizëm-leninizmin stalinian. Stalini ka thënë – kështu përdriste Enveri – se „njeriu është kapitali më i çmuar“, pra nuk asht nieri, por nji kapital në dorë të njanit për të cilin duhet të pvesim: a asht ky njeri?“

  8. #8
    i/e regjistruar Maska e Brari
    Anëtarësuar
    23-04-2002
    Postime
    18,826
    Njeriu që u plak para kohe

    Grada e perdoruesve-ve: / 2
    I varferI mire
    Saturday, 30 June 2007
    Nga Burim Përroi - Kur e pashë të më afrohej me një hap që mezi e hidhte, me një trup pak të kërrusur e me një dorë gati të pajetë, i dhashë moshën e një plaku që i ka kaluar të 80-tat.Por, rrëfimi i tij që zgjati gati dy orë, ulur në bar restorant “Kosova” më zhgënjeu. -Që të të them se jam i nëntorit të 1951 me këtë pamje të rrënuar që kam s’do të më besosh. Gjithçka e kam peshqesh nga ai qen pushtet që, jo vetëm më rrënoi fizikisht, por më shkatërroi dhe familjarisht. Dhjetë vjet diskriminim fundosur nëpër galeritë e Spaçit sa për 20 vjet të mbledhura bashkë. Kam qenë djalë i bëshëm e i pashëm, me trup kollos, plot muskulaturë sa më kishin zili të gjithë kur u arrestova më 22 janar të 1980 dhe kur u ktheva në banesën time, këtu në “Hekurudha” të plazhit të Durrësit pas dhjetë vjetësh, askush nuk më njohu. Kisha ndryshuar aq shumë saqë dy motrat që nuk i lanë asnjëherë të vinin e të më takonin tek hekurat e burgut, më morën për një tjetër njeri e jo për vëllain e tyre. E mbaj mend si sot atë mëngjes të së martës së 22 janarit, mëngjesi që më “vodhi” lirinë. Sapo kishte zbardhur kur në derën e vilës që e kish blerë babai që më 1934 u shfaq kryetari i Frontit Demokratik, Ramazan Kaçani e më kërkoi që ta ndiqja nga pas gjer në zyrë se duhej të sqaronim një problem të vogël. U vesha dhe pa u përshëndetur me askënd në shtëpi (ah sa pishman më ka mbetur që nuk u përqafova me të afërmit e mi) dhe u nisa drejt e në zyrën ku më kërkonin. Me të hyrë brenda e mbyllën derën dhe në emër të Prokurorit të Përgjithshëm më vunë prangat. Më arrestuan Pehlivan Malaj nga Vlora dhe Isuf Kola nga Shishtaveci i Kukësit dhe pa më dhënë asnjë sqarim më nisën nga zyra e Frontit Demokratik të lagjes numër 11 e drejt e në birucat e policisë së burgut të Durrësit. Më akuzonin për dy nene që ato vitet ishin më të tmerrshmit, për agjitacion e propagandë dhe për tentativë për arratisje. Gjashtë muaj në birucat e Durrësit pa më nxjerrë në gjyq e më 23 qershor të 1980 në sallën e ish-fabrikës së cigareve “Telat Noga” u bë një gjyq, ku ata që u lejuan të futeshin në sallë u pajisën me ftesa, por pati edhe fotoreporterë. Atë ditë nuk isha vetëm unë që dënohesha, por ishin edhe 8 vetë të tjerë. Dora ime ishte e lidhur me pranga me dorën e një agronomi të moshuar nga Shijaku, i quajtur Mitat Turkeshi. Gjyqi zgjati tre ditë rresht, gjyq me të cilin shteti që drejtonte donte të tregonte para popullit fuqinë e tij, ja si i ul në bankën e të akuzuarve armiqtë e popullit. Dënimet më të rënda në atë gjyq i mora unë, me 15 vjet heqje lirie dhe ai që mbahej si kryetar i grupit, me 20 vjet. Të tjerët u dënuan me vite më pak se dhjetë vjet. Pas gjyqit na mbajtën edhe tre muaj në qeli, gjoja për apelim, por kjo metodë ishte vetëm një formalitet sepse për mua se vuri kush ujin në zjarr. Në muajin nëntor më larguan nga biruca e më nisën për tek kaushat e Tiranës e që prej andej drejt e në galeritë e Spaçit. Me të mbërritur atje natën nuk më lanë që të pushoja po drejt e në turnin e tretë. “OH” (nga kraharori i bashkëbiseduesit tim u shkëput një ofshamë dhembjeje, si duket i bëhej vetja sikur po futej edhe njëherë në galeritë e nëntokës së Spaçit). Kur futeshe në minierë e dije që futeshe i gjallë po nuk e dije se do të dilje më. Aty ishte “Ferri” i Dante Aligerit. Skllavi i regjimit komunist duhej te bënte medoemos normën ose duhej të jepte shpirtin. Kishe apo s’kishe fuqi vagonët duheshin mbushur. Norma ishte tepër e çmendur. Duhej të mbusheshin 70 deri në 100 vagonë në turn dhe kjo duhej bërë realitet në kushte pune tepër mizerabël Ato nisnin që tek Baraka në hyrje të galerisë, ku visheshin rreckat e punës që dhe varfanjaku më i madh i botës nuk i përfillte e jo më punëtori i galerisë, me çizme të çara, me lecka të ngrira nga akulli dhe nga piriti i ngrirë kallkan. Puna niste me vendosjen e duarve në vagonë që kishin ngrirë nga akulli që me zor shtyheshin nëpër ca shina të prishura e të paniveluara. Mos harroni se duhej t’i shtynim nëpër ujë, niveli i të cilit vinte në gjysmë metri lartësi. Kandilat nga karbiti i dobët fikeshin pa u ndezur mirë. Hyje në frontin e punës e aty niste vuajtja, fillonin lopatat për të mbushur vagonët, merrej vagoni e transportohej në trinosh (vendderdhja e mineralit) dhe kalohej në nivel qendror. Nivelistit i duhej ta shtynte vagonin e zbrazur drejt hyrjes nga 4 deri në 20 km. Kjo punë ishte llahtari më vete sepse vagonët nga nivelimi i keq i shinave rrëzoheshin mbi disa herë, kështu që për ta ngritur vagonin duhej ta stakoja trupin e të bëheshe gjak. Kishte raste që i vetëm s’mund ta ngrije dot kështu që mblidheshin gjithë ato veta për ta rivënë edhe njëherë në lëvizje. Kishte raste që punonim vetëm me mbathje sepse temperatura arrinte gjer në 60 gradë, kjo temperaturë vinte si rezultat i nxehtësisë që lëshonte piriti. Sikur të mos mjaftonin këto, në galeri kishte shembje e para syve tanë vdisnin shokët që për t’i nxjerrë për t’i varrosur na duheshin orë, pse jo edhe dy ditë. Tek nxirrnim shokët mes lotëve që rigonin si shi, drejtuesit gëzonin dhe e shprehnin hapur kënaqësinë e tyre se u mbeti një armik më pak. Kjo punë tejet e rëndë dhe e vështirë kërkonte një trajtim ushqimor të cilësisë së lartë, por dieta e të burgosurit ishte vetëm 18 lekë të vjetra, baraz me një paketë cigare “Partizani” të asaj kohe. Në mëngjes na jepnin për të ngrënë llapë orizi pa vaj, në drekë bishta pras jeshil me sallo rumune e me salcë që ngjiste si graso, ndërsa në darkë çaj pa sheqer. Lum ata të burgosur që ndihmoheshin me ushqime e para nga familja se ushqimi i burgut nuk të mbante të gjallë. Shumë nga të burgosurit e kishin këtë mundësi, ndërsa ishim 5 veta që nuk e gëzonim këtë të drejtë sa për gjatë jetës sime në burg emri im nuk u thirr asnjëherë për ndonjë letër e jo më për ushqime e para nga familja apo të afërmit dhe shokët. Kështu që burgu im qe dopjo burg. Jetova si oktapodi që kur s’ka se ç’të hajë dhe ushqehet me mishin e tij. Duke mos lejuar të afërmit e mi për të ardhur për të më takuar, ata bënin eksperimente me mua për të më eliminuar mua fizikisht, por mua më ruajti vetëm shpresa tek i madhi ZOT. Vërtet tre ulje të vogla mu bënë, por prej tyre përfitova 5 vite jetë burgu që po t’i kisha kryer dhe ato padyshim që do të kisha vdekur ose do të isha çmendur. Llahtaria e urisë arrinte gjer aty sa kur shihje një kore bukë të dukej sikur kishe gjetur një margaritar. Kërciste grushti midis nesh kush ta bënte të veten. Kish dhe më keq sa disa që e kishin humbur toruan kur shikonin të tjerët të nxirrnin zorrët e barkut duke vjellë, i mblidhnin ato me grushte dhe i futnin në gojë. Më e tmerrshmja vdiste shoku që kishe pranë e nuk bëhej asnjë lajmërim për disa ditë vetëm që t’i merrnim racionin e ushqimit. Gjëja më e çmuar për të cilën bëhej festë e lajmin e gatimit të saj e prisnim me duartrokitje ishte grosha. Groshë gatuhej vetëm njëherë në muaj e në pjatë t’i bije gjithë ditën lëngut me lugë me zor se gjeje një kokërr, kishte raste që na jepnin marmelatë, copa e racionit ishte sa një kallëp shkrepëseje. Më parë marmelatën e kishte biruar miu e ne na e servirnin bashkë me kakërdhie. Burgu është i tillë që e bën njeriun të harrojë vezën, vajin, sheqerin, ëmbëlsirën, kripën, qepën pra të kthen në një kafshë saqë dhe perëndia nuk të do. Ishe i destinuar se s’kisha nga t’ia mbaje ndaj do të haje në kazanin e ndotur të burgut që s’besoj se do të jetë larë ndonjëherë. Ky ishte trajtimi ushqimor që nuk i bënte ballë një urie të jashtëzakonshme. Shumë njerëz u çmendën nga uria, të tjerë që s’duronin më u hodhën tek telat e mbetën të vrarë nga ushtarët që qëllonin pa lajmëruar, shumë ecnin kuturu duke folur përçart sa burgu nuk e kish më emrin burg po spital psikiatrik. Të burgosurit shanin ç’tu vinte nëpër gojë, kish shumë nga ata që jastëku ku mbështetnin kokën u bëhej në ëndërr si krodhe buke dhe nisnin ta mbllaçitnin për të shuar urinë. Pse ta mohoj, një nga ta kam qenë edhe unë. E me këtë trajtim ushqimor duhej të realizoje normën. Puna ishte me tre turne e po të mos realizoje normën dënimi ishte tepër shtazarak. Të nxirrnin nga galeria vetën në të mbathura e në kanotiere, të lidhnin mbrapa një shtylle me tel dhe si kundërpeshë të vinin një rrotë vagoni dhe kjo ndodhte më shumë kur binte dëborë. Kishte dhe ndëshkime të tilla, të tërhiqnin zvarrë me litar nga galeria deri në birucë. Atje të zhvishnin e të linin në çimento vetëm me një batanije që ta sillnin në orën nëntë të darkës e ta hiqnin në orën katër të mëngjesit. Duke qenë i shtrirë në mes të të ftohtit në çimento të binte të fikët e ashtu të ngrirë kallkan të merrnin e të çonin në infermieri, të bënin një gjilpërë e të sillnin sërish në birucë. Kam vite që jam rikthyer në banesën që pati blerë babai, ish-fotografi i oborrit mbretëror Palush Gurashi, i cili më ka lënë 6 vjet e gjysmë sepse vdiq në burg më 13 maj 1958. Në diagnozën që lëshuan për vdekjen e tij shkruhej se ka vdekur nga të verdhët e zi, po nga çan kanë thënë ish-kolegë të tij të burgut të Durrësit atij i kanë injektuar një gjilpërë dhe këtë e ka bërë drejtori i spitalit të Durrësit në ato vite dhe doktor në shërbim të policisë Koç Moisiu. Tani jetoj një burg të dytë, i izoluar totalisht me moral të thyer e gjendje shëndetësore të shkatërruar. Nuk kam asnjë bazë ekonomike për të jetuar, jam pa pension, pa asnjë stimul moral. Jam i sëmurë. Para dy vjetësh kalova një trombozë që më ka marrë një krah e një këmbë. Unë që vuajta për të ardhur në fuqi ky pushtet sot nuk shoh prej tyre asnjë dritë jeshile. E ardhmja e këtij vendi nuk do të ketë fare korrigjim. Në pushtet ka ardhur neokomunizmët, të cilët i kanë mbetur besnik atyre që i pollën, kurvës Rusi kopilit, Mihail Gorbaçov, ku zbatohen vendimet e mbledhjes së Katovicës. Komunizmi ka qejf të hajë vetë, të pijë, të dëfrejë, vetëm se ndërron lëkurën, duke i bërë pinjollët e tij afaristë, trafikantë, fabrikantë, t’i dërgojë drejt shkollave të perëndimit që të ketë në dorë pushtetin politik e ekonomik. Ky është statuti i mbledhjes së Katovicës. Unë si Romeo i qëndroj idesë sime, e cila është “Ndërmjet të gjitha të këqijave, zgjidh atë që është më pak e keqe”. Për mua më pak e keqe nga të gjitha regjimet është monarkia, pra jam dhe do të mbetem besnik për mbretin. Këto parti që ekzistojnë janë pjellë e mitrës së partisë së Enver Hoxhës.

