Close
Faqja 4 prej 4 FillimFillim ... 234
Duke shfaqur rezultatin 31 deri 36 prej 36
  1. #31
    i/e larguar Maska e forum126
    Anëtarësuar
    05-10-2003
    Vendndodhja
    USA
    Postime
    1,198


    Pashallarë të Kuq dhe Blu: Mbi islamizimin me dhunë të armikut në diskursin publik shqiptar.

    (Ervin Hatibi)

    Një nga gjetjet më të bujshme me të cilën na qerasin shpesh kohët e fundit fotoreporterët shqiptarë, është loja me aureolat. Sahera, faqe të para gazetash hapen me ndonjë portret kryesisht politik, i ujdisur ky në fokus në një mënyrë të këtillë, që personazhit të fotografuar t’ia kopsisin kokën pas ndonjë objekti a shenje të rrumbullt, çfarëdo qoftë: rrethi me yjet evropianë të flamurit, stema ovale e kryeministrisë, ndonjë O apo Q kapitale nëpër banderola ceremoniale, ndonjë tollumbac festiv… Çdo objekt rrethanor rrumbullak ngarkohet me misionin e qerthullimit të kokës së personazhit me një lloj sfondi qarkor, tip kurore mbretërore apo brerore shenjtërore. Gjuha e dhunës në shtyp, më e ashpër dhe piktoreske gjatë viteve ’90, tashmë që është shtruar ca, duket se ia lënë misionin e demonizimit përmes karikaturizimit artit objektiv të fotografisë. Kështu, gazetat shpesh e pikturojnë kundërshtarin politik me poza të sforcuara tipizuese, të tilla që shfrytëzojnë rastin p.sh. përgjatë ndonjë teshtime apo ndonjë kruajte vetvrasëse hunde, gjatë shqiptimit të mundimshëm të ndonjë bashkëtingëllorje, gjatë ndonjë gromësime parlamentare a pultitje rutinore të pafaj syçkash apo çdo mrrolje e tendosje tjetër të lëkurës së mimikës. Poza që në fakt duheshin hedhur në kosh nga profesionisti i ndershëm. Rrethorja që përmendëm, në të tilla raste negative nuk e rrethon më kokën politike si aureolë a kurorë: ajo bëhet thjeshtë rrethi koncentrik në dylbinë e snajperit: bëhet shënjestër ekzekutimi.
    Herë pas here shënjestra e dëshiruar ovale, nuk gjendet edhe aq kollaj në mjedisin rreth politikës: ndonjëherë flamuri evropian është tepër i dallgëzuar për t’u fokusuar adhe tollumbacet nuk janë domosdo më të vogla se kokat e ca politikanëve për t’I mirëpritur këto si kornizat. Dhe fotografët heqin keq… Por përherë ka një zgjidhje: montazhi dhe kolazhi, në traditën më të mirë të agjit-propit stalinist! Me një ndërhyrje cezariane, personit të urryer, ashtu si në magjinë e zezë voodoo i masakrohet mishërimi fotografik. Truku grafik më i përdorur botërisht për më se 60 vjet me rradhë për të përdhunuar imazhin e kundërshtarit është shkarravitja kozmetike e një palë mustaqkave të vogla Hitleri mbi buzën e portretit. Në Shqipëri, për vite me rradhë, rolin e aksesorit ndëshkues, me sukses e ka zëvendësuar një anti-aureolë: çallma e bardhë e hoxhës! Mos na thotë kush tani se nuk i ka parë e stërparë gjatë viteve të fundit foto-fletërrufetë me çallmën montuar apo shartuar drejt e mbi Sali Berishë në shtypin e majtë apo të njëjtën përmbi Fatos Klosin në shtypin e djathtë! (Shënim: Kurse çallma mbi kokën e të ndjerit hafiz Sabri Koçi kudo nëpër foto është autentike. Jo vetëm ai, por edhe të tjerë dinjitarë të bashkësisë islame, imamë e dervishlerë, hoxhallarë e baballarë, nuk e kanë me të keq këtë punën e çallmave: është thjeshtë një traditë e tyre shumë e vjetër.) Sigurisht, i madh e i vogël e di se kjo nuk bëhet për inat të hoxhallarëve, dhe as në shenjë përngjasimi me ta, po kryesisht për mbivendosje me Osamën, logon momentale të së keqes pereniale orientale.
    Anti-aureola ekziston edhe në variantin femëror. Ajo është shamia e besimtareve praktikante muslimane, e njohur më shpesh në zhargonin mediatik e politik shqiptar si "ferexheja", një anakronizëm i sforcuar me të cilin asnjë femër e mbuluar shqiptare nuk e emërton kryembulesën e vet, një orientalizëm i cili është një anti-aureolë më vete, e llojit gjuhësor kësaj here. Në këtë funksion e përdori edhe kryeministri i vendit gjatë një fushatë zgjedhjesh të paradokohshme në qytetin e Elbasanit, kur ftoi njerëzinë që të votonin "kundër ferexhesë politike", (si edhe gjithashtu "kundër Haxhi Qamilit" dhe pro "Kostandin Kristoforidhit.") (Po si nuk gjeti gjetiu nja dy shembullorë të tjerë që të ndajnë të njëjtë fe e të mos na ndajnë edhe më tej ne të tjerëve kur të votojmë pastaj për ta, po u gjet një i keq musliman dhe një i mirë i krishterë, me Shkumbinin përmes… ) Jemi në nivelin e garderobës pluraliste dhe sfilatës identitare: në një pikëpamje aspak cinike, si çallma ashtu edhe "ferexheja", në fakt, janë kryesisht veshje. Dhe në këto kohëra supersonike e virtuale, globaliste e multikulturaliste, robit të shkretë i qëllon të vishet lloj-lloj, për qejf a për hall, për sport a për eksport. Gazetare të pashme, me shaminë hedhur muslimançe mbi sy, nusërojnë para kamerave të lajmeve nëpër rrugët e Kabulit, presidenti amerikan gjatë vizitës në Kinë vishet si mandarin perandorak, po askush ama nuk ua nxjerr këto foto jashtë kontekstit, për t’ua përdorur si ndonjëfarë mini-shantazhi qesharak. Kurse në një faqe të parë të një gazete të madhe tiranase ("Korrieri"), gjejmë të vendosur një foto-poster të gruas së kryeministrit, të mbuluar me një foulard të bardhë në kokë gjatë vizitës së një xhamije në Liban. Diçitura na diktonte se Zonja e Parë kishte veshur « rrobat e grave islamike », dhe sigurisht diçitura nuk mund të jetë kaq enciklopedike sa të qartësojë edhe për lexuesin e thjeshtë e të çuditur se gjithë turistet apo vizitoret femra të xhamive dhe të shumë kishave, në shenjë respekti ndaj traditës u sugjerohet të mbulojnë flokët me një shami që shpesh ua ofron guida turistike në derë të tempullit. Ama gjithë operacioni foto-diçiturë, në një mënyrë qëllimshëm arbitrare kërkon të të lërë shijen e (larg qoftë) ndonjë inklinacioni të gabuar shpirtëror, qoftë edhe momental, të gruas së kryeministrit, e kush e di, mbase edhe të të shoqit… Toni që përshkonte shkrimet e numrit të gazetës merret me mend se ishte tejet kritik ndaj çiftit, sigurisht për arsye të politikës, por truku i "ferexhesë" i kishte vënë pikën mbi i imazhit të mëtuar problematik. Po kështu u veprua kur kundërshtia për shpalljen zyrtarisht të z.Xhoana Nano si First Lady protokollare, mobilizoi në protestën e rradhës teatrin politik nëpër rrugët e Tiranës. Djemtë e vajzat e lëvizjes "Majft", organizatorë të mitingut kritik ndaj kësaj shpallje, e panë të arsyeshme që Xhoana Nanon ta riemërtojnë "Xhemile" për ta tallur në karikaturat e posterat e protestës.
    Tentativa për "islamizim të armikut" nuk prek vetëm fatkeqët që kanë lindur nën kubetë e rënda, jeshile e të vjetëruara të emrave dekonspirues muslimanë. Mirë ata që mund t’I akuzosh po të të dojë qejfi për konspiracione reaksionare për integrizëm oriental kundër integrimit oksidental: tentativa për islamizim të dhunshëm po prek edhe banorët e pafajshëm të emërmbiemrave të tjerë. Epshi konvertues në fakt thjesht mëton për ta mbyllur në një "Abu Graib" poshtërues e degjenerues, qoftë edhe vetëm gjuhësisht e përkohësisht, kundërshtarin politik. Kështu në një editorial të një tjetër gazetë të rëndësishme ("Koha Jonë"), mu pas një vizite të përfolur në Dubai (përtej "Perdes së Hekurt Identitare") Fatos Nanos i këndohet kjo lloj formule çpagëzimi: "Nano kryeministër mund të ketë një ditë dëshirën surrealiste por të sinqertë, të shkojë për pelegrinazh në Mekë…". Pjesa tjetër e editorialit është minuar me sulme e shpoti të tjera, dhe ndonëse krejt pa takt e pa vend, dëshira për t’I shkuar deri në ekstrem operacionit të tëhuajzimit final, shpie në internimin e imazhit mu në qendrën e Orientit reaksionar, aty "përtej urës së Qabesë" ku shkon e nuk kthehesh veçse Haxhi, si Qamili simbolik… (Martohu sa të duash në kishë ti! Tjetri lutet e mezi pret të të rrëshkasë këmba e të vesh në esfel!)
    (Gjatë muajit të Ramazanit, më e forta ishte të shihje në një tjetër gazetë të madhe tonën ("Albania") një listë të gjatë me emrat e gati gjithë deputetëve të Kuvendit, që jo me ndonjë paramendim kanë lindur nga prindër me emra muslimanë. Pra kanë më shumë mundësira për haxhillëk se Nano. Me një procedim që të kujtonte atë të militantëve të partisë kur testonin me cigare e shishe uji të dyshuarit si agjërues në vitet e diktaturës, gazetari u qe afruar të gjithëve këtyre me pyetjen aspak etike : a po agjëron? Lista e pafundme e emrave në shumicë dërrmuese përgjigjej me mohore. Që pas 1997, duke kaluar edhe përmes 11 shtatorit, numri i burrave të politikës tonë që pozojnë rrotull xhamive, ka rënë drastikisht. Ndërkaq më kujtohet mirë sesi në fillimet e demokratizimit të Shqipërisë, në kohët ende të arta të inercisë antisovjetike të aleancës afganoamerikane, shumë nga këta burrat ofronin edhe pa ua kërkuar kush sinjale të panevojshme identifikuese me Islamin. Sot u duhet të kalojnë prova të tilla fyese e trishtuese për të provuar të kundërtën. Kështu dora vetë Sali Berisha, kaq i sulmuar për hapjen e vendit me botën islame, sot deklaron literalisht se flamuri i Shqipërisë është flamur i Krishterimit, frazë që nuk besoj se do guxonte ta thoshte ndonjë ish-president amerikan, të themi, apo gjerman, italian, francez... (lista vazhdon.)
    Ky shkrim magazinon përciptas vetëm disa shfaqje nga më interesantet e kohëve të fundit. Nuk është hera e parë që shkruaj për orientalizimin e armikut në kulturën tonë, për racizmin e islamofobinë që nuk çudit më asnjeri, për Berishën që deputeti-kryeredaktori i gazetës së partisë në pushtet ("Zëri i Popullit"), e shpotit me « muslimani Berisha », për Berishën që e godiste Ilir Metën kur ky qe kryeministër me llagapin « Sheiku Metullah », për editorialin famëkeq të njërës prej gazetave më të mëdha në vend ("Korrieri") ku difekti i qeverisë Nano ishte mbiemri Islami i ministrit të jashtëm, për fyerjet publike standart me termat "anadollak", "çeçen" apo më rrallë "jeniçer", që kanë kolonizuar imagjinarin politik me hordhi barbarësh orientalë. Zhurma e kohëve të fundit përmbi zhdukjen e poemës "Pashallarët e Kuq" të Kadaresë, na rikujtoi ndër të tjera, se pas sagës politike noliane, publicistikës françeskane apo asaj para-bolshevike të dhjetëvjeçarëve të parë të shekullit, tendenca për ta bërë synet të ligun, zelli për të montuar një "kokë turku" mbi armikun, tashmë është futur akoma më e komplikuar dhe agresive në diskursin shqiptar. Ashtu si gjashtë shekuj më parë, kur feudalët ndërluftues arbër, thirrën në ndihmë mercenarët turq të vriteshin për ta, edhe sot konfliktualiteti në shoqërinë tonë po i thërret rishtas nën armë. Po ta vazhdojmë këtë krahasim mekanikisht deri në fundin e vet, zbulojmë se çmimi që paguan feudalët për këtë qiramarrje, rezultoi tepër i lartë.
    Ndryshuar për herë të fundit nga forum126 : 12-11-2006 më 13:11

  2. #32
    i/e larguar Maska e forum126
    Anëtarësuar
    05-10-2003
    Vendndodhja
    USA
    Postime
    1,198
    Miss Futbolli

    Ervin Hatibi

    Pasqyra opake e rinisë së gjithkujt

    Na ishte se ç’na ishte një herë e një kohë një princ djaloshar. Ky princ ishte i mbuluar i tëri në ar, dhe prandaj njerëzia e quanin Princ i Lumtur. Në variantin e Oscar Wilde-t, princi qëndron majë një shtylle në mes të qytetit, dhe ata që e shohin lumturohen me të, me rininë e pasurinë e tij të paluajtshme, ndërsa princi vetë trishtohet përditë me mjerimin e tyre aty poshtë. Si në një krishtërim të ri apokrif e socialist, princi pak nga pak, e zhvesh gjithë arin e trupit të vet dhe me anë të një dallëndysheje (jo pëllumbi) ua dërgon të varfërve të qytetit për t’u dhënë lumturi, derisa edhe rubinët e syve ua dhuron e nuk ka më ç’të dhurojë. Të nesërmen e gjithë vetëdhurimit martir, mbi piedestal ka mbetur një qytetar si të gjithë, një që nuk shkëlqen nga lumturia, dhe prandaj, e neveritur popullata e rrëzon përtokë statujën e vetes dhe e hedh në plehra.
    Në variantin e dytë, por më të vjetrin, princi i vogël quhet Siddharta. i ati shpreson që Siddharta të bëhet perandor i gjithë indisë, por një parashikues i ka thënë që i biri do të bëhet murg shëtitës në kërkim të së vërtetës. Babai i vet e di se çfarë i çon njerëzit tek feja, dhe ajo që më së shumti i çon është kimia e kohës mbi materialet, dhe prandaj ia ka mbyllur rrugët e njohjes së vetes Siddhartës material duke e mbyllur në një kopësht të mrekullueshëm e të trefishtë indian, rrethuar me shatërvanë e shërbëtorë e oborrtarë të rinj, të bukur e të shëndetshëm, e me lodra e harera, që ky të mendojë se rinia e shkëlqimi është bota dhe jeta dhe se halli nuk ekziston. Por një ditë Siddhartës i shfaqet përpara një plak fort i vjetëruar, e princi i lumtur nuk e kupton se çfarë lloj gjallese na qenka kjo pamje e mjerë. i thonë se ky është njeri si ne, por që vjen nga një kohë tjetër: nga koha e ardhme që na vjen të gjithëve. Përfshirë edhe ty. E nis gëzimi i jetës e fiket brenda Siddhartës, se ky sheh më pas edhe të sëmurin dhe të vdekurin e parë në jetën e vet, dhe kupton se ne jemi çdo i vdekur dhe çdo i sëmurë dhe çdo plak dhe se gjithçka është thjesht çështje kohe dhe se gjithçka që është nën kohë është vuajtje...

    Ashtu si princi Siddharta edhe ne jemi fortifikuar mirë pas një muri mental që vazhdimisht trashet dhe na mbron nga koha. Me hir dhe hare dekorative kemi qëndisur retinën tonë dhe e me të vulosim lart e poshtë kohën dhe e privatizojmë atë dhe e quajmë rini. Me këto lloj syzesh për të mos parë, po për të na parë, si Siddharta e kemi rrethuar veten me statuja Princash të Lumtur që na bëjnë hipnozë e shoqëri dhe na bindin me rini dhe na e dhurojnë pak e nga pak arin e rinisë së vet njëpërdorimshe deri sa harxhohet, po ne vrik shpaketojmë një Princ fringo nga ambalazhi kërkëritës, për ta aktivizuar buzëqeshës si oborrtarin e rradhës. Mbi altaret shtëpiake mbajmë fort të ndezur budat televizive mbushur plot shërbet shkumëzues vajzurinash të zhurmshme e plot djelmoshë dhëmballëbardhë plurifunksionalë, bisturia estetike na i tendos vazhdimisht velat e lëkurës e ne lundrojmë përpara gjithmonë përpara në një moshë kur në fakt duhet të pushonim (Tokë ! Tokë !), një konspiracion rinie mbush revistat dhe rrugët e qytetit dhe shitëset të buzëqeshin pa të njohur, fëmija-mbret qeveris botën, detyron njerëzit të veshin këpucë atletike e pantallona të shkurtra si ai dhe të përdorin fjalë gjithnjë e më të shkurtra lojcake, kamikaxi i papunë palestinez, rokstari overdozë emër njërrokësh, personazhi kryesor i ikonave është përherë një djalë i ri eternal nën 33 vjeç, rini, rini, rini, sukses dhe shëndet nëpër manekinë plastikë që nuk plaken, nuk skuqen dhe nuk kanë ftohtë këtej e andej vitrinës, eutanazia i heq spinën pasqyrës së adoleshentit të rrudhur nga të parët tronditës të puçrrave mbushur me reçel mollësh të ndaluara gjenetikisht të modifikuara: dritat fiken. Në azil ka gjumë të detyrueshëm pas një farë ore. Vetëm një ekran i fshehtë pa zë vazhdon të lëpijë e restaurojë me dritë rinie spektakolare rrudhat e përlotura të infermieres gardiane roje nate në plakje.

    intermexo muskuloze

    Edward Said shkruante se anglezët kur kolonizuan indinë, guvernatorët dhe funksionarët e vet nuk i linin të plakeshin. Në mungesë të mediave dhe kirrurgjisë plastike, thjesht sapo funksionari kolonial plakej, Kurora e zëvendësonte direkt me një funksionar të ri më të ri: indianët duhet ta shihnin pushtetin përherë riosh, vital, muskuloz e performant. Viril. Mirëpo indianët kishin dhjetëra shekuj që i kishin kapërcyer muret e parabolës së Siddhartës. (Princi i ri, siç dihet u ndriçua e u bë Buda që njohim, si midhja që bëhet perlë, fill pasi zgjodhi vdekjen e dëshirave e vlerave konsumiste në rrugën e askezës e moderacionit.) Muskujt djalosharë anglezë i mposhti përkorja dhe urtësia e një Gandi të imët. Megjithatë imazhi i pushtetit vazhdon të këmbëngulë në më të sigurtën : në një metaforë muskujsh.

    Diskursi etik dhe konkursi fizik ose Kush s’ka kokë, s’ka kohë


    Në epokat moderne diskursi i të mirës dhe të keqes, është zëvendësuar gjithnjë e më shumë me një lloj konkursi midis të bukurës me të shëmtuarën, të fortës me të dobtën, kurse sekularizimi i bukurisë dhe i forcës, bën që gjithnjë e më masivisht, e bukura dhe e forta të jenë para së gjithash sinori i tyre fizik. Populli i zgjedhur i të bukurve dhe të fortëve, është pra padyshim populli i të rinjve, ose atyre që janë konvertuar në të rinj me anë të njërit apo tjetrit sugjestion bioteknologjik.
    Paralel me rënien poshtë të njerëzisë në peshoret e këtij konkursi laboratorik fizik të vlerave, ka pllakosur masivisht një kulturë foshnjërore imazhi, në dëm të kulturës të shkronjës. Leximi është një proces dekodifikimi dhe interpretimi shenjash konvencionale, i cili kërkon kohë : kërkon përvoja e njohje për t’i dhënë minutazhin e duhur nëntëmujor farës së shkronjës që të bujisë pastaj si jetë brenda kokës që të mos abortojë fjala në mes të vetes: fjala kërkon njëfarë pleqërije për t’u kuptuar. Ndërkaq që imazhi nuk ka nevojë fare për eksperiencën njerëzore që ta bëjë të jetojë, sepse ndërkaq është. imazhet bile nuk kanë fare nevojë jo vetëm për dijen dhe ekperiencën njerëzore që të jetojnë të pavarura, ato nuk kanë nevojë as për rracën njerëzore. Korbat vazhdojnë të tremben nga dordoleci, dhe këtij i mjafton vetëm ekzistenca e korbave për të patur kuptim, kurse tabela « Ju lutem mos na e hani grurin në arë! » i le indiferente sorrat, korbat dhe përvojat e tyre, ndërsa ka kuptim vetëm për një kategori njerëzish. imazhi është mediumi i mungesës së eksperiencës dhe mediumi i rinisë së përhershme. Kush hyn në imazh nuk plaket më, dhe kush kundrron një imazh nuk ka nevojë hiç të ketë një të kaluar, të ketë kaluar pra ndonjë kohë për të kuptuar e mësuar gjëra: imazhi mirëpret këdo, dhe të strehon patjetër diku në vete, qoftë dhe në sipërfaqje…


    Po të zbresim nga shifra e këtij qytetërimi rinie nevojat e kapitalizmit për ushtarë & mish të ri blerësish nepsqarë, mund ta reduktojmë thyesën deri në rrëzë dhe të vijmë në gjykimin se sipërfaqësimi i portretit të Njeriut si i Ri, dhe sipërfaqësimi i këtij të fundit si mish fizik, dhe sipërfaqësimi i këtij të fundit fare (mishit) si imazh, e merr formën e vet bruto në konkurset e bukurisë femërore eros dhe ato të forcës mashkullore thanatos që anasjelltas aplikohen në fakt nga të gjitha sekset njëherësh pa dallim gjinie. "(S)tadiumet, këto bordelle të lavdisë…” “…ku do të vdesim fare në një onanizëm kolektiv”, shkruante nja dy-tri vjet më parë në një “Manifest kundër mjerimit të sportit” shkrimtari meksikan Alvaro M. Shtresa (gjithnjë e më të gjëra) të shoqërisë, duke përfaqësuar rininë e vet në ikje e sipër dhe boshin e kohës brenda fanellës identitare të skuadronit sportiv, mallëngjehen dhe madhështohen në farsa të vogla betejash për poshtërimin e “atij tjetrit” më pak të fortë, në ankthin pa kosto të lartë të të qenit edhe vetë viktima.

    Miss Albania-Miss Greqia 2-1

    Populli ynë i zgjedhur me djemtë e vet më të zgjedhur të sportit më të zgjedhur (ai që bëhet me këmbë) triumfoi para ca javësh mbi djemtë më të zgjedhur të një populli tjetër, jo të zgjedhur. Ne ishim më të fortë. Populli u derdh rrugëve, jehona pushtoi qiellin, flamurët pushtojnë qytetin, nata bëhet ditë, birra bëhet lumë, nuk flihet më gjumë, daullet, lodrat, krismat, fishekzjarret, klaksonat: zhurma zallamahike e festës bëhet fibri komunitar që na bën të gjithëve shqiptarë sapo e dëgjojmë dhe boja e kuqe e flamurit rrugëpërmbytës na hyn nëpër sy e më pas nëpër deje si në enët komunikuese varg, e na bën të gjithëve barazisht, duam apo s’duam shqiptarë. Qeveria, si e do adeti, zgjidh qesenë dhe paguan shtrenjtë trofenë duke i gostitur gjithë djemtë e topit me para të madhe për atë sesi na bënë të ndjehemi.
    Në territorin e grave, konkurset e bukurisë shënohen edhe ato me zhurmë e bujë specifike, sigurisht jo aq të madhe si e stadiumit, në mënyrë që gratë e reja të mos i zerë paniku e të braktisin me të katra pasaralelën, ashtu gjysëm çipllak. E veçanta e konkursit të bukurisë ndër shqiptarët është se i pari syresh, në fillim të viteve ’90 u emërtua Miss Albania. Vuajerizmit thelbësor rreth këtij panoptikoni epidermik, i shtohej ideja se në fakt nuk janë vetëm meshkujt shqiptarë dhe nënat e plakura të konkuruesve që vëzhgojnë me sy e gojë të njoma të adhuruarat e tyre, po ama edhe krejt bota po na i shikon vajzat tona… e kështu edhe ata ta kuptojnë se ne jemi si Ata (me këmbë, duar, gollgane etj, etj) dhe me anë të këtij konfirmimi kuptojmë pastaj edhe ne vetë se jemi si bota, (sigurisht, bota e qytetëruar). E shpjeguam pak më lart në fakt, dallimin midis eksperiencës paraprake që lyp shkronja, dhe asgjësë që s’lyp imazhi, e pra nuk dihet sesi u gjet e nevojshme që të përkthehej ky muhabet në Miss Albania kur bënte mu paraprakisht edhe pa anglisht, edhe pa fjalë hiç. Por e veçanta tjetër e jonë është se duke qenë një popull me pikpamje të ndryshme për veten, hiq missrat e rrangut lokal, kemi kështu veç Miss Albanias edhe Miss Shqipërinë, Miss Dardaninë, Miss Kosovën, ndoshta Miss Çamërinë e tanimë edhe Miss Diasporën. Njëlloj si edhe Miss Albania, ky Miss i fundit (konkretisht: Miss Albania in italia 2004) është një konkurs për eksport, dhe kërkon mbase që të ngeshmit (po ama ata shumë të ngeshmit) në Evropë, ta marrin vesh mirë forcën dhe vlerën e bukurisë shqiptare, jo më të asaj që për pak euro bëhet e jotja natën nën dritën mistike të semaforit, jo harroje atë, fshije, kujto këtë tjetrën, me gati po atë veshje, nën dritën zyrtare të prozhektorit në skenë. Ndërkaq, Miss Albania e vërtetë, Zonjusha Shqiptare më e njohur e gjithë kohërave, që s’po ia përmendim emrin në këtë paragraf në shenjë respekti, me po aq shpenzime për t’i promovuar në botë shqiptarësinë sa edhe organizimi i vetëm një konkursi mishi, mund të na e ndihmonte një milion herë më tepër reputacionin globalisht. Por ama, përfundimisht, qeveria e bizneset e mëdha shqiptare a arvanite (si telefonitë e bankat p.sh.) kanë zgjedhur të derdhin para pa hesap kryesisht vetëm për misset & futbollin.
    Tranzicioni i shumëpërfolur i vendit duhet parë si një nomadizim, ku në shpërnguljen e përhershme drejt mirazhit, objektet e vetme kulturore reduktohen në ato mobilet, lehtë të transportueshmet: letërsia orale (në rastin tonë zhargoni, mish-mashi gramatik, jingle-t e reklamava dhe titujt skandalistikë) si edhe tatuazhet ( në rastin tonë korporalizimi i kulturës, anonimati ultraegzibicionist në modën përdita ). Në këtë peisazh të lëvizshëm, gjithnjë me atë motivimin për konkursin e vlerave rinore që thamë, (për të rrëfyer se edhe ne jemi si Ata, biles herë-herë edhe më të fuqishëm dhe më të bukur), gjithë paraja, zhurma dhe publiciteti për futbollin e missin, duket se motivohen nga një lloj nacionalizmi light , nacionalizëm pa mit e shpirt, por me mish e sport, pa kokë, por me këmbë (ose na falni për shprehjen, shalë). Bakshishet e majme qeveritare dhe sponsorizimet e fuqishme të biznesit për këmbësorinë nacionaliste të misseve dhe futbollistëve, janë në fakt para që shpenzohet për kultin e rinimit publik, janë para për një lifting kolektiv, për një operacion të dëshpëruar pajisjeje me vlera qoftë edhe nga ato të lirat fare, qoftë edhe vetëm me mbathje, para pasqyrës së botës ku prej kohësh vetëm skuqemi…

  3. #33
    i/e larguar Maska e forum126
    Anëtarësuar
    05-10-2003
    Vendndodhja
    USA
    Postime
    1,198


    Mendime të shpejta pas pilafit (ose Pilatit) elektoral


    Ngjyra e demokracisë edhe këtë vit ishte mavi. Si përherë, duke diskriminuar egërsisht gjithë frymorët e tjerë të Republikës, një përqindje e konsiderueshme e humanoidëve me shtetësi shqiptare u vunë në rresht me gishtin gati. Keshtu është shkruar: padrejtësia numer një e barazisë së shtetasve bëri që edhe këtë vit vota e maskarait të numërohej po aq sa e budallait, kur dihet botërisht se një budalla nuk është i njëjti me një maskara. Ama që të dy u vendosën në rresht me të tjerët, edhe budallai edhe maskarai edhe i treti në rresht ishte një burrë i mirë që nuk i bie në qafë kujt, biles as të shoqes (me gjithë ankesat e saj) dhe i katërti ishte po ashtu një burrë i mirë me të shoqen dhe fëmijët, familjarisht as budallenj as maskarenj, po ama barazisht gishtat ua fashuan me të njëjtën manushaqe boje dhe vota e tyre u numërua barbarazisht. Eshte krejt çudi per t'u çuditur: për të marrë patentën e makinës duhet të paraqisësh lloj-lloj dokumenti mjekësor, po për të votuar asgjë veç pasaportës. Një shofer i patalentuar mund të shtypë një sasi të kufizuar frymorësh, kurse një votues i patalentuar mund të ndihmojë me votën e tij shtypjen e një popull komplet. Pa iu nënshtruar asnjë kursi minimal i cili do të provonte aftësinë e votuesit për të dalluar të nxehtën nga e ftohta, nuk e di si mund t'i marrësh seriozisht këto punë (votimet e kam fjalën), po nejse. Le të merremi pak me bojën. Me bojën me të cilën qendrat e votimit u ngjyejnë gishtin votuesve fill pasi votojnë.

    Sistemi pretendon të ruajë veten me këtë lloj gjesti dehumanizues (kush je ti mor mjeshtër që vjen e më privatizon trupin tim me shenja sikur të isha ndonjë bagëti apo territor!) Sistemi pretendon se me këtë damkosje si ajo e prostitutave në mesjetë, do arrijë të na mbushë mendjen se jemi ashtu si thonë udhëtarët anglezë të shekullit të nëntëmbëdhjetë e poshtë, barbarë të paqytetëruar. Sistemi pretendon se të gjithë qytetarët e këtij vendi, duke qenë të barabartë, janë po ashtu të gjithë barazisht maskarenj që paskan ndërmend të votokan nga dy a tri herë. Këta të mjerë (sistemi e kam fjalën) nuk e dijnë se ka burra të tille trima ky vend (kujto Mic Sokolin që futi parakrahun në grykën e topit armik) trima të cilet po ua desh qejfi mund të shkojnë e të votojnë sa të pëllcasin, deri në gishtin e fundit, sepse po aq here sa sistemi ua bojatis gishtin pas votimit, ata trak! e presin për hir të demokracisë dhe shkojnë të votojnë pa u diktuar me gishtat që u mbeten pabojatisur. Të paktën kështu sugjeron vëllai im, që ka parë disa filma me samuraj dhe me ndeshkimet e mafies japoneze.

    Sa të bukur dhe aktuale e bëri manikyra biopolitike atë shprehjen e bukur shqipe: nuk kam gisht në këtë punë! Të dashur të gjithë: unë nuk kam fare gisht në atë që ndodh prej vitesh në këtë vend! Ja, shikojeni vetë! (Deklarata shoqërohet me zë të dridhur dhe me ngritjen para trupit gjykues të gishtit të posaçëm dhe të panjollë.)

    Disa po na thonë se të mos votosh është shenjë pasiviteti apo joqytetarie, duke harruar kështu jo vetëm revolucionin, por mbase gjithë krenarinë antiegalitare që krenarisht shumë njerëz provojnë, po sidomos duke harruar se sistemi është i globalizuar dhe monopolar pra skena politike është homogjenizuar kaq njëtrajtësisht sa kudo që ta fusësh gishtin është gati e njëjta shije ndonëse propozohet nën ambalazhe të ndryshme.

    Tashmë ne jemi ndarë në dy klasa të dallueshme edhe me sy të lirë për disa ditë me rradhë, votuesish dhe jovotuesish, por problemi eshte se pas disa dekadash votimi e mosvotimi, pasi bojatisja të përsëritet me insistim mbi lekurë, do të kthehemi patjetër në dy raca të ndryshme dhe më mirë kështu. Ne që do jemi raca krejt-e-bardhë do kërkojme më në fund një status minoriteti ndaj mazhorancës gishtmavi dhe do mëtojmë fill pas kësaj për një territor tonin: më pas kur të bëjmë votime, premtojmë se do t'i marrim në provim votuesit për të kuptuar a ia kanë haberin apo jo, a i njohin ndopak idetë dhe njerëzit që votohen dhe a i kanë të gjitha letrat medikolegale në rregull. Gjithsesi fushatën antielektorale po e lëmë të hapur që tani. Mos votoni (për mua!)!



    "...Lum kush do të rrojë/të të shohë zonjë...."


    ervin hatibi
    Ndryshuar për herë të fundit nga forum126 : 03-03-2007 më 15:42

  4. #34
    God Bless You Maska e _Mersin_
    Anëtarësuar
    21-05-2008
    Vendndodhja
    ne nota humori
    Postime
    2,593
    Ky eshte nje shkrim i fundit i Ervinit qe mu duk e arsyeshme ta postoj tek kjo tema.

    “Emisioni radiofonik i mbrëmjes”


    Ervin HATIBI

    Që me hyrjen në fuqi të ligjeve të reja për të drejtat e autorit, ekranet shqiptare befas u çglobalizuan me një shpejtësi trishtuese. Befas gjithë ajo mori filmash të huaj, shfaqur nonstop, gjithë ato videoklipe muzikorë nga më të nxehtët e momentit apo të memorjes, gjithë ata dokumentarë kulturorë, shpesh edhe të papërkthyer hiç, u zhdukën nga ekranet sapo u njoftua ora policore. Në agoni e sipër, ndonjë ekran rebel vazhdonte të emetonte në mënyrë të kundraligjshme feksje lamtumire të yjeve tanë të dashur anglishtfolës në shuarje e sipër. Një televizion i njohur me linjë antikomuniste rroku fuqishëm flamurin e piraterisë dhe e valëviti për disa javë jashtë territorit të ligjit, deri sa gjoba të rënda fare nga komisionet shtetërore të vigjilencës ia shkulën me gjithë duar flamurin. Qyteti i fundit i rezistencës televizive kishte rënë. Trupat e huaja të Hollywood-it dhe MTV-së me shokë ishin tërhequr përfundimisht (imagjino malin me repetitorë të Dajtit, tek njësitë e policisë televizive shqepin një pas një V-të e O-të e mbetura nga logoja …ywood.): në antenat e shqiptarëve u ringrit flamuri kombëtar i izolimit krenar. Politika anti-pirateri, një operacion selektiv i cili nuk preku pirateritë në fushën e shkrimit përshembull, ishte një nga sukseset e rradhës të biznesit të madh televiziv për të falimentuar kështu atë më të voglin, që e mbante shtëpinë vetëm me miell borxh. Filloi kështu të rilulëzojë nga e para (paralel me harlisjen në eter të paketave kabllore - “kabllovike” u thotë Kosova) tregu i antenave parabolike, të cilat, në një krahasim, të cilin nuk jam i sigurtë në e bëj unë i pari, ia arritën të zëvendësojnë me ovalitetin e vet metalik siluetat e bunkerëve ushtarakë. Nëse bunkerët ishin helmeta të maskuara me ngjyra e bimësi për të mbrojtur …psikologjikisht shqiptarët nga sulmi i të huajve, antenat e bardha parabolike janë shënjestra-targete dorëzimi që shqiptarët ngrehin kudo nëpër tarraca a ballkone për t’u thënë të huajve:- aman këtu jemi, qëllonani mu në kokë me ndonjë film a me ndonjë këngë se plasëm, na u thanë sytë!

    Qytetarët-shikues e kanë zgjidhur hallin disi përmes arratisë, duke tendosur kabllo abonimesh e duke ngrehur në ajër velat e bardha të antenave satelitore, kurse televizionet vetë, vendin bosh që e mbushnin me mall kontrabandë, përpiqen ta mbushin me programe të bëra vetë. Rruga më e shkurtër për ta mbushur programin është të kurdisësh një talk-show. Merr një gjysëm duzine me burra a gra dhe vëri të krihen me shoku-shokun për ndonjë temë të madhe apo të vockël të ditës, për korrupsionin a për luftën në Irak, për tatuazhet në vende ekzotike a për bashkëjetesën pa kurorë, për krimin në familje a për kënaqësinë e të ngarit të makinës pa patentë… E gjitha nën dekorin e duhur shumëngjyrësh, me gazetarin-moderator, nën stratagjemën e njohur “hedh budallai një gur në lumë, futen njëqind të mençur e nuk e nxjerrin dot”. Por problemi i vetëm i kësaj formulës popullore “1x100” në një vend të vogël si yni, është rrjedhja e rregullt e trurit për në Perëndim. Të gjitha stacionet televizive gati përditë organizojnë nga një apo dy talk-show-e, e kështu gati të gjithë ata pak burra me mend që na tepruan, janë stacionuar tashmë si dekor në këto lloj programesh, sa rrezik t’i ngatërrosh me vetë moderatorin. Rrjedhimisht, organizatorët e talk-show-eve u kanë drejtuar prozhektorët në mënyrë të padiskriminuar gjithë qytetarëve, me shkollë, pa shkollë, me gjuhë të trashë, me gjuhë të hollë, dhe jo se nuk po funksionon…

    Përbri boshit që la gjithë ajo kinematografi e përzënë (kryesisht amerikane: ja pse na vjen ndërmend ndërmend qielli i helikopterëve evakuues mbi Saigon), bosh i cili nuk e nuk po mbushet dot nga Zhoao Amazonat e serialeve braziliane, televizionet shqiptare na mësuan se talk-show është vazhdim i filmit me mjete të tjera. Me talk-show, konflikti, dialogu e tipizimi dramaturgjik është po aty, me po ata gjashtë personazhe kryesorë të analistëve të përmbrëmshëm meshkuj dhe me pritshmëritë tona instaluar mbi ta, me kusurin e figurantëve fjalëkursyer “nga rruga”, me shkrirjen në kor grek të debatit në pikën e vlimit- prag degjenerimit, me ndërprerjen e aksionit në prag të edicionit të lajmeve a reklamës së rradhës: gjithë kjo situatë komplet paratelevizive-thuajse radiofonike e rindërtimit të botës me forcat tona rreth një tavoline, në një lojë të madhe fjalësh, në një fjalëkryq karaokesh kakofonike që shket nga një ekran e del në tjetrin, për ta vijuar deri s’dihet se ku megatelenovelën më të ndjekur shqiptare këto vite: TALK-SHOW.

    Po mundohem gjatë t’i gjej ndonjë fjalë zëvendësuese shqip këtij termit, ndonëse lehtësisht thuajse gjithkush e kupton. Nisa pra për argëtim të përzgjidhja nëpër fjalorin personal diçka më kumbuese e spektakolare se “bisedë televizive”, ndonjë metaforë mbase. Jashtëzakonisht kollaj, në vazhdën noliane të orientalizimit të zhargonit, teknikë që prej vitesh shkakton breshëri gazi ndër gjimnazistët tiranas, në mend s’po më vinte gjë më piktoreske se “muhabet-sehir”, po ama edhe kjo nuk më kënaqi. M’u kujtua pastaj, se mbase ndonjë term më adapt do kërkuar në traditën jo edhe aq modeste të komunikimit masiv të krijuar gjatë epokës socialiste. Në këtë periudhë shoqërizimi të detyrueshëm, edhe debati, biseda, kritika, doemos që duheshin bërë me spektatorë, në kolektiv, ndonëse jo detyrimisht në dëshminë e kamerave. Fjalimi i fundit i shokut Enver, trendi i fundit në kursim apo riciklim i ndonjë kooperative bujqësore, përvjetoret e historisë kombëtare-revolucionare apo Dita e Novatorit a Elektrifikimit të Vendit, ngjyrat e ndezura në veshje apo flokët më të gjatë se norma të çunakëve rebelë, situata aktuale në frontin Viet-kong, thatësira e gjatë apo tërmeti apo çdo lloj fenomeni tjetër i mediatizueshëm, të gjitha ishin tema të denja për të mbledhur kolektivin profesional apo territorial në talk-show-in e rradhës. Duke ndërkallur citimet më në modë nga raportet e Kongesit apo Plenumit më të afërt, që ishin si të thuash edhe bursa e vlerave ideologjike, mbledhjet kishin atë rolin e madh formues për gjithkënd, pasi personat e autorizuar si dollibashë të diskutimit (analistët e kohës), demonstronin qartas sa e si duhej hapur goja për momentin e dhënë historik. Të paktë janë ata që i kanë shpëtuar diskutimit, kritikës apo autokritikës, zotimit publik me ovacione në talk-show-et e socializmit. Të cilat ishin, për nga rendi të paktën, pasardhëse të kulturës patriark-kolektiviste të odave të burrave. Me dallimin thelbësor se me kalimin e kohës kishte humbur thjesht artifici i burrërisë si edhe efekti skenik i tymit shtëllungëtar të duhanit. Seriozitet mbytës i jepte mexhliseve të burrërisë tymi mistifikues i duhanit, i cili mbulonte me maskë shprehjet e padëshirueshme të fytyrave mustaqellie, siç metaforat mbulonin mesazhet politike apo verdiktet gjyqësore apo paralajmërimet diplomatike që shqiptoheshin nën po atë tym e mustaqe. Ndërsa në odat socialiste duhej shkoqje e fjalës, sllogane të kontrolluara rituale, gjithçka doemos të dukej e qartë dhe pa ekuivoke para shqisës së kudondodhur të Partisë. Interesante është të kujtojmë se kushdo që të mblidhej nëpër këto grumbullimet diskutuese, qofshin reparte punëtorësh, ushtarësh a të burgosurish, klasa shkolle të lartë a të mesme, banorë të një blloku a të vetë Bllokut, ajo çka uniformizonte strukturalisht kolektivitetin dhe situatën, ishte skenografia dhe toni. Skenografia mbytej në gjak prej fuzionit të flamurit kombëtar drejt atij proletar në ikonostaset puritane të marksizmit blegtoral lokal, me portetet e Enverit dhe të Mësuesve të Tjerë të Mëdhenj dhe fontin standart të slloganeve e plot panik të ndërgjegjësimit për vogëlsinë tënde para Partisë e Popullit; kurse toni, absolutisht i tendosur përshkonte vertikalisht të gjithë brezat e shtresat e diskutantëve. Nuk besoj që një diskutim pionierësh për pyllëzimin apo ngjarjet më të fundit në Kosovë kishte më pak seriozitet e solemnitet sesa një diskutim me të njëjtën temë në kolektivin e Akademisë së Shkencave të Republikës.

    Sot veç dekorit, është toni që është çtensionuar. Siç e thashë, dyndja masive nëpër ekranet e traumatizuara nga erozioni i Imazhit, ka bërë që kushdo të marrë Fjalën, të ngrihet e të japë pak mend në publik. Lirshëm fare. Ai tipi që ishte ulur me ty në kafe deri tani dhe të kërkoi leje sapo pa orën, për disa minuta del e të shfaqet në ekranin e televizionit mbi banakun e lokalit dhe me të njëjtin ton të shpenguar, vazhdon bisedën që kishte lënë përgjysëm me ty pak më parë.


    http://kohaere.eu/index.php/sheshi/8046.html
    "Shoku Mjekesise"

  5. #35
    God Bless You Maska e _Mersin_
    Anëtarësuar
    21-05-2008
    Vendndodhja
    ne nota humori
    Postime
    2,593
    Per te gjithe ato qe se dine zbritja e fese Islame dhe Kuranit ka zgjatur plot 23 vite prandaj dhe Hatibi e pershkrun si nje simetrike midis 1944-19967-1990

    Ervin Hatibi

    Në kontekstin e vet më të njohur buzë Nilit, piramidat konsideroheshin trupëzim i diellores, prandaj besohet se edhe syprina e tyre shpesh punohej prej gurësh të lëmuar, të tillë që të mund të reflektonin dritë deri larg
    23 vjet pasi kishin marrë në dorë krejt pushtetin tokësor, më 1967, “komunistët” shqiptarë vendosën ta shtrijnë këtë pushtet formalisht edhe gjetkë, duke filluar kështu aksionin e madh për zhdukjen e fesë, përmes mbylljes e prishjes së tempujve e institucioneve fetare, kriminalizimit e ndalimit të shfaqjeve të besimit. 23 vjet më pas kësaj, erdhi viti ’90 dhe pushteti i diktaturës mori fund - pushteti tokësor të paktën, ai i kohshmi. Ka shumë mundësi, ndërkaq, që në një përmasë të pamatshme, pushteti i mëtuar simbolikisht më 1967, ai nga përbrenda, të mos ketë marrë fund ende.
    Simetria kabalistike e dy njëzetetreshave që puqen me kulmin e 1967-s, na e figuron diagramën e ngjarjes së diktaturës si një trekëndësh që mbyllet mbi hartën e Shqipërisë. Ky vit është në fakt ditëlindja e plotë e diktaturës, e thelbit nga buron pushteti përnjëmend totalitar.
    Me dy brinjët kalendarike dhe bazën gjeografike, trekëndëshi që formuam fiton potenciale interesante: nga kulmi i tij kuptimplotë rrezet radioaktive zbresin me abstragimet tona edhe në rrafshe të tjera veç kohëhapësirës (nga mentalet tek materialet) dhe shëmbëllimi që përftojmë nis e duket si piramidë.
    Përqasja strukturore e diktaturave me piramidat është banalizuar deri në bajatje, por në rastin tonë, tundimi për ta ribërë maketin e njohur të këtij krahasimi nuk ka në vizore kultin e individit, hierarkitë burokratiko-klerikale mbi shpinat e popullit etj.&etj. si këto. Piramida na shërben këtë herë si një emblemë u-kronie, një skemë a formulë lojcake për prerjen midis kohës dhe pushtetit radikal revolucionar. Përtej skemës numerologjike, piramida duket gjithsesi e gatshme ta marrë këtë rol - personifikimin e diktaturës - e investuar siç është me përkorje parake pa lajle, si vetë estetika enveriste, me asfiksinë e saj të fortifikuar pa dalje, me misterin e prodhuar sforcueshëm, thjesht prej murosjes shqisore.
    Nuk është nevoja të ndjesh detyrimisht si besimtar për të kuptuar se 1967, data e asgjësimit publik të fesë, është kulmi i diktaturës shqiptare. Pas kësaj nuk ndodhi më asgjë e re për t’u shënuar në 23 vitet e fundit. Fashitja apo ndalimi i fjalës së lirë kishte ndodhur që në fillimet e diktaturës, por 1967 ishte përfundimtare, sa kohë që ndalesa rrekej të prekte të paprekshmen, fjalën e Zotit. Ndalimi i pronës private po ashtu kishte ngjarë më parë, por me vënien dorë mbi shtëpitë e Zotit, shpronësimi doli prej cakut tokësor. Njerëzisë i merrej kështu edhe fjala e fundit e pashtetëzuar nga goja, edhe ajo pëllëmbë e fundit dheu nën këmbë dhe gjithë territori e ligjërimi njëtrajtësohej pastaj në një miting të vetëm. Rrafshimi i tempujve dhe shkrumbimi i liturgjive nuk ishte vetëm prishje e fetares, por edhe e sekulares, për sa kohë nuk kishte më ndarje midis të dyjave. Gjithë hapësira shenjtërohej paskëtaj nën një kult të vetëm fitimtar dhe kthehej ashtu në një tempull të madh, mbyllur në faqe të një piramide që hapej nga lart prej një cepi final, ku shfaqej në Një lideri, partia, fundi i përshpejtuar i historisë dhe mendimit.
    Hapësira e shenjtëruar e diktaturës përfundonte në kufinjtë politiko-administrativë të shtetit, përtej të cilit shtrihej si rrethim jo vetëm profania, por literalisht ferri. Kufiri bëhej eskatologjik dhe tentativa për të dalë përtej tij sillte vetiu vdekje, edhe pa plumbat e kufitarit, edhe pa cerberin e kufirit kremtuar si totem zyrtar e shumëfishuar me lehje si sistem alarmi në letërsi e arte që nga abetaret e deri në muralet. “Piramida kufiri” quheshin zyrtarisht monumentet vendshënuese që skërmiteshin përqark perimetrit të Shqipërisë si dhëmbë të bardhë (“në gojë të ujkut hedhim valle” thoshte hiti i kohës) dhe në fakt gjithë këto piramidat midis amshimit e vdekjes ishin projeksione të asaj më të madhes (e anasjelltas), pra ishin pemët që fshihnin pyllin, duke dhënë e marrë kuptime e funksione mesveti.
    Në kontekstin e vet më të njohur buzë Nilit, piramidat konsideroheshin trupëzim i diellores, prandaj besohet se edhe syprina e tyre shpesh punohej prej gurësh të lëmuar, të tillë që të mund të reflektonin dritë deri larg. Me këtë detaj piramida plotëson akoma edhe një tjetër kusht të fshehtë për të qenë shënjuese e diktaturës enveriste (“enver”- përthyerje e fjalës “nur”, “dritë” nga arabishtja): “fanari ndriçues në brigjet e Adriatikut” ishte një metaforë popullore po aq e trumpetuar për Shqipërinë sa edhe ajo e “kështjellës së pamposhtur” në po ato ato brigje. Piramida shqiptare ishte drita, prandaj shënonte vetëm kufirin e vetes: dritë prometeane mes oqeanit obskurantist, Fanar i ortodoksisë ideologjike mes herezisë globale. Ndriçimi, ma do mendja, vinte falas prej flakadanëve të ’67-tës.
    "Shoku Mjekesise"

  6. #36
    God Bless You Maska e _Mersin_
    Anëtarësuar
    21-05-2008
    Vendndodhja
    ne nota humori
    Postime
    2,593
    Të gjitha kafshët e politikës

    Ervin Hatibi

    http://kohaere.eu/index.php/sheshi/9482.html


    Për politikanët e shpurat e tyre gazetareske pak gjë do të ndryshonte nga ditët e vjetra kur armiku dehumanizohej mes brohoritjesh, kur kafshërohej për ta vrarë pa të vrarë ndërgjegja

    Fundi i verës 2010 në Shqipërinë e mediave dhe politikës, e pruri Zodiakun nën shenjën e lepurit. Shfletimi i të përditshmeve e bëri të pamundur të mos lexoje tituj të mëdhenj që merrnin hov në faqe të para, duke iu sjellë rrotull deri në shterim gjithë fjalëve të urta të mundshme me lepur të shqipes artizanale: “Korrupsioni i lejeve të ndërtimit i fut Edvinit lepurin në bark”, (22-08-2010/Gazeta 55); “Lepuri i korrupsionit fle në familjen e Kryeministrit”, (26-08-2010/Shqip); “Bogdani-Ramës: Dil nga vrima e lepurit dhe ballafaqohu me akuzat për korrupsion”. (31-08-2010/ Gazeta 55); “Xhaçka: Berisha, ferra që fsheh lepurin e korrupsionit”. (26-08-2010/ Gazeta Shqiptare); “Vokshi: Rama frikë nga denoncimet, kërcënon se vetëm ai dhe lepujt duhet të merren me biznes në Shqipëri”, (25-08-2010/Gazeta 55), etj., etj..

