
Postuar më parë nga
EveryWare
Revista Java, Prishtinë
Shkruan: Bardhyl Metaj
Dosjet politike, gjithherë krijojnë, Dosje të reja...
Akuzat e PDK-ës dhe arsyetimet e Ramë Bujës
Bardhyl Metaj
Të gjitha vendet e ish Bllokut Socialist dhe vendet postdiktatoriale, kanë thyer shpatat për hapjen apo moshapjen e Dosjeve Politike. Përgjithësisht, dosjet trajtohen si të “pavlera”, duke pas parasysh autorët, qasjen dhe kriteret që ishin aplikuar për përpilimin e tyre. Më tepër shërbejnë si dëshmi inkriminuese për Sistemin dhe vartësit e tij. Të tilla janë edhe Dosjet politike të Serbisë, për shumë personalitete Kosovare, me një dallim. Serbia ende mundet, dhe ndoshta edhe shantazhon përmes tyre! Njëkohësisht, në Kosovë “po ngjajnë” Dosjet e reja Politike! Kush don, heton kend don!
Kështu të paktën shpalosej ky fenomen në Intervistën e Adriatik Kelmendit, në KTV, me Ramë Bujën, pas aferës së quajtur “Materiali i dërguar në UNMIK, nga PDK-ja” dhe fantomit “Sigurimi i Atdheut”. Nuk do të merremi këtu, me fajësinë apo pafajësinë, si dhe fatin e epilogun e protagonistëve të akuzuar rëndë, ngase akuzat tashmë janë objekt i policisë dhe organeve përkatëse, por po shqyrtojmë dilemat dhe rreziqet, të cilat i bartë me vete fakti i ekzistimit të konstrukteve paralele e parapolicore në Kosovë, në kuadër të ndonjë partie politike.
Gjatë Intervistës së përmendur, Ramë Buja, funksionarë i lartë i PDK-së dhe kandidat i saj për President të Kosovës, me një e vetëkënaqësi të jashtëzakonshme, dhe një entuziazëm të dukshëm, u humb në labirinttin e pyetjeve shumë logjike të Adriatik Kelmendit, dhe sikur të fliste një Kryeministër i intervistuar me rastin e një suksesi, të njërës nga Ministritë e tij, arsyetonte plotë gojë aktivitetet e ndërmarra në Parti, rreth përpilimit të disa dosjeve politiko-“policore”. “Çdo gjë, kishte rrjedhë pa dijen e iniciativën e Kryesisë së PDK-ës!”, si akt i “anëtarëve të devotshëm” dhe “veprimtarëve të vullnetit të mirë”, të cilët janë vetorganizuar dhe si aktivistë “të natyrës tjetër të informimit”, kishin survejuar, përgjuar, fotografuar dhe përcjellë: Presidencën, Ministrat dhe personalitete politike, aktivistë partiakë, por edhe të tjerë, të cilët për momentin nuk i dimë.
Ramë Buja tha edhe shumëçka në atë emision, por po veçoj edhe këtë: Kemi, shumë më shumë të dhëna, detaje dhe dëshmitarë...! Ne, tashmë dimë, se me emra dhe mbiemra, përmenden rreth 200 persona.
Natyrshëm, por edhe nga frika, i thahet pështyma çdonjërit dhe pyet: Po dosjet e tjera, kur do të hapen?
Ato për Gazetarë, Kryeredaktorë, Botues, Biznismenë e personalitete të tjera të papërshtatshme politike, apo një dreq e din çfarë?
A mund të garantojë kush në këtë mes se sa larg është shkuar dhe do të shkohet nga “anëtarët e devotshëm” në këtë veprimtari? Kush e kontrollon apo i ka frenat e këtij konstrukti organizativ?
Siç ngjanë me të gjitha konstruktet e ngjashme parashtetrore, edhe tek ky, të cilin na e përshkroi z. Ramë Buja, nuk dihet akoma e gjithë gama e veprimtarisë. Pyetjet thelbësore mbeten: Kundër kujt, për kend, ku dhe kur fillon veprimtaria e tillë ”politiko-policore”? Pastaj, deri në çfarë shkalle dhe kur mbaron kjo masë partiako - “policore”?
Me vendim të kujt, në Parti?! Të Kryesisë, Kryetarit, Kuvendit apo...?
E dimë, sepse është në natyrën e Dosjeve, të gjinden për shantazh dhe denime. Dihen edhe konsekuencat për një shoqëri, ku X organizma parashtetrorë bëjnë Dosjet për personalitete të ndryshme. Por, ta shtjellojmë pak fenomenin Devotshmëri?
Shembujt historikë na dëshmojnë se devotshmëritë njerëzore nuk kanë kufij. Dhe, se “të devotshmit” nuk kontrollohen gjatë, edhe nga vetë-vetja, e lëre më nga shefat, të cilët një kohë kanë kanalizuar energjitë e tyre! “Anëtarë të devotshëm” ka gjithandej, e jo vetëm në PDK, por edhe në LDK e AAK, Ora dhe LPK, LKÇK, etj, së këndejmi përfundimet që mund të nxjerrim mbi përleshjet “eventuale”, janë të zeza korb! Si realiteti ynë!
Por, duhet ta dinë të gjithë se Devotshmëria dhe Atdhedashuria nuk i sigurojnë askujt Licencë Ekskluzive për veprimtari ilegale apo edhe legale, ngase, si dukuri, nuk kanë gjithherë parashenjë Pozitive, në aspektin dhe dimension moral.
Devotshmëria, nuk është licencë dhe aq më pak përligj aktet apo veprimtaritë siq na e servon z Buja.
Mbetet edhe këtë herë pa përgjigje dilema, nëse janë deformimet partiake rezultat i mungesës së Kreativitetit të mirëfilltë politik, dhe në vend se të kanalizohen energjitë kreative për shtet, ato po prodhojnë “Dosje Politike” dhe, rrjedhimisht, edhe Sindromin e Vietnamit. Me një fjalë, po e lanë “Drejtësinë” në duar të Individëve!
Prandaj mbetet kërcnimi i kohës: Çfarë të bëjmë të gjithë ne, por edhe UNMIK-u dhe shteti ynë i brishtë, nëse këta individë - shumëllojesh e fatesh të ndryshme - marrin në dorë drejtësinë dhe, si të devotshëm e të vrullshëm që janë, nisin t’i ekzekutojnë viktimat? Që përkthyer do të thotë: në “emër të Kosovës”, palosin Kosovën përtoke!
Për të gjitha vrasjet politike në Kosovë, pa asnjë përjashtim, pa harruar edhe këtë të fundit, të Enver Haradinajt - dihet vetëm një gjë - se janë ekzekutime të Dosjeve të ndryshme politike. Të tjerat janë spekulime. Por, me to duhet të merret ekskluzivisht policia dhe shteti.
Partitë, Mediumet dhe Shoqëria civile, kanë detyra të tjera. Hapja dhe jo mbyllja e perspektivave për bashkëqytetarë dhe anëtarë të devotshëm, është detyrë e politikës. Dosjet politike, gjithherë kanë krijuar, Dosje të reja.
Krijoni Kontakt