    ( nga kujtimet e një ish-të burgosuri)


    gazeta sot

  9. #9
    Konservatore Maska e Dita
    Anëtarësuar
    17-04-2002
    Postime
    2,925
    Nga kapitulli „KENETA E MALIQIT

    Fq.290

    „N’e nesret në mëngjes, hyni aty komandanti. Tha se aty do të rrijshin deri t’i paraqitshin nji kerkesë komandës, në të cilën të theksohej zotimi për të realizue normën çdo ditë. U diskutue shumë në mes nesh. Un ishem kundra çdo deklarate, por shumica ishin të lodhun e të këputun, nuk mund të jetojshin ma me 400 gr bukë thatë e nji gjysë litër ujë. Si ma i shkolluemi që ishem, më ngarkuen me shkrue deklaratën. E shkrova, por nuk mora kurrnji zotim për normën, vetëm se vuna aty që „zotohemi të punojmë sa kemi fuqi“. Kur i shkrova emnat e u desht që të firmoste secili, e shumta ishin analfabetë dhe u dojte me vu gishtin. M’erdhi çudi dhe i pveta të madhe:
    -Po të gjithë jeni të dënuem për politikë?
    -Po.
    U turbullova shumë: nuk kishem mundsi me e kuptue se ku ishin politikanët e popullit shqiptar. Lutja u nis. Kur shkrova emnat e secilit, vuna re se aty ishin edhe dy katolikë tjerë. Ma vonë iu avita njanit dhe e pveta:
    -Prej ka je ti?
    -Prej Kurbinit – m’u përgjegj.
    -Po qysh kur ke ra në burg?
    -Tash more djalë, tash kam ardhë un. Me çka mora vesh ti je prift?
    -Po.
    -Ku ke shërbye, në Mirditë apo Dukagjin?
    -Nuk kam shërby kurrkund, se posa mbarova shkollën kta më prunë ktu mbrendë. Po ty pse të kanë pru këtu? A ke strehue ndonji të arratisun?
    -Jo, jo, un ishem vetë i arratisun.
    -Ti i arratisun? Po a thu kje njoftë nji dajë timin, Fran Mirin, se andej afër Kurbinit asht sjellë edhe ai.
    -Pse nipi i Fran Mirit je ti? Franin jo vetëm se e kam njoftë, por në fillim kam ndenjë me te pak kohë në mal, ishte e vështirë me ndenjë me te. A ke ndigjue se ka vdekë?
    -Po, tash pak kohë e mora vesh.
    -Ai e ka kërkue vdekjen vetë se nuk rrinte rehat. Ai lene se kishte thye burgun e Tiranës e kishte dalë në mal, mbasi ishte kenë i dënuem me vdekje: ai kërkonte me vra sa ma shumë komunista, ndërsa un i ishem xhandar dhe dola në mal vetëm me mujtë me shpëtue që të mos më mbysnin në valën e parë. Kur jam nda prej Franit kam pregatitë nji shpellë që e dijshem vetëm un: aty çova disa enë, nji mokën të vogël edhe mjaft krypë, se kur vidhshim ndonji dash a ndonji cjap, për me tha mishin duhej shumë krypë. Zuna vend në atë shpellë e u ruejshem që mos të më diktojë kurrkush: Shkojshem me vjedhë kallamboqa nëpër ara e i barshem në shpellë, i varshem tuba-tuba për me u tha. Kshtu ishem sigurue me gjithshka: mish boll, misra boll, krypë po, kishem shti edhe mjaft dru. Shi atje edhe nji puçik uj që nuk shterrej kurr: aty delte e aty hupte. Aty rrishem un. Aty më zuni dimni.Ti e shef se tash disa vjet dimnat po janë shumë të vështirë e plot borë. Në nji kso netësh un kishem ndezë aty mbrenda shpellës nji zjarr të mirë me dru lisi ndërsa jashtë kishte nji gju bore. Vazhdonte me ra borë e frynte veri me të këputë. Te zjarmi kishem vu bukën me u thekë e mishin me u pjekë. Po ndjej zhurmë hapash që aviten. Ah, thashë, këta partizantë janë vetë djalli: duen me ndjekë ravet nëpër borë. Kapa pushkën në dorë e i hoqa siguresën: M’erdh çasti i vdekjes. Nuk kishem kah iki: aty m’u donte me dekë si burrat pa dashtë un. Por hapat që hynë në shpellë nuk kjenë njeriut: u duk nji ujk. Hajde, hajde, edhe kjo m’u desh. Me shprazë në ujkun ndigjojshin partizanët. Ndeja gati. Ujku kur pa zjarmin u ndal. Kqyri gjatë e gjatë: u ndeshëm sy për sy; e ndjeva vedin të fortë: kishem zjarrin në mes e pushkën në dorë. Ujku u shtri barkas. Ndej ashtu për disa minuta, mandej u çue, bani edhe pak hapa para ma afër zjarrit. U shtri barkas e uli kryet si për me fjetë. Un aty roje me pushkë ngrefë. Por ujku nganjiherë i hapte sytë, mandej i mbyllte përsëri. Kur i hapi, ndeja gati e i hodha nji copë bukë të ngroftë. U çue, u avit, e nuhati dhe u largue. Vetëm atëherë u kujtova se ujku nuk han bukë. I hodha nji copë mishi të pjekun. U çue, u avit dhe e përlau si ujk. I hodha edhe copën tjetër që kishem për vedi; e përlau edhe atë. U avit nja tre hapa larg zjarrit, u shtri përdhe e u shtri me fjetë. Ai fjeti i qetë gjithë natën e gjatë, ndërsa un roje me pushkë në dorë, pa mbyllë sy. Ai besohet ujkut?
    Për fat sa zbardhi dita, duel ujku. Iu fala nderes Zotit që më shpëtoi prej tij dhe rashë e fjeta: ishem kputë për gjumë. Njatje vonë u zgjova; dishka po lëvizte nëpër shpellë. Pushkën në dorë e u vuna me shikue. Shof atë ujkun që po tërhiqte zvarrë nji kec. Kur mbrrijti në gjysë të shpellës e lshoi dhe iku me vrap. Un atëherë me shpejtsi nxra thikën e mpreftë e rrjepa, e ndava, e krypa dhe e vrara me u tha në tym. Më kishte marrë malli për mish të freskët dhe e vuna në zjarm me pjekë nji copë të mirë. Por, mbasi u err, ujku kthei përsri në shpellë. Hangri çka gjet përtokë. Erdh e u shtri afër zjarmit si natën e parë. Kur hangra mishin e pjekun, pjesën ma të madhe ia hodha atij: u çue me vrap, jo vetëm që hangri mishin por u mundue me blue edhe kockat porsi qen. Kishte me të vërtetë oreks. E para herë në jetë që rrijshem aq afër ujkut. Mbasi hangri, u shtri bri zjarmit e fjeti përnjimend. Ndeja zgjuet deri vonë: ujk ishte ai, a mund t’i besohej? Por dikur më kapi gjumi me pushkë në dorë.
    N’e nesret mbramje ujku erdh përsri dhe hangri mish të pjekun me shije të madhe e kah i ngulte dhambët, me kqyrte si qen. Në të tretën dite pruni në shpellë përsri nji ftujë të mirë. Me ujkun u bamë miq e dashamirë. Javë për javë, e shpesh edhe dy herë në javë, më binte në shpellë nji kec o nji qingj, e kanjiherë edhe desh e cjep. E kaluem dimnin bashkë për bukuri. Kur duel pranvera e vera ai aty se aty, por nuk avitej ma tek zjarmi, por rrinte te hymja e shpellës. Thojshem me vedi a thue asht ujk i vërtetë apo ndonji qen që ma ka pru Sh’Martini e Shna Rroku. Lidhëm bashkë nji miqsi të çuditshme, por kurrë nuk u avitëm me përkdhelë shoqi-shojnë.
