Nga Altin Metaj - Greqi
Për dy ditë me radhë në një prej skenave më prestigjioze të artit skenik grek Eskili “foli” shqip. Dhe kjo falë kompozitorit shqiptar Vasil Tole. Opera “Eumenidët” e kompozitorit shqiptar Vasil Tole u ngjit në skenën greke më 30 shtator dhe 1 tetor.
Për operën në fjalë, Tole është fitues i Çmimit të Parë në konkursin botëror “Opera e Tokës” në vitin 2001. Konkursi u organizua nga Ministria Greke e Kulturës në kuadrin e Olimpiadës Kulturore, një aktivitet ky i cili do të zhvillohej paralelisht më Lojrat Olimpike në Athinë, por që për mungesë fondesh projekti nuk u realizua. Opera e Toles, sipas programit, duhej të ishte shfaqur që vitin e kaluar.
“Orkestra e Ngjyrave” u drejtua nga dirigjenti grek, Alpaslan Ertungealp, ndërsa kënduan këngëtarë lirikë nga Greqia, Japonia, Kina, Çekia, Rusia, Meksika. Libreti i operës, i cili bazohet në veprën e njërit prej tragjedianëve të mëdhenj të antikitetit grek, është në shqip, përkthyer nga shkrimtari i madh Ismail Kadare.
Shtypi grek e ka pritur me entuziazëm shfaqjen e Toles. “Më në fund, një ëndërr 7-vjeçare, një konkurs i shumëdiskutuar, një pritje e gjatë, të gjitha këto përfundojnë me sukses në Irodhio, më 30 shtator dhe 1 tetor. Tole sigurisht që njeh mirë dy versionet greke të Eskilit, realizuar nga kompozitorë të njohur grek, ashtu siç njeh mirë dhe simpatizon kulurën antike greke. Është shumë interesant fakti që libreti i operës do të dëgjohet në shqip (me përkthim grek, sigurisht) dhe me përkthimin nga i mrekullueshmi patrioti i tij, Ismail Kadare. Vepra mbetet besnike e Eskilit”, shkruan gazeta greke “Elefterotipia”.
Që të dyja shfaqjet u ndoqën me interes nga mijëra spektatorë, ndërmjet të cilëve shumica emigrantë shqiptarë në Greqi.
Shfaqja e veprës tuaj ishte llogaritur të jepej vetëm një vit më parë. Përse kjo vonesë?
Arsyet e vonesës së kësaj shfaqjeje organizatorët i lidhën me probleme teknike, të cilat nuk i bënë shumë të qarta. Kjo ka pak rëndësi tani. E rëndësishme është që opera më në fund po vihet në skenë dhe po vihet me kushte optimale përsa i përket përgatitjeve.
Me operën në fjalë u shpallët në vitin 2001 fitues i konkursit “Opera e Tokës”. Përse zgjodhët një pjesë nga Eskili?
Së pari, në kushtet e konkursit bëhej fjalë që kjo operë, e cila do të quhej “Opera e Tokës”, të hiqte një paralele të qartë me frymën olimpike, që do të sillte për gjithë Botën Olimpiada e Athinës. Dhe “Opera e Tokës” në një simbolikë më të përvetshme do të thoshte një vepër, ku të mblidhen të gjithë, domethënë sa më shumë tendenca, popuj e kombe dhe sigurisht një libret që ta përcillte këtë fjalë. Ka një koencidencë të çuditshme në zgjidhjen e “Eumenideve” të Eskilit, pjesa e tretë e triologjisë së Orestit, e cila ka dy momente të rëndësishme. E para, është një përkthim i shkëlqyer i Kadaresë i kësaj vepre, e cila është quajtur vepra e parë e të drejtave të njeriut. E dyta, kjo vepër hapet me këtë fjali të cilën e thotë një priftëreshë e tempullit të Apollonit: “Nga gjithë rinitë së pari i falem tokës”. Dhe të gjitha këto, plus çështjen e vendosjes së drejtësisë greke në “aeropak”, në institucionin e parë të gjykimit të çështjeve civile që u krijuan, mendova që do të ishte shumë më afër frymës olimpike për të dhënë mesazhin, që e drejta dhe drejtësia do të triumfojnë në çdo kohë.
Në gjithë atë kompleks ishte përfshirë edhe një orkestër me vegla popullore. A ishte ky një element i ndikimit të muzikës popullore shqiptare në këtë vepër dhe cilët janë elementet e tjerë të veçantë në të?
E gjithë opera është mbështetur në traditën folklorike shqiptare. Kryesisht në traditën e Shqipërisë së Jugut, por edhe të pjesës së Veriut. Çështja e futjes së një orkestrine aty është bërë për dy arsye: e para, në respekt të formulave teknike që tragjedia e vjetër greke kishte dhe ku plekseshin në një të vetme recitimi, kënga dhe vallja. Ishtë një kënd i veçantë në teatrot antikë, që quhej “këndi i orkestrës”. Ndërsa elementi i dytë lidhet dhe me origjinën time si përmetar. Duke qenë se kjo vepër prek gati dy mijë vjet zhvillimi historik, nga pikëpamja kompozicionale do t’i bënte mirë një krahasim i tingullit simfonik me tingullin e orkestrinave popullore. Pasi meloditë e temave popullore, që luan kjo orkestër gjatë operës përdoren më pas për të konturuar ariet e personazheve kryesorë, të cilët janë kryesisht perëndi.
Këngëtarët, megjithëse nuk e nihnin fare gjuhën shqipe, interpretuan në këtë gjuhë. A patën probleme për t’u ambientuar me tekstin shqip?
Teksti i Ismail Kadaresë është një tekst i mrekullueshëm. Nga opinionet e këngëtarëve, të cilët vinin nga Kina, Japonia, Meksika, Rusia, Çekia, Greqia, duke hequr hezitimin e parë të momentit, që do të këndohej në gjuhën e një vendi të vogël, u vu re se gjuha shqipe është një gjuhë shumë muzikore. Parimi fonetik i saj, që ashtu siç shkruhet edhe lexohet, ishte një lehtësi e jashtëzakonshme. Me të kuptuar këtë skemë, gjuha ka tingëlluar mjaft mirë në gojët e të gjithë këngëtarëve. Merre me mend, sikur teksti të ishte në një gjuhë tjetër, nuk kam parasysh këtu gjuhët klasike të muzikës, siç është italishtja, do të ishte shumë më vështirë sesa me shqipen.
A do të ketë mundësi publiku shqiptar ta shohë veprën tuaj në skenën shqiptare?
Do të ketë dy forma dëgjimi. Në një takim që pata me zëvendësministrin grek të Kulturës, z. Tatulis, më premtoi që do të bëhej një produksion në CD dhe do të shërbejë si një dhuratë që Ministria e Kulturës e Greqisë do të japë në kuadrin e Olimpiadës Kulturore, krahas botimeve të tjera. Dhe me të përfunduar detyrimet kontraktore që unë si kompozitor kam me palën greke, do të kisha kënaqësinë që Teatri Kombëtar i Operas, ta vinte në skenë këtë opera në Tiranë. Besoj se do të ishte diçka shumë e realizueshme për faktin që mund të transferohej shumë mirë gjithë kasta e këngëtarëve që interpretuan këtu, në Operën e Tiranës, me ndonjë kombinim të mundshëm me këngëtarë të atjeshëm. Është një praktikë shumë normale për mua dhe e realizueshme.
Mendoni se është tashmë e mundur që të konkurrojnë edhe artistë nga Shqipëria në skenat e mëdha europiane me vepra të tilla të përmasave të mëdha?
Tashmë, vënia e “Eunemideve” në skenë është një sukses, i cili është konfirmuar edhe nga kritika. Do të thoja se është një pjesë e aktivitetit, që artistët shqiptarë në të gjitha artet kanë bërë dhe nuk janë pak të tillë si në fushën e muzikës, në fushën e arteve figurative dhe të letërsisë. Veprat e shkrimtarëve shqiptarë përkthehen në gjuhë të ndryshme të Botës, këngëtarë shqiptarë këndojnë në skena të ndryshme, piktorët shqiptarë organizojnë ekspozita në sallonet më prestigjioze. Pra, është një dimension real i asaj cilësie që artistët shqiptarë paraqesin. Kjo duhet parë në një prizëm do ta quaja të një politike kulturore. Këtu është thjesht çështja e krijimit të një integrimi të këtyre vlerave brenda një okelio të përgjithshme. Artistët shqiptarë sot janë imazhi më i mirë i Shqipërisë në Botë.
A do të ketë në të ardhmen një bashkëpunim të ri në Greqi?
Gjatë premierës në kontaktet e fundit, kryesisht me kolegë kompozitorë dhe kritikë muzikorë, më është thënë se për operën do të shkruhet në revistat e specializuara si dhe në shtypin e përditshëm. Ky i fundit, gjatë gjithë kohës që kam qenë në Athinë, e ka përcjellë me vëmendjen dhe dashamirësinë e duhur. Unë do të thoja se një nga bashkëpunimet e mundshme të së ardhmes do të jetë përkthimi në Greqisht i veprës sime të fundit studimore që quhet: “Odiseja dhe Sirenat - grishje drejt visive isopolifonike të Epirit”. Është një studim, i cili pretendon nxjerrjen e origjinës së polifonisë popullore, aktualisht Shqipërisë së Jugut, por që ka qenë një dukuri shumë e lashtë në kohët homerike, duke qenë se shumë studime nuk kanë mundur ta nxjerrin dot këtë origjinë përpara Krishtit. Them se do të ishte një vlerësim i drejtë, sepse, së pari, do të informonte publikun grek për një nga tezat më të reja në fushën e studimeve muzikologjike dhe së dyti, që kjo trashëgimni e përbashkët do t’i shërbejë më mirë riforcimit të pozitave të trajtimit të një kulture si të përbashkët dhe jo si një kulturë të ndarë.
p.s. më mirë vonë se kurrë. Suksese!
Krijoni Kontakt