Njëri prej besimeve të zakonshme të paarsyeshme për vdekjen është se “reinkarnimi” është i mundshëm. Reinkarnimi nënkupton se me vdekjen fizike të trupit, shpirti migron ose lind përsëri në një trup tjetër me identitet të veçantë në një kohë dhe vend tjetër. Së voni, është shndërruar në një lëvizje të çoroditur që joshë shumë përkrahës prej jobesimtarëve dhe pasues të besimeve paragjykuese.
Në aspektin teknik, arsyet pse përkrahen besime të tilla paragjykuese – pa pasur mbështetje në çfarëdo dëshmie konkrete – janë shqetësimet që jobesimtarët ushqejnë në ndërdijen e tyre. Duke mos besuar në Ahiret (Jetën e përtejme), njerëzit i frikësohen zhbërjes së plotë të tyre pas vdekjes. Ata që kanë besim të dobët, në anën tjetër, i shqetëson mendimi i përfundimit në xhehenem pasi që janë të vetëdijshëm, apo së paku e marrin parasysh mundësinë, se drejtësia e Allahut përmban ndëshkimin e tyre. Mirëpo, për të dyja palët, ideja e rilindjes së shpirtit në trupa tjerë në kohëra të ndryshme tingëllon si tejet joshëse. Kështu, qarqet e caktuara të cilat e shfrytëzojnë këtë besim të çoroditur ia arrijnë qëllimit që t’i bëjnë njerëzit të besojnë në këtë ide të gabuar me ndihmën e një mashtrimi të vogël. Fakti se pasuesit e tyre nuk kërkojnë ndonjë dëshmi tjetër i inkurajon përpjekjet e këtyre spekulatorëve.
Fatkeqësisht, një besim kaq i çoroditur gjen përkrahës edhe në qarqet Myslimane. Këta janë kryesisht ai tip i Myslimanëve që bëjnë çmos që të projektojnë një imazh intelektual dhe liberal për veten e tyre. Ekziston edhe një tjetër dimension serioz lidhur me këtë çështje që vlen të përmendet; njerëz të tillë përpiqen që t’i vërtetojnë pikëpamjet e tyre me ndihmën e vargjeve Kuranore. Për këtë qëllim, ata i shtrembërojnë kuptimet e qarta të vargjeve dhe fabrikojnë interpretimet e tyre Kuranore. Qëllimi ynë këtu është të theksojmë se ky besim i çoroditur është në mospërputhje të plotë me Kuranin dhe Islamin dhe tërësisht në kundërshtim me ajetet e Kuranit që janë absolutisht të sakta.
Këto qarqe pretendojnë se ekzistojnë disa ajete në Kuran të cilat vërtetojnë pikëpamjet e tyre të shtrembëruara. Njëri prej këtyre ajeteve është:

Ata (jobesimtarët) thonë: "Allahu ynë, na bëre të vdesim dy herë dhe na ngjalle dy herë, e ne pranuam për mëkatet tona, pra a ka ndonjë rrugëdalje?" (Sure Gafir: 11)

Bazuar në këtë ajet, njerëzit të cilët besojnë në rimishërim pohojnë si në vazhdim: njeriut i dhurohet një jetë e re pasi të ketë jetuar në këtë jetë për një kohë dhe pastaj vdes. Kjo është hera e dytë që ai vjen në jetë dhe po ashtu periudha gjatë të cilës shpirti i tij plotëson zhvillimin e vet. Pas vdekjes së dytë, që pason këtë jetë të dytë, ata pohojnë, njeriu ringjallet në Ahiret.
Tani duke u ndarë prej çfarëdo paragjykimesh, le të analizojmë këtë ajet: nga ky ajet, është e qartë se njeriu përjeton dy gjendje të jetës dhe vdekjes. Në këtë kontekst, një gjendje e tretë e të qenit i vdekur apo i gjallë është e pamundur. Pasi që është kështu, në mendje na bie një pyetje: “Cila ishte gjendja fillestare e njeriut? I vdekur apo i gjallë?” Në ajetin në vazhdim gjejmë përgjigjen në këtë pyetje:

Si e mohoni Allahun, e dihet se ju ishit të vdekur, e Ai ju ngjalli, mandej ju bën të vdisni e pastaj ju ringjall, e mandej tek Ai do të ktheheni? (Sure Bekare: 28)

Ky ajet është i vetëkuptueshëm, fillimisht, njeriu është i vdekur. Me fjalë tjera, falë vet natyrës së krijimit të tij, ai është fillimisht i përbërë prej materies së pajetë si uji, dheu, etj., siç bëjnë me dije këto vargje. Pastaj, Allahu i dha jetë këtij grumbulli të materies së pajetë, “e krijoi dhe i dha formë” atij. Kjo është vdekja e parë dhe prandaj ringjallja e parë prej të vdekurit. Një kohë pas kësaj ringjalljeje të parë, jeta përfundon dhe njeriu vdes. Ai kthehet përsëri në tokë, sikurse në fazën e pare, dhe përsëri shndërrohet në asgjë. Ky është tranzicioni i dytë drejt gjendjes së vdekjes. Rasti i dytë dhe i fundit i ngjalljes prej të vdekurit është ai që ndodhë në Ahiret. Pasi që është kështu, nuk ka një ringjallje të dytë në jetën e kësaj bote. Përndryshe, kjo do të kërkonte një ringjallje të tretë. Megjithatë, nuk ekziston ndonjë referencë për ringjalljen e tretë në cilindo prej vargjeve. Si në Suren Mu’min: 11 ashtu edhe në Suren Bekare: 128, nuk ekziston asnjë referim që sugjeron mundësinë e një ringjalljeje të dytë në këtë botë. Përkundrazi, këto vargje zbulojnë në mënyrë të qartë ekzistencën e një ringjalljeje në këtë botë dhe të një ringjalljeje tjetër në Ahiret.
E prapëseprapë përkrahësit e reinkarnimit investojnë të gjitha shpresat e tyre në këto dy vargje.
Siç bëhet e qartë, madje edhe këto vargje të paraqitura si dëshmi nga përkrahësit e reinkarnimit e hedhin vet poshtë këtë mënyrë të shtrembëruar të gjykimit. Veç kësaj, disa vargje tjera në Kuran e bëjnë të qartë se ekziston vetëm një jetë ku njeriu vihet në sprovë dhe se kjo është në jetën e kësaj bote. Se nuk ka kthim në këtë jetë pas vdekjes theksohet në ajetin në vazhdim:

E kur ndonjërit prej tyre i vjen vdekja, ai thotë: "O Allahu im, më kthe, që të bëj vepra të mira e të kompensoj atë që lëshova!" Kurrsesi, (kthim nuk ka) e kjo është vetëm fjalë që e thotë ai, e ata kanë para tyre një perde (distancë periodike) deri në ditën kur ringjallen. (Sure Mu’minun: 99-100)

Bashkëbisedimet në këtë ajet e bëjnë të qartë se pas vdekjes, nuk ka më kthim në këtë jetë. Ndërkaq, në këtë ajet, Allahu na tërheq vëmendjen për faktin se jobesimtarët ushqejnë shpresa të paarsyeshme për një ringjallje të dytë nga të vdekurit, një kthim të dytë në këtë jetë. Mirëpo, ky ajet e qartëson se këto janë vetëm fjalë të sugjeruara prej jobesimtarëve të cilat nuk kanë kurrfarë baze.
Në ajetin në vazhdim përshkruhet fakti se njerëzit e Xhenetit s’do të përjetojnë një vdekje tjetër pos vdekjes “së parë”:

Aty nuk do të përjetojnë vdekjen atje, përveç asaj të parës në dynja. Ata i shpëtoi (Allahu) prej vuajtjeve të Xhehenemit. (Ato të mira) Janë dhuratë nga Allahu yt,e ai është shpëtim i madh. (Sure Duhan: 56-57)

Lumturia e madhe e njerëzve të Xhenetit përshkruhet në një ajet tjetër. Kjo lumturi është për shkak të faktit se ata nuk do të përjetojnë një tjetër vdekje përveç asaj të parës:

Dhe ne nuk do të vdesim më, përveç vdekjes sonë të parë dhe ne nuk do të dënohemi më! Vërtet, kjo është ajo Fitore e madhe! (Sure Saffat: 58-60)

Ajetet e mësipërme nuk lënë hapësirë për pyetje tjera. Përfundimi është se ekziston vetëm një vdekje të cilën e përjeton njeriu. Në këtë fazë, mund të lind një pyetje tjetër: “Përkundër përmendjes së dy vdekjeve në ajetet e mëparshme, pse përmendet vetëm një vdekje në Suren Saffat: 58?” Përgjigja në këtë pyetje është dhënë në vargun e 56-të të Sures Duhan, i cili thotë: “Ata nuk do të shijojnë vdekjen atje – përveç asaj të parës.” Vërtetë, ekziston një dhe vetëm një vdekje që njeriu takon me vetëdije. Ai takon atë dhe me të gjitha ndjenjat e tij, e percepton atë. Kjo është vdekja që njeriu takon në momentin kur përfundon jeta e tij. Ai padyshim se nuk mund të kuptoj gjendjen e parë të vdekjes pasi që atëherë ai është i privuar nga ndjenjat dhe vetëdija.
Përballë shpjegimeve të tilla të sakta dhe të qarta që sjellë Kurani, të pohosh se ekzistojnë më shumë vdekje dhe gjendje të ringjalljes prej të vdekurit dhe të besosh se ekziston një migrim i shpirtit do të ishte një mohim i hapur i ajevete të Kuranit.
Në anën tjetër, po të kishte krijuar Allahu një sistem të kësaj jete të bazuar në rimishërim, atëherë Ai padyshim se do ta kishte informuar njeriun për këtë në Kuran, i cili është udhëzimi i vetëm drejtës rrugës së vërtetë për njerëzimin. Po të ishte kështu, Allahu padyshim se do të na ofronte një shpjegim të hollësishëm të gjitha fazave të reinkarnimit. Mirëpo, në Kuran, i cili ofron çdo lloj informacioni lidhur me këtë jetë dhe jetën tjetër të besimtarëve, nuk ekziston as edhe një e dhënë e vetme për reinkarnimin, e të mos flasim për përmendjen e drejtpërdrejtë të tij.