Gjergj Erebara - 02/05/2005
Shqiptarët, besim i ulët te valutat
Sipas të dhënave të Fondit Monetar Ndërkombëtar, shqiptarët rezultojnë populli me nivelin më të ulët në përdorimin e valutave të huaja, mes gjithë vendeve të botës në zhvillim
Çfarë është dollarizimi
Dollarizimi është një koncept ekonomik që përmbledh përdorimin ligjor ose joligjor të dollarit në një ekonomi tjetër kombëtare. Gjatë viteve të fundit, me daljen e euros, termi “euroizim” i është bashkëngjitur termit “dollarizim”. Për këtë arsye, dollarizimi nuk nënkupton domosdoshmërisht përdorimin e dollarit në një ekonomi, por, para së gjithash, përdorimin e një monedhe të huaj në një ekonomi. Njihet në forma të ndryshme se disa popuj përdorin një monedhë të huaj, pasi nuk besojnë te monedha kombëtare (dollarizimi real). Shumë qeveri (p.sh. Maqedonia) vendosin kufizime ligjore ndaj këtij fenomeni si ndalimi ligjor i pranimit të pagesave në monedhë të huaj apo ndalimi i tërheqjeve cash nga bankat në monedhë të huaj.
Lidhja e monedhës është një lloj dollarizimi, i përdorur veçanërisht në Amerikën Latine, ku monedhat kombëtare u lidhën me një kurs fiks të këmbimit me dollarin si mjet për të garantuar stabilitet makroekonomik. Në disa vende si Argjentina, procesi dështoi me krizë të fortë ekonomike. Në Ballkan monedha të tilla të lidhura janë marka e konvertuar bosnjake dhe leva bullgare.
Shqiptarët janë popull që dallohen për nivelin e lartë të besimit që kanë te monedha kombëtare. Megjithëse vendi ka normë shumë të lartë të liberalizimit ligjor të përdorimit të monedhave të huaja në krahasim me vendet fqinje dhe, megjithëse interesat e ofruara nga monedha kombëtare kanë rënë ndjeshëm gjatë viteve të fundit, shqiptarët njihen sërish si përdorues të ulët të monedhave të huaja.
Sipas të dhënave të publikuara në një studim të Fondit Monetar Ndërkombëtar, përdorimi i monedhave të huaja në ekonominë shqiptare është shumë nën mesataren, fenomeni është matur në të gjitha vendet në zhvillim.
Sipas studimit, “Dollarizimi e arriti pikun në Shqipëri në gusht të vitit 2002, pak muaj pasi akuzat politike për mungesën e sigurisë së depozitave në lekë sollën tërheqjen masive të parakohshme të depozitave në bankat, nën pronësi publike”. Por, pas kësaj, besimi te monedha kombëtare u kthye dhe niveli i dollarizimit u ul sërish.
Sipas statistikave, gjatë vitit 2004 vetëm 29,6% e depozitave në banka ishin në valutë të huaj kundrejt mesatares prej 47,9% që është niveli i depozitave në valutë të huaj kundrejt totalit të depozitave në vendet e tjera të Europës Qendrore dhe Lindore.
Përsa i përket parasë në qarkullim, në Shqipëri vetëm 20,9% e saj është në valutë të huaj, ndërsa në vendet e tjera është mesatarisht 34,6%.
Liberalizim ligjor
Bankierët e huaj tregojnë se Shqipëria është një vend shumë liberal nga pikëpamja ligjore, përsa i përket pagesave në monedhë të huaj. Bankat nuk kanë asnjë lloj kufizimi; disa prej tyre vlerësojnë veçanërisht faktin se mund të kryejnë pagesa në valutë të huaj nëpërmjet bankomateve, ATM, gjë që në disa vende nuk lejohet.
Në Shqipëri mund të nënshkruhen, që nga viti 1996, kontrata me vlera të shprehura në monedhë të huaj, mund të marrësh pagën mujore në monedhë të huaj etj. Vetëm bilancet duhet që detyrimisht të mbahen në monedhën shqiptare.
Pavarësisht nga ky nivel liberalizimi ligjor, qytetarët janë gjithmonë të prirur ta pranojnë lekun si mjet pagese në jetën e përditshme. Realisht, është shumë e vështirë të paguash në monedhë të huaj për mallrat e konsumit të përditshëm. Rastet e publikimit të çmimeve në monedhë të huaj janë shumë të ralla. Vetëm pronat e paluajtshme apo makinat shiten dhe blihen në monedhë të huaj.
Përsa i përket borxhit publik, Shqipëria është një nga vendet e pakta që nuk ka kryer deri më sot emetim bonosh thesari apo obligacionesh në monedhë të huaj.
Sjellja e bankave
Ndonëse shqiptarët besojnë te monedha kombëtare, bankat e nivelit të dytë kanë treguar më pak besim gjatë viteve të fundit. Vetëm gjatë vitit 2004 bankat u përpoqën për herë të parë ta rrisin kredinë në lekë. Ndërkohë, kreditimi i pjesës më të madhe të aseteve në valutë të bankave të nivelit të dytë i ka shtyrë këto të fundit të kërkojnë më shumë depozita në valutë. Gjatë vitit të fundit vërehet se pjesa dërrmuese e bankave i reklamojnë masivisht depozitat në euro apo në dollarë, dhe fare pak ose aspak depozitat në lekë.
Ndonëse diferenca mes interesave reale të depozitave në lekë dhe atyre në valutë ka rënë ndjeshëm gjatë viteve të fundit, shqiptarët sërish përdorin lekun.
Kalimi nga dollari në euro
Deri në vitin 2002 shqiptarët përdornin masivisht dollarin si mjet pagese, pavarësisht se burimi kryesor i të ardhurave të tyre, remitancat nga emigrantët, ishin në euro. Por, pas vitit 2002 dollari u nënçmua ndjeshëm kundrejt euros dhe lekut shqiptar dhe të gjitha çmimet e emetuara deri në atë kohë në dollarë u kthyen në euro. Kjo valë i dha fund një situate, paksa të çuditshme, për shkak se kanalet e hyrjes së dollarit në Shqipëri ishin të kufizuara në krahasim me nivelin e lartë të përdorimit, si dhe për faktin se Shqipëria ishte vendi i vetëm në Ballkan që përdorte dollarin në vend të euros. Zhvlerësimi i dollarit në tregun ndërkombëtar solli edhe largimin e kësaj monedhe nga duart e shqiptarëve.
Gjatë viteve të fundit në Shqipëri disa ekspertë kanë hedhur idenë e një lidhjeje më të fortë të monedhës kombëtare me euron, si mjet për afrimin më të shpejtë me zonën ku synojmë të integrohemi, por kjo gjë ka mbetur deri tani vetëm ide.
Krijoni Kontakt