    Kështu vazhduem për rreth 10 muej. Ishte tue u ndie ardhja e vjeshtës me stuhi të trazueme. Ndjeva se në mal krisi nji pushkë. Edhe mue dishka më krisi në zemër. Pata nji shqetsim. A thue – thashë me vedi – ma vranë ujkun tem? Ujku nuk kthei në shpellë atë natë. Fjeta pak, se ishem shumë i shqetësuem. As n’e nesret ujku nuk u duk. Vendosa me dalë e me e kërkue. Por, me dalë prej shpelle ku ta kërkojshem ujkun në mal? Nuk mujshem me ndejë ma i vetëm, pa ujkun tem. Vendosa: në rasë se më kanë mbytë ujkun, un do të dorzohem. U nisa me kërkue ndonji shpi a ndonji stan. Kishte dy vjet që ishem shkëputë fare prej njerzve e tash jetojshem me nji ujk. E pveta:
    -Keni vra në kto dit nji ujk?
    -Çka don me thanë ti me kto fjalë?
    -Un due me thanë: a keni vra ndonji ujk, ju ose ndonji i afër.
    -E kujt i thue ti ujk?
    -Ujkut. Ujku i malit.
    -Ujkut? Po kjo fjalë asht me dyshim.
    -Si me dyshim? Ujku asht ujk, ai që mësyn berret e dhitë, i shkyen e i han.
    Ai kqyrte pushkën që kishem mbi sup, por nuk e kishte të kjartë se kush isha un: o nji i arratisun a por nji spiun i Sigurimit, që gjurmon të arratisunit. Prandej dyshonte në fjalën “ujk” mbasi të dyja palët e përdornin për kundërshtarin e vet.
    -Due me dijtë – i thashë – a asht vra në këto dy-tri dit ndonji ujk që han berret.
    -Ujk tamam ujk?
    -Po pra ujk me katër kambë.
    -Për çka dij un ndër këto shpijat tona jo, se e kishem marrë vesht. Megjithktë në shpatin atje përtej kanë stanet disa çobej, a t’i thrras?
    -Po, thirri.
    Atëhere ai aviti dy duerët afër gojes dhe thirri me të madhe me sa za kishte:
    -Ooo o o ju çobanet e Gallatës, a jini aty more..e..e! – tri herë thirri kështu.
    Prej shpatit tjetër të malit erdh jehona:
    -Po ç’thue more..e..e?
    -O..o o o erdha more… - atëherë u suell e më tha – hajde të shkojmë se nuk janë fjalë që me i ndie gjithkush.
    Un i thashë:
    -Nuk vij me ty: shko ti vetem e pveti: a thue kanë vra nji ujk në këto dy-tri dit? Un po të pres shi këtu.
    Ai më tha:
    -A e din se me shkue e me ardhë prej andej të duhen dy-tri orë?
    -Pres un, mos u ban merak.
    Ai u nis. Në shpatin përtej luginës ndigjojshem cingaret e dhive e kumbonët e berreve. Ndigjojshem edhe fyellin e çobanit e kangën mbas krahit. Kundrojshem për karshi tufat që dalëkadalë zbrisnin në luginë: jetë e bukur, jetë e lirë e jo si ajo e ujkut të shpellave. Mbas pak orësh kthei e më tha:
    -Po, more, me të vërtetë ata para tri ditësh e kishin vra nji ujk. Bile, më thanë se ishte kenë ujku ma i rrezikshëm i atyne maleve e që kishte ba dame shumë të mdha. Po ku i din ti kto punë?
    -Un? Po, un ishem çoban i ujkut!
    -Si çoban i dreqit?
    -Ec e e…ti nuk din gja: ai ishte ma besnik se çdo njeri. Ndigjo – i thashë atij burrit – ti nuk më njef, as un nuk të njof. Un jam nji komit. Jam arratisë tash disa vjet. Po bahen gadi 10 muej që kam jetue bashkë me kët ujk. Tash që nuk asht ma ai, un duhet të dorzohem. Më dërgo te posta ma e afërt e partizanve të ndjekjes, a e din ku asht?
    -Po kush je ti?
    -Mos më pvet. Asht ma mirë për ty e për mue që na mos të njifemi. Un kam dalë në mal vetëm me shpëtue jetën time e jo me luftue me ndokënd.
    -As un – tha – nuk kam ndonji lidhje me partizanët: un drue me të dorzue te ata, se përndryshej janë të zotët me më thanë: „Sa kohë e ke mbajtë?“ e „Çfarë lidhjesh keni pasë“. Prandej mos më shtjer n’ato punë. Ti don me u dorzue? Dorzoju! Por un nuk të paraqes. Nuk mundem.
    -Si nuk mundesh? Ti fiton pikë. Të quejn patriot të mirë.
    -Jo, nuk due shpërblim prej kurrkuj: nuk due me më dale zani as për mirë, as për keq. Aman mos i thuej kurrkuj se jemi takue bashkë. Un kam me të përcjellë derisa ta shofish përkundruell komandën partizane, atëherë asht punë për ty: në daç dorëzoju, në daç mos; mue mos më përziej as për të mirë, as për të keq. Ban se nuk jemi pa kurr.
    Kur u dorzova, menjiherë filloi hetuesia: Ku ke ndejë? Me kë ke ndejë në mal? Kush u ka furnizue me ushqim? Çfarë lidhjesh organizative e politike e njiqindmij pvetje të kota.
    Un u tregova të vërtetën, se nuk kishem dalë në mal për trimni, por për frigë, për me shpëtue vedin, se kishem ndejë me ujkun për nji kohë aq të gjate etj. Ata nuk më besuen e më thojshin:
    -Pse femij jemi na, që të na gënjesh ti me prralla!
    Por, mbasi un nuk kishem fjalë të tjera e kërkojshem që puna të delte në shesh, u thashë se atje në shpellë un kishem ushqime rezervë edhe për gjashtë muej, por ishem dorzue mbasi më kishin mbytë ujkun, mikun tem.
    Nji ditë prej ditësh, më shoqnuen me nja gjashtë vetë partizanë e dy oficera. M’u desh me i çue deri te shpella. U çuditën kur panë me sy të vet ato misra të vjerruna, gjithë atë mish të thatë e të krypun e tana ato lkura e postiqe.
    Më kthyen në hetuesi. Ai hetuesi më tha: shokët kanë vërtetue fjalët tueja. Megjithkëtë un nuk i besoj dhe, që ta dijsh, ti do të dalish në gjygj e do të dënohesh 20 vjet formalisht, sepse për ty tash fillon hetuesia e vërtetë se na nuk kemi pasë ndër lista tona kurrkund emnin tand.
    Mbasi u dënova, më prunë këtu si të tjerve.
    Mbeta gojëhaptë. Çka ishte kjo? Prrallë, mrekulli o histori?
    Thuej si të duesh. Por jeta që kam kalue ma vonë më ka vërtetue se shtazët e kanë ndjenjen e dashunisë ma shumë se shumë njerz të kësaj epoke, që e thrrasin „e kulmit të përparimit“.”



