Nga Shekulli



Feti Borova, njeriu i topshportës, katrorëve bardhezi dhe...


Skifter Këlliçi

Vërtet një bisedë e pamundur, Feti, as sot, as në vjeshtë të këtij vit, kur kisha ndërmend të vija në Shqiqëri. Dhe midis miqve më të mirë, kisha kaq mall të të takoja ty. Por ja që një vdekje aksidentale, nga ato më banalet që po ndodhin në rrugët tona, pikërisht një aksident mizor të rrëmbeu jetën, ashtu siç e mësova nga shtypi këto ditë. Megjithatë, miku im, ato që do të të rrëfeja kur të vija, po i hedh në letër, duke ndier se një lëmsh po më mblidhet në grykë nga ngashërimi.
Duhet të hidhem në të largëtin vit 1949, kur të njoha për herë të parë… Midis mësuesve të kulturës fizike që po përgatitin manifestimin sportiv në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”, ishe dhe ti, më i riu, që sapo kishe përfunduar gjimnazin. E pashë që sporti ishte pasioni yt më i madh kur një ditë po luaje së bashku më basketbollistë të tjerë të “Tiranës”, Vlash Koliakën, Dilaver Dilaverin, Vangjel Kojën, Xhoxhi Kojën… në parkun sportiv “Rinia”. Ishe pak më i shkurtër se të tjerët, por po aq i shkathët sa ata, gjithnjë ndër më të mirët. I tillë mbete për vite. U njoha me ty kur që në vitin e parë të gjimnazit “Qemal Stafa” të pata mësues të kulturës fizike, kur na fute në shpirt dashurinë për basketbollin, që për mua mbeti një nga pasionet më të mëdha pas futbollit.
Unë, si bashkëmoshatarët e mi, krenohesha kur ti shënoje pike dhe i jepje fitore skuadrës së Tiranës. Krenohesha, kur të shihja pastaj duke luajtur edhe shah, por jo si amator, përkundrazi, si një nga shahistët më të mirë të Shqipërisë, pjesëmarrës në sa e sa kampionate krahas shahistëve të njohur të asaj kohe si Skënder Çarçani, Fatos Omari, Teodor Siliqi, Bujar Sorir Qiriaku, Gaspër Shoshi…
Midis këtyre dy sporteve krejtësisht të kundërta, ti sakrifikove katrorët bardhezi. I sakrifikove për hir të topshportës, fjalë që ti kishe kaq dëshirë që të zëvendësonte fjalën në anglisht “basketboll”, apo në italisht “palacanestro”. Por, gjithsesi, le në këta katrorë emrin e shahistit që do të kishte pasur të ardhme aq sa edhe në basketboll e volejboll, ku fërshëllima e bilbilit tënd nga kulla e gjyqtarit sinjalizonte edhe gabimet më të vogla dhe nazike të këtij sporti nazik… Dhe si gjyqtar i këtij sporti ishe, pa më të voglin dyshim, më i miri.
A të kujtohet, Feti, seria e ndeshjeve me vojelbollistët rumunë në verën e vitit 1954, kur ty t’u besua të gjykoje disa prej tyre? Rumunët me gjigantin Roman, asokohe nga më të mirët në Evropë, jo vetëm u habitën nga niveli i gjykimeve të tua, por edhe të përgëzuan. Unë i vogël isha atëherë, por këto i mbaj mend mirë. A të bie ndërmend edhe më 1959, kur gjykove ndeshjen midis përfaqësueses sonë dhe asaj gjermano-lindore në parkun “Studenti”? Edhe aty volejbollistët e këtij vendi, që më pas do të bëheshin të njohur edhe në botë, të përgëzuan për gjykimin e saktë dhe profesional, ndryshe nga një koleg i yti, shqiptar, që i dha padrejtësisht fitoren ekipit tonë “Partizani” në ndeshjen me skuadrën e famshme “Dukla” të Pragës, duke lënë përshtypje jo të mira edhe te sportdashësit tanë. Nuk na duhej një fitore e tillë.
Por të kthehem te basketbolli. Erdhi një çast dhe ti, Feti, u ndave nga ky sport si lojtar, por jo nga fusha, jo nga topi, jo nga shokët. Tani ti ishe trajneri i “17 Nëntorit”, skuadër që u rrit nga duart e tua, duke i dhënë së bashku me “Partizanin”, ”Vllazninë” e “Lokomotivën”, ato emocione që shtilleshin në pallatin e sportit “Partizani”. Vaso Shaka, Muhamet Përmeti, Kujtim Kasmi, Kosta Papa, Bujar Shehu, Gavrosh Levonja e sa e sa të tjerë te “17nëntori” a te përfaqësuesja u stërvitën nën drejtimin tënd. Midis tyre do të kisha dashur të isha edhe unë, se dhe unë u bëra pjesëtar i “17 Nëntorit”, krahas virtuozit Fatmir Meka, Boris Bumçit, Niazi Lleshit dhe të riut Renato Radoja… Por unë kuptova se nuk do të bëheha kurrë basketbollist i mirë, aq më tepër kur pashë Radojën. Ishim bashkëmoshatarë, por… ku unë e ku ai! Dhe u shkëputa nga basketbolli, por për t’u takuar me ty, këtë radhë para mikrofonit, unë si gazetar në Radio Tirana e ti si trajner. Sa e sa intervista kemi bërë bashkë pas ndeshjeve në fushë a në studio!... Ti shpreheshe aq saktë, sa që një ditë folësja e njohur Vera Zhei, tek po të dëgjonte në Radio, më tha se mund të bëheshe një komentator i rrallë sportiv. Këtë dëshirë kisha edhe unë. Por kur të pyeta, ti m’u përgjigje se kjo mund të ndodhte më pas…
Dhe kishe të drejtë. Basketbollit i duhej një trajner si ti, i pajisur me gjuhë të huaja si italisht, rusisht, frëngjisht, madje edhe pak rumanisht. Gjuhë jo vetëm për të folur, por edhe për të lexuar libra teorikë për të rejat e basketbollit botëror.
Sa herë kemi biseduar tok rreth artikujve studimorë që lexonim në shtypin e huaj për lojërat me dorë. Sa herë kam parë në bibliotekën tënde libra nga më të rinjtë që blije kur dilje me ekipet tona jashtë shtetit!
Rrëfimi im për ty, shoku im i mirë, po i afrohet fundit. A të kujtohet me sa dëshirë punoje edhe si pedagog në IKF “Vojo Kushi’? Më thoje se lodheshe, se pasdite duhej të shkoje në stërvitjen e ekipit, por, megjithatë, edhe e ndieje veten të kanaqur. Kur u shëpute vitet e fundit edhe nga puna e trajnerit mund të kishe qenë pa dyshim komentatori më i mirë i TVSH-së, por, mjerisht, nuk të ftuan ata që ia hynë kësaj punë pa pasur këllqe, duke bërë “komente” të thata e të mërzitshme. Duke u ndodhur para ekranit këtu në Boston, në çdo rast që shoh ndeshje të NBA-së, ligës së basketbollit amerikan, të kam kujtuar ty, i dashur mik. Kështu ndodhi dhe atë mbrëmje kur po ndiqja ndeshjen e gjashtë, midis Bostonit dhë Indianës. Dhe ja, në interval, duke u ulur pranë kompjuterit nëpërmjet internetit, në shtypin tonë lexova lajmin gjëmëmadh. Ti ishe ndarë tashmë nga ne. M’u ndërmendën shokët e tu, që aq shumë të kanë respektuar për çiltërinë, ndershmërinë, pjekurinë, dashamirësinë dhe, mbi të gjitha, thjeshtësinë tënde. Ata të kanë përcjellë në banesën e fundit, ata janë ndodhur pranë familjarëve të tu. Sa do të kisha dashur që edhe unë të kisha qenë midis tyre në ato çaste të dhimbshme. Ata të kanë kujtuar e të kujtojnë. Rrëfejnë për ty ngjarje nga jeta jote nëpër fushat e basketbollit, pista të shahut e më pas të volejbollit. Edhe unë, Feti, ato që do të kisha dashur t’i rrëfeja ato ditë të vjeshtës së ardhshme kur do të jem në Tiranë, i hodha në këto radhë që t’ua bëj të njohur tashmë lexuesve, të cilët do të njihen kështu me ty, me njeriun që la gjurmë të pashlyeshme në topshportë, në katrorët bardhezi dhe me bilbilin e tij të saktë.



08/05/2005