    Gjithë kjo larmi e gëzueshme, gati fëminore, që ilustroi gjatë gjithë gushtit e në vijim faqet e para dhe debatin publik në Shqipëri, i detyrohet një personazhi nga bota baroke e biznesit tiranas, të njohur prej të interesuarve me pseudonimin Tan Lep(u)ri, i cili u përfol si i lidhur me grupe të politizuara të korrupsionit ekonomik në vend. Nofka rinore e biznesmenit, shumëzuar shfrenueshëm nën prozhektorë mediatikë nga zëdhënës të dy kampeve kryesore partiake, u përdor fillimisht për të shpotitur vetëm personin e mbiquajtur ashtu dhe partnerë të tij të supozuar ndër politikanë të majtë; por fill pas kundërsulmit të këtyre të fundit, nofka e fajësuar u rimor për të goditur të djathtët, si të qe ndonjë shënjues arketipal për korrupsionin politiko-ekonomik. Funksioni i ri i fjalës, e kapërceu kronikën, i humbi lidhjet me ndonjë person konkret të mbiquajtur rastësisht Lepuri, dhe me konsensus u kthye provizorisht në një simbol të lidhjes së elitës politike me krimin ekonomik, në një vegël akuze e sulmi retorik ndaj korrupsionit të kundërshtarit, kushdo që të ishte ky.

    Spektakli ndërpartiak që zëvendëson përballjen ideologjike, programative midis kampeve, ka nevojë të dëshpëruar për personazhe e incidente e batuta të reja si çdo lloj tjetër seriali i përditshëm që konkurron për vëmendje; ndërkaq, ekipeve të skenaristëve në të dyja kampet rasti në fjalë nuk u ofroi vetëm trukun e rradhës për më tepër argëtim se dje, por njëkohësisht, duke e stërpropozuar lepurin për javë me rradhë në koreografi nga më evokueset, ata patën rast të ricaktojnë nivelin e dëshiruar parashkollor për debatin publik dhe të zbrazin sa mundin nga mprehtësia dukurinë e lidhjeve korruptive politikë-biznes, duke e barazlarguar në të njëjtën maskotë trivialiteti. Figura e repertorit të folklorit qytetas, rrjedhur padashje në kronikën mediatike, funksionalizuar më pas për luftën e ftohtë kundër korrupsionit - dukurisë më të përfolur nga propaganda e përditshme, tregon asgjë më shumë se një lloj përmbajtje, një lloj hezitimi, një lloj mëshire për veten përmes butësisë në sulmin ndaj tjetrit. Figura, krejt duke ndjekur hullinë që i kanë hapur në shekuj përrallat, vulnerabilizon kundërshtarin, e bën të kontrollueshëm, por kjo fill pasi e ke pranuar edhe mbi vete të njëjtën çehre të brishtë vulnerabilizmi. Lepuri empatik hyn midis dy supefuqive si një cak detante kështu, në një parodi shtantazhi MAD (Mutually Assured Destruction), veshur me pellushin S(acher)-M(asoch).
    *
    Për të imunizuar veten nga sulme të mundshme dehumanizuese apo nga zhvillime të paparashikuara metaforike, kampet politike në Shqipëri duket se kanë filtra të fortë; e kjo që kur nisi loja politike në vend, kështu që në asnjë libër historie e në asnjë listë elektorale nuk do të gjeni dot politikanë me mbiemra të tillë si Kau, Peshku, Derraj, Bilbili, Shqarthi e Çakalli me shokë, të cilët mbiemra, përndryshe popullorë, do të mund të gjenden lehtësisht në Facebook apo në çdo numërator telefonik. I pari dhe i fundit që prishi rregullin, qe mbreti Zog, kur shkurtoi mbiemrin Zogolli e nuk vuajti fare nga kjo, sa kohë që gjesti i tij kuptimplotë ishte pjesë e aksionit kombëtarizues në gjuhësi dhe gjithsesi, paralelja me shpendët përfundonte pa dalje në kafazin e flamurit; (fundja dallimi midis monarkut e subjekteve duhet të jetë kategorik e mitik në rradhë të parë, si ai midis njerëzve, në këtë rast, me krijesa të tjera, qiellore).

    Por gjatë periudhës republikane, sidomos në atë më domethënësen socialiste, shoqëruar me rritjen e pandalshme të komunikimit vizual, mbi kafshët u testua gjithë imazheria e ksenofobisë dhe luftës së klasave, në karikatura, fletërrufe, fjalime e teatër kukullash, ndërtuar mbi përvojat e freskëta blegtorale të shumicës së komisarëve të propagandës. Potencialet e përhershme simbolike të kafshëve u kompromentuan edhe më tej në funksione ideologjizimi e poshtërimi për dekada me rradhë dhe me këtë traditë hymë në kapitalizëm e demokraci. Në ligjërimin socialist për shoqërinë kapitalisto-pluraliste, kjo e fundit ishte një “xhungël” ku mbretëronte “ligji i xhunglës” dhe “njeriu për njeriun ishte ujk”; e me këtë skript në dorë shqiptarët nxituan t’u futeshin roleve të reja. (Shkrimtari Bashkim Shehu do ta gjykojë si një lloj profecie vetëpërmbushëse egërsinë e kapitalizmit të sotëm shqiptar, lëvruar rëndshëm nga ish-“komunistët”). Për politikanët e shpurat e tyre gazetareske pak gjë do të ndryshonte nga ditët e vjetra kur armiku dehumanizohej mes brohoritjesh, kur kafshërohej për ta vrarë pa të vrarë ndërgjegja. Për të cituar vetëm rastet më flagrante ku kafshërimit i shkohet deri në skaj, kujtojmë si politikanit e botuesit të njohur Nikollë Lesi me kohë kundërshtarët ia deformuan mbiemrin në “Lehësi” e po ashtu sesi kolegut të tij, Sokol Olldashit, vite më parë ia çaftësuan përkohësisht mbiemrin në “Oll-delja”. Prandaj, për të vijuar pa trauma spektaklin politik partitë protagoniste insistojnë fort në dallimin e qartë midis njeriut e shtazës në rradhët e tyre, duke i mbajtur glosarët të mbyllur për emra problematikë, gjithë duke mos harruar, me dorën tjetër, veterinaren, të provojnë çdo mundësi për të shartuar gjallesa gjithëfarë mbi kundërshtarë. Nëse sot u ka ardhur ora për të emërtuar kundërshtarin ca krijesave jotipike në luftë politike, të investuara maksimalisht me përkëdheli e butësi, (lep’ri) kjo do lexuar patjetër si rritje e vetëdijes klasore në solidaritetin ndërpartiak; por merita kryesore për këtë rihumanizim të pjesshëm të kundërshtarit i do njohur urbanitetit me qerpiç të Tiranës, që ia heq cepat sa herë i jepet rasti konflikteve, me zhargonin e vet rrumbullak
    "Shoku Mjekesise"

Faqja 4 prej 4 FillimFillim ... 234

Tema të Ngjashme

  1. Artikuj argjendarie
    Nga Marijuana85 në forumin Bukuri dhe estetikë
    Përgjigje: 31
    Postimi i Fundit: 11-04-2009, 09:32
  2. A mund të hap artikuj gazetash në forum?
    Nga Kryeplaku në forumin Pyetje - përgjigje
    Përgjigje: 2
    Postimi i Fundit: 26-03-2004, 13:22

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •