Në përurimin e shkollës, ministrja e Arsimit, zv.ministri i Jashtëm dhe kryepeshkopi Anastas
Korçë, hapet shkolla greke
Zv.ministri i Jashtëm grek: Ëndërr e vjetër për grekët etnikë në Shqipëri, ndërtimi i një shkolle në Korçë
TIRANË - Hapet shkollë greke në Korçë. Sipas Agjencisë Maqedone të Lajmeve me qendër në Selanik të Greqisë, ministrja greke e Arsimit, Marietta Giannakou dhe zv.ministri i Jashtëm, Evripidis Stilianidis, pritet të marrin pjesë sot në përurimin e shkollës fillore greke “Omiros” në Korçë, si dhe në përurimin e Departamentit të Shkencave Kompjuterike në Universitetin e Korçës. Këto projekte janë financuar nga Agjencia Ndërkombëtare e Zhvillimit dhe Bashkëpunimit dhe Ministria e Jashtme greke. Në deklaratën e tij për Agjencinë Maqedone të Shtypit (MPA), Stilianidis theksoi se Ministria e Jashtme (greke) i jep rëndësi të veçantë diplomacisë nëpërmjet arsimit, çka kontribuon në promovimin e kulturës greke, letërsisë greke dhe gjuhës greke. “Një nga projektet tona më të rëndësishme, që ka qenë një ëndërr e vjetër për grekët etnikë në Shqipëri, është ndërtimi dhe vënia në punë e një shkolle në Korçë”,- tha zv.ministri i Jashtëm i Greqisë. Duke shfytëzuar anëtarasinë në Bashkimin Evropian, Greqia ka kërkuar shpesh në kuadër të të drejtave të minoritetit grek në Shqipëri edhe hapjen e shkollave. BE-ja shpesh në raportet e saj mbi situatën e pakicave në Shqipëri ka theksuar se niveli i tyre ka ardhur në rritje, por sërish ka nevojë për përmirësim. “Ndërtimi i shkollës u financua nga Ministria e Jashtme greke dhe do të funksionojë me ndihmën dhe bashkëpunimin e ministrive të arsimit të të dyja vendeve”,- u shpreh Stilianidis, duke shtuar se një Departament i Shkencës Kompjuterike do të përurohet gjithashtu në universitetin lokal. Sipas zv.ministrit grek, këto dy ndërhyrje nga Hellenic Aid, nxjerrin në pah rolin e rëndësishëm që Greqia mund të luajë si një donatore në rajonin e Ballkanit, si dhe ndjeshmërinë e Greqisë për popujt fqinjë dhe pakicën greke në Shqipëri, e cila mund të shërbejë si një urë miqësie dhe bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve. Përurimi do të bëhet në praninë e kryepeshkopit orthodoks, Anastas, ndërkohë që do të hidhen edhe themelet e ndërtesës së re të arsimit të lartë. Gjithashtu, ministri grek i Arsimit dhe zv.ministri i Jashtëm kanë parashikuar të vizitojnë ndërtesën që dikur shërbente si konsullatë greke, Katedralen e Korçës dhe gjimnazin “Themistokli Gërmenji”. Në Jug të vendit, në fshatrat e minoritarëve të Dropullit janë ngritur prej vitesh shkolla në gjuhën greke edhe pse numri i nxënësve që i frekuentojnë ato është shumë i vogël, për shkak të emigracionit. Për t’u theksuar është fakti që disa klasa në këto shkolla e zhvillojnë mësimin vetëm me disa nxënës.
Marre nga gazeta "Shekulli", me 17 prill 2005
Krijoni Kontakt