shekulli
NJE SHKRITORE NE BUTRINT
Agron Alibali
Tek i afrohesh Triportit nga Vlora, atë mëngjes të 29 tetorit 1848, piktori dhe udhëtari i njohur anglez, Eduard Lir (Edward Lear), po përpiqesh të shquante se çfarë mund të ishin “një pafundësi objektesh që dukeshin si gurë të mëdhenj të bardhë, të rreshtuar në mënyrë të përsosur, por që kishin diçka të çuditshme dhe jo lehtë të përshkrueshme në trajtën e tyre”. Krejt i pamundur për të përcaktuar se çfarë ishin në të vërtetë ato, Liri e pleqëroi që ta zbulonte misterin kur të afrohej edhe më. Habia e tij ishte e pamasë tek zbuloi se “gurët e mëdhenj” nuk ishin tjetër, veçse një numër shumë i madh pelikanësh…
Por, po të ringjallej Liri sot pas 160 vitesh, dhe të vizitonte të njëjtin vend, në vend të pelikanëve ai do të duhej të pikturonte ngrehinën e madhe dhe hijerëndë të TEC-it të Vlorës, që padyshim përbën një ndër objektet ekonomike më të diskutueshme, për të mos thënë të papërshtatshme, që mund të jenë projektuar ndonjëherë në Shqipëri.
Mbetet gjithsesi mister se si, dhe pse, projektuesit dhe mbështetësit e TEC-it shmangën zgjidhjen shumë më të arsyeshme dhe të efektshme që do të parashikonte (i) ndërtimin e linjës energjitike Brindizi – Vlorë dhe (ii) riaftësimin e TEC-it ekzistues të Fierit. Në vend të zbatimit të një platforme energjitike kombëtare që do të modernizonte kapacitete ekzistuese, do të nxiste metodat e kapjes së energjisë alternative diellore, do të ruante mjedisin dhe trashëgiminë historike kulturore, si dhe do të lidhte vendin me tregun energjitik të Italisë, ata gjithsesi zgjodhën të ngrenë një TEC të ri në Kepin e Triportit, apo në zemër të një prej perlave të Detit Mesdhe, dhe pikërisht Gjirit të Vlorës dhe Lagunës së Nartës.
Nuk është vështirë të parashikohet se, me ndërtimin e tij, jo vetëm pelikanët e Lirit do të mendohen mirë përpara se të shtegtojnë andej pari, por edhe vetë banorët e qytetit plakë – pa përmendur turistët e shumëpritur– do të përpiqen të gjejnë vende më të shëndetshme për të ngrysur jetën.
Nisma për ndërtimin e TEC-it në Vlorë, do të sjellë pa tjetër rrjedhime apo beteja juridike edhe të mprehta, po qe se injorohet mendimi dhe vullneti i publikut vlonjat dhe më gjerë. Qysh tash, me shumë të drejtë veprimtarët mjedisorë të Vlorës po i referohen Konventës së Arhusit për Pjesëmarrjen e Publikut në Vendimmarrjen ndaj Problemeve Mjedisore, të cilën Shqipëria e ka ratifikuar më 27 qershor 2001. Konventa hyn posaçërisht në veprim në rastet e ndërtimit të TEC-eve me kapacitet mbi 50 MW. Qeveria është e detyruar që të zbatojë normat e saj, duke u dhënë edhe mundësinë OJQ-ve në Vlorë për t’iu drejtuar edhe gjykatës (Neni 9 i Konventës) po të jetë nevoja.
Nga ana tjetër, edhe rruga e referendumit vendor është mjaft e arsyeshme. Me të vërtetë, Neni 150 i Kushtetutës e parashikon këtë të drejtë të rëndësishme të sovranit.
Instrument tjetër juridik është edhe Konventa e Ramsarit për Mbrojtjen e Zonave Ligatinore. Me të drejtë qeveria e z. Meksi e ratifikoi këtë konventë më 29 shkurt 1996. Deri më sot, vetëm dy rajone të Shqipërisë janë përfshirë në të: Butrinti me sipërfaqe të mbrojtur prej 13,500 ha si dhe Laguna e Karavastasë, me sipërfaqe 20,000 ha.
Autoritetet vendore në Vlorë duhet të fillojnë menjëhere procedurat e përshpejtuara që një zonë e tretë e mbrojtur sipas Ramsarit, të jetë edhe Laguna e Nartës, përfshirë Kepin e Triportit. Sipas faqes së internetit të Ramsarit, rreth 5% e popullsisë botërore të pelikanit të familjes Pelicanus crispus (rreth 1,000 specie) gjallojnë rregullisht në Karavasta. Eshtë afërmendsh se një pjesë tjetër e konsiderueshme ndodhet edhe në Nartë e Triport, sikurse dëshmonte edhe Liri dikur, dhe se këto shpendë madhështore kanë nevojë për mbrojtje, madje të ngutshme dhe të rreptë.
Por ndofta Shqipëria duhet të ratifikojë urgjentisht Konventën Evropiane për Mbrojtjen e Trashëgimisë Arkeologjike (E Rishikuar), e quajtur shkurt edhe Konventa e Maltës. Konventa, e cila hyri në fuqi më 25 maj 1995, është ratifikuar thuajse nga të gjitha vendet evropiane, me përjashtim të Shqipërisë, Bjellorusisë, Serbise e Malit të Zi, Bosnje Hercegovinës, e ndonjë vendi tjetër…! Konventa e Maltës mund të përdoret për mbrojtjen e pasurisë së madhe arkeologjike që ndodhet në mbarë rrethin e Vlorës dhe, për rastin konkret, në Triport. Me të vërtetë, sipas historikut të Bashkisë së Vlorës, Triporti së bashku me Kalanë e Jangjeçit, ka qenë një qendër shumë e rëndësishme e bregdetit mesdhetar të Vlorës qysh në lashtësi. Limani i lashtë, prej nga mund të vijë edhe emri i sotëm i vendit, sot ndodhet ndofta i zhytur në det, ndërsa një pjesë e mirë e gurëve të kalasë, u përdorën gjatë sundimit osman për ndërtime në Vlorë. U takon arkeologëve vendas që t’u japin përgjigje disa pyetje, si për shembull: a ka qenë përdorur Triporti në periudhën e mbretërise ilire të Agronit e Teutës? A u përdor më pas ai nga Perandoria Romake si një nga kryeurat e Rrugës “Egnatia”? Çfarë ndodhi me Triportin gjatë sundimit të Gjergj Aranit Komnenit dhe gjatë periudhës së Skënderbeut? A ishte Triporti qendra kryesore e zbarkimit masiv të hebrenjve të larguar nga Spanja më 1492 , një numër i konsiderueshëm i të cilëve (rreth 7,000 frymë) u vendosën më pas në Vlorë?
E pra, ka shumë të ngjarë se Triporti – vendi ku pikërisht po projektohet ndërtimi i TEC-it të Vlorës - si dhe objekte të tjera të rëndësishme në Vlorë, përbën një pasuri arkeologjike të rëndësishme, ndofta me vlera të njëjësishme evropiane. Konventa e Maltës përmban dispozita shumë të rëndësishme që rregullojnë, ndër të tjera, mbrojtjen e pasurisë arkeologjike në tërësi, në truall dhe nën ujë, si dhe të lidhur ngushtësisht me mjedisin dhe habitatin natyror; krijimin e “rezervave” arkeologjike për t’u studiuar nga brezat e ardhshme; ndalimin e gërmimeve të paligjshme dhe detyrimin e raportimit të gjetjeve rastësore; minimizimin e metodës së gërmimeve (excavation) dhe ruajtjen apo mbulimin e materialit të zbuluar, etj. Ratifikimi si dhe zbatimi i dispozitave të rëndësishme të saj, do t’u jepte fund edhe disa sjelljeve e veprimeve arrogante dhe jo-profesionale të ndonjë individi të Fondacionit “Butrinti”, që hiqen sikur Butrinti të ishte prona e babait.
Traktati Europian i Energjisë me Evropën Juglindore, është një tjetër instrument me interes, i cili shtrin efektet e legjislacionit të Bashkimit Evropian për energjitikën edhe në vendet e Evropës Juglindore. Gjithsesi, është ironike që ky Traktat nuk po ka asnjë ndikim në krizën e parë të rëndë energjitike të një vendi pjesëtar. Traktati, nga ana tjetër ka patur edhe kritika të ndryshme. Një ndër to lidhet me strategjinë e ndjekur për zhvillimin e energjitikës në rajon, që duket sikur krijon pozitë mbizotëruese në treg për një shtet anëtar të BE-së, në kundërshtim me interesat sovrane të shteteve të tjera, si dhe me vetë parimet themelore të BE-së. Një tjetër vërejtje ka të bëjë me trysninë e jashtëzakonshme kah privatizimi i enteve shtetërore prodhuese, ç’ka i ka shtyrë kritikët të kërkojnë vendosjen e njëfarë moratoriumi në privatizimin e kompanive shtetërore të energjitikës të vendeve të Evropës Juglindore për një periudhë të pacaktuar. Gjithashtu, ka edhe disa lëvizje energjitike rajonale që për habi të të gjithëve, anashkalojnë Shqipërinë. E tillë është linja energjitike dhe gazsjellësi Itali – Greqi, të përmendur më sipër, edhe pse Kanali i Otrantos përbën distancën gjeografike më të afërt midis gadishullit Apenin dhe atij Ballkanik.
Nuk duam të besojmë se ngritja e TEC-it në Triport u shërben më shumë interesave tregtare të huaja, të prodhueseve të pajisjeve energjitike dhe transportuesve të naftës dhe gazit, se sa atyre të publikut shqiptar. Në këtë drejtim, edhe angazhimi i konsorciumit të bankave ndërkombëtare në këtë projekt duhet parë me rezervë. Vetëm para disa muajsh, për shembull, Banka Botërore miratoi një projekt për “pastrimin e bregdetit shqiptar.” A nuk shkon ky projekt ndesh me projektin tjetër të ndërtimit të TEC-it në Vlorë? Me fjalë të tjera, Banka Botërore me njërën dorë prish atë ç’ka sapo ka rregulluar me dorën tjetër…Por çuditë nuk mbarojnë këtu. Në shkurt të vitit 2002, pas një studimi të përbashkët shqiptaro-amerikan, u arrit në përfundimin se projekti me efektiv dhe më i dobishëm për rritjen e kapaciteteve prodhuese energjitike në vend, do të ishte riaftësimi i TEC-it ekzistues të Fierit. Ky përfundim iu paraqit menjëherë Bankës Botërore si dhe bankave të tjera pjesëmarrëse në konsorcium. Se si, qysh dhe pse u sabotua Fieri në favor të shkatërrimit të Vlorës, kjo pra përbën mister.
Dhe së fundi, sasia prej 120 milion dollarësh që do të hidhen në TEC-in e Vlorës, nuk janë as para të dhëna falas, dhe as investime të të huajve që marrin përsipër rriskun e ardhjes në Shqipëri, dhe pra kinse u dashkan trajtuar me përparësira e lehtësira. Jo! 120 milion dollarët janë para të shqiptarëve që konsorciumi i bankave po e shtrëngon qeverinë shqiptare t’i marrë si hua me garanci sovrane, që do t’i shtohen edhe më tej sasisë së lartë të borxhit të Shqipërisë ndaj institucioneve të huaja, dhe që do të duhet të paguhet në një të ardhme nga brezi i tanishëm apo i mëpasëm i shtetasve të këtij vendi. Të kuptohemi, kurrkush nuk është kundër marrjes së huave që ndihmojnë drejtpërdrejtë zhvillimin e vendit dhe interesat e prodhuesve e konsumatorëve vendas.
Projektimi dhe ndërtimi i TEC-it të Vlorës në një prej rajoneve më të rëndësishme të vendit – dhe të Mesdheut – për vlerat e rëndësishme historike, arkeologjike, mjedisore, ekologjike, turistike, etj., - i vendosur me sa duket nën trysninë e pandershme të grupeve të ndryshme interesash, me qëllim kryesisht apo vetëm fitimin maksimal në kurriz të interesave të mirëfillta zhvillimore të Vlorës dhe Shqipërisë, përbën një precedent të palejueshëm. Si i tillë, ai nuk duhet të miratohet nga shteti shqiptar. Përndryshe, ngritja e TEC-it në zemër të njërit prej gjireve më të bukura dhe të rëndësishme në Mesdhe, do të ishte njëlloj sikur të ndërtohej një shkritore në Butrint, të cilën kurrkush nuk do ta pranonte.
18/11/2005
Krijoni Kontakt