Shën Maksim Rrëfimtari lindi në Konstandinopojë rreth vitit 580 dhe u rrit në një familje të devotshme të Krishterë. Ai mori një edukim të shkëlqyeshëm, studoi filozofi, gramatikë dhe retorikë. Ai kish lexuar shumë nga autorët e lashtësisë dhe zotëronte mirë filozofinë dhe theologjinë. Kur Shën Maksimi hyri në shërbim të qeverisë, ai u bë sekretari i parë (asekretis) dhe këshilltari kryesor i perandorit Herakli (611-641), i cili u impresionua nga dija dhe jeta e virtytshme e tij.
Shën Maksimi e kuptoi shpejt se perandori dhe shumë të tjerë ishin korruptuar nga herezia Monothelite, që po përhapej me shpejtësi në Lindje. Ai dha dorëheqjen nga detyrat e tij në oborrin perandorak, dhe shkoi në manastirin e Krisopolis (në Skutari që është në krahun tjetër të Bosforit), ku u hirotonis si murg. Falë përulësisë dhe diturisë, ai fitoi shumë shpejt dashurinë e vëllezërve të cilët e zgjodhën igumen(abot) të manastirit pas pak vitesh. Edhe pse në këtë detyrë ai vazdhoi të jetë një murg i thjeshtë.
Në vitin 638, perandori Herakli dhe Patriarku Sergjio u munduan që të minimizonin dallimet në besim dhe lëshuan një edikt të quajtur, "Ekthesis" ("Ekthesis tes pisteos" që do të thotë "Ekspozim i Besimit"), që dekretonte se të gjithë duhet të pranonin mësimin e një vullneti në dy natyra të Shpëtimtarit. Për të mbrojtur Orthodhoksinë nga "Ekthesis", Shën Maksimi u foli njerëzve të profesioneve dhe pozitave të ndryshme dhe përpjekjet e tij dhanë sukses. Jo vetëm klerikët dhe peshkopët por edhe njerëzit dhe zyrtarët laikë ndjenë një farë simpati të padukshme për të, siç kemi mësuar nga dëshmitë mbi Jetën e tij.
Kur Shën Maksimi e pa se çfarë rrëmuje krijoi kjo herezi në Konstandinopojë dhe në Lindje, ai vendosi që të largohet nga manastiri dhe të strehoet në Perëndim, ku Monothelitizmi ishte refuzuar plotësisht. Gjatë rrugës ai vizitoi peshkopët e Afrikës dhe i forcoi në Orthodhoksi dhe u dha kurajo që të mos mashtroheshin nga argumentet dinake të heretikëve.
Këshilli i Katërt Ekumenik e kishte denoncuar herezinë e Monofisite, e cila u mësonte njerëzve në mënyrë të gabuar se Zoti ynë Krisht kishte vetëm një natyrë(natyrën hyjnore). Të influencuar nga ky mendim i gabuar, heretikët Monothelitë thoshin se Krishti kishte vetëm një vullnet hyjnor ("thelema)" dhe vetëm një energji hyjnore ("energia"). Ata që besonin Monothelitizmin kërkonin që të ktheheshin nga një rrugë tjetër tek herezia e hedhur poshtë e Monofisitizmit. Monothelitizmi gjeti shumë mbështetës në Armeni, Siri, Egjipt. Herezia arriti në atë shkallë sa mbolli një urrejtje midis kombeve dhe u bë një rrezik serioz për unitetin e Kishës së Lindjes. Lufta e Orthodhoksisë me herezinë ishte e vështirë pasi në vitin 630, 3 frone patriarkale të Kishës Orthodhokse të Lindjes mbaheshin nga Monothelitë: Konstandinopoja nga Sergji, Antioku nga Athanasiu dhe Aleksandria nga Kirus.
Shën Maksimi udhëtoi nga Aleksandria në Kretë ku ai filloi aktivitetin e predikimit. U përplas atje me një peshkop që mbështeste mendimet heretike të Severit dhe Nestorit. Shenjtori kaloi 6 vjet në Aleksandri dhe zonat përreth.
Patriark Sergji vdiq në fund të vitit 638 kurse perandori Herakli vdiq në vitin 641. Froni perandorak u zu nga nipi i tij Konstans II (642-668), një mbështetës i hapur i herezisë së Monothelitëve. Sulmi i heretikëve kundër Orthodhoksisë u intensifikua. Shën Maksimi shkoi në Kartagjenë dhe predikoi atje për 5 vjet. Kur Monotheliti Pirro, pasuesi i Patriarkut Sergj, erdhi në Kartagjenë pas largimit nga Konstandinopoja falë intigrave të oborrit perandorak, ai kaloi orë të tëra duke debatuar me shënjtorin. Si rezultat, Pirro e pranoi publikisht gabimin e tij dhe u lejua që të marri përsëri titullin e "Patriarkut". Ai bile shkruajti edhe një libër ku rrëfente Besimin Orthodhoks. Shën Maksimi dhe Pirro udhëtuan për në Romë që të vizitonin Papa Theodorin, që e priti Pirron si Patriark të Konstandinopojës.
Në vitin 647 Shën Maksimi u kthye përsëri në Afrikë. Atje, në një këshill të peshkopëve, Monothelitizmi u denoncua si herezi. Në vitin 648, u lëshua një edikt i ri i përpiluar nga Patriarku Pavli i Konstandonipojës dhe mbështetur nga perandori Konstans: "Typos" ("Typos tes pisteos" që do të thotë "Modelet e Besimit"), që i ndalonte debatet mbi një apo dy vullnetet e Zotit Jisu Krisht. Shën Maksimi e pyeti atëherë Shën Martin Rrëfimtarin (14 Prill), pasuesin e Papa Theodhorit, që ta shqyrtonte çështjen e Monothelitizmit në një Këshill të Kishës. Këshilli Lateran u mbajt në tetor të vitit 649. 150 peshkopë perëndimorë dhe 37 përfaqësues nga Orthodhoksia e Lindjes ishin të pranishëm, në mes tyre edhe Shën Maksim Rrëfimtari. Këshilli e denoncoi Monothelitizmin dhe ediktin e Typos. Mësimet e gabuara të Patriarkëve të Konstandinopojës Sergj, Pavël dhe Pirro u anathemuan(çkishëruan).
Kur perandori Konstans II mori vendimin e Këshillit, ai dha urdhër që të arrestonin të dy, Papa Martinin dhe Shën Maksimin. Urdhri i perandorit u vu në vend vetëm në vitin 654. Shën Maksimi u akuzua për tradhëti dhe u fut në burg. Në vitin 656 ai u dërgua në Trakë dhe më vonë u kthye përsëri në një burg në Konstandinopojë.
Shenjtori dhe dy prej dishepujve të tij iu nënshtruan torturave më çnjerëzore. U prenë gjuhën, dhe shenjtorit i prenë edhe krahun e djathtë. Pastaj i surgjynosën në Skemari të Skithia, dhe vuajtën shumë vështirësi gjatë udhëtimit.
Pas tre vjetësh, Perëndia i shfaqi Shën Maksimit orën e vdekjes së tij (13 gusht, 662). Tre qirinj që digjeshin në mënyrë të mrekullueshme iu shfaqën mbi varrin e tij. Kjo ishte një shenjë që Shën Maksimi ishte një fanar i Orthodhoksisë gjatë jetës së tij, dhe vazhdon të ndriçojë si një shembull i virtytit për të gjithë njerëzit. Shumë shërime kanë ndodhur tek varri i tij.
Në Prologun grek, 13 gushti përkujton Transferimin e Relikave të Shën Maksimit në Konstandinopojë, por mund të jetë edhe dita e vdekjes së shënjtorit. Ka mundësi që kujtimi i tij kremtohet në 21 Janar, pasi më 13 gusht është dita e Festës së Shpërfytyrimit të Zotit.
Shën Maksimi i ka lënë Kishës një pasuri të madhe theologjike. Veprat e tij eksegjetikale(shpjegim kritik) që përmbajnë shpjegime të pasazheve të vështira nga Shkrimi i Shenjtë, një Koment mbi Lutjen e Zotit dhe Psallmin 59, "scholia" ose "marginalia" të ndryshme (komente të shkruara anash dorëshkrimeve), dge traktatin mbi Hieromartirin Dhionis Areopagjitin (3 tetor) dhe Shën Grigor Theologun (25 janar). Ndër veprat eksegjetikale të Shën Maksimit janë edhe shpjegimi i tij i shërbesave hyjnore i titulluar "Mystagogia" ("Prezantim në lidhje me Misterin").
Veprat dogmatike të Shën Maksimit përfshijnë Ekspozimin e debatit të tij me Pirron, dhe disa dorëshkrime dhe letra drejtuar njerëzve të ndryshëm. Në to gjejmë shpjegime të mësimeve Orthodhokse mbi Esencën Hyjnore dhe Personin e Trinisë së Shenjtë, mbi Mishërimin e Fjalës së Zotit dhe mbi "theosis" ("hyjnizimin") e natyrës njerëzore.
"Asgjë në theosis nuk është produkt i natyrës njerëzore", shkruan Shën Maksimi në një letër drejtuar shokut të tij Thalasit, "sepse natyra nuk mund të kuptojë Perëndinë. Vetëm falë mëshirës së Perëndisë që ka kapacitetin që të dhurojë theosis mbi të gjallët... Në theosis njeriu (shëmbëllimi i Zotit) bëhet i ngjashëm me Zotin dhe gëzon në gjithë bollëkun që nuk i jepet atij nga natyra, sepse hiri i Shpirtit triumfon brenda tij, dhe sepse Zoti vepron brenda tij" (Letra 22).
Shën Maksimi shkruajti gjithashtu vepra antropologjike (p.sh në lidhje me njeriun). Ai ligjëron mbi natyrën e shpirtit dhe ekzistencës së tij të ndërgjegjshme pas vdekje. Ndër shkrimet e tij mbi moralin, i një rëndësie të veçantë është "Kapitulli mbi Dashurinë". Shën Maksimi shkruajti gjithashtu 3 himne sipas himnografisë më të mirë të traditës së kishës, duke ndjekur kështu shembullin e Shën Grigor Theologut.
Theologjia e Shën Maksim Rrëfimtarit, e ngritur mbi përjetimin e dijes nga Etërit e Mëdhenj të Shkretëtirës dhe duke përdorur artin mjeshtëror të dialektilëve te punuar nga filozofia para-Kristiane, u vazhdua dhe u zhvillua në veprat e Shën Simeon Theologut të Ri (12 Mars) dhe Shën Grigor Palamas (14 Nëntor).
Krijoni Kontakt