Një projekt që po vret Vlorën
Prof. ass. Sazan GURI
Besoj se çdokush është i njohur me projektet ambicioze të qeverisë, për administrimin e energjisë elektrike dhe të burimeve të sigurimit të saj. Zona e Vlorës përbën sheshin e përzgjedhur ndër disa alternativa të tjera, po aq të studiuara, por unë nuk besoj se duhet të jetë sheshi më i favorshëm për një park industrial energjitik. Prej kohësh jam tunduar, nëse lidhur me këtë investim gjigand, duhet apo jo të matem me kolegët, të cilët nga njera anë duhet t’i përshëndesësh për kurajon dhe për përgjegjshmërinë e rrokur, por nga ana tjetër duhet t’u mbash pak “mëri” për mërinë që kanë treguar ndaj mjedisit, në përgjithësi dhe atij të detit të Vlorës në veçanti. Me shokët vjen një ditë dhe pajtohesh o për mirësinë e tyre o tënden, sikaq, mjedisi është indiferent, ai veç lëshon pasojat e keqsjelljes me të dhe kësisoj nuk të lejon të bësh kompromis.
Siç po mësojmë, në zonën e Vlorës, atje ku merr dhe jep frymë një sipërfaqe mijëra hektarësh pylli me pisha, atje ku gjallon një nga lagunat më të vyera të vendit; atje ku nis jeta e një qyteti të rrallë, magjepsës dhe e një fshati si Narta; e një peisazhi gjeo-monumental si Zvërneci, që së bashku dhe në harmoni japin kripën, verën dhe ullirin, ekstratet apo lezetin e jetës, atje ku industria e turizmit do të mund të shpërthejë si askund tjetër, pikërisht aty pra, po mendohet që në një hapësirë prej mbi 500 ha të zërë vend parku më i madh industrial energjitik. Ky park do të përfshijë një shesh nga do të ngrihet një TEC me kapacitet 130 MË (dhe me mundësi edhe për tre të tjerë në perspektivë), terminalin e projektit AMBO, (që nënkupton pikën e takimit të interesave shqiptare me linjën ndërkombëtare të gazsjellësit nga Maqedonia e gjetkë), “Petroliferën” (që nënkupton instalimin e një sërë depozitave me gaz të lëngshëm apo me naftë), disa depozita aktuale me karburante të shoqërisë ARMO, një port të ri të ngritur enkas për zgjidhjet portuale të zbarkimit të karburanteve, përpos dy të tjerave, si ai i Vlorës dhe i Zvërnecit dhe një uzinë rafinerie. Të gjitha këto mbi sedimente rërore, ku përshkueshmëria e së cilës nuk të fal, ajo veç transmeton në një gamë të gjerë dhe me shpejtësi të lartë, pakujdesitë dhe harrakatitë njerëzore.
Të gjitha këto, në buzë të detit… Një sasi e madhe uji, prej 900 l/sek., së bashku me jetën e gjallë të saj, si larva, alga, etj., do të rrufiten me shpejtësi nga sistemet e tubave të ftohjes së TEC-it dhe po një sasi e tillë me temperaturë më të lartë do të shkarkohet po në det. Dhe të gjitha këto, në luftë me industrinë e turizmit, ekoturizmit, agroturizmit dhe turizmit nënujor etj. Herët apo vonë do të jemi dëshmitarë, kur do të shohim se kjo kacafytje do të eliminojë njerën prej tyre, ose industrinë e industrisë ose atë të turizmit, mbasi të dyja nuk mund të bashkëjetojnë, madje e përjashtojnë njera -tjetrën. Një Rezervat me ujq apo një Vathë me dele? Dhe në përpjekjen e parë, shpesh eliminohet ajo më e dobishmja, më miqësorja (delja), që për fat të keq do të jetë turizmi me shokët e vet. Sepse edhe turizmi është si punë e deles, ai mbrohet dhe mbrothet, kurrë nuk sulmon. Mbase e kemi gabim arsyetimin tonë, për shkak të një skepticizmi kritik, sepse mund të jetë më e dobishme industria e energjisë. Por, një gjë është e sigurtë, se ato nuk mund të ecin bashkë. Kjo vërtetohet nga fakti se, kudo, atje ku zhvillohen industri të tilla nuk bëhet fjalë për një jetë normale civile, jo më për turizëm. Atëherë, pse të mos i thuhet