Jepet sheshi i ndërtimit për TEC-in e Vlorës
Nga Ergys Mertiri
Korporata Elektroenergjitike Shqiptare njofton, se u miratua dje nga KRRT e qarkut të Vlorës leja e ndërtimit të TEC-it të Vlorës. Leja e ndërtimit u miratua në unanimitet të plotë në KRRT, duke hapur kështu dritën jeshile për futjen e makinerive të rënda në kantier dhe fillimin e punës. Të 15 anëtarët e KRRT së qarkut të Vlorës votuan pro dhënies së sheshit të ndërtimit për kompaninë intaliane “Maire Engineering” për ndërtimin e këtij TEC-i, i cili do të mbarojë plotësisht në muajin maj të vitit 2009.
Pas plotësimit dhe dorëzimit të dokumentacionit të domosdoshëm për miratimin e lejes së ndërtimit të TEC-it në Urbanistikën e qarkut të Vlorës, u krye shqyrtimi i dosjes, si dhe miratimi, duke lënë të lirë sheshin e ndërtimit, terreni i të cilit, që prej bërjes efektive të kontratës më 5 maj 2007, është përgatitur me studimet inxhinierike, gjeologjike dhe planimetrisë, si dhe pas pastrimit të kantierit nga ndërtimet pa leje, që në mars 2007. Shpallja e raportit gjeologjik dhe planimetrisë i paraprin nisjes së punimeve për rehabilitimin e rrugës Port-Kantier, për futjen e makinerive të rënda si dhe piketimit të linjës 220 KW të transmetimit Kantier-Babicë.
Fazat
Menjëherë pas firmosjes së kontratës për ndërtimin e Tec-it mes KESH-it dhe “Maire Engineering”, më 9 shkurt 2007, nisi faza e engineering, e parashikuar në kontratën EPC (Engineering Procurement Construction). Kjo fazë përfundoi brenda muajit mars, përpara afatit të parashikuar dhe nëpërmjet një bashkëpunimi të favorshëm me të gjitha institucionet përgjegjëse u arrit dhënia e lejeve dhe prishja e ndërtimeve pa leje, që përgatiti terrenin për fazën e dytë të këtij projekti, e cila përmban nisjen e studimit gjeologjik dhe atë të planimetrisë. Për këtë fazë, për studimin gjeologjik dhe të planimetrisë, kanë punuar dy kompani dhe më pas do të nisë dhe puna për rehabilitimin e rrugës port-kantier për futjen e makinerive të rënda, si dhe piketimi i linjës 220 kW, Kantier-Babicë.
Kapaciteti
Me një kapacitet të instaluar prej 2.4 milionë kWh dhe me një fuqi prodhuese vjetore prej 800 milionë kWh në vit, ky TEC do të plotësojë 15 për qind të nevojës për furnizim në qytetet kryesore të jugut të Shqipërisë, si dhe do të sigurojë shtesë energjie si rezultat i uljes së humbjeve nga transmetimi i energjisë elektrike nga veriu në jug. Por, prodhimi i energjisë elektrike do të fillojë në gjysmën e kohës së ndërtimit përfundimtar të këtij projekti, duke prodhuar një sasi energjie prej rreth 60 mW/h që në vitin e parë të punimeve. TEC-i do të jetë i përbërë nga një sistem krejtësisht i vetëmjaftueshëm dhe autonom për të pasur një operim dhe funksionim të sigurt.
Teknologjia
Termocentralet si burime energjie vlerësohen si impiantet që kanë eficiencën më të lartë bazuar në lëndën që digjet dhe prodhimin ekuivalent në MW, ndërsa kostoja e prodhimit të tyre varet nga çmimi i tregut të lëndës djegëse, që zë edhe 80 për qind të kostos. Lëndët djegëse, me të cilat do të punojë TEC-i i Vlorës do të jenë naftë me nën 0.1% përmbajtje squfuri, si dhe gaz natyror, kur ky të jetë i disponueshëm në Shqipëri. TEC-i i Vlorës do të funksionojë me cikël të kombinuar, duke prodhuar energji elektrike jo vetëm nga gazi, por edhe avulli. Kjo bën që ky TEC të ketë parametrat më të lartë bashkëkohorë të rendimentit me mbi 50%. Studimet e BERZH-it dhe Bankës Botërore për ndikimin në mjedis flasin për një teknologji të standardizuar që do të përdoret për këtë objekt të ri energjitik. TEC-i shikohet si një mundësi e mirë për të bërë të mundur shpërndarjen e burimeve energjitike.
Kontrata
Kontrata për ndërtimin e këtij TEC-i kap shifrën 92 milionë euro, të cilat janë siguruar nëpërmjet një financimi të Bankës Botërore, BERZH-it dhe BEI, ndërkohë që kostot lokale, të cilat shkojnë në 10 për qind, do të mbulohen nga KESH-i. Kontrata do të implementohet nga kompania “Maire Engineering” e përzgjedhur si fituese në tenderin e zhvilluar për ndërtimin e TEC-it. Në tenderin për ndërtimin e këtij TEC-i morën pjesë rreth 13 kompani, por vetëm 4 prej tyre u kualifikuan. Kështu, kompania “Maire Engineering” ishte ajo që u klasifikua si kompania me çmimin më të ulët, duke fituar tenderin, përballë kompanive “Siemens Ag”, konsorciumi “GE Iberdola”, kompania indiane “Bhel”. Kompania “Maire Engineering” është një ”, konsorcium, i cili ka në vetvete dy kompani italiane të specializuara për ndërtimin e veprave energjitike, të cilat do të merren me ndërtimin e këtij TEC-i, "Ansaldo" dhe "Tecnomod".
TEC-i, projekti i parë për shtimin e prodhimit të energjisë në vend
TEC-i i Vlorës shënon dhe kontratën e parë në fushën e gjenerimit të energjisë elektrike që prej më shumë se dy dekadash. Që nga viti 1985, në Shqipëri nuk është bërë asnjë investim për shtimin e prodhimit të energjisë. Përveç kësaj, llogaritet që 20 vjet më parë Shqipëria prodhonte rreth 300 MW energji elektrike prej TEC-eve, ndërsa sot, sasia e prodhimit të energjisë prej tyre është zero. Jo vetëm kaq, por amortizimi i rrjetit, i cili është tashmë mjaft i vjetëruar, ka bërë që një pjesë e mirë e energjisë së prodhuar të humbasë rrugës. E gjithë kjo situatë ka bërë që sot, Shqipëria të mos mbulojë dot nevojat e vendit për konsum energjitik dhe njëkohësisht të ketë mundësi të kufizuara për importin e energjisë, gjë që bën që në situata të caktuara të ketë ndërprerje. Në këtë mënyrë, ky investim përbën hapin e parë drejt projekteve për shtimin e kapaciteteve prodhuese të energjisë në vend, si dhe për diversifikimin e burimeve energjitike, të cilat sot janë 100 për qind prej burimeve hidrike. Në këtë mënyrë, përveç shtimit të prodhimit në vend, ky TEC do të ulë edhe varësinë e prodhimit të energjisë nga reshjet, duke ulur mundësitë për të pasur kriza energjitike. Gjithashtu, duke qenë në jug të vendit, ky TEC shihet i rëndësishëm edhe për faktin se ai do të ulë humbjet në rrjet. Kjo vjen, pasi ai shkurton rrugën e energjisë nga hidrocentralet, të cilat ndodhen thuajse tërësisht në veri, për në jug të vendit. Në këtë mënyrë, ky projekt shihet si një projekt i një rëndësie të veçantë lidhur me zbutjen e problemit të energjisë në vend. Gjithashtu, së bashku me linjën e interkonjeksionit 400 kW pritet të jenë projektet e para, të cilat pritet të sjellin mundësi më të mira për mbulimin e konsumit në vend.
BB dhe BERZH: Impakti mjedisor, brenda standardeve të BE
Studimet e Bankës Botërore dhe BERZH tregojnë se ndotjet në atmosferë nga ky termocentral janë brenda limiteve të standardeve që parashikon të implementojë Komuniteti Evropian më 1 janar të vitit 2008. Sipas udhëzimeve të këtyre studimeve, KESH ka ndërtuar një data-base për matjen e parametrave të cilësisë së ajrit, që do të përbëjnë bazën krahasuese të këtyre parametrave, kur TEC-i të nisë nga puna. Sipas korporatës, ky data-base do të ofrojë të dhëna, të cilat do të jenë të monitorueshme nga publiku për të mos lejuar tejkalimin e masës së ndotjes së parashikuar nga normat e BE. Megjithë kundërshtimet nga shoqatat të ndryshme që kanë kundërshtuar ndërtimin e këtij TEC-i, Banka Botërore është shprehur, se ndërtimi i tij do të jetë brenda të gjitha parametrave të përcaktuara në vendet e BE.
Dhënia e sheshit të ndërtimit është kundërshtuar pak ditë më parë nga Aleanca për Mbrojtjen e Gjirit të Vlorës, e cila më parë ka dërguar një kërkesë për rishikimin e investimit të saj për ndërtimin e TEC-it, si dhe rivlerësimit të impaktit mjedisor të tij. Pas dërgimit të një ekipi nga BB për të marrë në shqyrtim kërkesën e tyre, Aleanca u shpreh në shtyp, se banka u tërhoq nga investimi dhe se KRRT e Vlorës është duke përshpejtuar procedurat e dhënies së lejes së ndërtimit në kundërshtim me vendimin e Bankës Botërore. Kjo deklaratë u kundërshtua nga vetë banka, e cila u shpreh, se nuk ka asnjë tërheqje të saj nga ky projekt dhe se studimet për efektin e tij në projekt flasin për parametra të pranueshme nga të gjitha standardet ndërkombëtare. Në fakt, sipas vetë BB, mundësitë që paneli i inspektimit i BB të kërkojë terheqjen nga projekti janë thuajse zero, pasi, së pari, vetë banka ka marrë pjesë në studimet për efektet mjedisore, të cilat kanë qenë profesionale dhe, së dyti, ka edhe organizma të tjerë ndërkombëtare, të cilat janë bashkëfinancuese të këtij projekti si BERZH dhe BEI. Të dyja këto institucione kanë qenë dakord me këtë projekt, si dhe me parametrat e tij mjedisore. Në fakt, janë bërë dy studime lidhur me efektet që ndërtimi i këtij TEC-i ka në mjedisin e zonës. Një studim është bërë nga një kompani amerikane, ndërsa tjetri është bërë nga UNDP dhe, sipas të dyja studimeve, ndërtimi i TEC-it ka qenë brenda parametrave të pranueshme të efekteve mjedisore.
Tema
Krijoni Kontakt