Kjo është shifra e deklaruar nga mbrojtësit e të drejtave të njeriut. Kurse presidenti Karimov tha se ishin vrarë 30 vetë. Qindra vetë emigrojnë në Kirgizi
Bashkimi Evropian e akuzon Karimovin se ka qëlluar pa të drejtë mbi demonstruesit. SHBA-ja e shqetësuar, kurse Rusia deklaroi se e mbështet presidentin e Uzbekistanit
Presidenti Karimov i Uzbekistanit më në fund ka dalë dje me një deklaratë rreth ngjarjeve të dy ditëve më parë në Andixhan, ku trupat qeveritare hapën zjarr ndaj mijëra demonstruesve të mbledhur që kërkonin liri dhe drejtësi. "Mos u gaboni, - tha ai. - Këta persona nuk ishin demonstrues. Ata ishin një sekt radikal islamist që organizoi këtë kryengritje të armatosur në Andixhan, mori pengje dhe kontrollin e zyrës së kryetarit të bashkisë”. Sipas korrespodentit të BBC-së, Karimov shtoi se më vonë këta persona i bënë thirrje familjeve të tyre të vinin në shesh, jo si demonstrues, por si mburojë njerëzore. Presidenti dukej i lodhur dhe foli për më shumë se dy orë. Interpretimi i ngjarjeve nga ana e tij ishte ndryshe nga ai i dhënë nga banorët në Andixhan. Një ndryshim themelor qëndron te numri i të vdekurve. Karimov tha se 10 anëtarë të shërbimeve të sigurisë dhe kalimtarë ishin vrarë. Ai tha se pala tjetër kishte më shumë të vrarë, por ai nuk e dinte se sa.
Kurse aktivistë të të drejtave të njeriut thonë se rreth 300 trupa të vdekur gjenden në rrugët e Andixhanit. I pyetur se kush ishin ata mijëra vetë të mbledhur në shesh, zoti Karimov tha se ata kishin ardhur për t'i treguar respekt të vdekurve. Ai shtoi se tashmë në Andixhan nuk kishte më demonstratë. Në Andixhan, banorët vendës thonë se turma e mbledhur në shesh është kaq e madhe, saqë nuk mund ta numërosh dot. Ata bëjnë thirrje për liri, drejtësi, vende pune dhe disa edhe për dorëheqjen e presidentit Karimov.
Raportimet janë nga më të ndryshmet rreth asaj ç’ka ndodhur dhe ç’po ndodh me të vërtetë në Uzbekistan. Deri tani janë deklaruar shifra të ndryshme të viktimave nga media, zyrtarët, dëshmitarët apo mbrojtësit e të drejtave të njeriut. Sipas VOA-s, përpara gjakderdhjes së madhe, forcat e rendit në Uzbekistan i dëbuan kryengritësit nga një ndërtesë qeveritare dhe nga sheshi i qytetit Andijan, gjatë shpërthimit të përleshjeve në qytetin e katërt më të madh të kësaj ish-republike sovjetike. Po sipas të njëjtit burim, ende nuk dihet numri i viktimave, por dëshmitarët thonë se të paktën një person u vra, kur trupat hapën zjarr mbi mijëra protestues të mbledhur në qendër të qytetit. Si rezultat i përleshjeve të mëparshme humbën jetën 9 vetë dhe u plagosën 34 të tjerë. Zyrtarët thonë se dhuna filloi të enjten, kur kryengritësit sulmuan një burg për të liruar 23 afaristë islamikë që po gjykoheshin nën akuzat për përpjekje për të formuar një grup ekstremist. Dëshmitarët thonë se kryengritësit kapën 10 policë peng dhe liruan nga burgu 2 mijë të burgosur.
Sipas radios “Evropa e Lirë”, presidenti i Uzbekistanit, Islam Karimov, e ka fajësuar organizatën islamike "Hizb ut Tahrir", për dhunën ndërmjet protestuesve dhe forcave të sigurisë, që lanë shumë të vdekur. Në një konferencë në Tashkent, ai tha se beson që protestat në Andijan janë organizuar nga i njëjti grup, i cili në mars pati organizuar protesta në jug të Kirgizisë, me qëllimin që ta rrëzonin qeverinë. Karimov deklaroi se në përleshjet e dy ditëve më parë janë vrarë rreth 30 njerëz, por burimet spitalore bëjnë të ditur se numri të vrarëve kalon mbi 50 vetë.
Ndërkohë, të paktën 1 mijë uzbekë kanë kaluar në Kirgizi, derisa trupat qeveritare po përpiqen të vendosin kontrollin në Andijan. Një zëdhënës i rojeve kufitare të Kirgizisë i tha radios “Evropa e Lirë”, se disa refugjatë kanë hyrë në rajonin Nooken të vendit të tij.
"Afër fshatit Barash në rajonin Noken, rreth 500 vetë kanë hyrë në territorin e Kirgizisë. Ata janë ndaluar nga forcat kufitare dhe tani jemi në fazën e vendimit se a duhet t'i kthjemë ata në Uzbekistan",- tha Gulmira Borubayeva.
Protestuesit, shumica familjarë të atyre që dy ditë më parë humbën jetën apo u plagosën, shprehen të zemëruar nga aksioni i forcave të sigurisë, të cilat hapën zjarr ndaj grave dhe fëmijëve.
Në Andijan, gazetarët e mediave të huaja kanë thënë se janë urdhëruar që për arsye të sigurisë, sot të largohen nga qyteti. Mbrëmë në Uashington, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Scot McClellan, u bëri thirrje të gjitha palëve që të përmbahen. Bashkimi Evropian e akuzoi presidentin Islam Karimov për dhunën, duke thënë se nuk u ka kushtuar kujdes të mjaftueshëm të drejtave të njeriut dhe uljes së varfërisë, ndërsa Rusia tha se e mbështet plotësisht presidentin Karimov.
Marre nga gazeta "Shekulli"
Krijoni Kontakt