biznesmenit vlonjat apo shqiptar, që ti o njeri i mirë duhet të ngresh kapitale për zhvillime turistike përtej detit të pas Karaburunit. Pse të mos i thuhet kultivuesit të agroturizmit, që ti o njeri i mirë, plantacionet e tua ngrihi sa për vete, sepse pas ngritjes së TEC-it helmatisu vetë me to, por jo të helmatisësh të tjerët. Ky është njëri paradoks. Paradoksi tjetër qëndron në faktin që, se si një vend kaq i vogël, me një vijë bregdetare po kaq të vogël, për nga përmasat, por me kaq potencë ekonomike për nga vlerat turistike të ngrejë tre a më shumë parqe të tilla karburantesh, si ajo për energji (Vlorë), për magazinim (Porti Durrës, Shëngjin, Sarandë), për tregtim gazi të lëngshëm (Porto Romano), kur vende shumë më të mëdha sesa ne dhe me vijë bregdetare shumë më të gjatë dhe pa vlera turistike zotërojnë vetëm një port të tillë, si psh. të gjitha vendet skandinave, Turqia, Bullgaria, Rumania, etj., me përjashtim të mbretëreshës së deteve, Anglisë dhe Greqisë, që kanë dy të tilla.
Nga sa më sipër, duket sikur jemi kundër industrializimit të vendit dhe kundër investimeve në vend. Absolutisht që jo, aq më tepër që vijmë nga fusha e projektimeve në lëmin industrial, por përderisa ende nuk del qartë se, vendi ynë cilën strategji ka në themel, pra, cila është strategjia e strategjive, ajo e zhvillimit të industrive, të zhvillimeve bujqësore, të turizmit apo një kombinim të tyre. Sigurisht që, aktualisht ka strategji për një numër të madh fushash të aktivitetit tonë ekonomik, por cila prej tyre është primare, që të tjerat të jenë në shërbim të saj. Me një fjalë çdo njeri, shkencëtar apo burokrat, investitor apo punëtor, vendimmarrës apo vendimkryerës duhet të dijë për çdo rast, se cilës strategjie do t’i shërbejë pikë së pari.
E drejta për të qenë vend turistik nuk i përket përzgjedhjes qeveritare, as asaj politikëbërëse apo vendimmarrëse, por këtë të drejtë na i ka fal natyra dhe ne kemi për detyrë ta vlerësojmë dhe t’i japim shansin asaj. E parë disi më ndryshe, në kushtet e integrimit europian, gjiu magjepsës i Vlorës merr një kuptim më tjetër. Së shpejti, ai duhet dhe do të jetë vend peligrinazhi turistik, për ato shtete europianë dhe ata banorë që nuk e kanë mundësinë të gëzojnë një fat të tillë, të gëzojnë një zonë, ku të bashkohen dy dete, një zonë ku këmba të shkel rërë dhe shkëmb, një zonë ku bashkëjetojnë, si në tregimet për fëmijë, zanat e lumit, e detit, e ishullit, e gadishullit, e gjiut, me amazonat e fushave, të kodrave e të malit, e gjithë farë llojësh si këto. Prandaj dhe këta (europianët mjedisdashës) duhet të vendosin për një sipërmarrje të tillë. A nuk do të ishtë më mirë, sikur të shkëmbenim energjinë europiane me turizmin tonë, ku secili jep atë që ka me shumicë dhe merr atë që ka të mangët. Përpos tyre janë dhe vlonjatët mjedisdashës që duhet të vendosin gjithashtu. TEC-i nuk përbën zgjidhjen miqësore me mjedisin. Lënda e parë nafta, nuk përbën zgjidhjen afatgjatë dhe të qëndrueshme ekonomike, që nënkupton njëherësh marrëdhëniet njeri-natyrë dhe njeri i sotëm me njeriun apo brezat e ardhshëm. Sheshi i përzgjedhur nuk përbën zonën e favorshme për veprim, përderisa ka zona tokë djerr, me dherëra të afta të përthithin pakujdesitë dhe avaritë njerëzore e në ndonjë rast dhe ato natyrore. Industria e industrisë nuk përbën ose nuk duhet të përbëjë themelin e zhvillimit ekonomik të vendit. Mund t’i themi dhe boll industrive të industrisë, përderisa natyra na ka fal industri të natyrës. Boll e kemi një Ballsh, një Elbasan, një Fier.
Përsa i përket parametrave që do të dalin nga këto impiante të parkut energjitik, sigurisht në letër janë disa herë më të mira se standardet e Bankës Botërore dhe të Komunitetit Europian, por në praktikë le të pyeten qytetet e sipërmendura. Edhe ato kështu figuronin në kartat përkatëse. Pastaj, në këtë park bëhet fjalë për 10-12 industri që do të hedhin në ajër elementë të rrezikshëm kimik, sigurisht në vlera të lejuara. Por, a nuk është njësoj sikur të hedhë njëra prej këtyre industrive dymbëdhjetë here më tepër lëndë kimike. Pastaj shkarkimi në ajër sipas vlerave të lejuara nuk do të thotë se s’kemi të bëjmë me përkeqësim të shëndetit mjedisor. Si mund të fuksionojnë impiante të tilla, kur ne ende kemi një legjislacion mjedisor të papërgatitur, kur paralelisht nuk po mendohet për kualifikimin e personelit të lartë dhe aq më tepër për atë të mesëm sikundër bën Japonia, që veç arsimimin përkatës e kualifikon respektivisht, ketë personel me nga tre dhe dy vjet apostafat. Si do të mund të përballet një avari në kushte detare, një akt kriminal, një kapricio natyrore, si një subsidencë (zhytje) e truallit, një ndërfutje e detit, një lëngëzim i rërave, etj., riparimi i të cilave do të kërkojë po aq shpenzim sa një teknologji e re ose do të vuash për jetë pasojat e tyre. Kush do të mbajë përgjegjësi për So2, Nox, CO-të e emetuara, që për fat të keq orientohen sipas drejtimit të erës për në qytetin e Vlorës. Kuptoni se, jo pa qëllim oxhaqet janë të shkurtër, që emetimet e tyre të mos fluturojnë tej detit, tutje në Itali, por të ngelen aty tek pylli, pranë qytetit, pranë turizmit, pranë vreshtave, pranë lagunës, pranë, pranë…..
Do të thoni ju, pse parku industrial mendohet të ngrihet pikërisht në Vlorë. Kur ai (industrialisti) vë në peshore fitimin apo shpenzimet për ruajtje të mjedisit, i ha më shumë kraba nga fitimi. Pikërisht, këtë duam të sqarojmë, sepse rezulton se, për hatër të disa kostove në pamje të parë më të ulëta, që merr zona e Vlorës, i është rënë më qafë mjedisit, mbasi nuk llogariten kostot që do të rezultojnë me kohën për mirëmbajtjen e shëndetit njerëzor, nuk llogariten kostot për mirëmbajtjen dhe rikuperimin e shëndetit mjedisor. Por, duhet të kishte më parë vlerësim strategjik mjedisor, se cila nga zonat e përzgjedhura mbart ndikimet më të mëdha ose më të vogla në mjedis. Mandej të flitet për vlerësim të ndikimit në mjedis dhe jo për një TEC, por për të gjitha industritë veç e veç e të tëra së bashku. Madje, po të llogarisësh dhe fitimet që mund të marrësh nga ajo që është më natyrale si turizmi, peshkimi, bujqësia, etj., shpreh me entuziazëm se industria e turizmit nuk ka si të mos jetë më e leverdisshme se ajo e një vepre energjitike ose e thënë ndryshe, industria e energjisë mund të ngrihet atje, ku ajo e cënon minimalisht atë, si prapa Zvërnecit dhe më saktë akoma, në stere si në Fier. A thua se nuk jemi në gjendje të sigurojmë dot ujin e tepërt që ka nevojë një TEC, sikundër mendohet për afërsinë me detin? A nuk ishin specialistët shqiptarë, që i siguruan ujë, TEC-it në Fier?. Për këto e disa të tjera si këto ia vlen të debatosh në tryeza pune apo shkrime të tjera. Me këtë iniciativë një gjë është e sigurtë, që zorr se do të kemi atë Vlorë, ku natyra është ulur këmbëkryq me të gjithë potencialin e saj (krahasoni në heshtje sa i mungojnë qyteteve të tjera pjesë të saj), atë Vlorë turistike që kur ta kërkojmë do të jetë vonë.
24/12/2004
shekulli
Krijoni Kontakt