Pyetjet që nuk i bëhen sot Sali Berishës
Nga Mero Baze
Kritikët veteranë të Sali Berishës i kanë pasur gati pyetjet, që do t’ia bënin sot atij, nëse disa gjëra nuk do të ndryshonin shpejt dhe befasisht kohët e fundit. Para çdo Kongresi, prej vitit 1992, atij i është kujtuar se nuk pranon disidentët brenda partisë. Si ilustrim është marrë Pashkoja, Imami, Zogaj, etj. Pyetja tjetër e gatshme ishte se ka flakur tej bashkëpunëtorët e tij në qeveri. Me këtë rast i është kujtuar Ruli, Uka, etj. Pyetje më të reja kanë pasur të bëjnë me armiqësitë e reja, të krijuara brenda PD-së pas vitit 1997 dhe sidomos me ikjen një ditë para Kongresit nga gara të Genc Pollos, në vitin 1999. Dhe kryepyetja retorike që përpiqej të krijonte alibi, ishte se PD nuk ka platforma dhe njerëz për të qeverisur. Tashmë që KOP ka promovuar disa pjesë të platformës së qeverisjes dhe ka bërë publike disa figura shpresëdhënëse për qeverisje, kjo pyetje është rralluar. Por, në të vërtetë, janë rralluar ose zhdukur nga qarkullimi të gjitha këto pyetje. Sot që Berisha çel një Kongres, ku demonstron bashkimin e së djathtës dhe shpresat për rikthimin në pushtet, kritikët kanë ngritur si pyetje dhe pikëpyetje traditën e vjetër të PD. Pyetjet që ngrihen tani janë; pse Sali Berisha ka kthyer Gramoz Pashkon, Preç Zogajn dhe Arben Imamin, pse ka ftuar të kandidojnë Genc Rulin dhe Rexhep Ukën, pse po bashkëpunon prapë me Genc Pollon dhe kundërshtarët e pas vitit 1997, dhe së fundi pse ka sjellë këta djemtë e rinj në PD, të cilët po u prishin punë të vjetërve. Të gjitha pyetjet e reja, natyrisht më parë kanë pasur përgjigje, por tani përgjigjet kanë rënë. Për më tepër, pyetësit nuk janë të paqartë, por janë thjesht të shqetësuar nga ndryshimi real i opozitës dhe Berishës. Nëse mbledh titujt e disa gazetave anti-Berishë të disa viteve më parë, kur ai çelte Kongresin, ka pasur plot helm dhe egërsi për kandidimin e tij, qoftë dhe me kandidatë formalë përballë. Mbaj mend se në vitin 1999, ditën e Kongresit, kur iku Genc Pollo, një ish- gazetë afër PD, hapej me titullin: “Berisha po përsërit 26 Majin”, ndërkohë që më 27 Maj ishte hapur me titullin “Komunistët ikën”… . Sot nuk ka më pyetje tradicionale për Sali Berishën. Ata që mendonin se kritikët e tij kanë qenë të shqetësuar për fatin e opozitës, tani që ajo është e bashkuar, janë kundër saj. Në vitin 1997, kjo kategori ishte ajo që thoshte se ishin pro PD dhe kundër Berishës. Tani kanë filluar të shfaqen me teorinë se janë pro Berishës, por kundër opozitës së bashkuar. Në të vërtetë kjo ka qenë dëshira e tyre e vjetër. Nuk kanë ndryshuar pyetjet, por janë shtuar pikëpyetjet që kanë ata nga frika reale se mos opozita vjen në pushtet.
Krijoni Kontakt