    Nga po ky kapitull

    Fq.299

    „Më kishin mbetë pak muej për me krye dënimin, por ishem mërzitë aq shumë se dyshojshem a mund ia mbrrijë asaj ditës së lirimit. M’erdh ndër mend me ba nji lojë. Kishem vu re se ata ushtarakët që ishin të ngarkuem me mbajtë regjistrat e evidencat ishin aq injorantë sa nuk dijshin me dallue muejt: Dhetorin prej të dhetëtit (Tetorit). Ishte si rregull që dy muej para se të vinte dita e lirimit duhej me i ba nji kërkesë komandës së burgut ku ishe efektiv. Un ia bana nji kërkesë Burgut të Shkodrës, tue i thanë që më 14 të dhetëtit plotsoj dënimin e duhej të më lironin, pamëvarsisht se un e kishem më 14 Dhetor. Ia lexova kërkesën At Donatit e At Aleksit. Ata më bërtitën të dy. Më thanë aman mos ban marrina se të mbysin. Por un e bana marrinë. E nisa letrën. Pritshem ndonji përgjigje. E kotë. Mërzia më shtohej përditë. E si mos me u shtue? Nuk mund shifshem ma keq. Puna ishte randue aq shumë: trajtimi i Komandës nuk bahej ma i egër; njerzit ishin shterrë fuqish: Çadrat e Vdekjes ishin dhetëfishue; kapanonet plot me njerz të smundë. Nji pjesë e madhe ishin ajë kambësh e mucatë fëtyret. Ashtu zharg i nxirshin në punë. Çdo mëngjes ishte nji terror i tërbuem. E vërtetë që thohej se mbas dënimit të Koçi Xoxes ishte ndalue shkopi e rrahja, por qe se, për sherr, kishte teprue aty ndonji bisht lopatet që duhej provue a thue mund thehej për shpinë të njeriut. Pisllëku, mizerja, mizat, morrat, era e qelbte e kënetës, uji i ngjelmët e i amshtë, bile me krymba, bukën po nuk e hangre sa ta merrshe në dorë, ishte rrezik se ta vjedhshin natën e ditën. Kishin mbarue ato takimet e bisedat grupe-grupe. Të merrte malli me e pa nji mikun tand e nuk dijshe ku me e gjetë.
    Nji ditë, nji djalë i ri po më thonte:
    -E din ti kanalin e Dunavecit?
    -Po si nuk e dij? Aty rash un dëshmor.
    -Uu, me të vërtetë ti nuk ndigjove me punue aty, na u zhgatrruem fare. Sa të marrë që u treguem: këta janë babai i rrenës. Aty pra afër Dunavecit asht Vloçishti. Në vjetin që shkoi kam punue atje. Ishte kampi ma i tmerrshmi që mund mendohet. Sa vetë kanë vdekë ndër tortura të punës. E kam pa me sy të mij priftin katolik, Papa Josif Papamihalin kur e kanë mbulue për së gjalli me llucë aty në mes të kanalit. Shumkush u dëshprue e nuk mundi ta durojë ma gjatë vdekjen. Shokët e mij para se me fjetë vijshin me u falë, me marrë hallallin e thojshin: „U pafshim n’atë jetë!“ e u hidhshin te telat e rrethimit për me u pushkatue. Por, edhe ky kamp po vjen tue marrë pamjen e tij: pak gja ndryshon. Drue se edhe këtu për së shpejti do të filloje hudhja ndër tela. Jeta nuk durohet ma në kët mënyrë.
    E pashë se ishte dishprue. U mundova t’i jap zemër. Po çka t’i jap: un ishem keq për vedi, vetëm shpresojshem se po më vjen ndonji përgjegjë. Përgjegje nuk erdh. At Donati kishte mbrrijtë aq keq sa mezi mbahej në kambë. I bani nji letër Mehmet Shehut, i cili kishte marrë Ministrinë e Brendshme në dorë, ku i kërkonte me e transferue për në Burrel.
    -Si, - i thashë un, - për në Burrel?! Po a din që atje thonë se asht e shkrueme: Burrel, ky hynë e nuk del!
    Më thanë se për atje ashtu thohet, ndërsa ketu nuk asht shkrue gja, por desin përditë ma shumë se atje. Mbas disa kohe Mehmet Shehu ia pranoi lutjen.
    Por mue nuk më erdh nga Shkodra kurrnji përgjigje. Atëherë hodha gurin e fundit. Me nji letër lajmova se më dt.14 të dhetëtit kishem ditën e lirimit.”





