Nekrofili
nga Andrea Stefani
Një duhmë nekrofilie shpërndahet nga eteret e mediave çdo 11 prill. U bënë 20 vjet që me një interes gjithnjë e më të shtuar, - a nuk duhej të ndodhte ndryshe? Njerëzit i rikthehen kujtimit të diktatorit në përvjetorët e vdekjes së tij. Pikërisht në këto ditë ka më shumë emisione televizive kushtuar diktatorit dhe gazetat rrisin shitjet për shkak të suplementeve që trajtojnë historira me të. Ajo që shqetëson është se në kureshtjen që zgjon çdo 11 prill, nuk vëren ndonjë dëshirë për të kuptuar. Ndjen se është një kureshtje banale, proletare, që kërkon pakëz kënaqësi, duke dëgjuar diçka nga jeta e fshehtë e diktatorit, e familjes dhe e klanit të tij. Eshtë kureshtje e rëndomtë njerëzish të uritur për të mësuar edhe pas 20 vjetësh, atë që diktatori dhe diktatura ua kishte ndaluar ta mësonin për 45 vjet. Asgjë më shumë se si një zbavitje plebejsh të stresuar dhe zhgënjyer nga tranzicioni. Ndaj kjo kureshtje ngjason me nekrofilinë. Sepse nuk është aspak një etje, një ethe për të depërtuar në misteret e mekanizmave të errët të diktaturës. Nuk është një kërkim në gërmadhat e tiranisë për të zbuluar vaksinën e kësaj epidemie, të kësaj murtaje që rrafshon lirinë mbi të gjitha, në shpirtrat e njerëzve. Nuk ndihet në kureshtjen e shtuar urrejtja e natyrshme për sëmundjen e fshehtë të sundimit që gërryen si një kancer organizmin e lirisë. Dhe duke mos qenë një urrejtje, mos ndoshta është, qoftë edhe pavetëdijshëm një mall, një…dashuri?
Ata popuj që nuk mësojnë nga një e kaluar e hidhur, i përgatisin vetes një të ardhme ndoshta edhe më të hidhur. Dobësia e shqiptarëve duket se është pikërisht kjo: ...Nuk dinë të nxënë mësime nga e kaluara. Prandaj edhe e sotmja e tyre është e tillë. Dhe ndoshta më e hidhur do të jetë e nesërmja nëse nuk mësojmë të mësojmë. Mund ta vuash diktaturën me dekada të tëra dhe të mos e kuptosh përbindshmërinë e saj. Je një skllav dhe asgjë më shumë. Madje ndodh që nën një diktaturë të gjatë, smogu i saj filtron në mushkëritë, në dejet, në gjakun dhe trutë e skllevërve, pa u ndjerë. Jo më kot Rusoi thoshte se nën pranga, skllevërit humbasin edhe dëshirën për të ikur prej tyre. A i kemi ikur ne përgjithnjë prangave të diktaturës? Asnjë popull në botë nuk ka mundur t’i ikë përgjithnjë mundësisë së një skllavërimi. Vetë demokracia është një luftë e përjetshme me tendencat, instiktet, epshet robëruese. Aq më tepër nuk e ka të garantuar lirinë një popull që nuk ka mundur ende të krijojë traditën e institucioneve të pavarura që garantojnë atë. Thëniet e politikanëve mbi “proceset e pakthyeshme demokratike” janë një demagogji dhe vetëm kaq. Ato nuk garantojnë asgjë. Nga ana e saj diktatura është si një epidemi. Nëse nuk “vaksinohesh” kundër virueseve të saj, ajo është plotësisht e kthyeshme. Madje edhe më egër. Si çdo rikthim i sëmundjes apo i së keqes. Nuk duhet patur asnjë iluzion.
***
Po të vëzhgosh me kujdes realitetin shqiptar, do konstatosh me alarm se viruset e murtajës së diktaturës gëlojnë gjithandej. Virusi i parë, ende i fuqishëm, është kulti i individit i liderëve partiakë. Ndërkaq në vend që të alarmohet, trupi i shoqërisë duket sikur po përshtatet me faktin që liderët kryesorë të partive shqiptare kanë pothuaj 15 vjet pa u ndërruar. Edhe pse kanë qenë në krye të dështimeve të mëdha, pra liderë disfatash, ata kanë mundur të mbijetojnë në saj të mungesës së demokracisë në partitë e tyre që në fakt më shumë se parti, gjasojnë me masonerira. Dhe nëse një dukuri e tillë nuk u kujton shqiptarëve diktatorin që qëndroi për dekada në krye të partisë, le të shkojmë më prapa në kohë dhe të marrim mësim nga Simon Bolivari që thoshte: “Asgjë nuk është më e rrezikshme sesa të lësh pushtetin për një kohë të gjatë në duart e një njeriu. Populli mësohet t’i bindet atij, dhe ai mësohet ta komandojë atë; pra aty është burimi i uzurpimit dhe i tiranisë”.
***
Me tolerimin që i është bërë kultit të liderëve “të mëdhenj” lidhet edhe një virus tjetër i tmerrshëm për demokracinë. Kjo është armiqësia. Armiqësia është rrjedhim logjik i kultit, është rrjedhim logjik i dëshirës për sundim absolut. Kulti e urren kultin për vdekje. Dhe armiqësia dhe kultet i bëjnë varrin demokracisë sepse e degjenerojnë pluralizmin në konflikt. Por çdo konflikt ofron triumfatorin, ofron shpëtimtarin, “Mesinë”. Dje armiqësia politike u bë placenta e diktaturës komuniste sot, një tjetër armiqësi që ka për kryekoka Nanon dhe Berishën, e ka çuar vendin në prag të konfliktit pra, në hapësirën ku mbaron demokracia. Të frikësuar e të lodhur nga kaosi dhe konflikti pa fund, që e nxisin dhe frymëzojnë liderët, njerëzit gjejnë shpëtim tek autoritarizmi pra, te liderët. Me konfliktet e pafund liderët prodhojnë premisat e një psikologjie masive të nevojshme për sundimin e liderëve. Ndaj a mund të themi se në Shqipëri është shterpëzuar ai bark politik, ai mekanizëm që polli diktatorin?
***
Tolerimi i kulteve të liderëve ka bërë që të arrijmë situata absurde si këto të 10 viteve të fundit. Në fillim ishte “Mesia” Nano që u brohorit për të na shpëtuar nga Berisha, i cili me një paaftësi spektakolare e la shtetin të përmbytej nga piramidat financiare ndërsa sot, po bëhen përpjekje për të promovuar “Mesinë” Berisha që do ta shpëtojë vendin nga korrupsioni i qeverisë Nano. Ky modelim i rrjedhave politike sipas orekseve, strategjive dhe mllefeve të liderëve, ky rotacion banal i “Mesisë I” me “Mesinë II” dhe pastaj i “Mesisë II” ne “Mesinë I”, tregon se sa pak e kanë kuptuar shqiptarët se kush janë mekanizmat, epshet, interesat e errëta që prodhojnë sundimet, absolutizmat, autokracitë, Enverët. Kjo tregon se sa të papërgjegjshëm janë ata politikanë apo klane politike që i servirin shqiptarëve shpëtim apo zgjidhje të reja me superkoka të vjetra. Por kjo tregon gjithashtu se shqiptarët nuk kanë mësuar si ta urrejnë “Enverin” si dukuri, si ta luftojnë murtajën e diktaturës sa nuk është vonë. Sepse si pa kuptuar atyre ju ka lindur në shpirt një adhurim po aq i verbër, një besim po aq i pakufishëm për liderët e sotëm, pothuaj si dashuria që manifestonin dikur për diktatorin. Sot mund të gjesh ende njerëz që shpallin se janë të gatshëm të japin jetën për liderin e tyre dhe partinë, që janë të gatshëm t’i fusin thojtë në fyt kujtdo që guxon të dalë kundër liderit, betime dhe një “etikë” që nuk mund të mos të na kujtojnë besnikët e partisë.
***
Thuhet se diktatori ishte mediokër. E megjithatë ai arriti që për gati gjysmë shekulli të sundojë deri edhe trutë e njerëzve. Po si arriti ky mësues i një liceu ta realizojë një nënshtrim kaq total? Këtë duhet të kuptojmë. Atij i erdhi në ndihmë një situatë politike plot egotizmë dhe intrigë si dhe pa institucione lirimbrojtëse. Dhe ai e tregoi veten një gjeni të intrigës. Brenda pak vitesh mësuesi pushoi së qenuri njeri. Duke luajtur me fijet e interesave, ambicieve dhe dobësive të njerëzve që e rrethonin ( dhe jo vetëm të atyre), ai u bë partia dhe partia pushtoi sistemin. Për ta realizuar nështrimin e popullit atë e ndihmuan bashkëpunëtorët e tij madje edhe vetë populli. Kulti i individit i lartësuar nga bashkëpunëtorët e tij, nga propaganda për “komandantin” dhe duartrokitjet e turmave të mashtruara apo fanatizuara, ishin arsenali më i tmerrshëm kundër çdo zëri kundër. Ky kult që mbillte frikë dhe mbyste çdo tendencë për opozitë, praktikisht lirinë, ishte themeli i diktaturës që u quajt “Shqipëria e Re”.
***
Prandaj njerëzit duhet t’i shohin me frikë dhe neveri e jo me admirim kultet e larta të politikës. Ndaj ata duhet të duartrokasin më pak liderët dhe të kërkojnë më shumë prej tyre. Prandaj duhet të na tingëllojnë të pështira dhe demode lavdet që servilët e politikës (dhe jo vetëm të saj) lëshojnë sipas interesit herë për Nanon dhe herë për Berishën. Tirani vdiq 20 vjet më parë, por bashkë me të nuk u varros edhe tirania. Çështja e diktaturave si rrezik potencial është e lidhur me çështjen e zhvillimit të lirisë, ajo është si të thuash, ana e prapme e monedhës së demokracisë. Kurrë nuk duhet menduar se ne i kemi qëruar përfundimisht hesapet me të. Dhe ashtu si pllakat përkujtimore në anë të rrugëve automobilistike i bëjnë shoferët të kujtohen jo për aksidentet e vjetra, por për mundësinë e aksidenteve të reja, ashtu edhe çdo 11 prill duhet të na bëjë të kujtohemi jo për vekjen e diktatorit por, për rrezikun e ringjalljes së diktaturës. E nëse ndonjë ditë një tjetër “Enver” do të mbërrinte për të “shpëtuar mëmëdhenë”, ai me plot të drejtë mund të perifrazonte Skënderbeun, duke u thënë shqiptarëve me cinizëm: Diktaturën nuk ja u solla unë, atë e gjeta mes jush!
Andrea Stefani
stefani_andrea@yahoo.com
Krijoni Kontakt