Mendime të lira për simbolikën "COCA COLA"
Ervin Hatibi
Maj 1994
Coca-Cola na u gjend neve në ditë të vështira. Kjo është edhe esenca e këtij shkrimi. Tashmë, të kuqe edhe nacionale, ne e kemi Coca-Cola-n tonë të prodhuar në vend. Në një vend pothuajse të barazlarguar mes Tiranës e Durrësit.
Aty e desh fati, u ngrit kombinati, oazi. Tani popullsia në vrapin arratik përmes shkretëtirave post-diktatoriale, ka mundësi ta shuajë etjen e të plasë nëpër oazet televizive plot Coca-Cola, natë për natë, stacion për stacion, i siguruar nga INSIGU i reklamës përbri. Ia arrita edhe unë kësaj dite, thotë taksapaguesi televiziv. Edhe karvani e ka përpara, edhe qentë destabilizues nuk lihkan fare, duke vjellë të velur ushqimin më të mirë në botë "Pedigree" (shih më sipër për hollësira të nevojshme. Më sipër në kuptimin kohor, d.m.th. në reklamat e darkës).
Shqipëria ka patur përherë mendonjës të lirë nëpër rradhët e mikroborgjezëve anarkikë, katundarëve të mençur apo edhe ndonjë punëtorie të infektuar prej këtyre. Këta përbëjnë një opozitë të palëkundshme në kundërshti tetëdhjetë e sa vjeçare me shtetin shqiptar (shpesh ndodh që opozitat e çastit t'ua përvetësojnë pjesën më naive të rebelimit, por edhe shteti vetë të modifikohet sipas realizimit të tyre aq sa mundet. Kurse masat popullore...)
Në kontekstin e Coca-Cola-s, që gjithsesi është një fenomen i vjetër social edhe në Shqipëri, kuptova edhe unë diçka. Në përurimin e fabrikës kuptimplotë të Coca-Cola-s para pak ditësh, pamë një Mukje që funksionoi në mënyrën e vet: domethënë se të gjitha palët që morën pjesë në kremtim, në heshtje e miratuan atë tubim nën dekorin e flamurit amerikan e të flamurit të Coca-Cola-s.
Kjo qe më tepër se një simbol dhe ne e pamë këtë në TV, pastaj pamë edhe reklamat.
Në bakanalin përurues, lëngu i kuq, prodhuar së fundi edhe me ujë Shqipërie kaloi si në enët komunikuese varg nëpër trupat e kundërshtarëve publikë politikë, që kësisoj u freskuan pas betejave kaq të gjata.
Megjithë respektin e thellë që kam për lëngjet, u sugjeroj mendonjësve të lirë, që opozitën e tyre të salduar ta pagëzojne ANTI-COCA-COLA. Dhe i siguroj se jo vetëm në literaturën marksiste, por edhe shumë më gjërë, ajo është sinonim i imperializmit, nektarit të plebejve, dhe optimizmit.
Reklama më e fundit: Mbreti plak e i verbër nis tre djemtë e tij nëpër botë që të gjejnë ilaçin për sytë: ujin magjik. Kapton djali i madh vise pafund e rreh pëllëmbë për pëllëmbë vendet e shenjta gjersa mbush një faqore me ujë nga ujët e lumit Jordan. Por kjo nuk i bën fajde lëngatës së mbretit. Hidhet e perdridhet djali i dytë e së fundi na sjell ca ujë Gline, por as ky nuk jep rezultat. Djali i vogël, me ato flokët e krehura përpjetë, i ka rënë botës vërdallë duke i bërë paratë e udhëtimit rrush e kumbulla. Por befas i kujtohet detyra birnore, dhe duke futur dorën krejt i trishtuar në xhepin e xhinseve, nxjerr ca pak monedha të fundit që i kane tepruar. Befas çelet në fytyrë, blen aty pranë shishkën me Coca-Cola, dhe vrapon drejt syve të kaltër të mbretit.
Krijoni Kontakt