    I LIRE

    Fq. 301

    „Po atë ditë më thirrën në mëngjes, mora vetëm torbën e bukës e nji palë ndrresa. Për tjerat ishem copë e leckë. I lypa dikuj nji palë pantallona të gjata e dola. U përshëndeta jo me të gjithë, por vetëm me At Aleksin e pak të tjerë, mbasi nuk ishem i sigurtë a po më lirojnë. Më çuen në Degën e Punëve të Mbrendshme të Korçës. Nji oficer më tha se nuk kishte marrë prej Shkodre kurrnji njoftim. Megjithkëtë më tha: Mos u shqetso, po të baj nji shkresë provizore për katër ditë ose pesë që të gjezdisish pazarit, por mos gabo me dalë prej Korçet se të arrestojnë. Përditë do vijsh për t’u paraqitë ne se të ka ardhë letra e lirimit nga Shkodra. Për bukë po të jap nji shkresë e të shkojsh me e marrë ti vetë racionin te ajo furra ushtarake, e cila furnizon kampin e Orman Pojanit.
    Kur dola me atë shkresë në dorë u nisa drejt e te furra me marrë racjonin e bukës. Ata më dhanë nji gjysë bukë të ngroftë grunit për shyqyr që ishem lirue.“



    Nga po ky kapitull:

    Fq.309

    “Në hanin e Vasil Papajt kam banue nandë ditë, për ma tepër më binte edhe ushqimin e nuk më ka lanë me shti dorën në xhep. I kam tregue se si duhej ba për me mujtë me u dhanë ndihmë të burgosunve që kishin. Mbas dhetë ditësh më kanë gjetë nji kamion që shkonte deri në Durrës. Në atë kohë, të gjitha mjetet e transportit të vorfën shqiptar ishin në dispozicion të ushtrisë që thirrej „partizanë grekë“ dhe kishin qindra në Korçë, afër Pogradecit e porsa ulesh nga Qafë Thana: bashkë me ta më takoi me udhtue.
    Si përfundim nji ndalesë dyditëshe në Durrës e nji tjetër në Tiranë, kesht mbas 13 ditësh që u lirova, mbrrijta në Shkodër, në Kuvendin e Arrës së Madhe.
    Atyne u ra si i papritun lirimi im. Në Kuvend gjeta At Marin Sirdarin, At Justin Rrokën, At Mark Papaj e At Ferdinand Palin, si edhe fratelin plak Fr.Ndue Vila. Kuvendi ishte i vorfën, i zdeshun, si ata të kohës së Shën Françeskut. Nuk kishin asnji shtrat rezervë me u shkue ndonji mik. Ata ishin aq ngushtë edhe me ushqime. Racioni i bukës që merrej me triska kushtonte vetëm 17 lekë të vjetra dhe kishte rasa që as atë nuk mund e merrshin. Ushqimi i zakonshëm ishte nji supë bollgurit (grunë i trajtuem) e kurrgja tjetër. Un fjeta për tokë, si në burg, i mbluem me dy batanije. Gjate ditës u interesojshem me gjetë shokët e miqët e mij e familjet e tyne. Gjithshka bahej gjyse msheftësi, sepse e dijshem që gjithkund i kishem mbas meje sytë e veshët e Sigurimit. E para familje që kërkova, kje ajo e Xhabir Dibrës. Un e dijshem shtëpinë. I shkova në kohën e mbasdrekes, që mos t’i jepshem shqetsimin me më ndalë për mesditë. Kur krisa në derë, nji za femne pveti: “Kush asht?! Dhe hapi dritaren sipri mbi derë e bërtiti:
    -Uu! Zef Pllumi.
    Ishte motra e Xhabirit: na nuk ishim pa kurr në jetën tonë, por Xhabiri, që ishte lirue me pune kondicionel përpara meje, duket se i kishte folë shumë për mue. U përqafuem, më ngjiti prej shkallësh e nalt te Nana Nije: më prezantoi: „shoku i ngushtë i Xhabirit, Zef Pllumi“. Ajo më puthi në ballë. Ty të bekoftë Zoti! Djali im vetëm për ty flet. Mirë se të pruni Zoti! Po kur je lirue? Prit se tash po vjen edhe Xhabiri. Oh, sa mirë! Oh sa po gëzohet tash Xhabiri që je lirue! Sa më gëzove!
    Oda e pritjes ishte me mobiljet ma luksoze. Në atë shpi gjithshka ishte e bukur, e pastër dhe e pasun.
    Motra e Xhabirit në atë kohë ishte e fejueme. Un ishem i veshun gjithnji me ato leckat që m’i kishin la në Korçë.
    -Po hiqi këto! Po të bie e veshi rrobat e Xhabirit.
    -Jo, - i thashë – jam tue pritë se nesër më vjen familja.
    Kur e motra më pruni nji shurup drandofillash, Nana Nije më tha:
    Na fal se nuk mbajmë raki në shpi.
    -Aq ma mirë. As nuk e pi.
    -A djelmët e mij – tha Nija.
    Kur erdhi Xhabiri e u ndie se hapi derën e shtëpisë, motra fluturim zbriti shkallët me i dhanë sihariqin. U përqafuem gjatë e gjatë; prej gzimit na shpëtuen edhe lotët. Nana Nije e motra na përqafuen të dyve. Ashtu krye më krye, katër vetë kaluem çastet e mallëngjimit. I lumtun.
    -Tre djelm ka Zoti – tha Nana Nije. – Njani më ka mbetë në Itali. Zoti e ruajtë atje ku asht. Por qe, prap sot un i kam tre këtu e në zemrën teme: ti nuk je ma larg se këta. Ndërsa motra i kapi duerët tona:
    -Po si u kanë lidhë ata katilat? Ku? Qe këtu! Po, këtu ende shifen plagët e hekurave! I bashkonte me duerët e veta duert tona. Ah, katilat si me i lidhë këto duerë? Vllazënt e mij janë pëllumba, pëllumba të vërtetë! Çfarë katilash – dhe ulte kryet e shikjonte me vëmendje gjithnji shejet e plagëve.
    Kur u shtrue sofra, se ato ende nuk kishin hangër tue kenë se pritshin Xhabirin, un u ula pa ba fjalë. Gjella që kishem hangër në Kuvend nuk e prishte agjnimin ose ma mirë kishte zavendsue aperitivin. Gjatë drekës Xhabiri më tha: „Në të vërtetë un të pritshem pak ma vonë, bile kam pasë thanë që aty prej gjysës së Nandorit deri në gjysë të Dhetorit“.
    Si vlla që e kishem i tregova të vërtetën: se si kishem përfitue nga injoranca e zyrtarëve që nuk dijshin me dallue Dhetorin prej të dhetëtit.
    -Ah, çfarë djalli je! Po shifni – u suell motra – mos t’u shpëtojë goja se përndryshej këtë e mbysin aty në hu.
    -Jo, po na nuk kemi luejtë mendsh – i tha ajo – pak vonë, por tash edhe na i kuptojmë mizoritë e tyne. Ty të lumtë, - më tha mue – sa bukur ua paske hedhë! Si të ka shkue ndërmend?
    -Të ban halli – i përgjegja.
    Ndërsa po hajshem ato gjellë të shijshme të cilat i njifshem që prej duerve të lidhuna me Xhabirin, mendojshem me vedi: Sa i lum asht i vorfni kur e bajnë vlla. Ungjilli duhej jetue e jo veç predikue. Ajo ishte nji familje myslimane: kurrgja nuk dijshin për Krishtin, as Ungjillin. Edhe un vetë e pashë se pak dij për Islamizmin. Ungjilli i vërtetë jetohej edhe prej atyne që nuk e njofin. Dashuni. Vetëm Dashuni për njerzit. Çaste lumnije në tokë.“




    PRANE FAMILJES

    Fq.313

    „Mbasi pagova borxhin që i kishem marrë Kel Çobës në burg, gjeta nji kamion që shkonte për Shëngjin. Kur zbrita atje, mora malin përpjetë: e dijshem se aty rreth nji orë ma nalt ishte shpia ime. Ishem largue nga mali që në moshën 5 vjeçare. Mbas nja 20 minutash u ndala me marrë frymë e u ula mbi nji gur. Ishte nji ditë e kthjelltë me erën e ftofte të fillimit të Nandorit. Karshi kishem detin e gjanë e të pafund. Ai det ishte kufini që ndante dy botë: të dritës dhe të territ; të gzimit dhe të vuejtjes. M’u duk det i mallkuem: kufi i përhershëm ndërmjet lirisë e robnisë. E pse nuk hapej ky si dikur Deti i Kuq? U çova përsri, u nisa rrugës përpjetë. Nji rrugë kuajsh, por ndër hundë më vinte aroma e veçantë e malit tim, që nuk e kishte kurrnji mal tjetër në botë. Fotografinë e shpisë sime e kishem të ngulun vetëm ndër tru që në moshën fëmijnore. Rruga do të më çonte vetë: rrugët të çojn deri në fund të botës, mjaft që të dijshe me i ndjekë. Kush pvetë nuk tretë – asht ajo shprehja popullore që zëvendson tabelat e qarkullimit. Por un nuk ndesha rrugës kurrnji nieri për me e pvetë. Ai mali im nuk kishte majë. Mal i veçantë në botë: pa majë mali. Atje nalt rruga përshkonte nji shesh të gjanë e të gurtë, për disa kilometra. Mandej më çoi ku fillonte shpati tjetër i malit. Ishem i sigurtë se rruga do të më çonte te ndonji shpi e aty do të pvetshem. Kur fillova teposhtën, mali ishte i ndamë me mure të thata. Aty nji portare e drujtë. Hapa portaren e drujtë me vazhdue rrugën. Poshtë mbi nji moje m’u shfaqën dy shtëpia largas njana-tjetrës gadi 1 km. Këtu do të pves, sepse shtëpia ime tashma nuk duhet të jetë larg. Mbas pak hapash që kalova portaren, përmbi rrugë u duk nji qen i frigshëm si ujk. Ai lehtë e lehtë papushim, por nuk i nxirrte dhambët jashtë për kërcnim. Un vazhdojshem rrugën time në teposhtë dhe ai më shoqnonte me ato të lehuna. Kur mbrrijta te nji portare tjetër mes mureve, aty ku daheshin dy rrugë, njana për shtëpinë ma të afërme e tjetra vazhdonte gjatë malit, aty vendosa me shkue te shtëpia e parë. Qeni i pushoi lehjet. Ai erdhi mbas meje, më muer erë dhe nuk lehi ma. Përshkova atë rrugë bashkë me ato kujtime të vagëta që mund mbesin prej moshës fëmijnore: a thue kjo asht shtëpia ime? Kur hyna n’oborr me pluhun e pashë pesë shkallët para derës, pothuej isha i sigurtë. Kishte mbetë nji pikë e vetme dyshimi e thirra simbas zakonit të malsorve:
    -O i zoti i shpisë!
    Nga mbrendë ndjeva nji za të njoftun:
    -Nuse! Shpejt lidh qenin!
    Doli me vrap nji grue e re. E njofta e më njofti. Ajo bërtiti me të madhe:
    -Nanë, erdh Preka! – dhe pa u ndalë u turr drejt meje që sapo ishem ndalue kah fundi i oborrit. Ndërsa po përqafoheshim e ndiejshem se qeni i madh u merrte erë mbrapa kambve të mia. Nana më priste me krahë haptë në krye të shkallve: u ngjita. Tash ishem ndër krahë të nanës sime.
    -Janë njizet vjet, bir, që ike prej ksaj shpije, me këtë erdhe, kush të pruni?
    -Duhet me thanë: për erë veçse as un nuk e dij si e gjeta: më pruni vetë rruga. Kunata duel në ograja me lajmue babën e vllaun e madh, ndërsa un ndeja aty me nanën. Ajo më pruni nji copë bukë e nji pjatë me mjaltë e nji tjetër me maze (krem) tamblit. Ndërsa po hajshem, më pveti:
    -A të kanë rrahë shumë, more bir? A të ka marrë uja shumë? Na nuk kemi mujtë me ardhë gadi kurr se malsorë që nuk i njofim rrugat e qytetit; ndonji mik atje nuk e kemi. Por shyqyr që ke shpëtue pa shkue si dajat e tu: i gjalli e ka dermanin. Tash rri këtu në shpi e mos gabo me folë gja se asht ba dynjaja e keqe. Mos pvet! Tash i merr vesh të tana.
    Ma vonë erdh vllau me nji dru të madh në krah, që lshoi m’anë të oborrit. As baba nuk u vonue pa ardhë me grigjën e deleve. Un ishem si djali i humbun që kthehet në shpi. Fëmijt e vogjël m’silleshin rreth e rrotull se nuk më kishin pa kurr. Edhe qeni erdh aty e nuk m’u da deri që me dorë i fërkova kryet. Ai atëherë luejti bishtin e shkurtë cubel e me kambët e para m’u hodh ne gju. I bërtitën dhe e nxuerën jashtë. Çudi – thanë ata – ky nuk të ka pa kurr e po të gzohet e po të njef se je rob i shpisë, por kur vijn miq tjerë hjekim keq me e lidhë se i mësynë. Gjithë shpisë i ra nji gzim i madh për ardhjen time. Megjithkta mbas atij gzimi shifej se në ballin e babës sillej nji re e turbull.
    -Vetëm këto tesha ke, - më tha – nuk ke tjera?
    -Jo.
    -Pjetër, - i tha tem vllau – duhet me shkue nesër pa cajre pa derman e me i ble nji palë tesha të reja, se kanë me ardhë njerz për shyqyr e asht marre me e pa me kto zhele.
    -Duhet me doemos, por mbasi nuk kemi pare ç’ka t’ulim me shitë?
    -Nji mshtjerrë – tha baba.
    -Të gjitha shiten lirë se nuk asht as ditë pazarit.
    N’e nesre mbasdite, vllau më pruni nji palë rroba të reja prej pazarit e disa plaçka tjera të vogla. Mbytën edhe nji dash e lkurën e tij e varën aty jashtë nën strehë të shpisë si shej bujarie. Vendosën me mbytë edhe thinë para kohet, mbasi atje në malsi ishte zakon kur mbytej thiu me thirrë në gostë gjithë kushrininë. Mirë se gosta u ba n’e nesret mbrama, por natë për natë, prej larg e prej afër, vijshin miq e dashamirë për shyqyr që un kishem dalë gjallë prej burgut. Vetëm atëherë jam njoftë me shumë burra të malsisë që kishin shpëtue gjallë.
    Kur vizitat filluen me u rrallue paksa, axha im, që gjatë ktyne ditve ndej aty në shpi, më thirri veçmas e më tha:
    -Tash ti e shef vetë që puna e fretnisë ka mbarue. Burg bane e shyqyr që dole gjalle. Por tash un kam mendue me të gjetë nji nuse, me u fejue e me u martue si të tanë dynjaja.
    -E ke me gjith mend?
    -Un kurr nuk kam folë pa mend, e jo sot që jam 76 vjeç.
    -Un e dij se je burrë i mendshëm e i përmendun për urti ndër kto malet tona, megjithktë un punët e mija i dij vetë e nuk të la me m’u përzie ndër to. Nuk të kam lypë kshill, as mendim. Kur t’i kërkoj, atëherë m’i jep.
    -Un kam folë edhe me nanën tande, se asht grue e mendshme e...
    -Lene nanën e me len mue rehat! Kët po ta thom: Sot jam burrë 25 vjeçar, në lulzim të jetës e nuk të la me hi si të duesh ti në jetën time.
    -Po çka don me ba?
    -Un baj ata shka due un. E kam caktue nji herë rrugën e jetës e nuk los ma prej saj.
    -Por ajo ka mbarue mor bir; msuesat t’i kanë pushkatue, shokët t’i kanë pushkatue e ku don me shkue ti? Edhe ti don me u pushkatue?
    -Un nuk due, për këtë të jesh i sigurtë, ama në më pushkatofshin, ç’faj kam unë?
    -Mirë pra, ban si të duesh, vetëm mos na korit.
    Sigurisht që me keqardhje të madhe u zhvillue biseda me axhën: un ia ktheva fjalën me padurim e pak nderim, por ishem i mbushun mendje se ndër momentat ma vendimtare të jetës, ndoshta, kjo metodë kryente punë.
    Gjatë tre muejve që ndeja në shtëpi, ia dola me e largue atë zijen e bukës, që prej barkut ndoshta kishte fillue me kalue edhe në tru. Familja ime ishte nji ndër të pasunat e malsisë. Edhe mbas atyne „reformave“, që kishte ba „Pushteti Popullor“ (komunist), të cilat në të vërtetë mund të quheshin grabitje, kishin teprue shumë bagti: dele edhe lopë. Delet i ruente baba, ndërsa lopët nuk i ruente kurrkush. Atje poshtë malit ishte këneta. Në breg të kënetës ishin dy ksolla me dyer të hapuna: lopët ishin të lira për me kullotë në knetë ose në mal, si t’u pëlqente. Po ashtu edhe kuajt. Te shtëpia në mal mbajshin pula, thi e bletë, ndërsa në kënetë kishin rezervuaret e peshkut të punuem me kallama ku peshku dijte me hy por jo me dalë. Kështu sa herë që dishrojshin me hangër peshk, u ulshin në breg të kënetës dhe me nji karriq merrshin peshkun që u pëlqente, tjetrin e hidhshin përsri në liri. E vetmja mërzi që kishin për kah pasunia, ishte ajo e taksave në natyrë, sepse duheshin pague „mish, lesh e voe“. „Mish, lesh, voe“ ishte nji metodë komuniste për me i detyrue njerzit me qitë lutje për me hi në kooperativë, mbasi këto detyrime ishin aq të randa sa hiqej shumë keq me i pague. Bile shi n’atë kohë, në nji mëngjes, para agjensisë së udhtarve në Lezhë, u gjet nji pulë e varun e cila kishte nji kartelë në qafë ku shkruhej: “Mos kërkoni vrasësin, se jam un vetë që po mbys vedin sepse më kanë vu detyrimin me ba njimij vezë në vit, ndërsa un si pula ma pjellore e botës mund baj vetëm treqind!” Sigurimi ishte alarmue dhe të gjithë sigurimsat ishin lshue për erë me e gjetë autorin.
    Nji të Djelë vjen im vëlla, i madhi, kur kthen nga Lezha ku shkonte me pa Meshë edhe mandej për treg, i tronditun më merr anësh e më pvetë:
    -A thue ke gisht në këto punë?
    -Pse m’i thue këto fjalë: un nuk kam dalë kurr prej shpije pa kenë i përcjellun prej dikujt.
    -Shikjo – më tha – nji që merret me ata, më ka thanë se dyshojnë shumë për tand vlla e i kishin thanë se “ai është një dobiç dobiçit që mund bëjnë këso punërash”. Prandej Sigurimi i Shtetit dyshon mbi ty.
    -Ndigjo – i thashë tim vllaut – ke me shkue te ai që merret me ata e thuej kështu: “Dhelpna kambëkëputun nuk bjen në kurthe për të dytën herë” – thote populli.
    E kuptova se familja ime, sadoqë ishte në nji vend tepër të izoluem, nuk ishte për mue nji strehë e sigurtë. Un tashma kishem ndigjue se konsiderohej si „familje e prekun“ jo vetëm për pasuninë, sa edhe për shkakun tim, por sepse ndër dajat e mij kishin pushkatue 10 vetë, të gjithë vllazën e nipa të nanës sime. Jo veç kaq, por kur nipi i nanës, Fran Miri, ndiqej gjithkund prej forcave të Sigurimit, kishin torturue në mënyrën ma barbare edhe babanë tim e vllaun e vogel tue pvetë „ku e keni mshefë Fran Mirin?“. Pra un nuk kishem pse jetoj ma pranë familjes, jo që ai vokacjoni im ishte nji tjetër: shërbimi i fesë.
    Ndër ato ditë ndodhi diçka e posaçme. Mbasdite mali u rrethue prej forcave të ndjekjes. Ata bllokuen të gjitha rrugët që çojshin ndër katund e ograja, ndër ksolla të bagtive e në afërsitë e pyjeve. Baba e pruni tufën e deleve ma herët se tjera dit. Edhe vllau, e të gjithë tjerët, u mblodhën ma herët në shtëpi. Të gjithë pvetshim njani-tjetrin: A i pe këtu, a i pe atje? Cubit, qenit tim, i dhanë me hangër herët dhe e nxuerën jashtë. Në familjen tonë ishte si zakon me hangër vonë. Ata ushtarët e forcave të ndjekjes i kishin shti të gjithë në mendim. Sikur pritej dishka e zezë. Mue nuk ma thojshin, por e shifshem se dyshohej për nji tjetër arrestim tim. Nuk dij çka të thom, por ma gjakftofti atë natë ishem un. Nuk vonoi e u ndigjuen të lehunat e egra të cubit (qenit). Ato erdhën tue u avitë e tue u egërsue.
    -Cubi po lehë ndër njerëz – tha baba. Këndej po vijnë...po, po, këndej po afrohen.
    Ndërsa fliste baba shtohej trishtimi ndër njerzët e shpisë. Të gjithë, pa frymë, ndiqshin të lehunat e qenit që avitej. Kunata u çue prej stolit e shkoi në odën mbrapa me pa fëmijët që i kishte vu në gjumë, apo, ndoshta, me mshef ndoj gjasen. Ajo kthei mbas pak pikë e vner. Tashma cubi jashtë ishte tërbue. U ndigjuen njerz që flasin e kërcënohen. Edhe të shame. Kur hynë n’oborr njani thirri:
    -O i Zoti i shpisë!
    Kunata duel vrap me nji fener në dorë. Ajo e uli fenerin në shkallë dhe u turr vrap me kapë qenin. Po kë të kapte? Cubin? Ai ishte tërbue krejtësisht. Njani prej atyne i kishte sjellë armën, por ai i kishte kërcye e kapë aq fort sa gadi me ia hjekë duarsh. Ata dy tjerët i kishin sjellë gryket për ta vra. Thirrën ata, thirri edhe kunata pse nuk ishte e zoja me e ndalue qenin. Atëherë me turr duel im vlla, e kapi për qafe e i lmoi kryet cubit. Vetëm atëherë qeni e lshoi prej goje pushkën.
    Hynë mbrendë, u falën me të gjithë. U lyshem kryet e vendit pranë votrës. Zjarrmi ishte flakadà, sepse jashtë ishte dimën. Nuk ndigjuen me u ule në krye të vendit, por u rreshtuen mbas meje. Ishin tre ushtarakë pa grada në supe, veshun me kapota të thinta. Armët i varën ndër kuja. U banë përshëndetjet formale edhe mandej nji farë prezantimi: prej dy palve buzëqeshje të rreme. Ata treguen se kishin ardhë me nji shërbim, porse, nga shpejtimi, nuk kishin marrë bukë me vedi dhe se na e kishin mësy për darkë.
    -Bujrum! Bujrum, - u tha im at e mirëse u pruni Zoti.
    Ata atëherë hoqën edhe kapotat e u çliruen këpucësh e filluen muhabetin:
    -Ama, ky qeni juaj ishte trimi i trimave, tamam për dekoratë.
    -Për nji plumb – thashë un që e njifshem gjuhën e tyne.
    -Jo, jo – tha – se për ta vrarë këtë duhen shumë plumba: një breshëri e tërë. Un e them me gjithë mend se, po ta kishte secila shtëpi nga një qen të tillë, ne do ta kishim shërbimin shumë më të lehtë, sepse ky përveç njerëzve të familjes nuk lejon asnjë t’afrohet dhe nuk dallon nëse janë miq o armiq. Ky shoku deshi ta vriste kur u vërsul e kapi armën, por s’e lashë unë: është dëm të vritet një qen i tillë.
    Mandej me ambëlsi u zhvilluen gjithfarë bisedash: mbi planet e detyrimet, mbi reformat e deri për letërsinë e më tha se aij i pëlqente shumë Vehbi Skenderi, i cili kishte fitue edhe çmimin e parë. Un nuk pata ma kurrfarë dyshimi: ai ishte nji oficer i dërguem për mue. Un iu ruejta provokimeve të tija dhe sa herë ai fliste me nënqeshje o gjysëtallje për reformat e planet e Pushtetit, un i mbrojshem ato gjakftohtë me arsyetime sofistike. Në mënyrë të tërthortë e të largtë kërkohej mendimi im për banimin e profesionin. Un, pothuej krejt të kjartë ua bana me dijtë se do të ngulshem në Shkodër, mbasi atje duhet t’ishin dokumentat e gjendjes civile e së profesionit të priftit nuk kishem pse t’i largohem mbasi ishte nji dishir i gjithë jetës. Ai ma kshilloi me mirsi heqjen dorë nga priftnia, se nuk ka ma kurrnji perspektivë për t’ardhmen: Un – tha ai – jam i bindur, që nuk do të kalojë shumë kohë dhe priftërinjtë do të vdesin nën këmbët e urave, pa strehë, mbasi populli nuk shkon mbas tyre dhe nuk u jep gjë prej gjëje.
    Mbasi hangrën e pinë, u veshën e u mbathën, muerën armët e duelën jashtë tue u përshëndetë me gjithë zemër, sidomos me mue.
    -Sa gojëambel ishte ky burri këtu – tha baba im.
    - Po, more po, - iu përgjegja – por mos të qitet Zoti ndër duer të tija se ky ta ban gjamën. Shihej se ishte oficer, kishte edhe shkollë, ky të përdredhë mirë. Mbas nja nji çerek ore, u ndie nji krismë pushke e vetme.
    -Tash po hiqet rrethimi – tha vllau.
    U pa e kjartë se kishin ardhë vetëm për mue. Nuk kishem si të rrij ma gjatë në shpi. N’e nesre im vlla më thirri anash e folëm gjatë e gjatë. I kishte hi friga për t’ardhmen time.
    -Sigurisht – i thashë – që do ta kemi shumë të vështirë, por nuk kthehem mbrapa: Besoj!
    Njatje kah mbasditja tue ndejë rreth votrës vetëm për vetëm me nanën, po më thotë:
    -Ndigjo biri em: të gjithë janë kundër që ti të kthehesh në Kuvend e me u ba frat. Por ti ban si ta thotë ajo mendja jote e e ke bekimin tem: Zoti ta priftë mbarë ndër të gjitha rrugët e tua.
    Mbas nja katër-pesë ditësh un dola përsri prej shpije. Kso here, kur u ndava i lashë të gjithë me lot ndër sy. U solla e u thashë “E pse kjani? Un jam tue dalë i gjallë e jo i dekun, vetëm për dekunin kjahet”. Me me percjelle erdh vllau i madh. Kishte ngarkue kalin me miell grunit e me mish thiut; atje ku shkon – me tha – jetohet me triska e ti nuk i ke.
    Kur mbrrijta ne fund t’oborrit, solla kryet. Fetyrat e trishta te prindve sikur thirrshin: “Djale, ku po mbytesh? A e shef stuhine? Kthehu!“ Por un vazhdova para. Vetem mjegull. Gjithshka mjegull. Shifshem vetem nji kryq. Eca mbas tij.“

  10. #10
    i/e regjistruar Maska e Brari
    Anëtarësuar
    23-04-2002
    Postime
    18,826
    tema

    -

    Dëshmia e gjenocidit mbi elitën intelektuale shqiptare
    Nga Orhan Sakiqi
    Disa ditë më parë në një nga sallat e Muzeut Historik Kombëtar u zhvillua një ceremoni e thjeshtë në promovimin e librit të z.Tomorr Aliko: “Genocidi mbi elitën intelektuale të kombit shqiptar”.

    Ky libër, siç thotë autori, është një dokument i krimeve të pafalshme të diktatorit Hoxha ndaj intelektualëve. Në fakt, libri është një enciklopedi biografike më të dhëna për çdo figurë, të marrë që nga gjyqet “speciale” të marsit 1945, opozita e parë e “Bashkimit Demokratik Shqiptar” e deri te varja e Havzi Nelës, më 1989. Pra, është një periudhë historike 45-vjeçare, ku edhe protagonistët kanë qenë të shumtë. Duke qenë vetë i dënuar politik për 17 vjet dhe i internuar deri në vitin 1990, autori me siguri i ka njohur mjaft prej figurave, duke i trajtuar ato me respekt dhe dashuri që e meritojnë.

    Origjinaliteti i autorit është se ai i ndan në kapituj, pothuajse 700 personazhet e tij, jo sipas kohës së persekutimit apo të burgut, por sipas profesionit: juristë, pedagogë, inxhinierë, mjekë, ekonomistë, administratorë, oficerë të karrierës, klerikë, gra, të rinj dhe familje të mëdha. E këtu patjetër të bie në sy sesi ka mundur regjimi komunist të zhdukë mbartësit e qindra vjetëve të universiteteve më të mira të perëndimit si të Parisit, Vjenës, Romës Londrës.

    Siç thotë autori, ata u dënuan, sepse donin Shqipërinë e bashkuar, donin që atdhedashuria e fituar në familjet fisnike nga ku rridhnin, si edhe kultura e marrë në perëndim të vihej në shërbim të popullit të shumëvuajtur. Por të tjera interesa kishte regjimi, prandaj ata u emëruan “armiq të popullit”, duke u eliminuar pa gjyq ose me gjyqe të kurdisura.

    Sigurisht, në këtë shkrim nuk marr përsipër të analizoj të gjitha figurat që janë renditur në libër. Nga autori ata sa janë përmendur, me një jetëshkrim të shkurtër. Për secilin prej tyre mund të shkruash dhjetëra faqe që do ta plotësonin enciklopedinë e Alikos.

    Si profesionit, unë do të trajtoj pak më gjerë disa inxhinierë që përmenden në libër, por edhe disa që nuk përmenden. E kjo, sepse gjatë këtyre 50 vjetëve të profesionit ata më janë shfaqur pothuajse në çdo hap nga tregime të dëgjuara ashtu fshehurazi nga kolegët apo të afërmit e tyre, apo me disa prej tyre që i kanë shpëtuar dënimit kapital. Më këta kam bashkëpunuar në ndërtime rrugësh, kanalesh banesash etj:

    Viti 1967. Më dërgojnë nga projektimi të punoj në komunale si drejtues në mbushjen e gropave të rrugëve. Aty punonte si shtytës i rulit të dorës Skaharim Beqiri që kishte mbaruar ‘Fultz’-in. Mbas njëfarë konfidence që shkoi disa vite, Skaharimi më tregoi për të vëllanë, ing. Kujtim Beqirin, varur nga regjimi për sabotim në tharjen e kënetës të Maliqit:

    “Nga disa miq të mi marr vesh se Kujtimin do ta arrestojnë së shpejti. Marr një makinë të rastit dhe arrij në mesnatë në Maliq. Kërkoj Kujtimin dhe e gjej në zyrë duke punuar mbi projektet e hapura. I them që të largohet drejt kufirit, sepse mund të burgoset së shpejti”. Kujtimi i përgjigjet: “Do ta kesh gabim, se, sikur e sheh, unë po punoj ndershmërisht. Po të ikja, puna do të ngelte në mes edhe do ta kem gjithë jetën peng kudo që të shkoj. Braktisja e punës së filluar nuk është në karakterin tim”.

    Të nesërmen, Kujtimin, yllin e universitetit të Vjenës e arrestuan dhe më vonë e varën me një gjyq të montuar nga regjimi. E pra, këto fjalë të thjeshta mbase duhen shtuar për ta bërë më të plotë figurën e ing. Beqirit.

    Për vite të tëra kam punuar me Skënder Kosovën. Ai ishte arrestuar më 1946, në moshën 19-vjeçare si pjesëmarrës në grupin e studentëve të Bashkimit Demokrat, dënuar me 8 vjet burg. Ai ishte një teknik i përkryer dhe punëtor i palodhur. Qindra metra të kanalizimeve të Tiranës me thellësi të mëdha janë drejtuar dhe montuar nga ai, kur ishte i dënuar dhe më vonë, kur u lirua nga burgu. Kur e shikon sot, 80-vjeçarin Kosova, ashtu pak të kërrusur, por gjithmonë me humor, nuk mund të mos të të shkojë mendja te ajo punë e madhe e kryer prej tij e shokëve të tij akoma sot e papaguar me gjithë fjalët e shumta.

    Në punën e tij fisnike sigurisht z. Aliko nuk mund t’i rrokte gjithë ato figura madhore të inxhinierisë shqiptare që kaluan kalvarin e burgut komunist. Aty mungon ing. Vasil Noçka. Më kanë treguar se ai bëri disa vërejtje, kur u ndërtua fabrika e peshkut në Vlorë. Këtu desh u morën për sabotim, por inxhinierët gjermanë të pranishëm në vepër morën përgjigje nga Gjermania: “Çfarë të thotë Noçka, është e drejtë, sepse ai është me titull “Inxhinier Shteti”.

    Po ashtu, mungon i urti ing. Thoma Filipeu, projektuesi i sa e sa veprave ujitëse. Sekretar për vite me radhë i Ministrisë së Punëve. Mungon ing. Lutfi Strazimiri, projektuesi i urave të Kukësit e të tjerë.

    Për plotësimin e saj si çdo enciklopedi ajo kohë pas kohe duhet shtuar e plotësuar. Është detyrë e familjarëve të të pushkatuarve apo të të dënuarve, si edhe miqve apo dashamirësve të tjerë që me plotësimet e tyre ta ndihmojnë z.Tomorr në këtë barrë fisnike që ka filluar.

    Me gjithë ftesat e bëra, ra në sy mungesa e qeveritarëve dhe përfaqësuesve të partive politike të djathta, me përjashtim të z Alimadhi. Kjo duket diçka e çuditshme, në kohën kur në Washington përurohet Monumenti i Viktimave të Komunizmit. Historia mëson që krimet që harrohen mund të përsëriten, prandaj edhe këtu, në vendin ku në krahasim me popullsinë viktimat kanë qenë më të shumta, përurimit të një monumenti të tillë i ka kaluar koha. Të paktën, le ta shohin sa janë gjallë z. Aliko dhe shokët e tij.



    .

    -------

Faqja 0 prej 4 FillimFillim 12 ... FunditFundit

Tema të Ngjashme

  1. At Zef Pllumi - Deshmia e se Vertetes
    Nga Xhuxh Xhumaku në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 5
    Postimi i Fundit: 08-04-2015, 19:34
  2. At Zef Pllumi - "Rrno vetem per me tregue"
    Nga NoName në forumin Komuniteti katolik
    Përgjigje: 14
    Postimi i Fundit: 27-12-2013, 18:13
  3. Atë Zef Pllumi - “Nderi i Kombit"
    Nga NoName në forumin Komuniteti katolik
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 04-07-2006, 18:25
  4. Rrno per me tregue - At Zef Pllumbi
    Nga NoName në forumin Komuniteti katolik
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 26-03-2006, 17:38

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •