Close
Faqja 6 prej 17 FillimFillim ... 4567816 ... FunditFundit
Duke shfaqur rezultatin 51 deri 60 prej 161
  1. #51
    i/e regjistruar Maska e Brari
    Anëtarësuar
    23-04-2002
    Postime
    18,826
    shekulli

    NJE SHKRITORE NE BUTRINT


    Agron Alibali

    Tek i afrohesh Triportit nga Vlora, atë mëngjes të 29 tetorit 1848, piktori dhe udhëtari i njohur anglez, Eduard Lir (Edward Lear), po përpiqesh të shquante se çfarë mund të ishin “një pafundësi objektesh që dukeshin si gurë të mëdhenj të bardhë, të rreshtuar në mënyrë të përsosur, por që kishin diçka të çuditshme dhe jo lehtë të përshkrueshme në trajtën e tyre”. Krejt i pamundur për të përcaktuar se çfarë ishin në të vërtetë ato, Liri e pleqëroi që ta zbulonte misterin kur të afrohej edhe më. Habia e tij ishte e pamasë tek zbuloi se “gurët e mëdhenj” nuk ishin tjetër, veçse një numër shumë i madh pelikanësh…
    Por, po të ringjallej Liri sot pas 160 vitesh, dhe të vizitonte të njëjtin vend, në vend të pelikanëve ai do të duhej të pikturonte ngrehinën e madhe dhe hijerëndë të TEC-it të Vlorës, që padyshim përbën një ndër objektet ekonomike më të diskutueshme, për të mos thënë të papërshtatshme, që mund të jenë projektuar ndonjëherë në Shqipëri.
    Mbetet gjithsesi mister se si, dhe pse, projektuesit dhe mbështetësit e TEC-it shmangën zgjidhjen shumë më të arsyeshme dhe të efektshme që do të parashikonte (i) ndërtimin e linjës energjitike Brindizi – Vlorë dhe (ii) riaftësimin e TEC-it ekzistues të Fierit. Në vend të zbatimit të një platforme energjitike kombëtare që do të modernizonte kapacitete ekzistuese, do të nxiste metodat e kapjes së energjisë alternative diellore, do të ruante mjedisin dhe trashëgiminë historike kulturore, si dhe do të lidhte vendin me tregun energjitik të Italisë, ata gjithsesi zgjodhën të ngrenë një TEC të ri në Kepin e Triportit, apo në zemër të një prej perlave të Detit Mesdhe, dhe pikërisht Gjirit të Vlorës dhe Lagunës së Nartës.
    Nuk është vështirë të parashikohet se, me ndërtimin e tij, jo vetëm pelikanët e Lirit do të mendohen mirë përpara se të shtegtojnë andej pari, por edhe vetë banorët e qytetit plakë – pa përmendur turistët e shumëpritur– do të përpiqen të gjejnë vende më të shëndetshme për të ngrysur jetën.
    Nisma për ndërtimin e TEC-it në Vlorë, do të sjellë pa tjetër rrjedhime apo beteja juridike edhe të mprehta, po qe se injorohet mendimi dhe vullneti i publikut vlonjat dhe më gjerë. Qysh tash, me shumë të drejtë veprimtarët mjedisorë të Vlorës po i referohen Konventës së Arhusit për Pjesëmarrjen e Publikut në Vendimmarrjen ndaj Problemeve Mjedisore, të cilën Shqipëria e ka ratifikuar më 27 qershor 2001. Konventa hyn posaçërisht në veprim në rastet e ndërtimit të TEC-eve me kapacitet mbi 50 MW. Qeveria është e detyruar që të zbatojë normat e saj, duke u dhënë edhe mundësinë OJQ-ve në Vlorë për t’iu drejtuar edhe gjykatës (Neni 9 i Konventës) po të jetë nevoja.
    Nga ana tjetër, edhe rruga e referendumit vendor është mjaft e arsyeshme. Me të vërtetë, Neni 150 i Kushtetutës e parashikon këtë të drejtë të rëndësishme të sovranit.
    Instrument tjetër juridik është edhe Konventa e Ramsarit për Mbrojtjen e Zonave Ligatinore. Me të drejtë qeveria e z. Meksi e ratifikoi këtë konventë më 29 shkurt 1996. Deri më sot, vetëm dy rajone të Shqipërisë janë përfshirë në të: Butrinti me sipërfaqe të mbrojtur prej 13,500 ha si dhe Laguna e Karavastasë, me sipërfaqe 20,000 ha.
    Autoritetet vendore në Vlorë duhet të fillojnë menjëhere procedurat e përshpejtuara që një zonë e tretë e mbrojtur sipas Ramsarit, të jetë edhe Laguna e Nartës, përfshirë Kepin e Triportit. Sipas faqes së internetit të Ramsarit, rreth 5% e popullsisë botërore të pelikanit të familjes Pelicanus crispus (rreth 1,000 specie) gjallojnë rregullisht në Karavasta. Eshtë afërmendsh se një pjesë tjetër e konsiderueshme ndodhet edhe në Nartë e Triport, sikurse dëshmonte edhe Liri dikur, dhe se këto shpendë madhështore kanë nevojë për mbrojtje, madje të ngutshme dhe të rreptë.
    Por ndofta Shqipëria duhet të ratifikojë urgjentisht Konventën Evropiane për Mbrojtjen e Trashëgimisë Arkeologjike (E Rishikuar), e quajtur shkurt edhe Konventa e Maltës. Konventa, e cila hyri në fuqi më 25 maj 1995, është ratifikuar thuajse nga të gjitha vendet evropiane, me përjashtim të Shqipërisë, Bjellorusisë, Serbise e Malit të Zi, Bosnje Hercegovinës, e ndonjë vendi tjetër…! Konventa e Maltës mund të përdoret për mbrojtjen e pasurisë së madhe arkeologjike që ndodhet në mbarë rrethin e Vlorës dhe, për rastin konkret, në Triport. Me të vërtetë, sipas historikut të Bashkisë së Vlorës, Triporti së bashku me Kalanë e Jangjeçit, ka qenë një qendër shumë e rëndësishme e bregdetit mesdhetar të Vlorës qysh në lashtësi. Limani i lashtë, prej nga mund të vijë edhe emri i sotëm i vendit, sot ndodhet ndofta i zhytur në det, ndërsa një pjesë e mirë e gurëve të kalasë, u përdorën gjatë sundimit osman për ndërtime në Vlorë. U takon arkeologëve vendas që t’u japin përgjigje disa pyetje, si për shembull: a ka qenë përdorur Triporti në periudhën e mbretërise ilire të Agronit e Teutës? A u përdor më pas ai nga Perandoria Romake si një nga kryeurat e Rrugës “Egnatia”? Çfarë ndodhi me Triportin gjatë sundimit të Gjergj Aranit Komnenit dhe gjatë periudhës së Skënderbeut? A ishte Triporti qendra kryesore e zbarkimit masiv të hebrenjve të larguar nga Spanja më 1492 , një numër i konsiderueshëm i të cilëve (rreth 7,000 frymë) u vendosën më pas në Vlorë?
    E pra, ka shumë të ngjarë se Triporti – vendi ku pikërisht po projektohet ndërtimi i TEC-it të Vlorës - si dhe objekte të tjera të rëndësishme në Vlorë, përbën një pasuri arkeologjike të rëndësishme, ndofta me vlera të njëjësishme evropiane. Konventa e Maltës përmban dispozita shumë të rëndësishme që rregullojnë, ndër të tjera, mbrojtjen e pasurisë arkeologjike në tërësi, në truall dhe nën ujë, si dhe të lidhur ngushtësisht me mjedisin dhe habitatin natyror; krijimin e “rezervave” arkeologjike për t’u studiuar nga brezat e ardhshme; ndalimin e gërmimeve të paligjshme dhe detyrimin e raportimit të gjetjeve rastësore; minimizimin e metodës së gërmimeve (excavation) dhe ruajtjen apo mbulimin e materialit të zbuluar, etj. Ratifikimi si dhe zbatimi i dispozitave të rëndësishme të saj, do t’u jepte fund edhe disa sjelljeve e veprimeve arrogante dhe jo-profesionale të ndonjë individi të Fondacionit “Butrinti”, që hiqen sikur Butrinti të ishte prona e babait.
    Traktati Europian i Energjisë me Evropën Juglindore, është një tjetër instrument me interes, i cili shtrin efektet e legjislacionit të Bashkimit Evropian për energjitikën edhe në vendet e Evropës Juglindore. Gjithsesi, është ironike që ky Traktat nuk po ka asnjë ndikim në krizën e parë të rëndë energjitike të një vendi pjesëtar. Traktati, nga ana tjetër ka patur edhe kritika të ndryshme. Një ndër to lidhet me strategjinë e ndjekur për zhvillimin e energjitikës në rajon, që duket sikur krijon pozitë mbizotëruese në treg për një shtet anëtar të BE-së, në kundërshtim me interesat sovrane të shteteve të tjera, si dhe me vetë parimet themelore të BE-së. Një tjetër vërejtje ka të bëjë me trysninë e jashtëzakonshme kah privatizimi i enteve shtetërore prodhuese, ç’ka i ka shtyrë kritikët të kërkojnë vendosjen e njëfarë moratoriumi në privatizimin e kompanive shtetërore të energjitikës të vendeve të Evropës Juglindore për një periudhë të pacaktuar. Gjithashtu, ka edhe disa lëvizje energjitike rajonale që për habi të të gjithëve, anashkalojnë Shqipërinë. E tillë është linja energjitike dhe gazsjellësi Itali – Greqi, të përmendur më sipër, edhe pse Kanali i Otrantos përbën distancën gjeografike më të afërt midis gadishullit Apenin dhe atij Ballkanik.
    Nuk duam të besojmë se ngritja e TEC-it në Triport u shërben më shumë interesave tregtare të huaja, të prodhueseve të pajisjeve energjitike dhe transportuesve të naftës dhe gazit, se sa atyre të publikut shqiptar. Në këtë drejtim, edhe angazhimi i konsorciumit të bankave ndërkombëtare në këtë projekt duhet parë me rezervë. Vetëm para disa muajsh, për shembull, Banka Botërore miratoi një projekt për “pastrimin e bregdetit shqiptar.” A nuk shkon ky projekt ndesh me projektin tjetër të ndërtimit të TEC-it në Vlorë? Me fjalë të tjera, Banka Botërore me njërën dorë prish atë ç’ka sapo ka rregulluar me dorën tjetër…Por çuditë nuk mbarojnë këtu. Në shkurt të vitit 2002, pas një studimi të përbashkët shqiptaro-amerikan, u arrit në përfundimin se projekti me efektiv dhe më i dobishëm për rritjen e kapaciteteve prodhuese energjitike në vend, do të ishte riaftësimi i TEC-it ekzistues të Fierit. Ky përfundim iu paraqit menjëherë Bankës Botërore si dhe bankave të tjera pjesëmarrëse në konsorcium. Se si, qysh dhe pse u sabotua Fieri në favor të shkatërrimit të Vlorës, kjo pra përbën mister.
    Dhe së fundi, sasia prej 120 milion dollarësh që do të hidhen në TEC-in e Vlorës, nuk janë as para të dhëna falas, dhe as investime të të huajve që marrin përsipër rriskun e ardhjes në Shqipëri, dhe pra kinse u dashkan trajtuar me përparësira e lehtësira. Jo! 120 milion dollarët janë para të shqiptarëve që konsorciumi i bankave po e shtrëngon qeverinë shqiptare t’i marrë si hua me garanci sovrane, që do t’i shtohen edhe më tej sasisë së lartë të borxhit të Shqipërisë ndaj institucioneve të huaja, dhe që do të duhet të paguhet në një të ardhme nga brezi i tanishëm apo i mëpasëm i shtetasve të këtij vendi. Të kuptohemi, kurrkush nuk është kundër marrjes së huave që ndihmojnë drejtpërdrejtë zhvillimin e vendit dhe interesat e prodhuesve e konsumatorëve vendas.
    Projektimi dhe ndërtimi i TEC-it të Vlorës në një prej rajoneve më të rëndësishme të vendit – dhe të Mesdheut – për vlerat e rëndësishme historike, arkeologjike, mjedisore, ekologjike, turistike, etj., - i vendosur me sa duket nën trysninë e pandershme të grupeve të ndryshme interesash, me qëllim kryesisht apo vetëm fitimin maksimal në kurriz të interesave të mirëfillta zhvillimore të Vlorës dhe Shqipërisë, përbën një precedent të palejueshëm. Si i tillë, ai nuk duhet të miratohet nga shteti shqiptar. Përndryshe, ngritja e TEC-it në zemër të njërit prej gjireve më të bukura dhe të rëndësishme në Mesdhe, do të ishte njëlloj sikur të ndërtohej një shkritore në Butrint, të cilën kurrkush nuk do ta pranonte.





    18/11/2005

  2. #52
    Moderator
    Anëtarësuar
    24-04-2002
    Postime
    2,009
    E drejta për të folur Gramoz Ruçi

    Nga Mero Baze

    Interpelanca e djeshme me kryeministrin Sali Berisha
    rreth projekteve të qeverisë së tij për akset rrugore
    të jugut dhe veriut të Shqipërisë, u përdor nga
    deputeti socialist Gramoz Ruçi, për të ngritur një
    platformë politike antiqeveritare, të mbështetur në
    ndarjen krahinore të vendit. Duke ruajtur egërsinë e
    tij të vjetër politike, zoti Ruçi u përpoq të
    paraqiste programin e qeverisë së re, si një program
    të strukturuar kundër interesave të Jugut të vendit.
    Teza të tilla, shpesh vlejnë si kamerdare për të dalë
    nga kriza ku zhyten partitë pas humbjeve të thella,
    ose humbjes së pushtetit. Racizmi dhe krahinarizmi
    kanë qenë dy armë të vjetra të socialistëve kundër
    Berishës, qysh në vitin 1992, dhe nuk kanë funksionuar
    keq. Si çdo perversitet politik, edhe ky krijon një
    lloj kapitali negativ dhe mund të përdoret për të
    nxitur urrejtjen në politikë. Në këtë pikë, Gramoz
    Ruçi është njeri i suksesshëm. Por, mbi të gjitha,
    është i suksesshëm, sepse ai është i vetmi politikan
    që krahinarizmin dhe razicmin politik, i ka përdorur
    më mirë se kushdo tjetër në politikën shqiptare. Për
    ata që nuk e njohin Jugun, unë, pa shumë dhimbje,
    pranoj se Tepelena është rrethi më pak i preferuar për
    çdo jugor, megjithëse është vendlindja ime. Për ata që
    njohin Tepelenën, Salaria është fshati më pak i
    preferuar për çdo tepelenas. Për ata që njohin
    Salarinë, mëhalla e Gramoz Ruçit, është mëhalla më e
    keqe e fshatit. Por nga kjo mëhallë, Gramoz Ruçi ka
    arritur të nxjerrë katër deputetë në parlamentin
    shqiptar dhe 3 të tjerë nga mëhallat rrotull këtij
    fshati. Kulmi arriti kur pas 3 Korrikut, tri figurat
    kryesore të Partisë Socialiste, Sekretari i
    Përgjithshëm - Gramoz Ruçi, Sekretari Organizativ -
    Elmaz Sherifi, dhe Sekretarja e Marrëdhënieve me
    Publikun - Valentina Leskaj, përfunduan sërish nga
    “mëhalla” e Gramozit dhe “mëhalla” fqinje. Dy
    “profesorë” të tyre, Et’hem Ruka dhe Luan Memushi,
    djem të “mëhallës Ruçi”, thjesht përdoren si ilustrim
    se jo të gjithë ata që janë në politikë nga Salaria,
    janë pa shkollë. Ky krahinarizëm në krye të PS-së dhe
    ky centralizim i pushtetit në emër të krahinarizmit,
    derivohet në Jug në 100 nipa, mbesa dhe dhëndurrë të
    Gramoz Ruçit, që kontrollojnë 100% policinë, doganat,
    ndërmjetësojnë tenderat publikë dhe strukturat e
    Partisë Socialiste në jug. Kryetari i PS-së në
    Tepelenë është nipi i Gramoz Ruçit, 10 drejtorë - nipa
    të tij, Drejtori i Policisë - njeriu i shtëpisë së
    tij, Shefi i rendit - nipi i tij, policia e
    Gjirokastrës - e gjitha e tij, shefi i policisë së
    Kakavijës është djali i vëllait të tij, doganieri i
    Kakavijës - nipi i tij, drejtorët e Sarandës - nipa
    apo dhundërrë të tij dhe, më tej akoma, një oktapod i
    tmerrshëm i mafias së përzier me politikën. Por jo
    vetëm në Jug. Në Drejtorinë e Doganave - tre njerëz të
    afërt të tij, në Ministrinë e Brendshme, së paku në 15
    poste kyçe janë njerëz të tij, në Ministrinë e Lulzim
    Bashës, gjysma e drejtorëve janë njerëz të shtëpisë së
    tij, ndërsa në ministritë e tjera janë njerëz të tij,
    ose shefat e personelit, ose drejtorët kyç.
    Dhe nuk bëhet fjalë për njerëz, që kanë ndonjë vlerë
    profesionale apo politike, por thjesht ushtarë, që u
    binden urdhrave të klanit politik. Modeli i tyre
    është, për shembull, Eqerem Braçe, i cili nga bari në
    Salari deri në vitin 1996, “u vesh” prej Gramoz Ruçit
    si biznesmen dhe tani ka fituar tenderin e ushqimit të
    Gardës së Republikës, që komandohet nga “veriori” Sali
    Berisha, tenderin e rrugës Dukaj-Tepelenë ku nuk ka
    hedhur asnjë lopatë dhe që paguhet nga “tironsi”
    Lulzim Basha, tenderin e gjimnazit të Tepelenës dhe
    disa shkollave në fshatra të humbur të Tepelenës, ku
    nuk ka as mësues, as nxënës, po vetëm objekte të lyera
    dhe miliona të përfunduara në xhepat e Gramoz Ruçit.
    Ky Eqerem Braçja, së fundmi është dënuar me 9 muaj
    burg nga Gjykata, dhe politikani parimor Gramoz Ruçi,
    jo vetëm që nuk ia dorëzon drejtësisë, por e mban në
    makinë të tij për të mos e kapur policia. Nipi tjetër
    i tij, krimineli Gjolek Malaj, është pronar i një
    ndërtese pa leje në qendër të Tiranës dhe, përmes
    pushtetit politik të Gramoz Ruçit, ka detyruar një
    fondacion kulturor iranian, të vendosë aty aktivitetin
    e tij të shpallur si arsimor, me qëllim që këtij
    banditi t’i quhen të pastra paratë, pasi kanë ardhur
    nga Irani. Dhe kjo bëhet nën mbikëqyrjen e ministrit
    “anti-iranian” Genc Pollo. Ky model politikani, i cili
    përpiqet të thërrasë në ndihmë krahinarizimin me të
    cilin ekziston në politikë, si një mjet lufte për të
    ndezur urrejtjen Jug-Veri, në të vërtetë është i vetmi
    në politikën shqiptare, që është ende në skenë, për
    shkak të këtij krimi. Unë nuk e di përse do t’i duhej
    Shqipërisë Gramoz Ruçi me dy klasë shkollë partie,
    nëse nuk do të kishte 100 nipçet dhe dhëndurrët në
    pushtet për t’u motivuar politikisht si plaçkitës. Nuk
    di ç’do t’i duhej politikës shqiptare ky njeri, nëse
    nuk do të transferonte mafian e rrugës në Tepelenë, në
    mafia ndërtimi në Tiranë dhe të gjunjëzonte me të Edi
    Ramën. Nuk di pse do t’i duhej politikës shqiptare ky
    njeri primitiv, që as gërmat e alfabetit nuk shqipton
    dot, nëse nuk do t’u imponohej me radhë kryeministrave
    socialistë me ato që ai i quan bastione të së majtës
    dhe që kontrollohen nga familja e tij mafioze.
    Në gjithë këtë histori, Gramoz Ruçi ka vetëm një të
    drejtë. Ka të drejtën e triumfatorit mbi pushtetin e
    Sali Berishës, që jo vetëm nuk arrin të çmontojë këtë
    familje mafioze nga politika, por në mënyrë qesharake,
    klani i tij dikton qeverinë e re, tallet me të dhe
    ministrat e tij dhe paguhet ende me paratë e buxhetit
    të varfër të shqiptarëve. Gramoz Ruçi ka të drejtë të
    ngrejë kokën, përderisa nipat e tij kriminelë,
    arrestohen në flagrancë duke dhunuar ligjin dhe lihen
    të lirë rrugëve, vazhdojnë të ndërtojnë nga Tiranë në
    Sarandë, me lejet e ndërtimit që kontrollon qeveria e
    Sali Berishës, vazhdojnë të marrin paratë e tenderave
    të fituara në mënyrë të paligjshme nga qeveritë e
    mëparshme dhe mbrohen politikisht në Kuvend në emër të
    luftës Jug-Veri.
    Kjo është e drejta që Gramoz Ruçit po i jepet
    dita-ditës nga pushteti i ri. Derisa kjo qeveri nuk do
    të arrijë të marrë pushtetin, derisa kjo qeveri nuk do
    të arrijë të ketë nën kontroll situatën në vend,
    derisa kjo qeveri nuk do të jetë në gjendje të
    dominojë mbi bandat politike të Jugut të Shqipërisë,
    që rrinë këmbëkryq në Tiranë, në Kuvend do të mbahen
    përditë fjalime raciste dhe platforma të luftës
    krahinore, siç ishte ligjërata e djeshme e Gramoz
    Ruçit. Atij i ka ardhur shpejt dita të ngrejë zërin në
    emër të Jugut, ndërkohë që Jugu, ndryshe nga Partia
    Socialiste, nuk e ka njohur dhe as e ka shpallur
    kryeqendër të tij, Salarinë.

  3. #53
    i/e regjistruar Maska e Brari
    Anëtarësuar
    23-04-2002
    Postime
    18,826
    Vlora nuk ka vend për park energjitik


    Ardian KOLLOZI


    Duke marrë shkak nga disa prononcime të ditëve të fundit, interesimit të mediave dhe iniciativave të ndërmarra nga operatorë të ndryshëm për problemin e parkut energjitik të projektuar për t'u ndërtuar në Vlorë, si dhe nga disa deklarata të bëra në Kuvend gjatë seancave të fundit, por për më tepër gjatë interpelancës së kryeministrit, të kërkuar nga deputeti Ruçi, kërkova fjalën për të dhënë mendimin tim si deputet i Vlorës dhe i interesuar kështu pra drejtpërdrejt për këtë çështje. Gjatë muajve të fundit, por sidomos gjatë fushatës e më pas, na është dashur të diskutojmë e të prononcohemi shpesh për këtë problem. Që në fillim kemi deklaruar prerë e qartë se jemi kundër ndërtimit të parkut energjitik në gjirin e Vlorës. Është fakt që në programin elektoral e më pas në programin e qeverisë, turizmi është shpallur prioritet i prioriteteve, është konsideruar si një resurs i pazëvendësueshëm, si një pasuri e madhe e komunitetit të Vlorës dhe i gjithë Shqipërisë. Kemi deklaruar se ndërtimi i këtij parku dëmton rëndë këtë prioritet të shpallur dhe në përgjithësi interesat e komunitetit të Vlorës. Më duhet të deklaroj këtu se vendimin e qeverisë socialiste për ndërtimin e këtij parku energjitik, ku përfshihen 5 (pesë) TEC-e, terminali i projektit "Hambo" (rafineri) e depozita nafte, pra disa vepra industriale, me bazë nafte, unë e konsideroj si të papërgjegjshëm, cinik, dashakeq e për më tepër fyes e diskriminues për popullin e Vlorës. Mungesa e transparencës, mosmarrja e mendimit të komunitetit, imponimi i institucioneve vendore (këtu duhet të përmend faktin që leja e ndërtimit është miratuar me urdhër e me presion vetëm herën e katërt, pas tre herëve të rrëzuara nga KRRT-ja e Bashkisë Vlorë), tregojnë qartë se vetëm për interesat e popullit të Vlorës nga qeveria socialiste nuk janë menduar. Ngritja e komitetit ndërdikasterial nga ana e qeverisë së re, ftesa që iu bë të gjithë faktorëve dhe institucioneve të interesuara për këtë problem, është konsideruar nga të gjithë si një hap i duhur dhe i drejtë. Gjatë punës së këtij komisioni, të gjithë faktorët e grupet e interesit shprehën opsionet e tyre, i demostruan ato dhe natyrisht u debatua, por i rëndësishëm është fakti se u bë transparencë e plotë dhe gjithsecili pati mundësinë të merrte informacionin e duhur. Binte në sy gjatë këtyre takimeve mungesa e përfaqësuesve socialistë, me përjashtim të Kryetarit të Këshillit të Qarkut, por ne të tjerët në komitet, me bonsens, e konsideruam këtë fakt si një ndjenjë faji për vendimin e papërgjegjshëm të marrë nga qeveria e tyre. Përpjekjet për të instrumentalizuar e politizuar këtë problem, janë naive e të kota. Populli i asaj zone ka treguar me fakte se di të mirëorientohet. Jo rastësisht shumë ngjarje të rëndësishme të historisë së këtij kombi kanë nisur e përfunduar aty. Edhe më 3 korrik, që është një ngjarje tjetër e rëndësishme, popullli i Vlorës tregoi vetëdije e integritet të lartë dhe demonstroi se nuk është pronë e askujt, por i referohet vetëm koshiencës së tij. Gjatë prezantimit në këtë Kuvend të programit të qeverisë, skeptikët e këtij Parlamenti e quajtën atë si një program që premton shumë. Po edhe unë ashtu mendoj, por me të drejtë, sepse në konceptim tim çdo qeveri koshiente dhe e përgjegjshme duhej më së fundi të afrontonte probleme që janë tërhequr zvarrë prej 15 vitesh. Gjatë këtij mandati dhe në këtë program qeverisë së re do t'i duhet të zhbëjë ato që bëri keq Partia Socialiste në 8 vite, të bëjë ato që ata nuk bënë dhe natyrisht të realizojë dhe objektivat. Dhe patjetër, në ato që ajo duhet të zhbëjë, është dhe parku energjitik i Vlorës. Si deputet i Vlorës ndihem mirë që edhe njëherë, Kryeministri i Shqipërisë shprehu qartë interesimin e qeverisë për problemet dhe zhvillimin e Vlorës. Kjo më motivon të rris bashkëpunimin dhe njëkohësisht presionin ndaj qeverisë, për të realizuar të gjitha premtimet e bëra prej nesh. Së fundi, dua t'u kujtoj deputetëve të opozitës se më 3 korrik PD-ja fitoi në 2 zona në rrethin e Vlorës dhe po të mos kishte qenë vjedhja flagrante e votës nga socialistët në pushtet, ky rezultat do të ishte krejt ndryshe. Për këtë arsye dhe për shkaqe objektive, ndonëse me vonesë, unë do t'i kërkoj këtij Parlamenti që objekt i punës së Komisionit Hetimor parlamentar për Zgjedhjet, t'i shtohen dhe zgjedhjet në Vlorë. Dua të bëj dhe një sugjerim: Unë jam deputet i zonës 96 në Vlorë dhe në zgjedhjet e 3 korrikut përballë kisha kryetarin e Partisë Socialiste të këtij rrethi. Besoj se ky fakt përbën agument që zotërinjtë e opozitës të ridimensionojnë konceptin e tyre për fjalën "bastion".

    RD
    Ndryshuar për herë të fundit nga Albo : 12-02-2007 më 19:44

  4. #54
    R[love]ution Maska e Hyllien
    Anëtarësuar
    28-11-2003
    Vendndodhja
    Mobil Ave.
    Postime
    7,708
    Nuk eshte hera pare qe Shqiptaret mungojne shancin historik(uroj qe ata qe jane atje, dmth protagonistet e uturakut qe dalin neper televizione mos te jene te varur nga pensionet e vorioepirit).
    Mund te permendim ketu mbledhjen e Bejlereve te Shkodres, ketu e 150 vjet me pare te cilet me 7 milione lira turke, bene aktin me te madh patriotik(sipas Enver Hoxhes) duke devijuar Orient Expressin nga shqiperia ne Jugosllavi. Si perfundim Jugosllavia u zhvillua dhe ka infrastrukture shume here me te mire se ne, dhe shqiperia mbeti me malet e veta dhe... ne erresire.
    Gabimi i dyte ishte heqja e Princit Vid nga froni. Ne vend qe te beheshin aleancat sic bene fqinjet, shqiptaret me shkopa e pushka e cfare te kishin shkuan e hoqen qafe dhe kete njeri.
    Gafa e trete eshte instalimi i regjimit me te ashper qe ka njohur njerezimi qe solli dhe shfarosjen e fese. E nese ruset thone qe ne kapitulluam se harruam Zotin(sic me kane thene shume here vete), shqiptaret fare mire mund te marrin fund si komb se e zhduken Zotin.

    dhe si gafe te madhe te katert do quaja mosberjen e TEC-it dhe parkut industrial, i cili do na coj te pakten 20 vjet mbrapa, dhe do bej qe fqinjet ta tallin by_then ne nje fare feje me ne qe zorr se do tallet ndonjehere nje komb sic kemi per tu tallur e neperkembur neve ne te ardhmen.

    Kush jane vlonjatet te duan referendum nje here ? Kush i pyt vlonjatet ? Me erdhi per te vjellur kur pashe emisionin shqip te Top Channeli kur dilshin disa gangsterra me demek jurista qe kercenonin haptazi cdo gje. Kush jane keta qe i dinkan me mire gjerat se disa qindra specialista qe jane marre me kete pune ? Hong Kongu eshte nje por_dhe vend dhe nuk e di sa dhjetra termocentrale ka, e cfare turizimi te zhvilluar qe ka, e po keshtu edhe Italia dhe te gjitha vendet ne Europe. Te vijne akoma me dyshime kur ne Kakome plasi lufta sepse do vinte Francezi te investonte me hapjen e nje Club Med. Edhe pse atehere mendoja se kishin te drejte per te protestuar keta njerez, perseri duke pare modelet perendimore, sidomos Greqine, shofim qe jane zhvilluar pikerishte ne kete menyre. Ose njerezit kane shitur tokat, ose jane bere bashkepronar me nje perqindje te vogel. Pra keta njerez si perfundim nuk duan as zhvillim turizmi(derisa i shporren francezet), as energji(derisa nuk duan TEC), as kushedi sa mijera vende pune(derisa nuk duan parkun industrial), as kushedi sa miliona dollare kursime qe mund te hidhen ne fushen e arsmit dhe zhvillime te tjera, etj etj, por mesaduket duan ndertime paleje, skafe, edhe droge.
    Mjere ne kush na qeveris e kush e ben ligjin.

    Mire e tha exministri... nuk eshte ndertu ketu e 3000 vjet me pare ky qytet sepse kishin qejf me bo plazh njerezit, po kujt i thua.
    Ndryshuar për herë të fundit nga Hyllien : 28-11-2005 më 13:26
    "The true history of mankind will be written only when Albanians participate in it's writing." -ML

  5. #55
    Updating.... Maska e Wordless
    Anëtarësuar
    19-06-2002
    Vendndodhja
    Undercover
    Postime
    3,154
    TEC-i me nafte eshte zgjidhja me idjote ne kushtet e shterjes se ketij burimi
    natyror. Kaq me mjafton per te ndjere eren e m.... e te korupsjonit ne kete
    projekt donkishotes, qe perveç se do te nderroje eren e pvc-se dhe tymin
    e çmientos me ate te CO2, asgje tjeter s'ka per ti sjelle Shqiperise lere me Vlores.
    Eshte aritmetike e thjeshte: fuçia e naftes 70$ dhe tenton drejt infinitit
    ne propocjon te zhdrejte me pakesimin e burimeve. Sa nafte duhet per te
    prodhuar nje KwH? Kostua e sotme ndoshta e justifikon ndertimin, por
    nqs neser fuçia shkon 100$, 150$, 200$ ...? Keto shifra dua te shoh une,
    shifra te vena ne prespektive dhe jo spekullime kafenesh.
    Dhe diçka qe me ngre qimen e kokes perpjete: pse qenkan "specjaliste
    te huaj" ata qe vendosin u dashka gelltitur me sy mbyllur?! Ç'eshte
    kjo llogjike skllavi!!! Se e vura re dhe te ai ish-ministri qe nje me dy e
    i drejtohej perfaqsuesit te banoreve te Vlores "kush je ti mer bab me
    kundershu specjalistat e huj!!!"
    Pse ky ish-minister nuk filloi me rabilitimin e infrastruktures se linjave te gjata,
    te cilat humbasin % energjie galopante nga shkalla e larte e amortizimit te tyre?
    Mos te flasim pastaj per rrjetin shperndares, i denje per gjirizet e Bangladeshit.

    Pse HEC-et nuk jane me ne mode ne Shqiperi? Apo parashikohet rritja e çmimit te ujit te shiut?
    Ndryshuar për herë të fundit nga Wordless : 28-11-2005 më 20:03

  6. #56
    R[love]ution Maska e Hyllien
    Anëtarësuar
    28-11-2003
    Vendndodhja
    Mobil Ave.
    Postime
    7,708
    Qe te besh nje HEC duhen minimumi, minimumi 800 milione dollare(psh te mbarohet Bushati). Qe te marresh keto para, normalisht shteti yne spurdhiak nuk mund t'i kete, pra do ti marri me KREDI nga jashte. Ketu nuk mund te ti siguroje njeri kete sasi parashe, pra do mblidhen 5-6 banka, dhe kredine qe do japin, duke marre parasysh qe shqiperia eshte zone me rrisk, ballkani eshte zone me rrisk e me the te thashe do dali qe vlera reale do shkoj disa miliarda dollare.

    Nuk eshte idiot amerikani qe po nderton AMBO-n qe do sjelli lenden djegese, dhe ne kuader te parkut industrial perfitojme edhe ne, sepse per te vene ne pune keto TEC-e nuk duhet ndonje sasi kushedi sa nafte. Nga ana tjeter, me dy TEC-e arrijme te prodhojme rreth 1.2 miliarde kv, nga 2 qe importojme do importojme 0.8 miliarde. Pervec kesaj, manovrohet me Fierzen dhe Vaun e Dejes gjate periudhave te mira qe te mbushen dhe atje rezervuaret, pra mos funksionoje 24 ore ne 24. Te besh hidrocentral do kushedi se sa vite dhe sa para, plus nese ka gje kundra ambientit dhe qe cilesohet i tille eshte pikerisht hidrocentrali pasi devijon lumenjte e me the te thashe, e megjithate perseri nuk garanton kurre rritjen e konsumit qe do kete ne shqiperi. Bota e ka zgjidhur cdo gje me centrale atomike, mirepo ne ballkan qe eshte fuci baruti, edhe ajo mungon.

    HEC-et jane bere ne kohen e Enverit ku i vuri me shkop malesoret te punonin si qener. Nje problem tjeter qe kane HEC-et pervec afateve kohore, prokurimeve etj etj jane dhe cpronesimet. Nuk ka zgjidhje me te mire se TEC-i per momentin duke qene se dhe ISPH-ja(Instituti i Studimeve e Projektimeve Hidroteknike) nuk ekziston me. E filloi Saliu dhe e firmosi Nano zhdukjen e tij.


    Pyetja pse jane specialistet e huaj ata qe vendosin, mund t'ja besh qeverive ne shqiperi duke filluar nga Sala 1,2, tek Nano 1,2,3,4(sa jane) tek Sala 3.
    "The true history of mankind will be written only when Albanians participate in it's writing." -ML

  7. #57
    i/e regjistruar Maska e Brari
    Anëtarësuar
    23-04-2002
    Postime
    18,826
    REFERENDUMI, “REBELIM” I KONTROLLUAR


    prof. asc. Sazan GURI

    U duk se gjërat do të shkonin me mirëkutptim të plotë. Por nuk kishte se si. Sepse interesa të forta ndërthuren për këtë mjerane Shqipëri, që jo rrallë, përgjatë historisë së vet është ngrysur piper dhe gdhihet patëllxhan. Ndoshta edhe pse natyra i ka ofruar një pozicion sa tërheqës dhe të vrazhdë, sa pranë Lindjes dhe Perëndimit, sa pranë dijes dhe injorancës. Mënjëanë kompani amerikane që punojnë dhe duan të shesin teknologjinë e TEC-it, në një anë tjetër Banka Botërore që paguan ende rrogat e nëpunësve tanë liliputë shqiptarë dhe të tërheq prej kapistallit, në një anë tjetër kompani italiane që duan të ngrenë depozita nafte, sepse ne nuk dimë t’i komandojmë këto tonat dhe na ndotet deti i përbashkët Adriatik. Po, po, shto dhe disa emra, që i thonë gjoja kalimthi si Dik Cenej, Berluskon, etj., që janë të interesuar për këto investime, atëherë ç`mbetet. Ta besojmë, ta pranojmë, ta zbatojmë planin e tyre dhe t`ju hamë dhe m.... betjet. Një arsye është se jemi të vegjël si komb, në numër. Por, arsye më e fortë duhet të jetë, se jemi edhe pak si dembelë më mirë me thënë. Që kur prej 500 vjetësh kemi pritur urdhra nga Porta e Lartë dhe që kur prej 100 vjetësh endja e shqiptarit është paralizuar nga pickimi i mizës myzeqare apo xanxare CECE, shtylla kurrizore e këtij kombi u çmësua të mbante parmendë, u çmësua të punonte e të lëronte tokën, profesion i cili i dha dhe emrin (arban-arrë bën) e ta zëvedësonte atë me dyfek, ku o të merrte pasuri gjetiu,o të mbronte këtë pasuri. Edhe sot shumë syresh në vendin tonë nuk robtohen së punuari, por lodhen së prituri të ndonjë cope nga lart, si dikur nga Porta e Lartë.
    A nuk përbën rast kaq të ngjashëm kur shumë nga n sot kënaqen me taksën 32 milionë uro që mund të merren nga parakalimi serbes i AMBOS në territorin shqiptar. A nuk përbën rast tipik në vendin tonë që shumë syresh,pasi kanë ujdisur një dyqan me qira, por edhe një lavazho qoftë, dhe vetë kapërdisen pse kanë mundur të shijojnë se një apo disa të tjerë punojnë për ta. Krahasoni me shembujt në botë, kur pronari punon më tepër se ata që punëson.
    Në këtë kontekst u kristalizua ideja se shqiptarët mund ta nxjerrin vetë bukën e gojës dhe se mund të bëjnë vetë llogaritë se sa mund të fitojnë si taksë, duke dhënë tokë me qira dhe sa iu del duke punuar me pak mund edhe djersë. Ndryshe nga kordinatorët e shtetit, që për hiç gjë e dhanë, madje një euro gjithë pyllin e Sodës, segmentë të caktuar të shoqërisë civile llogaritën se fitimi me punë ishte shumë më i madh, më prestigjioz, më dinjitoz, më zotëri dhe mbi të gjitha i ripërtëritshëm. Ndërsa ai tjetri rendte dhe të çonte detyrimisht në analet e servilizmit, të nënshtrimit, të kënaqurit me pak dhe mbi të gjitha i zbehtë dhe si i kallur për së gjalli.
    Ana tjetër ishte se në projektet e koordinatorëve shqiptarë kishte si abuzime me shkencën dhe cinizëm me komunitetin përkatës derisa iu thuhej se këtu do të ngrihen disa vepra me ndikim sa një fabrikë çokollate, biles edhe para pak ditësh në një emision te “News24”, përfaqësuesja shqiptare e Petroliferës akoma thoshte se ndikimi në mjedis do të jetë zero. E tmerrshme. Por ky koncept nuk ekziston si term. Hiqen profanë apo bëjnë vetë?!. Lajthitje, mangësi deri në papërgjegjshmëri të tilla ishin me bollëk nëpër projektet e veprave të naftës në bregdet dhe në këto kushte nuk kishe si të rrije duarlidhur, gojëkyçur, syvëngër, veshshpuar, sepse do të ishe po aq i papërgjegjshëm sa ata. Dhe u gjet një metodë, çfarë të rebelojmë, por si, shkencërisht, biles të kontrolluar dhe demokratiksht. U zbuluan projektet; bëmë që të nxirreshin e të na jepeshin, u lexuan studimet, u studiuan ato, u konspektuan, u formua koncepti real shkencor, jo nga studiot e San Franciskos, por në shesh të Vlorës dhe për Vlorën e në studiot e Shqipërisë, u krijua Aleancë Qytetare (jo fshatare), u informua publiku, u formua grupi i interesit, u formatuan njerëzit, duke iu shpjeguar atyre, u protestua me tubim, u bënë libra e filma dokumentarë, u sajuan dhe u realizuan “brainstorming”, tryeza pune, seminare, simpoziume, promovime deri në konferenca ndërkombëtare dhe prapë u mendua se mbase nuk është përfshirë në këtë mesele i gjithë komuniteti. Shih çfarë kujdesi! Çfarë bëhet në kësi rastesh? Të pyetet, nëse do vepra dhe industri nafte apo industri të tjera më pranë ADN-së së vet. Si pyetet? Me të drejtën më elementare të pjesëmarjes - me referendum. Brenda një kohe të shkurtër u mblodhën 20 mijë firma, por kuptuam se Komisioni Zgjedhor kishte procedurën e vet. Në respekt me të arritëm dhe mblodhëm si aleancë 13 800 firma vetëm për të plotësuar kushtin, se një vendim i tillë mund dhe duhet të kalojë me referendum. Deri këtu bukuri dhe në përputhje me ligjet.
    Pas një shqyrtimi për procedurë teknike, në seancën e dytë të Komisionit Qendror Zgjedhor vendoset se ky referendum nuk mund të kalojë provimin për një tekë të ligjit se profesorët në këtë komision u ndanë tre me tre, për një tekë të politikës, ku pozita e sotme trembesh se mos referendumet shpërndaheshin për gjithçka tjetër, për një tekë të pozitës së djeshme, që kishte gatitur këtë çorbë të trazuar keqas, për një tekë të Parlamentit dhe parlamenarëve, që shpesh vihen në rresht dhe ia fusin firmës si e ëma e Zeqos në majë të thanës. Mirëpo të gjithë këta nuk e kuptojnë se referendumin nuk mund ta ngresh sa herë të duash, nëse nuk ka objekt dhe subjekt. Le të provohet për një çështje tjetër, atë kurrsesi nuk mund ta stisësh. Le të supozojmë, sikur një TEC do ta ngremë në Pish Poro, Fier. Nuk mund të lobohet që ai të mos mund të ngrihet aty, sepse nuk zë fjala, nuk ngjit argumenti, nuk bashkohet komuniteti, sepse nuk jeton aty pranë komunitet, nuk qaset ambientalisti nga Tirana e kudo, nuk goditet mjedisi, nuk thotë ndryshe shkenca, sepse është tokë argjilore, djerr, është e pabanuar, nuk është inventar i pasur, siç është në Vlorë, ka ajër të gatshëm për shpërndarje të emetimeve të helmeve, është ajër i pakufizuar, siç nuk është në Vlorë etj., etj., pa fund. Përkundrazi, lobohet për të thënë që aty ngrihet. Po kështu dhe në Fier apo Porto Romano. Kujdes me emrat toponim. Kur thuhet Fier, jo pranë popullit të Fierit (jo hiqja Lenkës...), sikundër në Vlorë, por në një zonë të ngjajshme me Pishë Poron. Pra, ja pse nuk ngrihet referendumi, si dhe kur ta duash, pa pasur më parë arsye për të rebeluar.
    Referendumi duhesh pranuar edhe për një fakt tjetër. Vendi ynë përbën rast unikal në botë që nuk ka asnjë proces gjyqësor për probleme mjedisore e shëndetësore, sa që shpesh Evropa pyet ose Konventa Aarhuz kërkon psenë. Si mundet që një vendimmarrës dhe një legjislator keqdrejton, keqformon, keqinformon, keqinterpreton dhe keqfirmos në kurriz të një populli, jo pak, por të 200 000 personave me ndikim të drejtpërdrejtë dhe me miliona persona me ndikim indirekt dhe këta të mos mbajnë përgjegjësi, të paktën morale. Dhe dënimi i tyre do të ishte me votë referendare, që ti, ekzekutor dhe legjislator, njëherësh, zgjohu dhe bëhu i përgjegjshëm për atë që bën. Ai duhej lënë, sepse do të ishte fëmija e parë dhe jo dështimi i parë, që më shumë stimulon dështime të tjera se sa pjellje. Ai duhej lënë, se edhe ishte i pari në rang ballkanik për çështje mjedisore. Ai duhej lënë se, për herë të parë, individë dhe grupe interesi u inkuadruan kaq pastër, kaq jashtë politikës, kaq larg biznesit, si shoqëri civile për të marrë pjesë në një vendimmarrje, ku ka raste në botë që kur preken kaq dhimbshëm interesat e qytetarëve, ata edhe armatosen. Ndërsa ne u armatosëm vetëm me dije. A mund të quhet një grupim i tillë profan, dhaskal, ufo, siç donte një kryeqeveritar t’i etiketonte. Ai duhej lënë, sepse në fund të fundit, është përgjegjësia e qytetarëve, që zgjedhin alternativat e zhvillimit të vet dhe pastaj vendosin ata (vendimmarrësit), që, për fat të keq, në Shqipëri janë nën nivelin mesatar të “Gente Commune”. Ai duhej lënë, sepse do të ishte fëmijë i mbarë në këtë udhë të praptë të shoqërisë shqiptare dhe ashtu siç gjobitet një shofer, kur shkel sinjalistika, edhe ky ekzekutor e legjilator deri në persekutor duhet të mbahej mend që u gjobit se shkeli mbi shëndetin e natyrës, mjedisit dhe të njerëzimit.




    29/12/2005
    KATEGORIA: Analiza
    Ndryshuar për herë të fundit nga Albo : 12-02-2007 më 19:45

  8. #58
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,015
    Postimet në Bllog
    22
    Ruli: TEC-i do të ketë parametrat e teknologjisë më të fundit

    Nënshkruhet përfundimisht kontrata për TEC-in e Vlorës

    Korporata Elektroenergjitike Shqiptare shprehet se, ndërtimi i këtij TEC-i, së bashku me linjën e interkoneksionit 400 kW/h, e cila pritet të fillojë së shpejti, do të bëjë që furnizimi me energji të mos varet më nga kushtet atmosferike

    U nënshkrua dje, në mjediset e Ministrisë së Ekonomisë, kontrata për ndërtimin e TEC-it të Vlorës, midis KESH-it dhe Komanisë “Maire Engineering”. Kontrata u firmos nga drejtori i KESH-it, Andi Beli dhe drejtorit të Divizionit të Energjisë në konsorsiumin italian “Maire Engineering” dr. Giorgo Cesarani, gjatë një ceremonie ku ishin të pranishëm edhe ministri i Ekonomisë, Genc Ruli, ambasadori italian, Attilio Massimo Iannuci si dhe drejtori i përgjithshëm i “Maire Engineering”, dr. Fabrizio Di Amato. Kjo është kontrata e parë në fushën e gjenerimit të energjisë elektrike që prej mesit të viteve ’80. Punimet për ndërtimin e këtij projekti do të fillojnë brenda një muaji dhe ai do të jetë gati për të prodhuar energji në mënyrë të pjesshme që në vitin e parë të prodhimit, ndërsa do të ketë përfunduar krejtësisht brenda dy vjetësh. TEC-i do të ketë një kapacitet prodhimtarie vjetore prej afro 800 milion kW/h dhe një kapacitet të instaluar prej 2.4 milionë kW/h në vit. Ai do të mbulojë rreth 15 për qind të nevojave për energji elektrike në të gjithë vendin, duke hedhur hapin e parë në diversifikimin e burimeve energjitike. Sipas korporatës, ndërtimi i kësaj vepre, së bashku me linjën e interkoneksionit 400 kW/h, e cila pritet të fillojë së shpejti, do të bëjë që në fillim të vitit 2009 të përfundojë një herë e përgjithmonë varësia fatale e furnizimit me energji elektrike nga kushtet atmosferike. Kontrata kap shifrën 92 milionë euro, të cilat janë financim i bankave të mëdha ndërkombëtare BB, BERZH dhe BEI, ndërsa kostot lokale, në vlerën prej rreth 10 për qind të projektit do të mbulohen nga KESH-i.

    Ministri Ruli tha gjatë ceremonisë së firmosjes së kontratës: “Jam mëse i bindur që ky projekt do të ketë vlerë, jo vetëm për shtimin e prodhimit të energjisë elektrike në vend, por gjithashtu sidomos në pretendimin që kemi për veprat e reja të karakterit industrial energjitik, që ato të jenë të teknologjisë më të fundit.”


    Përparësitë

    Duke qenë në jug të vendit, ky TEC shihet i rëndësishëm, jo vetëm për diversifikimin e burimeve të energjisë, duke bërë që furnizimi me energji të mos varet më plotësisht prej burimeve hidrike, por edhe për faktin se ai do të ulë humbjet në rrjet. Kjo vjen, pasi TEC-i shkurton rrugën e energjisë nga hidrocentralet, të cilat ndodhen thuajse tërësisht në veri, për në jug të vendit. Gjithashtu, termocentralet vlerësohen si impiantet që kanë efiçencën më të lartë dhe prodhimin ekuivalent në MW, ndërsa kostoja e prodhimit të tyre varet nga çmimi i tregut të lëndës djegëse, që mund të shkojë edhe në 80 për qind të kostos. Lëndet djegëse me të cilën do të punojë TEC-i i Vlorës do të jenë naftë me nën 0.1 për qind përmbajtje squfuri si dhe gaz natyror, kur ky të jetë i disponueshëm në Shqipëri. TEC-i i Vlorës do të funksionojë me cikël të kombinuar, duke prodhuar energji elektrike, jo vetëm nga gazi, por edhe avulli. Kjo bën që ky TEC të ketë parametrat më të lartë bashkëkohorë të rendimentit me mbi 50 për qind.

    Ndotjet e mjedisit

    BB dhe BERZH-i kanë kryer edhe studimet lidhur me impaktin mjedisor të këtij projekti, të cilat tregojnë se ndotjet në atmosferë nga ky TEC janë brenda limiteve të standardeve që parashikon të implementojë Komuniteti Europian për vitin 2008. Sipas udhëzimeve të këtyre studimeve, KESH-i ka ndërtuar një data-base për matjen e parametrave të cilësisë së ajrit, që do të përbëjnë bazën krahasuese të këtyre parametrave kur TEC-i të nisë nga puna. Korporata shprehet se, këto paramentra do të mund të jenë të monitorueshme nga publiku për të mos lejuar tejkalimin.

    Tema

  9. #59
    .... ...
    Anëtarësuar
    30-01-2005
    Postime
    4,049
    Do ta kerkoni Vloren gjeneral, por do bridhni si cifuti neper shkretetire.

    (Ju lutem mos e fshini kete postim, sepse s'eshte jashte teme.)

    Me indinjate, Lioness

  10. #60
    Akulli Maska e DiGiTeX
    Anëtarësuar
    30-04-2002
    Vendndodhja
    Diku Rreth Botes
    Postime
    368
    Pa vloren ska kuptim gjithe shqiperia.

    Eshte PERLA e turizmit shqiptare dhe duan ta shkaterojn por une si 1 djal vlore them qe sdo te mundin ta shkaterojne dote.

    VSS!
    "Merrja te mirėn tė ardhmes, hidhja te keqen tė kaluarės"

Faqja 6 prej 17 FillimFillim ... 4567816 ... FunditFundit

Tema të Ngjashme

  1. Ndotje katastrofale e ambientit ne Durres
    Nga Redi në forumin Problematika shqiptare
    Përgjigje: 3
    Postimi i Fundit: 25-11-2011, 08:43
  2. Familjet e nderuara shqiptare
    Nga alumni në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 70
    Postimi i Fundit: 22-03-2010, 16:46
  3. Raporti i OSBE: Zgjedhjet e qershorit, nje permiresim i ndjeshem
    Nga juanito02 në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 16
    Postimi i Fundit: 16-09-2009, 08:08
  4. Kongresi: Mbeshtetesit e Metes ngelen jashte KPD socialiste
    Nga Albo në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 263
    Postimi i Fundit: 20-12-2003, 22:24
  5. Vlore ..dizet e di ..dizet e tre.
    Nga Brari në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 2
    Postimi i Fundit: 09-12-2002, 09:56

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •