Close
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 6
  1. #1
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    24-04-2002
    Vendndodhja
    Manchester, UK
    Postime
    1,079

    Mediat shqiptare kujtojnë me nderim 20 vjetorin e vdekjes së diktatorit Hoxha

    Nekrofili

    nga Andrea Stefani

    Një duhmë nekrofilie shpërndahet nga eteret e mediave çdo 11 prill. U bënë 20 vjet që me një interes gjithnjë e më të shtuar, - a nuk duhej të ndodhte ndryshe? Njerëzit i rikthehen kujtimit të diktatorit në përvjetorët e vdekjes së tij. Pikërisht në këto ditë ka më shumë emisione televizive kushtuar diktatorit dhe gazetat rrisin shitjet për shkak të suplementeve që trajtojnë historira me të. Ajo që shqetëson është se në kureshtjen që zgjon çdo 11 prill, nuk vëren ndonjë dëshirë për të kuptuar. Ndjen se është një kureshtje banale, proletare, që kërkon pakëz kënaqësi, duke dëgjuar diçka nga jeta e fshehtë e diktatorit, e familjes dhe e klanit të tij. Eshtë kureshtje e rëndomtë njerëzish të uritur për të mësuar edhe pas 20 vjetësh, atë që diktatori dhe diktatura ua kishte ndaluar ta mësonin për 45 vjet. Asgjë më shumë se si një zbavitje plebejsh të stresuar dhe zhgënjyer nga tranzicioni. Ndaj kjo kureshtje ngjason me nekrofilinë. Sepse nuk është aspak një etje, një ethe për të depërtuar në misteret e mekanizmave të errët të diktaturës. Nuk është një kërkim në gërmadhat e tiranisë për të zbuluar vaksinën e kësaj epidemie, të kësaj murtaje që rrafshon lirinë mbi të gjitha, në shpirtrat e njerëzve. Nuk ndihet në kureshtjen e shtuar urrejtja e natyrshme për sëmundjen e fshehtë të sundimit që gërryen si një kancer organizmin e lirisë. Dhe duke mos qenë një urrejtje, mos ndoshta është, qoftë edhe pavetëdijshëm një mall, një…dashuri?
    Ata popuj që nuk mësojnë nga një e kaluar e hidhur, i përgatisin vetes një të ardhme ndoshta edhe më të hidhur. Dobësia e shqiptarëve duket se është pikërisht kjo: ...Nuk dinë të nxënë mësime nga e kaluara. Prandaj edhe e sotmja e tyre është e tillë. Dhe ndoshta më e hidhur do të jetë e nesërmja nëse nuk mësojmë të mësojmë. Mund ta vuash diktaturën me dekada të tëra dhe të mos e kuptosh përbindshmërinë e saj. Je një skllav dhe asgjë më shumë. Madje ndodh që nën një diktaturë të gjatë, smogu i saj filtron në mushkëritë, në dejet, në gjakun dhe trutë e skllevërve, pa u ndjerë. Jo më kot Rusoi thoshte se nën pranga, skllevërit humbasin edhe dëshirën për të ikur prej tyre. A i kemi ikur ne përgjithnjë prangave të diktaturës? Asnjë popull në botë nuk ka mundur t’i ikë përgjithnjë mundësisë së një skllavërimi. Vetë demokracia është një luftë e përjetshme me tendencat, instiktet, epshet robëruese. Aq më tepër nuk e ka të garantuar lirinë një popull që nuk ka mundur ende të krijojë traditën e institucioneve të pavarura që garantojnë atë. Thëniet e politikanëve mbi “proceset e pakthyeshme demokratike” janë një demagogji dhe vetëm kaq. Ato nuk garantojnë asgjë. Nga ana e saj diktatura është si një epidemi. Nëse nuk “vaksinohesh” kundër virueseve të saj, ajo është plotësisht e kthyeshme. Madje edhe më egër. Si çdo rikthim i sëmundjes apo i së keqes. Nuk duhet patur asnjë iluzion.

    ***
    Po të vëzhgosh me kujdes realitetin shqiptar, do konstatosh me alarm se viruset e murtajës së diktaturës gëlojnë gjithandej. Virusi i parë, ende i fuqishëm, është kulti i individit i liderëve partiakë. Ndërkaq në vend që të alarmohet, trupi i shoqërisë duket sikur po përshtatet me faktin që liderët kryesorë të partive shqiptare kanë pothuaj 15 vjet pa u ndërruar. Edhe pse kanë qenë në krye të dështimeve të mëdha, pra liderë disfatash, ata kanë mundur të mbijetojnë në saj të mungesës së demokracisë në partitë e tyre që në fakt më shumë se parti, gjasojnë me masonerira. Dhe nëse një dukuri e tillë nuk u kujton shqiptarëve diktatorin që qëndroi për dekada në krye të partisë, le të shkojmë më prapa në kohë dhe të marrim mësim nga Simon Bolivari që thoshte: “Asgjë nuk është më e rrezikshme sesa të lësh pushtetin për një kohë të gjatë në duart e një njeriu. Populli mësohet t’i bindet atij, dhe ai mësohet ta komandojë atë; pra aty është burimi i uzurpimit dhe i tiranisë”.

    ***
    Me tolerimin që i është bërë kultit të liderëve “të mëdhenj” lidhet edhe një virus tjetër i tmerrshëm për demokracinë. Kjo është armiqësia. Armiqësia është rrjedhim logjik i kultit, është rrjedhim logjik i dëshirës për sundim absolut. Kulti e urren kultin për vdekje. Dhe armiqësia dhe kultet i bëjnë varrin demokracisë sepse e degjenerojnë pluralizmin në konflikt. Por çdo konflikt ofron triumfatorin, ofron shpëtimtarin, “Mesinë”. Dje armiqësia politike u bë placenta e diktaturës komuniste sot, një tjetër armiqësi që ka për kryekoka Nanon dhe Berishën, e ka çuar vendin në prag të konfliktit pra, në hapësirën ku mbaron demokracia. Të frikësuar e të lodhur nga kaosi dhe konflikti pa fund, që e nxisin dhe frymëzojnë liderët, njerëzit gjejnë shpëtim tek autoritarizmi pra, te liderët. Me konfliktet e pafund liderët prodhojnë premisat e një psikologjie masive të nevojshme për sundimin e liderëve. Ndaj a mund të themi se në Shqipëri është shterpëzuar ai bark politik, ai mekanizëm që polli diktatorin?

    ***
    Tolerimi i kulteve të liderëve ka bërë që të arrijmë situata absurde si këto të 10 viteve të fundit. Në fillim ishte “Mesia” Nano që u brohorit për të na shpëtuar nga Berisha, i cili me një paaftësi spektakolare e la shtetin të përmbytej nga piramidat financiare ndërsa sot, po bëhen përpjekje për të promovuar “Mesinë” Berisha që do ta shpëtojë vendin nga korrupsioni i qeverisë Nano. Ky modelim i rrjedhave politike sipas orekseve, strategjive dhe mllefeve të liderëve, ky rotacion banal i “Mesisë I” me “Mesinë II” dhe pastaj i “Mesisë II” ne “Mesinë I”, tregon se sa pak e kanë kuptuar shqiptarët se kush janë mekanizmat, epshet, interesat e errëta që prodhojnë sundimet, absolutizmat, autokracitë, Enverët. Kjo tregon se sa të papërgjegjshëm janë ata politikanë apo klane politike që i servirin shqiptarëve shpëtim apo zgjidhje të reja me superkoka të vjetra. Por kjo tregon gjithashtu se shqiptarët nuk kanë mësuar si ta urrejnë “Enverin” si dukuri, si ta luftojnë murtajën e diktaturës sa nuk është vonë. Sepse si pa kuptuar atyre ju ka lindur në shpirt një adhurim po aq i verbër, një besim po aq i pakufishëm për liderët e sotëm, pothuaj si dashuria që manifestonin dikur për diktatorin. Sot mund të gjesh ende njerëz që shpallin se janë të gatshëm të japin jetën për liderin e tyre dhe partinë, që janë të gatshëm t’i fusin thojtë në fyt kujtdo që guxon të dalë kundër liderit, betime dhe një “etikë” që nuk mund të mos të na kujtojnë besnikët e partisë.

    ***
    Thuhet se diktatori ishte mediokër. E megjithatë ai arriti që për gati gjysmë shekulli të sundojë deri edhe trutë e njerëzve. Po si arriti ky mësues i një liceu ta realizojë një nënshtrim kaq total? Këtë duhet të kuptojmë. Atij i erdhi në ndihmë një situatë politike plot egotizmë dhe intrigë si dhe pa institucione lirimbrojtëse. Dhe ai e tregoi veten një gjeni të intrigës. Brenda pak vitesh mësuesi pushoi së qenuri njeri. Duke luajtur me fijet e interesave, ambicieve dhe dobësive të njerëzve që e rrethonin ( dhe jo vetëm të atyre), ai u bë partia dhe partia pushtoi sistemin. Për ta realizuar nështrimin e popullit atë e ndihmuan bashkëpunëtorët e tij madje edhe vetë populli. Kulti i individit i lartësuar nga bashkëpunëtorët e tij, nga propaganda për “komandantin” dhe duartrokitjet e turmave të mashtruara apo fanatizuara, ishin arsenali më i tmerrshëm kundër çdo zëri kundër. Ky kult që mbillte frikë dhe mbyste çdo tendencë për opozitë, praktikisht lirinë, ishte themeli i diktaturës që u quajt “Shqipëria e Re”.

    ***
    Prandaj njerëzit duhet t’i shohin me frikë dhe neveri e jo me admirim kultet e larta të politikës. Ndaj ata duhet të duartrokasin më pak liderët dhe të kërkojnë më shumë prej tyre. Prandaj duhet të na tingëllojnë të pështira dhe demode lavdet që servilët e politikës (dhe jo vetëm të saj) lëshojnë sipas interesit herë për Nanon dhe herë për Berishën. Tirani vdiq 20 vjet më parë, por bashkë me të nuk u varros edhe tirania. Çështja e diktaturave si rrezik potencial është e lidhur me çështjen e zhvillimit të lirisë, ajo është si të thuash, ana e prapme e monedhës së demokracisë. Kurrë nuk duhet menduar se ne i kemi qëruar përfundimisht hesapet me të. Dhe ashtu si pllakat përkujtimore në anë të rrugëve automobilistike i bëjnë shoferët të kujtohen jo për aksidentet e vjetra, por për mundësinë e aksidenteve të reja, ashtu edhe çdo 11 prill duhet të na bëjë të kujtohemi jo për vekjen e diktatorit por, për rrezikun e ringjalljes së diktaturës. E nëse ndonjë ditë një tjetër “Enver” do të mbërrinte për të “shpëtuar mëmëdhenë”, ai me plot të drejtë mund të perifrazonte Skënderbeun, duke u thënë shqiptarëve me cinizëm: Diktaturën nuk ja u solla unë, atë e gjeta mes jush!

    Andrea Stefani
    stefani_andrea@yahoo.com
    Lulet edhe mund ti shkelin por Pranveren nuk mund ta ndalin dot.

  2. #2
    i/e regjistruar Maska e Brari
    Anëtarësuar
    23-04-2002
    Postime
    18,826
    te gjithe ata qe brohoriten Nanon o Stefan ..kelysh i Enverit... ishin enveriste.. dhe nuk brohoriten se Nanua do shpetoj popullin nga Berisha.. por se po i asfiksonte Demokracia qe Berisha i dha Shqiptareve dhe prandaj uleriten ..dogjen e plackiten e vrane per te sjell ne krye te Shtetit pasuesin e Enverit .. Fatos Thanas Stefanin..o pizeveng..


    keshtu..

  3. #3
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    32,982
    Postimet në Bllog
    22
    20 vjetori i vdekjes se diktatorit, nxorri ne siperfaqen e detit majen e ajsbergut qe fshihej ne detin shqiptar prej 14 vjetesh: monenklaturen komuniste te mediave pluraliste.

    Faqe e gazetave, ekranet e televizioneve, jane te mbushura me artikuj dhe emisione per diktaturen komuniste, aq shume sa, edhe "anaslisteve te pavarur" si Stefani, nuk u shpeton nga vemendja pervjetori i diktatorit.

    Pasi ua ushqejne shqiptareve dite per dite nostalgjine per dikaturen, pasi shokojne dhe prishin gjakun e atyre qindra mijra shqiptareve qe vuajten nga 50 vjetet e diktatures komuniste, dalin dhe shkruajne se "shqiptaret kane nostalgji per kohen e diktatures".

    Kush jane keta shqiptare qe kane nostalgji per kohen e diktatures?

    Ata 1 milion shqiptare qe e kane braktisur Shqiperine me kohe si emigrante per te njohur boten dhe per te ndertuar nje jete ne Perendim?

    Ata qindra mijra te rinj shqiptare qe nuk duan tia dijne me per diktaturen e familjes dhe jo per diktaturen e Hoxhes?

    Ata mijra biznesmene e pronare te rinj qe po punojne e ndertojne jeten e tyre sic e duan, dhe jo sic ua komandon shteti?

    Ata qindra mijra fshatare qe moren token, lopen, bagetine, pulat qe ua mori partia?

    Kush prej ketyre me lart ndjen nostalgji per "diktaturen"?

    Ah po. Per diktaturen ndjejne nostalgji ata pleqte veterane te luftes nacional clirimtare qe u rriten dhe u thinjen ne diktature dhe sot po i ha vdekje nje e nga nje. Per diktaturen ndjejne nostalgji familjet e te gjithe atyre qe i sherbyen atij rregjimi, qe nga byroja politike me shokun Ramiz e Nexhmie ne krye, e deri tek ai spiuni i thjeshte qe ka frike nga hapja e dosjeve dhe e shkuara e tij ne sherbim te atij rregjimi. Nostalgji per diktaturen kane edhe ata kokeboshat qe ishin askushi dhe Partia i beri dikush duke i mbledhur nga malet e fushat e Shqiperise dhe duke i sjelle ne Tirane. Femijet, niperit e mbesat e tyre kane nostalgji per diktaturen, pasi per ta, te shkruash keq per diktaturen, eshte njesoj si te shkruash keq, per baben, nenen, gjyshin dhe gjyshen e tyre.

    Por mbi te gjithe keta, nostalgjine me te madhe per diktaturen dhe diktatorin e ka media shqiptare. Prandaj titulli i kesaj teme eshte ai i goditur. Mediat shqiptare e kane pike te dobet diktaturen dhe diktatoret, pasi vete i nxjerrin neper faqet e para te gazetave, dhe vete i "analizojne" duke folur si gjithmone "ne emer te popullit".

    Ne diten e vdekjes se Hitlerit ne bunkerin e tij, njerezit ne Perendim nuk kujtojne Hitlerin, kujtojne ata qindra mijra viktima qe L II Boterore shkaktori, kujtojne te renet e forcave aleate qe paguan me jeten e tyre lirine e botes. Por ne Shqiperi, ne diten e vdekjes se nje diktatori, viktimat nuk kane vend, elita e kombit e shfarrosur nga ky diktator nuk ka vend, vendin e kane vetem kreret e byrose politike.

    Ngushellime te dashura media per humbjen e diktatorit Hoxha. Vazhdoni keshtu se mbase e ngrini nga varri nje diktator te ri, akoma me te keq se i pari.

    Albo

  4. #4
    i/e regjistruar Maska e Nice_Boy
    Anëtarësuar
    25-01-2004
    Vendndodhja
    Larg vendlindjes i pa shpi..
    Postime
    4,220
    Citim Postuar më parë nga Albo
    Ngushellime te dashura media per humbjen e diktatorit Hoxha. Vazhdoni keshtu se mbase e ngrini nga varri nje diktator te ri, akoma me te keq se i pari.

    Albo
    Enverin e ri e kan ne pushtet , skan pse te lodhen dhe ta kerkojn.
    Më gënjeu pasuria, jeta vrap më iku shpejt dhe u thinja u dergja u plaka në dhe të huaj do të vdes..

  5. #5
    i/e regjistruar Maska e tani_26
    Anëtarësuar
    11-09-2002
    Vendndodhja
    Ne vendin e shqiponjave ku tani ka vetem korba!
    Postime
    1,113
    Citim Postuar më parë nga GjIlAnAsI_cSi
    Enverin e ri e kan ne pushtet , skan pse te lodhen dhe ta kerkojn.
    hahaha, bravo gjilansi
    Nuk ka njerez te perkryer ka vetem qellime te perkryera!

  6. #6
    i/e regjistruar Maska e Arb
    Anëtarësuar
    06-12-2002
    Vendndodhja
    Little Albania, NY
    Postime
    1,723

    LPK-ja perkujton Enver Hoxhen

    Lëvizja Popullore e Kosovës shënoi 20- vjetorin e vdekjes së Enver Hoxhës

    Në Ferizaj u shënua 20- vjetori i vdekjes së Enver Hoxhës

    Ferizaj 2005-04-11

    Rreth 50 ferizajas, pas ndjekjes së fjalimeve të diktatorit komunist të Shqipërisë, Enver Hoxha, përmes videokasetave, kanë shënuar të hënën mbrëma 20-vjetorin e vdekjes së tij, duke e vlerësuar figurën e Hoxhës si më të rëndësishmen në historinë e popullit shqiptar.


    Një Këshill organizativ, që tha se ishte politikisht neutral në skenën e sotme, pohoi se me shënimin e 20-vjetorit të vdekjes së "xhaxhit Enver", dëshironte të bëjë të ditur që historia e shqiptarëve nuk do të ishte e plotë, pa hallkën e Enver Hoxhës, i cili, siç thanë ata, i dha vulë gjatë 50 viteve të sundimit të tij.

    "Në historinë e përplasjeve të përgjakshme dhe në rezistencën gjatë përjetimit të tragjedive, populli ynë ka nxjerrë në skenën e historisë shumë figura legjendare, por Enver Hoxha ishte personaliteti më i shquar që ka njohur ndonjëherë historia e deritashme e Shqipërisë", tha me një patos patriotik, Remzi Hasani, nga Këshilli organizativ dhe kryetar lokal i Lëvizjes Popullore të Kosovës, parti e cila gjatë dy palë zgjedhjeve komunale, nuk ka siguruar asnjë vend në kuvendin vendor.

    Folësit e tubimit përkujtimor, e vlerësuan Enver Hoxhën si një strateg të pashoq, reformator, mbrojtës fanatik të integritetit të Shqipërisë dhe përhapës të madh të arsimit e shkencës ndër shqiptarë. Sipas tyre, kosovarët për një kohë të gjatë kanë luftuar për çështjen kombëtare, “duke pasur si idol prijësin Enver Hoxha”.

    "Ne ecnim krenar, sepse e dinim se shqiptarët kanë Zot. Dhe ky Zot ishte shoku Enver", u është drejtuar me një ton emfatik pjesëmarrësve, veterani i arsimit në Ferizaj, Hajrush Reka.

    Në fjalimet e tyre, organizatorët kanë kritikuar regjimet shqiptare pasenveriane, se e kanë kthyer Shqipërinë në një vend lypsar, ndërsa shqiptarët - në një popull pa dinjitet kombëtar. Ata e kanë quajtur Enver Hoxhën figurë, të cilën popujt e nxjerrin një herë në pesë shekuj.

    Tubimi përkujtimor për shënimin e 20- vjetorit të vdekjes së Enver Hoxhës, ka përfunduar me një fjalim të diktatorit shqiptar, të vitit 1981, në të cilin ai dënonte dhunën e autoriteteve serbe ndaj kërkesave të drejta të kosovarëve për liri kombëtare.
    Talent wins games, but teamwork wins championships.
    Micheal Jordan

Tema të Ngjashme

  1. Pasqyra e temave historike
    Nga Fiori në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 4
    Postimi i Fundit: 31-05-2011, 15:43
  2. Lidhja Shqiptare e Prizrenit
    Nga dodoni në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 13
    Postimi i Fundit: 01-06-2009, 00:29
  3. Gjergj Kastrioti sipas pikëpamjeve antishqiptare
    Nga Davius në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 77
    Postimi i Fundit: 28-04-2006, 12:45
  4. Brukseli: Zgjedhjet e 2005, shansi juaj i fundit
    Nga Brari në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 32
    Postimi i Fundit: 12-04-2005, 14:53

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •