Marjon Semej, Emirjan Hysaj, Alfred Kurti dhe Artan Hysaj janë shpallur në kërkim nga policia si të dyshuar

Angli, katër shqiptarë të dyshuar për një vrasje


Shekulli

Policia angleze ka publikuar dje emrat e katër shqiptarëve që do të merren në pyetje në lidhje me vrasjen e anglezit Kalvinder Singh. Marjon Semej, 21 vjeç i njohur si Çimi; Emirjan Hysaj, 29 vjeç i njohur si Jani; Alfred Kurti, 21 vjeç i njohur si Ardi dhe Artan Hysaj, 28 vjeç i njohur si Taçi janë shpallur në kërkim nga policia angleze. Singh, 31- vjeçar është vrarë me 10 prill të vitit të kaluar nga një grup shqiptarësh. Pas një zënke ai është goditur disa herë me thikë dhe me një dru. Ai ka vdekur 16 ditë më vonë në spital si pasojë e plagëve të shumta që kishte marrë. Policia angleze ka pohuar dje gjatë ditëve të fundit kanë marrë shumë telefonata që tregojnë se katër shtetasit shqiptarë kanë qenë dëshmitarë okularë të vrasjes. Për këtë arsye ajo kërkon që të marrë në pyetje katër shqiptarët në lidhje me vrasjen e ndodhur në Mançester. Oficerët e policisë kanë pohuar dje për “BBC”-në se komuniteti shqiptar në Mançester i di autorët e vrasjes por nuk pranon që të tregojë se kush janë ata. Sipas tyre, është gjetur një video ku tregohet viktima vetëm pak munita përpara vrasjes. Në këtë video janë shfaqur edhe fytyrat e katër shqiptarëve që tashmë janë shpallur në kërkim. Sipas dëshmive, dy miq të viktimës kanë pasur një zënkë me katër shqiptarët por nuk dihet asgjë më shumë. Për këtë arsye dyhet të merren në pyetje katër të dyshuarit. Policia dje ka bërë një apel në televizionet angleze si dhe ka shpërndarë fotot e katër shqiptarëve.



15/04/2005