TIRANE- Akti seksual me një prostitutë i merr jetën një 45- vjeçari nga Mirdita. Gjovalin Pepa u gjet i vdekur nga policia në kodrat e Liqenit Artificial. Trupi i 45-vjeçarit që banonte në Tiranë është gjetur i zhveshur pjesërisht dhe sipas burimeve të policisë, në momentin e vdekjes ai ka qenë duke kryer marrëdhënie seksuale me një prostitutë. Ajo mund të akuzohet për ushtrim prostitucioni, por sipas zyrtarëve të policisë, nuk ka përgjegjësi penale për vdekjen e 45- vjeçarit Gjovalin Pepa. Policia mësohet se është lajmëruar nga një grua, e cila ka telefonuar në sallën operative, ku ka treguar adresën e saktë ku ndodhej trupi pa jetë i Pepës. Pas veprimeve të para hetimore të kryera në vendngjarje, ekspertët e policisë kriminale të komisariatit nr.1 kanë arritur në përfundimin se viktima kishte pasur një vdekje të papritur. Dyshimi i parë ka qenë se viktima mund të ishte vrarë me sende të forta, por kontrolli i kryer nga eskpertët dhe mjekët ligjorë, ka hedhur poshtë këtë fakt. “Nuk ka shenja dhune dhe goditjesh nga mjete të forta, që të mund të dyshonim për vrasje”,- pohoi një burim policie, që ishte në vendngjarje. Pas hetimeve të kryera, policia ka ndaluar një grua rreth të 40-ve që dyshohet se është pikërisht ajo me të cilën viktima ka qenë duke kryer marrëdhënie seksuale, para një infarkti të mundshëm, që i ka sjellë atij vdekjen e menjëhershme.
Ngjarja
Rreth orës 10:30 të paradites, punonjësit e policisë janë lajmëruar nga një grua, e cila ka telefonuar në sallën operative. “Në pjesën e pasme të stadiumit ndodhet një burrë i vdekur”,- mësohet të ketë thënë gruaja për punonjësit e policisë. Menjëherë në këtë drejtim është nisur një autopatrullë e repartit “Shqiponja”për të verifikuar informacionin e marrë nga telefonata e disa minutave më parë. Sapo kanë mbërritur në vendin e lajmëruar, punonjësit e policisë kanë zbuluar se pranë disa shkurreve ndodhej trupi i një personi, gjysmë i zhveshur. Blutë që kanë gjetur personin e vdekur, menjëherë kanë lajmëruar shefat e tyre në radio dhe më pas kanë kryer sigurimin e vendit të ngjarjes. Në pak minuta aty kanë mbërritur eskpertë dhe hetues të komisariatit nr.1 të policisë së Tiranës, të cilët kanë nisur këqyrjen e trupit. Mënyra sesi është gjetur trupi pa jetë i 45-vjeçarit të identifikuar më vonë si Gjovalin Pepa ka habitur hetuesit e policisë, të cilët kanë dyshuar se vdekja mund t’i ketë ardhur nga ndonjë stimulant për aktin seksual. Pas ekspertimit të kryer dhe këqyrjes së viktimës, policia ka konkluduar se vdekja e tij ka ndodhur për shkak të infarktit, i stimuluar ky nga përdorimi i medikamenteve për rritjen e fuqisë seksuale.
Gruaja
Pas përfundimit të veprimeve hetimore në vendin e ngjarjes, agjentët e policisë kriminale të komisariatit nr.1, kanë zbuluar të dhënat për një grua që kishte qenë me viktimën, pak kohë para se të mbërrinte policia. Një nga rojet e rrethimit të pasëm të hotelit luksoz i ka dhënë policisë përshkrimin e gruas dhe më pas blutë kanë mundur ta ndalojnë atë. 39-vjeçarja Flutura S. ka pohuar para agjentëve të policisë se ajo ka qenë duke kryer marrëdhënie seksuale me viktimën, ndërsa atë e kishte zënë menjëherë zemra. Në pak sekonda, sipas saj, personi i identifikuar prej saj si Gjovalin, kishte vdekur. Ajo ka pohuar se ishte larguar nga frika, pas ankthit që kishte ndier kur kishte parë viktimën. Flutura ka pohuar gjithashtu se viktima kishte marrë stimulantë seksualë, para se të takoheshin së bashku. Ndërkaq deri dje në mbrëmje vonë, gruaja që sipas policisë ishte prostitutë, nuk ishte arrestuar por mbahej me cilësinë e të ndaluarës.
13/04/2005
KATEGORIA: Kronike nga Tirana
Krijoni Kontakt