Duhen edhe 90 minuta deri në mbyllje të kampionatit 2004-2005, por nëse në krye gjithçka është vendosur (përveç vendit të katërt për Ligën e Kampioneve), diskutimi për rënien në Serinë B është ende i hapur. Verdiktet matematike janë shtyrë për javën e fundit dhe java e parafundit ka caktuar vetëm shpëtimin e Romës dhe zbritjen një kategori më poshtë të Atalantës. Përsa i takon pjesës tjetër, nëntë skuadra rrezikojnë seriozisht. Ndonjë prej tyre edhe teorikisht, sepse mungon siguria matematike e shpëtimit. Shtatë ndeshjet (Bolonja-Sampdoria, Fiorentina-Breshia, Inter-Rexhina, Leçe-Parma, Palermo-Lacio, Roma-Kievo dhe Siena-Atalanta) përfshijnë 9 skuadra që të dielën e ardhshme do të prodhojnë në aspektin aritmetik 2.187 kombinacione rezultatesh. Për shembull, është 27 mundësia e arritjes me pikë të barabarta për 4 skuadra (Bolonja, Parma, Breshia e Siena). Atëherë shikojmë se cilat rezultate mund të "shpëtojnë" skuadrat. Fillojmë nga gjendja e më të mirave. Tri formacione gjenden në kuotën e 43 pikëve. Janë Lacio, Leçe e Rexhina. Një pikë i shpëton. Dhe asnjë prej tyre, nëse humb, mund të zbresë në Serinë B direkt, por në rast të disa rezultateve ndryshe, rrezikojnë.
Lacio, 43 pikë - Nuk mund të bjerë direkt në rast humbjeje, por mund të rrezikojë në rast të një kombinimi rezultatesh (43) me Kievon, Leçen, Sienën dhe Rexhinën. Renditja e fryrë do të ndëshkonte menjëherë Lacion, që duhet të zhvillojë një ndeshje shtesë (është në epërsi me ndeshjet direkte ndaj Leçes, Rexhinës e Sienës).
Leçe, 43 pikë - E vetmja nga ekipet me 43 pikë që ka edhe një ndeshje direkte për të luajtur, me Parmën. Leçe shpëton nëse nuk humbet. Por edhe duke humbur ka shpresa të shpëtojë, për shembull nëse Breshia ose Kievo nuk fitojnë, ose sërish nëse Siena, Breshia apo Bolonja nuk fitojnë. Ka edhe ndonjë mundësi për ndeshje shtesë, ku Leçe mund ta shohë veten në krah të Sienës dhe është e detyruar të luajë ndaj toskanëve ndeshje shtesë për të shpëtuar. Ose mund të gjendet me pikë të njëjta me shumë skuadra, ku vendimtare do të bëhej renditja, që në disa raste mund t'i ndëshkojë puljezët.
Rexhina, 43 pikë - Është në një situatë të mirë. I mjafton të mos humbasë, por edhe në rast humbjeje është e shpëtuar, nëse Leçe nuk humbet me Parmën, ose Siena nuk fiton. Përndryshe mund të qëndrojë me 43 pikë si Siena e Leçe. Në këtë rast do të shihet diferenca e golave të përgjithshëm. Dhe kujdes, kjo aktuale do ta ndëshkonte Rexhinën me një ndeshje shtesë. Por gjithçka është virtuale, sepse do të jenë vendimtare golat e shënuar dhe të pësuar të tri skuadrave në javën e fundit.
Kievo, 42 pikë - Nëse mund Romën, shpëton në "Olimpiko". Shpëtimi kalon përmes fitores. Nëse barazon, shpëton, gjithnjë nëse Breshia nuk fiton, përndryshe njëra mes Parmës, Bolonjës e Sienës nuk duhet të fitojë. Nëse këto hipoteza nuk plotësohen, Kievo do të mbetej me 43 pikë, së bashku me Sienën e Leçen, por kjo renditje do ta ndihmonte.
Bolonja, 41 pikë - Në "Dal'Ara" vjen Sampdoria, ende në garë për një vend në Champions. Për të shpëtuar, pa llogari të tjera, duhet vetëm të fitojë. Nëse barazon, mund të shpresojë që Breshia të fitojë dhe që Siena apo Parma të mos fitojnë. Bolonja është në disavantazh në takimet direkte me Lacion, Fiorentinën e Breshian. Edhe në rast humbjeje, skuadra e Macones mund të shpëtojë. Për shembull nëse Breshia të paktën barazon dhe Parma humb në Leçe ose nëse Siena humb. Por mund të verifikohet edhe një ndeshje shtesë, Bolonja-Siena, nëse toskanët barazojnë.
Breshia, 41 pikë - Nëse fiton takimin direkt me Fiorentinën, shpëton. Përndryshe hapen hipoteza të ndryshme. Një barazim e shpëton, nëse Siena nuk fiton ose njëra mes Parmës e Bolonjës humb. Mund të ndodhë të ketë edhe një grup ekipesh, 3-4, me 42 pikë, me Kievon, Bolonjën e Parmën. Breshia ka në favor takimet direkte me dy të fundit. Edhe nëse humb, skuadra e Kavazinit shpreson të qëndrojë në A, sepse, për shembull, nëse Bolonja e Parma humbasin, në rast fitoreje të Sienës, Breshia do të luante ndeshje shtesë me Bolonjën (Parma menjëherë në B). Në të njëjtën kohë, nëse Siena humb, Breshia do të luante ndeshje shtesë me Parmën.
Parma, 41 pikë - Duke fituar sfidën me Leçen, shpëton. Në rast barazimi, Parma duhet të shpresojë që Breshia të fitojë dhe një mes Sienës e Bolonjës të humbë. Përndryshe mbyllen hipotezat e shumta të arritjes së disa skuadrave me pikë të barabarta (42). Parma është e favorizuar në takimet direkte vetëm me Rexhinën dhe e barabartë me Lacion, dhe është e ndëshkuar me Bolonjën, Fiorentinën, Breshian e Kievon. Në rast humbjeje, Parma shpreson të qëndrojë, nëse Fiorentina nuk fiton dhe Siena humbet. Një renditje e barabartë me Bolonjën e Breshian do ta shikonte Parmën të luante ndeshje shtesë me Breshian (Bolonja shpëton).
Siena, 40 pikë - Duke fituar ndaj Atalantës së Serisë B, tashmë nuk është e thënë se mund të shpëtojë. Duhet të shohë rezultatet e të tjerëve dhe duhet të shpresojë që Fiorentina të fitojë apo barazojë, ose njëra mes 3 skuadrave që ka sipër të mos fitojë. Toskanët janë favoritë në takimet direkte me Lacion e Kievon, ndërsa është në barazim me Leçen, Rexhinën, Bolonjën e Breshian. Nëse barazon, Siena mund të shpresojë vetëm që Fiorentina të humbasë dhe që njëra mes 3 skuadrave me 41 pikë, të humbasë ose barazojë. Nëse disa skuadra arrijnë në kuotën e 41 pikëve, përfshirë dhe Sienën, kjo e fundit duhet të luajë ndeshje shtesë.
Fiorentina, 39 pikë - Pret Breshian për takimin më kyç të javës. Është e detyruar të fitojë, nëse barazon ose humb, shkon drejt e në B. Por edhe duke fituar, vjollcëve u duhen lajme të mira nga fushat e tjera. Për shembull, që Siena të mos fitojë ose njëra mes Parmës apo Bolonjës të humbasë. Fiorentina mund të shpëtojë edhe me një renditje me 42 pikë, me Bolonjën e Parmën: dy të fundit do të zhvillonin një ndeshje shtesë dhe vjollcët do të festonin. Fiorentina është në epërsi me ndeshjet direkte me Leçen, Parmën, Bolonjën e Kievon.
Vuçiniç: Do të shënoj edhe ndaj Parmës
Një sezon për t'u kujtuar për Mirko Vuçiniçin. Sulmuesi serbo-malazez, me 18 golat e tij, po e shpëton Leçen, edhe pse nuk ka mbaruar ende: "Të shënosh, për çdo lojtar është një moment ekzaltues, - tha Vuçiniçi. - Për një sulmues është diçka speciale. Sa keq që matematika ende nuk na siguron shpëtimin. Tani duhet të mendojmë për Parmën. Do të jetë një javë shumë përkushtuese, ku ne duhet të punojmë shumë. Shpresoj të shënoj ndaj Parmës. Jam i sigurtë që tifozët tanë nuk do të mungojnë me mbështetjen e tyre. Shpëtimi është i të gjithëve".
Zamparini: Objektivi ynë është Makinua
Objektivi i Palermos për sezonin e ardhshëm është nigeriani Makinua. Kështu thotë të paktën presidenti siçilian, Mauricio Zamparini: "Jemi të interesuar për Makinuanë, por nuk e kemi marrë ende. Nga Piaçenca do të rikthehet Pepe. Guidolin? Konfirmoj që do të largohet. Mes së hënës dhe së martës së ardhshme do të zbuloj emrin e trajnerit të ri".
Krijoni Kontakt