Close
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 8
  1. #1
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,120
    Postimet në Bllog
    22

    Rezoluta 1244 për Kosovën e Këshillit të Sigurimit të OKB

    Miratuar nga Këshilli i Sigurimit në mbledhjen e tij të 4011-të më 10 qershor 1999



    Këshilli i Sigurimit,

    Duke patur parasysh parimet dhe qëllimet e Kartës së Kombeve të Bashkuara, përfshirë përgjegjësinë parësore të Këshillit të Sigurimit për ruajtjen e paqes dhe të sigurisë ndërkombëtare,


    Duke iu rikthyer rezolutave të tij 1160 (1998) të datës 31 mars 1998, 1199 (1998) të datës 23 shtator 1998, 1203 (1998) të datës 24 tetor 1998 dhe 1239 (1999) të datës 14 maj 1999.

    Duke shprehur keqardhje që kërkesat e këtyre rezolutave nuk u respektuan plotësisht.

    I vendosur për të zgjidhur situatën e rëndë humanitare në Kosovë, Republika Federale e Jugosllavisë, si dhe për të garantuar një kthim të sigurt e të lirë të të gjithë refugjatëve dhe personave të shpërngulur në shtëpitë e tyre,

    Duke dënuar aktet e dhunës kundër popullsisë së Kosovës si dhe të gjitha aktet terroriste nga cilado palë,

    Duke iu rikthyer deklaratës së bërë nga Sekretari i Përgjithshëm më 9 prill 1999, në të cilën shprehet shqetësimi për tragjedinë humanitare që po zhvillohej në Kosovë,

    Duke rikonfirmuar të drejtën e të gjithë refugjatëve dhe të personave të shpërngulur për t'u kthyer në shtëpitë e tyre në siguri,

    Duke patur parasysh juridiksionin dhe mandatin e Gjykatës Ndërkombëtare për Ish-Jugosllavinë,

    Duke përshëndetur parimet e përgjithshme për një zgjidhje politike të krizës së Kosovës të miratuara më 6 maj 1999 (S/1999/516, aneksi 1 i kësaj rezolute), duke përshëndetur edhe pranimin që Republika Federale e Jugosllavisë u bëri parimeve të parashtruara në pikat nga 1 gjer më 9 të dokumentit të paraqitur në Beograd më 2 qershor 1999 (S/1999/649, aneksi 2 i kësaj rezolute) si dhe miratimin e këtij dokumenti nga Republika Federale e Jugosllavisë,

    Duke rikonfirmuar zotimin e të gjitha Shteteve anëtare për sovranitetin dhe integritetin tokësor të Republikës Federale të Jugosllavisë dhe të Shteteve të tjera të rajonit, siç përcaktohet në Aktin Final të Helsinikit dhe në aneksin 2,

    Duke rikonfirmuar thirrjet e rezolutave të mëparshme për një autonomi substanciale dhe për një vetadministrim vlerëplotë për Kosovën,

    Duke përcaktuar se situata në rajon vazhdonte të përbënte një kërcënim për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare,

    I vendosur për të garantuar sigurinë dhe mbrojtjen e personelit ndërkombëtar si dhe implementimin e përgjegjësive të të gjithë të interesuarve në bazë të rezolutës aktuale dhe duke vepruar në emër të këtyre qëllimeve në bazë të Kapitullit VII të Kartës së OKB,



    1. Vendos se zgjidhja politike për krizën e Kosovës duhet të mbështetet në parimet e përgjithshme të aneksit 1 si dhe në përpunimin e mëtejshëm të parimeve dhe të elementeve të tjera të detyrueshme në aneksin 2;

    2. Mirëpret pranimin, nga ana e Republikës Federale të Jugosllavisë, të parimeve dhe të elementeve të tjera të detyrueshme që përmenden në paragrain 1 më sipër dhe kërkon bashkëpunimin e plotë të Republikës Federale të Jugosllavisë për implementimin e menjëherëshëm të tyre;

    3. Kërkon në veçanti që Republika Federale e Jugosllavisë t'i japë fund menjëherë dhe në mënyrë të verifikueshme dhunës dhe represionit në Kosovë dhe të fillojë tërheqjen graduale, të plotë e të verifikueshme, të të gjitha forcave ushtarake, policore e paraushtarake nga Kosova në bazë të një grafiku të shpejtë me të cilin do të sinkronizohet dislokimi i pranisë ndërkombëtare të sigurisë në Kosovë;

    4. Konfirmon se një numër i miratuar forcash ushtarake e poliore serbe e jugosllave do të lejohet të kthehet në Kosovë pas tërheqjes për të kryer funksionet në pajtim me aneksin 2;

    5. Vendos për dislokimin e një pranie ndërkombëtare civile dhe të një pranie të sigurisë në Kosovë nën kujdesin e OKB-së me pajisje të përshtatshme dhe me personel të nevojshëm si dhe mirëpret pëlqimin e Republikës Federale të Jugosllavisë për këto prani;

    6. I kërkon Sekretarit të Përgjithshëm që në konsultime me Këshillin e Sigurimit të caktojë një përfaqësues të posaçëm për të kontrolluar implementimin e pranisë civile ndërkombëtare si dhe po Sekretarit të Përgjithshëm i kërkon që ta udhëzojë Përfaqësuesin e tij të Posaçëm të bashkëpunojë ngushtë me praninë ndërkombëtare të sigurisë për të siguruar që të dyja pranitë të operojnë në emër të qëllimeve të njëjta dhe në një mënyrë reciprokisht mbështetëse;

    7. Autorizon Shtetet Anëtare dhe organizatat përkatëse ndërkombëtare që të vendosin një prani ndërkombëtare të sigurisë në Kosovë, siç përcaktohet në pikën 4 të aneksit 2, me të gjitha mjetet për të përmbushur përgjegjësitë e saj në bazë të paragrafit 9 më poshtë;

    8. Konfirmon nevojën për një dislokim sa më të shpejtë të pranive të efektshme civile dhe të sigurisë në Kosovë dhe kërkon që palët të bashkëveprojnë plotësisht për dislokimin e tyre;

    9. Vendos se prania ndërkombëtare e sigurisë që do të dislokohet e do të veprojë në Kosovë do të ketë përgjegjësitë e mëposhtme:

    (a) Të frenojë rifillimin e armiqësive, të ruajë, dhe, atje ku është e nevojshme, të imponojë zjarrpushimin, të sigurojë tërheqjen e forcave ushtarake, policore e paraushtarake të Republikës Federale të Jugosllavisë si dhe të parandalojë rikthimin e tyre, me përjashtim siç parashikohet në pikën 6 të aneksit 2;

    (b) Të demilitarizojë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe grupet e tjera të armatosura shqiptare kosovare, siç kërkohet në paragrafin 15 më poshtë;

    (c) Të krijojë një mjedis të sigurt në të cilin refugjatët dhe personat e shpërngulur të mund të kthehen në shtëpi në siguri, në të cilin prania civile ndërkombëtare të mund të operojë, administrata e përkohshme të mund të vendoset dhe ndihma humanitare të mund të shpërndahet;

    (d) Të garantojë sigurinë dhe rendin publik derisa përgjegjësinë për këtë detyrë të mund të marrë prania ndërkombëtare civile;

    (e) Të mbikëqyrë çminimin derisa prania ndërkombëtare civile, kur të jetë e përshtatshme, të mundë të marrë përgjegjësinë për kryerjen e kësaj detyre;

    (f) Të mbështetë praninë ndërkombëtare civile dhe, kur të jetë e përshtatshme, të bashkërendojë ngushtë punën e saj me të;

    (g) Të kryejë detyrat e monitorimit të kufirit në përputhje me kërkesat;

    (h) Të sigurojë mbrojtjen dhe lirinë e lëvizjes për veten e saj, për praninë ndërkombëtare civile dhe për organizatat e tjera ndërkombëtare;

    10. Të autorizojë Sekretarin e Përgjithshëm që me ndihmën e organizatave përkatëse ndërkombëtare të vendosë një prani ndërkombëtare civile në Kosovë për të siguruar një administrim të përkohshëm për Kosovën nën të cilin populli i Kosovës të mund të gëzojë një autonomi substanciale brenda Republikës Federale të Jugosllavisë, prani që do të sigurojë një administrim kalimtar ndërkohë që edhe do të themelojë institucionet e përkohshme demokratike vetëqeverisëse si dhe do të mbikëqyrë zhvillimin e tyre për të krijuar kushtet për një jetë paqësore e normale për të gjithë banorët e Kosovës;

    11. Vendos që përgjegjësitë kryesore të pranisë ndërkombëtare civile të përfshijnë:

    (a) Derisa të arrihet një zgjidhje përfundimtare, të nxitë themelimin e një autonomie dhe vetëqeverisjeje substanciale në Kosovë duke patur plotësisht parasysh aneksin 2 dhe marrëveshjen e Rambujesë (S/1999/648);

    (b) Të kryejë funksionet themelore administrative civile përsa kohë që kjo do të jetë e nevojshme;

    (c) Të organizojë dhe të mbikëqyrë zhvillimin e institucioneve të përkohshme për një vetëqeverisje demokratike dhe autonome derisa të arrihet një zgjidhje politike, përfshirë edhe zhvillimin e zgjedhjeve;

    (d) Ndërkohë që do të themelohen këto institucione do t'u transferojë atyre përgjegjësitë e saj administrative duke mbikëqyr e mbështetur edhe konsolidimin e institucioneve të përkohshme vendore si dhe veprimtaritë e tjera paqendërtuese të Kosovës;

    (e) Të lehtësojë procesin politik të projektuar për t'i caktuar Kosovës një status të ardhshëm duke patur parasysh Marrëveshjen e Rambujesë (S/1999/648);

    (f) Në stadin përfundimtar, të mbikëqyrë kalimin e autoritetit nga institucionet e përkohshme të Kosovës, në institucionet e ndërtuara në bazë të një zgjidhjeje politike;

    (g) Të mbështetë rindërtimin e infrastrukturës kyçe si dhe rindërtimet e tjera në ekonomi;

    (h) Në bashkërendim me organizatat ndërkombëtare humanitare, të mbështetë ndihmën humanitare dhe ndihmën e emergjencës të rasteve të fatkeqësisë;

    (i) Të ruajë rendin civil, përfshirë vendosjen e forcave policore vendore, por ndërkohë rendi do të ruhet nëpërmjet dislokimit të personelit ndërkombëtar të policisë që do të shërbejë në Kosovë;

    (j) Të mbrojë dhe të lartësojë të drejtat njerëzore;

    (k) Të sigurojë kthimin e sigurt dhe të papenguar në shtëpitë e tyre në Kosovë të të gjithë refugjatëve dhe të personave të shpërngulur;

    12. T'i japë rëndësi nevojës së bashkërendimit të operacioneve humanitare të emergjencës, kurse Republika Federale e Jugosllavisë të lejojë hyrjen pa pengesa në Kosovë të organizatave të ndihmës humanitare dhe të bashkëpunojë me këto organizata në mënyrë që të sigurohet shpërndarja e shpejtë dhe e efektshme e ndihmave ndërkombëtare;

    13. T'i nxitë të gjitha Shtetet Anëtare dhe organizatat ndërkombëtare që të kontribuojnë në rindërtimin ekonomik dhe shoqëror si dhe në kthimin e sigurt të refugjatëve dhe të personave të shpërngulur si dhe thekson, në këtë kontekst, rëndësinë për mbajtjen e një konference ndërkombëtare donatorësh, veçanërisht për qëllimin e përcaktuar në paragrafin 11 (g) më sipër në një datë mundësisht sa më të hershme;

    14. Kërkon bashkëpunimin e plotë të të gjithë të interesuarve, përfshirë edhe atë të pranisë ndërkombëtare të sigurisë, me Gjykatën për Ish-Jugosllavinë;

    15. Kërkon që UÇK-ja dhe grupet e tjera të armatosura shqiptare kosovare t'u japin fund menjëherë të gjitha aksioneve sulmuese dhe të zbatojnë kërkesat e çmilitarizimit, të cilat përcaktohen nga kreu i pranisë ndërkombëtare të sigurisë në konsultim me Përfaqësuesin e Posaçëm të Sekretarit të Përgjithshëm;

    16. Vendos se ndalimet e imponuara nga paragrafi 6 i rezolutës 1160 (1998) nuk do të zbatohen për armët dhe materialet që lidhen me to dhe që do të përdoren nga prania ndërkombëtare civile dhe nga ajo e sigurisë;

    17. Mirëpret punën që është duke u zhvilluar nga Bashkimi Evropian dhe nga organizatat e tjera ndërkombëtare për të ndërtuar një metodologji tërësore për zhvillimin ekonomik dhe stabilizimin e rajonit të prekur nga kriza e Kosovës, përfshirë implementimin e një Pakti Stabiliteti për Evropën Juglindore me një pjesëmarrje të gjerë me qëllim që të nxitet demokracia, prosperiteti ekonomik, stabiliteti dhe bashkëpunimi rajonal;

    18. Kërkon që të gjitha Shtetet e rajonit të bashkëpunojnë plotësisht për zbatimin e të gjitha aspekteve të rezolutës;

    19. Vendos që prania ndërkombëtare civile dhe ajo e sigurisë të vendosen për një periudhë fillestare prej 12 muajsh për të vazhduar edhe më tej nëse Këshilli i Sigurimit nuk vendos ndryshe;

    20. I kërkon Sekretarit të Përgjithshëm që në intervale të rregullta të raportojë përpara Këshillit rreth implementimit të kësaj rezolute, përfshirë edhe paraqitjen e raporteve të liderëshipëve të pranisë ndërkombëtrare dhe të asaj të sigurisë, ku raportet e para do të paraqiten brenda 30 ditëve pas miratimit të kësaj rezolute;

    21. Vendos që të qëndrojë aktivisht i angazhuar me këtë çështje.



    Aneksi I

    Deklarata e Kryetarit lidhur me vizionin përfundimtar të mbledhjes së Ministrave të Jashtëm të G8-ës e mbajtur në Qendrën Petersburg më 6 Maj 1999

    Ministrat e Jashtëm të G8-ës miratuan parimet e përgjithshme të mëposhtme për zgjidhjen politike të krizës së Kosovës:

    -- Përfundim i menjëhershëm dhe i verifikueshëm i dhunës dhe i represionit në Kosovë;

    -- Tërheqje e forcave ushtarake, policore dhe paraushtarake nga Kosova;

    -- Dislokim i një pranie të efektshme ndërkombëtare civile dhe i një pranie të sigurisë në Kosovë, të miratuara dhe të aprovuara nga Kombet e Bashkuara, të afta për të garantuar arritjen e objektivave të përbashkët;

    -- Vendosje e një administrimi të përkohshëm për Kosovën që do të përcaktohet nga Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për të siguruar kushtet për një jetë paqësore dhe normale për të gjithë banorët e Kosovës;

    -- Kthim i sigurt i të gjithë refugjatëve dhe të personave të shpërngulur dhe hyrje pa pengesa në Kosovë e organizatave të ndihmës humanitare;

    -- Një proces politik drejt arritjes së një marrëveshjeje për një kuadër politik të përkohshëm që do të sigurojë një vetëqeverisje substanciale për Kosovën duke marrë plotësisht parasysh marrëveshjen e Rambujesë dhe parimet e sovranitetit dhe të integritetit tokësor qoftë të Republikës Federale të Jugosllavisë, qoftë të vendeve të tjera të rajonit, si dhe çmilitarizimin e UÇK-së;

    -- Një metodologji e gjithanshme për zhvillimin ekonomik dhe stabilizimin e krizës në rajon.



    Aneksi 2

    Marrëveshja që do të çonte drejt zgjidhjes së krizës së Kosovës duhet të arrihet mbi bazën e parimeve të mëposhtme:

    1. Ndalim i menjëhershëm dhe i verifikueshëm i dhunës dhe i represionit në Kosovë,

    2. Tërheqje e verifikueshme e të gjitha forcave ushtarake, policore dhe paraushtarake nga Kosova në bazë të një grafiku të shpejtë,

    3. Dislokim në Kosovë i një pranie të efektshme ndërkombëtare civile si dhe i një pranie të efektshme të sigurisë nën kujdesin e Kombeve të Bashkuara që do të veprojnë mbi bazën e Kapitullit VII të Kartës, të afta për të garantuar arritjen e objektivave të përbashkët.

    4. Prania ndërkombëtare e sigurisë me pjesëmarrjen substanciale të Organizatës së Paktit të Atlantikut të Veriut duhet të dislokohet mbi bazën e një komande dhe kontrolli të unifikuar, e autorizuar për të krijuar një mjedis të sigurt për të gjithë popullin e Kosovës si dhe për të lehtësuar kthimin e sigurt të të gjithë refugjatëve dhe të personave të shpërngulur në shtëpitë e tyre.

    5. Vendosja e një administrimi të përkohshëm për Kosovën si pjesë e pranisë ndërkombëtare civile në bazë të të cilit populli i Kosovës të mund të gëzojë një autonomi substanciale brenda Republikës Federale të Jugosllavisë, autonomi që do të vendoset nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së. Gjatë kohës që do të vendoset dhe do të mbikëqyret krijimi i institucioneve të përkohshme demokratike vetëqeverisëse, administrimi i përkohshëm do të sigurojë një administrim kalimtar për të siguruar kushtet për një jetë normale dhe paqësore për të gjithë banorët e Kosovës.

    6. Pas tërheqjes, një numër i miratuar forcash jugosllave dhe serbe do të lejohet të kthehet në Kosovë për të kryer funksionet e mëposhtme:

    -- Ndërlidhje me misionin ndërkombëtar civil dhe me praninë ndërkombëtare të sigurisë;

    -- Përcaktim/pastrim i zonave të minuara;

    -- Mbajtje e një pranie në qendrat trashëgimore serbe;

    -- Mbajtje e një pranie në kalimet kyçe në kufi.

    7. Kthim i sigurt dhe i lirë i të gjithë refugjatëve dhe i personave të shpërngulur nën mbikëqyrjen e Zyrës së Komisariatit të Lartë të OKB për Refugjatët dhe hyrje e papenguar në Kosovë e organizatave të ndihmave humanitare.

    8. Një proces politik drejt arritjes së një marrëveshjeje për një kuadër të përkohshëm politik që do të sigurojë vetëqeverisjen substanciale për Kosovën duke patur parasysh plotësisht marrëveshjen e Rambujesë dhe parimet e sovranitetit dhe të integritetit tokësor qoftë të Republikës Federale të Jugosllavisë, qoftë atë të vendeve të tjera në rajon, si dhe çmilitarizmin e UÇK-së. Negociatat midis palëve për gjetjen e një zgjidhjeje nuk duhet të vonojnë ose të prishin vendosjen e institucioneve demokratike vetëqeverisëse.

    9. Një metodologji e gjithanshme për zhvillimin ekonomik dhe për stabilizimin të rajonit pas krizës. Kjo do të përfshijë implementimin e një pakti stabiliteti për Evropën Juglindore me një pjesëmarrje ndërkombëtare të gjerë me qëllim që të nxitet demokracia, prosperiteti ekonomik, stabiliteti dhe bashkëpunimi rajonal.

    10. Pezullimi i veprimtarive ushtarake do të kërkojë pranimin e parimeve të parashtruara më sipër plus pranimin e elementeve të tjera të domosdoshme të përcaktuara më parë, të cilat specifikohen në shënimin e mëposhtëm. Pas këtij pranimi duhet të arrihet menjëherë një marrëveshje ushtarako-teknike e cila, ndërmjet të tjerash, do të specifikojë modalitetet shtesë, përfshirë rolin dhe funksionet e personelit jugosllav/serb në Kosovë:



    Tërheqja

    -- Procedurat për tërheqjen përfshijnë një grafik të detajuar për një tërheqje graduale si dhe përcaktimin e një zone tampon në Serbi, matanë së cilës duhet të tërhiqen forcat serbe.



    Rikthimi i personelit

    -- Pajisjet që bashkëshoqërojnë personelet që do të rikthehen;

    -- Referenca e kushteve për përgjegjësitë e tyre funksionale;

    -- Grafiku kohor i rikthimit të tyre;

    -- Konturimi i zonave gjeografike për operacionet e tyre;

    -- Rregullat që qeverisin raportet e tyre me praninë ndërkombëtare të sigurisë dhe me misionin ndërkombëtar civil.



    Elemente të tjera të nevojshme:

    -- Një grafik i preçizuar për tërheqje të shpejta, gjë që do të thotë, p.sh., shtatë ditë për një tërheqje totale, kurse armët kundërajrore duhet të tërhiqen deri në 25 kilomatra jashtë një zone sigurie të ndërsjelltë brenda 48 orëve;

    -- Rikthimi i personeleve për të katër funksionet e specifikuara më sipër do të bëhet nën mbikëqyrjen e pranisë ndërkombëtare të sigurisë dhe do të jetë i kufizuar në një numër të vogël të miratuar (me qindra, jo mijëra);

    -- Pezullimi i veprimtarisë ushtarake do të kryhet pas fillimit të tërheqjeve të verifikueshme;

    -- Diskutimi dhe arritja e një marrëveshjeje ushtarako-teknike nuk duhet të zgjatet përtej kohës së caktuar për përfundimin e tërheqjeve.

  2. #2
    Rezoluta 1244 eshte sa per t'u hedhur hi syve shqiptareve ne Kosove.
    Integrimi i Kosoves ne strukturat politike, ekonomike apo ushtarake njekohesisht
    me shtetet e tjera bashkevuajtese eshte nje thes me dengla qe u sherbehet shqiptareve.
    Nuk mund te mbash peng nje popull te tere, te injorosh vullnetin e lire te tij apo te fshish kujtesen kolektive te tij me nje rezolute pacavure.
    Zgjidhja perfundimtare dihet: Pavaresi e plote !
    A mund te imagjinohet ndonje kombinim bashkejetese e shqiptareve dhe serbeve ?!!!
    Gjithsesi mendoj se shqiptaret e Kosoves do t'a arrijne pavaresine e tyre te plote.
    E kemi provuar per mijera vjet qe nuk mund te durojme padrejtesine dhe shtypjen nga te huajt dhe lufta nuk eshte cudi e madhe.

  3. #3
    i/e regjistruar Maska e Llapi
    Anëtarësuar
    08-08-2002
    Postime
    10,979
    Holbrooke: Kosova kurrë më nuk do të jetë, “djep i historisë serbe” Në një artikull të botuar në Washington Post, Richard Holbrooke, shkruan edhe pse askush nuk po e pranon, as Washingtoni e as Europa, megjithatë nuk shoh tjetër zgjidhje për Kosovën përveç, pavarësisë, e cila planifikohet për vitet e ardhshme. Por kërkesa kryesore është ajo e një garancie të fortë për sigurinë e minoritetit serb në Kosovë. Këta të fundit me siguri se do të kërkojnë një siguri më të madhe nga ndërkombëtarët. Pos kësaj, shqiptarët kosovarë thellësisht të përçarë, ish-kryeministri po përballet me akuzat nga Tribunali i Hagës, duhet të arrijnë një nivel shumë më të lartë të pjekurisë politike.
    Një ndryshim i madh ka kaluar pa u vërejtur, që e bënë Kosovën të jetë në qendër të vëmendjes, pas katër viteve të neglizhencës dhe gabimeve që administrata e ka bërë. Edhe pas 78 ditësh të bombardimit të NATO-së, për të liruar shqiptarët e Kosovës nga Sllobodan Millosheviqi në vitin 1999, kontrollimi politik i Kosovës ka qenë kryesisht në duart e ndërkombëtarëve që kanë ofruar një paqe të brishtë në mes shumicës shqiptare dhe pakicës serbe.


    Holbrooke

    Sipas rezolutës 1244, statusi final i Kosovës është dashur të arrihet me negociata, e që do të rezultonte me pavarësinë e saj, ose kthimin në statusin e mëparshëm, pra në kuadër të Serbisë e Malit të Zi. Por në vend të fillimit të këtij negocimi, Amerika dhe Evropa, gjejnë një qëndrim të vonuar që e quajnë “Standardet para statusit “ një frazë më shumë burokratike se sa diplomatike. Beogradi si duket do ta ketë të vështirë, por do të duhet që ta pranoj të vërtetën që Kosova kurrë më nuk do të jetë, “djep i historisë serbe”, siç e konsiderojnë ata, sepse do të duhet të zgjedhin mes anëtarësimit në Bashkimin Evropian apo ta rikthejnë Kosovën në statusin e mëparshëm, ose do ti humbin të dyja.




    Postuar më: Eh/Radio Kosova & Blue Sky Staff me Apr 20, 05 | 2:10 pm
    Do t´i luftoj spiunet dhe tradhtaret e kombit deri ne vdekje.

  4. #4
    i/e regjistruar Maska e Llapi
    Anëtarësuar
    08-08-2002
    Postime
    10,979
    Lajon: SHBA-ja dhe BE-ja janë për Kosovën e pavarur

    Beograd, 25 prill - "Kosova më së largu për pesë vjet do të bëhet shtet i pavarur. Kjo është kështu, jo pse unë jam 'dashamir i madh i shqiptarëve', pse jam "lobist shqiptar', por sepse po e shoh se ç'po ndodh në skenën politike në SHBA dhe në BE", thotë Xhems Lajon, shefi i Zyrës së Beogradit të Grupit Ndërkombëtar të Krizave.
    Lajon ka shfaqur mendimin se pothuajse në mesin e të gjithë faktorëve relavantë brenda Departamentit amerikan të Shtetit ka mbizotëruar qëndrimi se Kosova do të jetë e pavarur, por ngjashëm mendojnë edhe në Bruksel, thotë ai. Bile ai pohon se në BE "është një bindje më e fuqishme për këtë sesa në SHBA".
    "Domethënë nuk bëhet fjalë nëse Kosova do të jetë e pavarur, por është çështje se kur kjo do të ndodhë dhe nën të cilat kushte. Me fjalë të tjera, i vetmi vend ku ende ekziston mëdyshja nëse Kosova do të bëhet e pavarur është Serbia", thotë Lajon.
    Ai ka tërhequr vemendjen se serbët e Kosovës janë "peng i mediave të Beogradit, sepse sa herë që në mediat në Serbi paraqitet ndonjë tregim i zjarrtë për Kosovën, kjo është e sigurt se për këtë shkak do do ta pësojnë serbët në Kosovë", citohet të ketë thënë për mediat serbe Xhems Lajon.
    -------------------------------------

    T.Xhuda: Konsensusi për pavarësinë e Kosovës është në rritje e sipër

    Londër, 25 prill - Në Perëndim po afrohet gjithnjë e më shumë arritja e një konsensusi përsa i përket pavarësisë së Kosovës, thotë analisti britanik për çështjet balllanike Tim Xhuda.
    "Mendoj se pak a shumë, ekziston tashmë një konsensus. Mund të jenë disa individë apo disa vende që kjo mund të mos u pëlqejë, por mendoj se konsensusi për pavarësinë e Kosovës është në rritje e sipër dhe kjo do të ndodhë herët, ose vonë. Çështja është se si do të arrihet në këtë pikë. Mbase përmes ndonjë faze tranzitore", tha analisti Xhuda për BBC-në.
    Por, sipas tij, qeveria e Beogradit nuk do ta pranojë këtë lehtë, sepse ende ka shumë politikanë serbë, që mendojnë se në njëfarë mënyre do të mbajnë lidhje me Kosovën. Koshtunica dhe këshilltarët e tij janë të bindur se në njëfarë mënyre do të mbajnë lidhje me Kosovën në mënyrë që në ndonjë të ardhme ajo t'u rikthehet, thotë Tim Xhuda. Ai e veçon si shumë interesante që ish-ministri i jashtëm, Svilanoviq ka dalë me mbështetje të idesë së pavarësisë së Kosovës. "Ai është zyrtari i parë serb që thotë se Kosova duhet të jetë e pavarur, çfarë është në interes të Kosovës, por edhe të Serbisë", thotë analisti britanik.
    "Mbase do të jetë e domosdoshme që bashkësia ndërkombëtare të imponojë një zgjidhje me të cilën ka shumë mundësi që Serbia të mos pajtohet, por ende nuk kemi mbërritur në këtë pikë", tha Tim Xhuda.
    Do t´i luftoj spiunet dhe tradhtaret e kombit deri ne vdekje.

  5. #5
    i/e regjistruar Maska e Llapi
    Anëtarësuar
    08-08-2002
    Postime
    10,979
    “Perëndimi e ka vendosur pavarësinë e Kosovës” - Xhejms Llajon - Drejtor i Grupit të Krizave për Serbinë dhe Malin e Zi




    Drejtori i Grupit të Krizave për Serbinë dhe Malin e Zi, Xhejms Llajon


    “Perëndimi e ka vendosur pavarësinë e Kosovës”

    Bashkësia ndërkombëtare ka vendosur – Kosova do të jetë e pavarur! Pret vetëm që kjo të shpallet publikisht.

    Kosova do të jetë e pavarur për më pak se pesë vjet, vetëm se është duke u diskutuar se nën cilat kushte do të ndodhë kjo, kur dhe në çfarë mënyre, tha në një intervistë për të përditshmen sebe “Veçernje Novosti”, drejtori i Grupit të Krizave për Serbinë dhe Malin e Zi, Xhejms Llajon.
    Kush ju ka thënë dhe pse keni vendosur që pikërisht në këtë moment ta bëni publike. Mos ndoshta ndërkohë janë dakorduar qëndrimet rreth statusit përfundimtar të Kosovës?
    Asgjë e re nuk ka ndodhur. Por, para disa ditësh më pyetën për këtë gjë dhe unë u përgjigja. Të gjithë e kanë të qartë se Kosova ‘de fakto’ është e pavarur dhe kurrë më nuk do të kthehet nën administrimin e Beogradit. Sinjale të tilla, Perëndimi disa herë i ka dërguar në drejtim të Beogradit. Por, disa në Serbi vazhdojnë të flasin se Kosova kurrë nuk do të jetë e pavarur. Siç duket, vetëm Serbia nuk e ka të qartë, por gjithë të tjerët e dinë.

    A është ky vendim i nivelit të lartë apo spekulim i kulisave?
    Vendimi është marrë. Çështja nuk është më se a do të ndodhë kjo apo jo, por në çfarë kushtesh dhe kur.

    Kush konkretisht e ka marrë këtë vendim? A është shkruar e zeza mbi të bardhë?
    Nuk ka: e zeza mbi të bardhë. Nuk kishte mbledhje ku kjo është shpallur. Por ka kaluar një kohë e gjatë e dakordimit të ideve dhe ky vendim është pjekur tek të gjithë faktorët relevantë.

    Njëqind për qind? Pa asnjë votë që e kundërshton?
    100 për qind është qëndrimi pro pavarësisë së Kosovës.

    Kush jua tha juve këtë gjë? Dikush nga Shtëpia e Bardhë?
    Nuk e kam thënë këtë gjë. Nuk dua ta zbuloj burimin. Në fakt janë shumë burime nga BE-ja dhe SHBA-ja.

    Si t’ju besojmë se e gjitha ka marrë fund?
    Nuk ka nevojë të më besoni. Më 20 prill, Komisioni Evropian ka dërguar një raport për Kosovën, në të cilin thuhet se “Kosova duhet t’i bashkohet BE-së në kuadër të programit të Stabilizim- Asociimit. Kjo është shumë interesante dhe indikative, sepse BE-ja këtë procedurë e përdor vetëm për shtetet sovrane. Secili që është pak i mençur, mund ta kuptojë se çfarë do të thotë kjo. Pra kjo do të thotë se BE-ja, edhe pse nuk dëshiron të flasë publikisht për këtë çështje, tregon se çfarë ka vendosur Brukseli për Kosovën.

    Domethënë, kështu i bie që nuk ka nevojë të vendoset dialogu për standardet dhe statusin, nëse e gjitha ka marrë fund...
    Beogradi duhet të përcaktojë interesat e tij dhe të gjejë se çfarë është për të më e përshtatshme, me rastin e realizimit të kësaj pavarësie...

    Çfarë mund të jetë këtu e përshtatshme? Të lusin shqiptarët dhe bashkësinë ndërkombëtare, që të mos i dëbojnë edhe ata pak serbë që kanë ngelur atje?
    Që të luftojnë për kushtet sa më të mira të jetesës së atyre serbëve që kanë ngelur dhe të atyre që eventualisht kthehen.

    Nëse Beogradi paraqitet me një strategji, që të fitojë të paktën një pjesë të Kosovës, a mund të ndryshojë kjo diçka?
    Jo. Bashkësia ndërkombëtare ka vendosur që Kosova të jetë e pavarur në kuadër të kufijve ekzistues. Ndarja do të ishte e mundshme vetëm nëse serbët dhe shqiptarët bien dakord që kjo të bëhet në mënyrë paqësore, sepse bashkësia ndërkombëtare nuk do të lejojë që kjo të ndodhë në mënyrë të dhunshme. Nëse nuk bien dakord, Kosova do të jetë e pavarur në kufijtë ekzistues. Kjo është shumë më e mundshme, sesa varianti ku shqiptarët do të pajtohen që ta japin një pjesë të Kosovës.

    Jeni shprehur se pavarësia do të ndodhë për pesë vjet. Pse pikërisht brenda kësaj periudhe? Dhe çfarë deri atëherë? Pavarësia e kushtëzuar nën ombrellën e protektoratit?
    Kjo nuk do të ndodhë brenda natës. Ende nuk dihet natyra e vërtetë e pavarësisë. Për këtë arsye politikanët serbë kanë mundësi të kenë rol në përcaktimin e saj.

    Çfarë mund të përfitojnë më së shumti në këtë përcaktim? Që Kosova të jetë Republika e tretë në kuadër të Serbisë dhe Malit të Zi?
    Kjo ende nuk është vendosur. Nuk dihet se çfarë mund të përfitojnë serbët nga kjo. Asgjë nuk është vendosur, kur është fjala tek procedura. Por, pavarësia e Kosovës në princip nuk do të vihet më kurrë në pikëpyetje.

    Pra, rrëfimi mbi standardet nuk ka më kuptim. Domethënë nuk ka më kurrfarë kuptimi...
    Me sa di unë, bashkësia ndërkombëtare ka vendosur që parullën “standardet para statusit” ta zëvendësojë me formulimin “statusi me standardet”. Standardet para statusit është një rrëfim joreal, është një parullë dhe jo politikë. Sado që tingëllon shumë keq, bashkësia ndërkombëtare do të insistojë në standarde, por statusin nuk do ta presë për këtë gjë.

    Ndërsa para Beogradit do të lindë dilema e pranimit sa më të shpejtë në BE apo mbijetimit të Kosovës?
    Jo. Nuk është më çështja shpejt ose më ngadalë, por Serbia nuk do të futet në BE, nëse nuk heq dorë nga Kosova. Dhe pikë.

    Përgatiti: Agim Popoci
    Do t´i luftoj spiunet dhe tradhtaret e kombit deri ne vdekje.

  6. #6
    i/e regjistruar Maska e RTP
    Anëtarësuar
    26-03-2004
    Postime
    1,756

    Thumbs up Lamtumirë 1244

    Lamtumirë 1244?


    Express- Prishtinë


    Këshilli i ministrave i Bashkimit Evropian sot e ka në rend të ditës shqyrtimin dhe aprovimin e një dokumenti të rëndësishëm që do të sigurojë rolin udhëheqës të BE së në përcaktimin dhe garantimin e të ardhmes së Kosovës. Plani orientues i BE-së që është përgatitur nga Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri Havier Solana (shih dokumentin e përfolur në Expressin e 13 qershorit), fikson shumë më qartë obligimet e BE-së ndaj zgjidhjes së çështjes së Kosovës. Në letrën e Solanës pos parimeve të njohura dhe të publikuara më parë, ka disa formulime dhe thekse të reja që meritojnë vëmendje të veçantë. Momenti më i rëndësishëm është zotimi për marrjen e rolit kryesor nga ana e BE-së në përcaktimin e ardhmërisë së Kosovës: “BE, në përputhje me perspektiven europiane të Kosovës, gradualisht do të marrë rolin udhëheqës ndërkombëtar në promovimin e reformave në Kosovë”.

    Toni i këtij zotimi është i kujdesshëm, përderisa flitet vetëm për “promovimin e reformave”, por detyrat që e presin BE-në sigurisht se tejkalojnë ato promovuese dhe të “reformave”. Një moment tjetër i rëndësishëm ka të bëjë me qartësimin e një parimi, i cili më parë kishte mbetur disi si i mjegulluar, rreth mundësisë që proceset e filluara të përcaktimit të statusit të Kosovës, të çojnë drejt ndarjes së Kosovës. Në disa analiza në Kosovë, sidomos përpjekjet që të imponohet decentralizmi i përshpejtuar i administratës, është kuptuar si inaugurim i tërthortë i copëtimit të Kosovës në të ardhmen.

    Ndërkaq, në projektin e ri të Solanës ky moment merr një përgjigje decidive në nivelin e parimit përcaktues se në asnjë mënyrë nuk do të ketë ndarje të territorit të Kosovës: “Nuk do të pranohet dhe nuk do të ketë asnjë ndryshim në territorin e tashëm të Kosovës (asnjë ndarje e Kosovës dhe asnjë bashkim me ndonjë vend ose pjesë të ndonjë vendi pas zgjidhjes së statusit të Kosovës).” Ky lloj i qartësimit decidiv është shumë i rëndësishëm për proceset e ardhshme edhe për karakterin e debateve mes subjekteve politike në Kosovë, ku me gjasë më nuk duhet humbur energji në debate të kota nëse projektet e decentralizmit të pushtetit çojnë ose jo deri te ndarja potenciale e territorit.

    Në dokumentin e Solanës ka edhe një paralajmërim të rëndësishëm për karakterin e angazhimit të ardhshëm të BE-së. Solana shprehet qartë se angazhimi i BE-së nuk mund të ndodh nëse në fuqi do të mbetej Rezoluta 1244 për Kosovën. Në propozimin e Solanës thuhet: “Kombet e Bashkuara duhet të mbajnë përgjegjësinë e plotë nën Rezolutën 1244. Nëse BE do të merrte pushtet ekzekutiv nën Rezolutën 1244 - vetëm sa do të komplikonte strukturën organizative dhe zingjirin komandues, duke kërcënuar kredibilitetin dhe efikasitetin e prezencës ndërkombëtare dhe BE në veçanti”.

    Pra, kërkohet që angazhimi i BE-së të përcillet me një dokument tjetër, pra që Këshilli i Sigurisë të aprovojë një rezolutë tjetër ku përgjegjësia dhe kujdesi për të ardhmen e Kosovës do t’i jepej BEsë, dhe kjo me gjasa jo vetëm si një akt formal që do të transmetonte përmbajtjen e Rezolutës 1244 tek një administrator dhe kujdestar të ri, por lypse që të ndryshojë edhe thelbi dhe karakteri i rezolutës. Në esencë me dokumentin e Solanës supozohet se procesi i definimit të statusit në një moment do ta bëjë të deplasuar tipin e Rezolutës që e kemi aktualisht, e që i jep legjitimitet protektoratit ndërkombëtar mbi Kosovën (UNMIK).

    Në të ardhmen, kur të përfundoj procesi i definimit të statusit dhe me te edhe bartja e kompetencave te organet e vetëqeverisjes, Kosovës nuk do t’i duhej një rezolutë që legjitimon administratën e huaj, por një mision tjetërfare, më shumë mbikëqyrës dhe garantues. Kjo edhe thuhet në draftin e Solanës: “Çdo zgjidhje duhet të njohë faktin se Kosova do të vazhdojë të kërkojë prezencë civile dhe ushtarake ndërkombëtare në të ardhmen, për të garantuar siguri dhe mbrojtje për minoritetet, të ndihmojë në implementimin e standardeve dhe të të ushtrojë mbikëqyrje të caktuar për implementimin e dispozitave të marrëveshjes së statusit”.
    Në sqarimin e mëtutjeshëm projekti tenton që të heq dilemat eventuale rreth konfliktit mes fuqisë vetadministruese të Kosovës dhe të forcave dhe administratës mbikëqyrëse dhe garantuese. Parashihet një përmbysje e rëndësisë: derisa institucionet e administratës së Kosovës projektohen si të përhershme, dhe jo si sot të përkohshme dhe kalimtare, ato ndërkombëtare do të duhej të ishin parimisht të afatizuara, dhe mandati i tyre nuk do të ishte imponues, intervenues dhe kolonizator, por në bazë të ftesës nga autoritetet e Kosovës, që pra do të kishin edhe të drejtën e kërkesës për largimin e tyre në momentin që do të përmbushej misioni ose afati i kontraktuar i prezencës së tyre. Se ndryshimi i Rezolutës do të duhet të ishte substancial tregon edhe formulimi vijues i draftit të përgatitur për mbledhjen e Këshillit të ministrave të BE: “Një rezolutë të re që zëvendëson 1244-shin duket të jetë opcioni më i besueshëm. Varësisht nga e ardhmja e statusit, vazhdimi i prezencës ndërkombëtare mund të mbështetet në ‘marrëveshjen për status’ ose në një ftesë të bërë nga autoritetet lokale.

    Prezenca e bashkësisë ndërkombëtare nuk duhet të jetë e hapur dhe e mbyllur, por e përcaktuar me një strategji eventuale dalëse, mundësisht e lidhur me progresin që bën Kosova drejt BE-së”.
    Me respekt
    rtp-ja


    ps. "........Te gjithe kane te drejte te mendojne..
    por ka shume njerez qe i kursejne mendimet!"


  7. #7
    Rising Star and Legend Maska e Davius
    Anëtarësuar
    20-04-2003
    Vendndodhja
    Underground
    Postime
    11,955
    Paradokset e Rezolutes 1244

    Shkruan: Arber Xhafer, kryetar e Partise Demokratike Shqiptare - Maqedoni

    Ligjet per nga natyra e vet metojne te vendosin rregull, kontrollin ne relacionet e ndryshme shoqerore, mes individit dhe shtetit, mes shteteve etj. Ato ne vete ngerthejne nje interes nga I cili dikush perfiton me shume e dikush me pak, ne varesi nga te qenit factor, nje standard, nje deshmi qe flet per stadin e zhvillimit te nje qyteterimi. Aristoteli, njeri nder mendjet me te ndritura logjike njerzore, ne kohen e tije pati thene nje mendim qe vlon nga inkoherenca logjike: “Te gjithe njerezit jane te barabarte, pos rroberve dhe grave”. Kjo inkonzistence logjike shpjegohet me ndikimin e parezistueshem te standardeve ideologjike te kohes se tije. Megjithate, historia e njerezimit eshte e pershkruar me tendencen qe keto rregulla dhe ligje te jene sa me koherente dhe ne perputhje me drejtesine, me postulatet morale, qe nenkupton domosdoshmerine e universalizimit te parimeve.

    Antropologet kane konstatuar se ligji ka filluar te aplikohet ne shoqerite e para njerezore per te garantuar paprekshmerine e nje interesi dominant. Bie fjala nje fis gjuetaresh per te siguruar mbijetesen sulmonin nje fis bujqish dhe u grabisnin te korrat. Ata e bejne nje veprim te tille disa here, derisa gjeniu primitiv nuk ofron idene e marreveshjes: bujqit te pranojne vullnetarisht tu dorezojne grabitqareve nje perqindje te prodhimeve per kembim te sigurise se tyre. Kjo marreveshje eshte forma e pare e instalimit te ligjit. Sekendejmi ligjet ne thelb sanksionojne nje interes konkret, ndonese shoqerite e zhvilluara I kane kufizuar, I kane zbutur keto interesa duke I harmonizuar ato. Mirepo ende sot e kesaj dite ligjet dhe format e ndryshme te tyre si rezolutat, vendimet, etj ngerthejne ne vete kete dimension te interesit. Eshte e qarte se interesi shpeshhere nuk perputhet me realitetin e as me parimet e etikes.

    Bera kete hyrje per te kundruar nga nje kend me real Rezoluten 1244 te OKB-se. Kjo resolute sanksionon nje varg interesash qe dhunojne sa realitetin, po aq edhe parimet qe duhet te jene universale.

    Rezoluta 1244 trajton Kosoven si pjese perberese e Jugosllavise duke legjitimuar nje kohe kur me mjete te dhunes eshte imponuar nje interes, eshte dhunuar nje realitet. Kosova u be pjese e Jugosllavise me aneksimin e dhunshem te Serbise ne vitin 1918, kur u themelua Jugosllavia e pare. Ne ate kohe kur me dhune formoheshin shtetet, legalitetet e reja, legjitimohej ekspansionizmi, dijetaret dhe politiket e spikatur, te brengosur nga universalizimi I ketij parimi johuman u kundervune me nje parim tjeter, qe me vone do te jete fondamenti kryesor per themelimin e OKB-se: me te drejten per vetvendosje, clirim, dekolonizim etj.

    Bartes kryesore I ketije parimi qe synonte ta kufizoje mperdorimin e dhunes, ta parandaloje ekspansionizmin, kolonizimin ishte Presidenti amerikan Oudrou Uilson. Me vone themeluesit e OKB-se perqafuan kete parim si postulat te veprimtarise se tyre, duke legalizuar dhe legjitimuar ne kete menyre te drejten e popujve per clirim dhe dekolonizim. Qe nga ajo periudhe sa e sa shtete jane formuar duke kontestuar legalitetin paraprek te vendosur me dhune dhe e afirmuan legalitetin e ri te bazuar mbi vullnetin, mbi te drejten e patjetersueshme te popujve per vetvendosje.

    Sekendejmi Rezoluta 1244 eshte vendim paradoksal qe mohon parimin kryesor mbi te cilin jane ngritur themelet e OKB-se, ate te vetvendosjes, te clirimit, te dekolonizimit.

    Por pse u soll ky vendim nga ana e OKB-se?. Pergjigjen nuk mund ta gjejme ne realitetin dhe as ne parimet fondamentale te OKB-se, por thjeshte ne fushen e real-politikes, ne politiken e vazhdueshme te krijimit te balanceve mes fuqive te medha.

    Nje kohe te gjate faktori rus ka sponsorizuar ekspansionizmin e shteteve sllave ne Ballkan. Kjo politike eshte e vazhdueshme qe nga periudha e sundimit otoman e deri ne diten e sotme, kur ata e perdorin te drejten e vetos, jo per ti mbrojtur parimet sublime njerzore por interesat e zhveshura gjeopolitike,gjeostrategjike apo kulturore.

    Nga ana tjeter ne keshillin e sigurimit te OKB-se nuk mund te nxjere rezolute tjeter, qe do te sanksiononte te drejten e popullit te kosoves per vetvendosje nga friga e presedences. Kina dhe Rusia frigesohen nga presedenca kosovare per arsye te interesave te tyre ne Ceceni ,Tibet apo Taivan. Ne kete menyre me brengosje konstatohet degjenerimi I misionit te OKB-se. Shtrohet pyetja a u themelua kjo organizate per te humanizuar boten, apo per te qene nje instrument I ri per mbrojtjen e interesave te shteteve te medha, te cilat pastaj ofrojne sherbimet e tyre per sponsorizime te interesave te vogla?

    Trajtimi I Kosoves si territor I Jugosllavise sipas rezolutes 1244 eshte legjitimim I ekspansionizimit, I hegjemonizimit, I kolonializimit dhe dhunes se vazhdueshme qe I nderkembin parimet per brojtjen e lirive dhe te drejtave te njeriut ne vitin 1999,perfundimisht mori trajten e nje politike gjenocidale.

    Rezoluta 1244 permban ne vete kete interes ekspansionist serb, kete sponsorizim, qe kjo ceshtje ne nje kohe te gjate gezon nga Rusia, por edhe nga interesat tjera ansore, si frige nga presedenca etj.

    Rezoluta 1244 instalon nje parim inkoherent dhe segregues: “Te gjithe popujt e Jugosllavise dhe etnitetet konstituive te saja jane te barabarta, pos shqiptareve dhe Kosoves”.

    Ky interes nje kohe te fshihet prapa percaktimeve per respektim te legalitetit, por ne kete pike me doemos duhet hapur ceshtja e zanafilles se legaliteteve serbe mbi dia hapesire ku ata kane imponuar sundimin e tyre. Zanafilla e ketyre legaliteteve eshte e dhunshme. Kosoven e aneksuan me dhune, ashtu si me dhune krijuan nje legalitet te rij ne nje pjese te Bosnje-Hercegovines qe e pagezuan Republika Serbska. Natyrisht se keto nderhyrje brutale fshihen me vellon e nje propagande mitike qe perhap bindjen se ne Kosove mbrohet historia e tyre, nderkaq ne Bosnje realiteti I tyre. Eshte fakt se Serbet kan ndertuar nje mit lidhur me Kosoven, por histori ne te nuk kane. Edhe realitetin historik te kosoves edhe ate etnik ne Bosnje ata e krijojne artificialisht me propagande dhe dhune. Asnje levizje politike, asnje kryengritje nuk eshte organizuar ne territorin e Kosoves per te ndertuar Serbine moderne. Keto procese jane zhvilluar ekskluzivisht jashte territorit te Kosoves dhe kjo eshte krejtesisht e kuptueshme nese meret parasysh fakti se ne vitin 1906 ne Kosov ka pasur vetem 6% Serb.C’eshte e verteta ata ne Kosova kane nje histori te bujshme, ate te periudhes Jugosllave, te kolonizimit, te spastrimit etnik, te popullarizimit artificia. Nderkaq perpjekjet shqiptare per krijim te shtetit modern te pavarur shqiptar, zanafillen e vet e kane ne territor te Kosoves.

    Pra, rezoluta 1244 krahas faktit se legalizon nje te drejte qe zanafillen e vet e ka ne dhune dhe vazhdimisht me dhune eshte perpjekur ta ruaje kete te drejte, ajo, nga ana tjeter dhunshem mohon nje fakt historik dhe nje realitet aktual.

    Keto vendime duhen analizuar dhe kuptuar vetem nga ky kend I real-politikes, I respektimit te faktoreve kanoses dhe jo I parimeve te legalitetit, apo te atyre mbi te cilet jane ngritur dhe ndertuar themelet e OKB-se.

    Ne pergjithesi ne fushen e se drejtes nderkombtare haset nje kontradikte mes dy parimeve qe metojne te vendosin rregulla ne marredheniet e ndersjellta mes popujve dhe shteteve, par mes:

    1- parimit te vetvendosjes, se drejtes per clirim, dekolonizimet, dhe

    2- parimit te mondryshueshmerise se kufijve

    Parimi I pare ka force inherente, per nga natyra eshte I pandryshueshem. Askush nuk ka te drejte ti imponoje nje populli zgjedhen, sundimin, keqtrajtimin qe perkufizohet me perpjekje per gjenocid. Te gjithe pajtohen me faktin se liria eshte e drejte absolute e njeriut dhe e popujve. Eshte e qarte dhe e dokumentuar se serbet ne vazhdimesi ua mohuan shqiptareve te drejten per liri, barazi dhe drejtesi, por jo vetem kaq. Ata hartonin projekte te detajuara se si ti shperngulin kosovaret me dhune ose ti shfarosinin teresisht. Njeriu tishtohet duke lexuar elaboratet gjenocidale te akademikeve te formatit te Cubrillovicit, Andriqit dhe te tjereve per shfarrosjen e shqiptareve.

    Rezoluta 1244, e hartuar dhe votuar nen presionin e sponsorve te hegjemonizmit, te ekspansionizmit serb, mjerisht nuk e perfilli kete parim inherent, te patjetersueshem, por I dha perparsi parimit te dyte, atij teknik qe nuk ka permbajtje inherente, por qe flet per modalitete se si nuk mund te ndryshohen apo te ndryshohen kufijte e shteteve.

    Duke mbeshtetur parimin e dyte, jo vetem qe nuk u perfill realiteti faktik dhe historik kosovar dhe parimet e se drejtes nderkombtare, mbi te cilat jane formuar Kombet e Bashkuara, por thjeshte nuk u mor parasysh as konteksti aktual historik. Ne kohen kur u ndryshuan kufijte e me se 20 shteteve ne kampin ish-komunist dhe me gjere dikush kembengul qe ky parim te zbatohet pikerisht ne kosove. Pse?. Per shkak te legalitetit, legjitimitetit, realitetit historik, aktual? Gjithsesi jo! Shkaku eshte shume me banal se diskurset akademike per legalitetin. Shqiptaret si faktore nuk mund ti kanosen askujte dhe as te prishin ekuilibrat mes fuqive te medha, kauza e tyre e drejte nuk ka protektore.Ata deri me tani u mbeshteten nga faktori demokratik nderkombtare mbasi ishin objekt I nje politike gjenocidale, por jo me shume. Rezoluta 1244, nuk merr parasysh fillet e kesaje politike,aneksimin e Kosoves, ekspansionizimin serb,kolonizimin serb te kosoves, shpernguljen e shqiptareve,krijimin e nje legaliteti me dhune.

    Prandaj nuk duhet haruar se ligjet, rezolutat shpeshhere sanksionojne nje interes nje raport, nje standard,nje inkoherence qe perfill peshen e faktoreve e shume me pak realitetet faktike dhe parimet sublime te drejtesise etj.

    Procesi hyistorik ka treguar se ligjet, qe sanksionojne vetem interesat dhe jane ne kundershtim me parimet e brazise,lirise,perspektivave behen pengese per procesin historik.

    Karl Poperi, sociologu I njohur amerikan ne menyre gjeniale ka konstatuar se shoqerite moderne duhet te jene te hapura, jo vetem ne kontekstin aktual, por edhe ne relacion me ardhmerine. Rezoluta 1244 eshte nje vendim qe pengon hapjen e perspektivave te ardhmerise.
    My silence doesn't mean I am gone!

  8. #8
    i/e regjistruar Maska e troptit
    Anëtarësuar
    04-07-2002
    Vendndodhja
    Ne ate pjese te tokes qe me takon
    Postime
    109
    Tung!
    Natyrisht qe zgjidhja me e aresyeshme per te ardhmen e paqme e te qendrueshme e te gjithe shteteve te rajonit, do te ishte Pavaresia e Kosoves. Mirepo ne shqiptaret para se te mbyllim syte e te leme te gjitha shpresat tona tek bashkesia nderkombetare, qe jo pak here ka treguar dobesi , joaftesi apo deri edhe pertaci ne zgjidhjen e problemeve gjopolitike te rajonit duke e fshehur koken nen rere, apo duke shpresuar qe gjerat te zgjidhen vetevetiu, apo me keq duke u bere aleate e fshehte e te KEQES, si ne rastin e Srebrenices, eshte me mire te pregatitemi per nje lufte psikologjike teper te ashper, se qellimi i lojes eshte shume i lakmueshem per armiqte tane. Ata nuk kane per ta lene Kosoven kaq lehte. Cmimi qe do na duhet te paguajme do te jete shume i larte! Askush s'na ka falur kurre gje! keshtu ka per te qene edhe kesaj here. Zvarrisja e statusit perfundimtar te Kosoves behet me qellim per ti dhene mundesi Serbise t'ja rrise çmimin qe shqiptaret do te duhet te paguajme per Kosoven. Nese ne nuk tregojme se jemi te gatshem ta mbrojme Kosoven me çdo kusht, Kam frike se Kosoves do t'i duhen edhe disa dhjetevjeçare te tjere per te arritur Pavaresine. Kosova do t'i takoje atyre qe jane te gatshem te sakrifikojne me shume per TE!

Tema të Ngjashme

  1. Akademia e Shkencave dhe heshtja ndaj sfidave te kohes
    Nga &Mitrovicalia& në forumin Problematika shqiptare
    Përgjigje: 96
    Postimi i Fundit: 18-06-2009, 19:10
  2. Aldo Bare: Dokumentat do t’i bëjmë nëpërmjet Gjermenit
    Nga Brari në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 75
    Postimi i Fundit: 21-05-2007, 00:58
  3. Guerilasit e LANC
    Nga Tannhauser në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 28
    Postimi i Fundit: 21-04-2007, 14:12
  4. Vendimi per Kosoven jashte Keshillit te Sigurimit
    Nga FЯODO në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 2
    Postimi i Fundit: 25-10-2006, 05:32
  5. Adem Demaci: Eksperimenti politik ndërkombëtar me Kosovën
    Nga ARIANI_TB në forumin Çështja kombëtare
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 20-04-2006, 18:39

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •