Nënkryetari i PD-së, i sigurt për fitoren e opozitës në zgjedhjet e 3 korrikut ...
- Zoti Topi, cilat janë disa nga avantazhet e PD në këtë fushatë elektorale?
Partia Demokratike, gjatë opozitës më të vështirë që mund të ketë pasur një parti politike, ka ditur të mbrojë vlerat më të qenësishme të shoqërisë shqiptare, ndërkohë kur pushteti socialist vuajti gjatë këtyre viteve nga një sëmundje mjaft e rëndë, që erdhi gjithmonë duke u rënduar, sikurse ishte korrupsioni. Kjo e bëri shtetin të paqenë. Gjatë këtyre tetë viteve të qeverisjes së mbrapshtë të PS, një pjesë e vogël e zyrtarëve të dalë dhe nga platforma e ideologjisë së majtë përfundoi në një grup, një grupim i vogël njerëzish në formën e klanit, që në një mënyrë ose një tjetër e zhvatën pasurinë kombëtare dhe krijuan një polaritet të jashtëzakonshëm ekonomik: një pjesë shumë e vogël njerëzish shumë të pasur dhe nga ana tjetër, një shoqëri e gjerë, e cila vuan nga papunësia, standardet më të ulëta ekonomike dhe shoqërore. Nga kjo pikëpamje, Partia Demokratike është forcë e shpresës, e cila nga ana e saj ka projektuar një të ardhme me një platformë shumë të qartë politike, për të rikthyer besimin tek shteti, institucionet dhe për t'u kthyer besimin qytetarëve tek gjithçka që është brenda standardeve perëndimore.
- Sa do t'i shërbejnë fitores marrëveshjet e fundit që keni nënshkruar me aleatët e spektrit të djathtë dhe të djathtës së qendrës?
Çdo marrëveshje e këtij karakteri politik, me aleatët që janë pozicionuar në të djathtë, është sa funksionale, aq edhe reale, por gjithsesi ka edhe karakter psikologjik. Kështu që unë mendoj se koalicioni i gjerë opozitar, më i madhi i krijuar në këto vite pluralizëm, do t'i shërbejë asaj fryme që projektohet në elektorat. Mendoj se PD është tashmë mazhorancë reale, por realisht ka edhe grupime shoqërore që përkrahin partitë e vogla, që janë në krahun e djathtë. Kështu që synimi ynë është të bëjmë që i gjithë fluksi elektoral i djathtë të shkojë pikërisht tek ky koalicion, për të siguruar mazhorancën absolute në parlament.
- Çfarë ju bën juve të besoni se do të realizoni të gjithë ato premtime të cilat keni bërë?
Sepse ne kemi arritur të njohim fare mirë diagnozën e sëmundjes që ka pllakosur tërë institucionet shtetërore, që drejtohen nga socialistët dhe kemi gjetur terapinë më të përshtatshme të mjekimit të kësaj sëmundjeje. Në radhë të parë, është platforma antikorrupsion, por me orientime shumë të qarta në të gjitha fushat e zhvillimit ekonomik dhe shoqëror, çka do të thotë që qytetari të përfaqësohet nga njerëz me integritet moral dhe profesional, që do të bëjnë të mundur realisht daljen nga kjo gjendje katastrofike që sot pllakos në të gjitha institucionet.
- A besoni se do të kemi kësaj radhe zgjedhje të lira?
Unë mendoj që Partia Socialiste, gjatë gjithë këtyre kohëve, ka demonstruar një vullnet politik negativ për të realizuar zgjedhje sipas standardeve, por klima e përgjithshme politike, shoqërore, presioni mjaft i madh institucional i institucioneve ndërkombëtare, do ta vendosë Partinë Socialiste para pozicionit, detyrim me përcaktim për të zhvilluar zgjedhje brenda standardit. Edhe opozita, nga ana e saj, partitë e opozitës dhe e tërë struktura e Partisë Demokratike, janë praktikisht në funksion për të riparuar listat, dhe për t'i ndërtuar në një infrastukturë zgjedhore, të aftë për t'i fituar zgjedhjet dhe mbrojtur ato.
- Si do të veprojë opozita nëse diçka nuk shkon mirë?
Ne, natyrisht, do të jemi nën monitorimin e institucioneve ndërkombëtare të vëzhguesve, të cilët, nga ana e tyre, më shumë se një herë kanë dhënë ultimatum për Partinë Socialiste. Çka do të thotë se, nëse ato nuk i nënshtrohen verdiktit popullor, do t'i nështrohen dënimit të institucioneve ndërkombëtare. Dhe ju e dini se ç'do të thotë të biesh në dënimin e institucioneve ndërkombëtare. Do të thotë të dënohesh mjaft rëndë për fajin e bërë.
- Zoti Topi, në garën elektorale për zgjedhjet parlamentare të 3 korrikut ju kandidoni në zonën nr.31 të kryeqytetit. Çfarë u ofroni zgjedhësve të kësaj zone?
Së pari, unë ju ofroj linjën politike dhe alternativën politike ku unë bëj pjesë, ju ofroj personalitetin tim, të cilin e kam demonstruar në jetën institucionale dhe publike. Ju ofroj ndershmërinë dhe karakterin, duke i garantuar ata që do të kenë një përfaqësim, jo vetëm në vlera të larta të moralit, por edhe të profesionalizmit, të cilin unë e kam fituar në jetën time profesionale, por edhe atë politike.
- Më konkretisht, ku konsiston platforma juaj për zgjidhjen e problemeve më të ngutshme që lidhen me furnizimin me ujë, energji elektrike dhe gjithçka tjetër që lidhet me jetën e përditshme të këtyre qytetarëve?
Unë kam bërë një platformë të qartë specifike për zonën, që rrjedh nga platforma politike e gjerë e Partisë Demokratike. Kjo është një zonë mjaft heterogjene nga pikëpamja e prejardhjes së popullsive, se ka zonë të vjetër, por ka edhe zonë të re urbane, por një zonë me standarde të ndjeshme, të ndryshme nga njëra-tjetra. Këtu do të shikoni që, jo më shumë se sa një kilometër nga bulevardi qendror i Tiranës, njerëzit jetojnë në kushte mesjetare, nuk kanë asnjë shkollë ku fëmijët të shkojnë dhe ta ndjekin nga afër. Ka një papunësi të lartë. Ka një infrastukturë mizerabël përsa i përket asaj rrugore, furnizimit me energji elektrike dhe ujë. Pra, ajo që unë i ofroj kësaj zone, me një platformë të qartë, është integrimi në të gjitha senset e mundshme në jetën e kryeqytetit, me devizën për ta bërë popullsinë e kësaj zone të barabartë midis të barabartëve. Është një rrugë, sigurisht e vështirë, por me një përfaqësim dinjitoz, të ndershëm dhe profesional, duke mos e lënë këtë zonë të harruar. Pra, duke e bërë këtë zonë tepër të diferencuar nga zonat preferenciale të Tiranës, do të bëj që kjo zonë të gëzojë realisht rezultatet e platformës së Partisë Demokratike dhe times, personalisht.
- Si e gjykoni përballjen me kundërshtarët tuaj politikë kur dihet tashmë që PS ka kandiduar prefekten aktuale të Tiranës, Mimi Kodheli?
Strategjia, në radhë të parë, bazohet në konsolidimin elektoral të të gjitha strukturave të Partisë Demokratike, alternimin e strukturave me të gjitha grupet shoqërore që janë të interesuara për ndryshim, në krijimin e një stafi mjaft të gjerë elektoral, ku do të jenë të pranishme të gjitha interesat e zonës, aplikimi i fushatës elektorale dhe kontakti me çdo njeri në këtë zonë, për të bërë të mundur prekjen e drejtpërdrejtë të realitetit të ndryshimit.
- Më konkretisht, si do t'i vlerësonit kundërshtarët tuaj?
Kundërshtarët janë përfaqësues të partive politike, kundërshtare politike me ne. Nuk kam ndonjë koment të veçantë për kundërshtarët. Do të thoja që gjithsecili duhet të paraqitet realisht dhe të mos premtojë tani në fushatë elektorale ato që ka pasur mundësi t'i realizojë kur ishte në një pozicion administrativ, që i takonte për të përmbushur nevojat e komunitetit. Di që njëri nga kundërshtarët ka qenë në Bashkinë e Tiranës dhe tani është prefekte e Tiranës, ka pasur shumë mundësi që të bënte për këtë zonë, por fakti që i kthen kësaj zone premtimet, tregon se nuk është realizuar ajo që banorët kanë pritur në të kaluarën. Kështu që, nuk është më koha e premtimeve, është koha e ndryshimeve dhe e realizimit konkret, mbi bazën e një platforme serioze dhe të realizueshme.
- A mendoni se mund t'ju favorizojë përplasja në këtë zonë e kandidatëve të PS e LSI që gjithsesi duken se janë potencialë?
Unë asnjëherë nuk kam qenë i varur i konjukturave politike në kampin kundërshtar. Unë, së pari, besoj në forcën e linjës së djathtë, që është konfiguruar mjaft qartë në forcat e mia dhe njerëzit që do të bashkëpunojnë me mua. Se ç'ndodh në kampin tjetër, është një çështje që u takon vetëm atyre.
- Tashmë që PD dhe opozita e bashkuar po shkon e sigurt drejt fitores në zgjedhjet e 3 korrikut sipas jush, sa e përgatitur është ajo për qeverisjen e nesërme?
Ekziston një klimë jashtëzakonisht optimiste, sepse nga njëra anë kemi një tregues të lartë të pakënaqësisë popullore për qeverisjen aktuale. Nga ana tjetër, ekziston edhe shpresa për rikthim të Partisë Demokratike, e cila ka ditur që jo vetëm të bëjë opozitaren, por vitin e fundit, ajo ka hedhur me shumë profesionalizëm mjaft skema të platformës mbi bazën e së cilës mund të realizojë qeverisjen e ardhshme. Besoj se jemi pikërisht në fillim të fushatës zyrtare elektorale dhe PD po përmbyll listën e ekipit elektoral, i cili do të rezultojë fitues i zgjedhjeve të 3 korrikut. Ka qenë një proces i gjatë i kualifikimit të kandidaturave dhe besoj se po zgjidhen kandidaturat më përfaqësuese dhe pas kësaj gare, brenda strukturave të Partisë Demokratike besoj se të gjithë janë të ndërgjegjshëm se do të mbështetet ai kandidat që do të jetë kandidati zyrtar i Partisë Demokratike.
Krijoni Kontakt