• Pakësohen shtetasit, 233 shqiptarë më pak
Brenda 6 mujorit të parë të këtij viti presidenti Alfred Moisiu ka dekretuar 265 lënie dhe dhënie shtetësie për personat e interesuar. Duke iu referuar të dhënave zyrtare, deri në 15 qershor të këtij viti, kur Moisiu ka lëshuar dekretin e fundit për shtetësinë, këtë e kanë përftuar 32 persona (mes tyre Baton Haxhiu) dhe e kanë lënë 233 të tjerë. Burime presidenciale thonë se nuk kanë hasur probleme në dokumentacionin dhe në respektimin e procedurave ligjore për personat që kanë kërkuar të marrin, rimarrin ose që kanë dashur të lënë nënshtetësinë shqiptare. Ndërkaq, të njejtin pohim bën Drejtoria e Përgjithëshme e Policisë, struktura bazë për verifikimin e dokumentacionit për këtë veprim (Sektori i Pasaportave dhe të Huajve).Dashnor Kaja, zëvendësdrejtor i përgjithshëm, thotë se në tërësi nuk ka pasur asnjë rast të personave me precedentë penalë që të kenë kërkuar lënie të shtetësisë dhe se se në të gjitha rastet kur ka pasur mangësi, dokumentacioni është kthyer për plotësim. Kaja tha për gazetën "Sot" se procedurat për marrjen e shtetësisë janë relativisht të gjata dhe se kërkesat kanë qenë të pakta. Po sipas Kajës, kërkesat në përgjithësi bëhen nga persona të interesuar për bashkime familjare dhe se mangësitë e vërejtura nuk kanë shprehur asnjë papajtueshmëri me ligjin. Ndërkaq, një burim në ministrinë e Rendit Publik tha se infiormacionet e Drejtorisë së Policisë janë të sakta, por nuk mund të kishte komente të tjera meqënëse ajo strukturë ishte përgjegjëse dhe jo vetë ministria. Burimi shtoi sakaq, se më shumë në ministri tani për tani vëmendja është te mundësitë e lëvizjes së administratës me ardhjen e qeverisë së re. Megjithatë, në dekretet presidencialë thuhet se ai (dekreti) është lëshuar veç referimit ligjor "në mbështetje të nenit 92, pika “c”, të Kushtetutës, të neneve 24 dhe 19 të ligjit nr. 8389, datë 05.08.1998 “Për shtetësinë shqiptare”, edhe "bazuar edhe në propozimin e Ministrit të Rendit Publik".
Shifrat, mbizotërojnë lëniet e shtetësisë Materilet zyrtare të presidencës tregojnë se numri i personave që kanë kërkuar të lënë shtetësinë është më i madh se atyre që kanë kërkuar ta marrin apo ta rimarrin. Në 8 dekrete të presidentit Moisiu në periudhën 17 janar-15 qershor, 6 janë për lënie të shtetësisë dhe dy për marrje të saj. Rasti më interesant për rimarrje të shtetësisë në dekretin e 17 janarit, ku nga 30 persona që e kishin kërkuar, 19 i përkasin një familjeje, me mbiemër Çepa. Rasti më i madh i kërkesës për lënien e shtetësisë shqiptare i përket 9 marsit të këtij viti me 53 persona.
Çfarë duhet për ta marrë ose lënë shtetësinë shqiptare
Veprimet për shtetësinë mbështeten në ligjin 8389, datë 05.08.1998 “Për shtetësinë shqiptare”. Personat e interesuar duhet t'i dërgojë një kërkesë presidentit me të dhëna të sakta të adresës, certifikatë origjinale të lindjes dhe të përkthyer dhe ligjëruara në përfaqësitë tona diplomatike dhe po ashtu aktet e pronësisë, qeramarrjes së banesës, kontratën e punës dhe dëshmi penaliteti nga ministria e Drejtësisë. Problemi qëndron në rastet kur personat e interesuar duhet të vijnë në Shqipëri për të marrë këtë dokumentin e fundit, sepse radha në ministri përherë është e gjatë edhe për shkak të kërkesave për dëshmi për çështje të tjera nga shtetasit. Kështu, që problemi kushton financat dhe kohën, që përgjithësisht kufizohet në periudhat e pushimit të personave nga jashtë, por që janë të njejta në përkim me periudhat e pushimit edhe në institucione.
DOKUMENTET QË DUHEN PËR TË MARRË SHTETËSINË SHQIPTARE
Kërkesë drejtuar Presidentit të Republikës me arsyet e aplikimit, adresën, numër të mundshëm telefoni, e firmosur.
Çertifikatë e lindjes origjinale, e përkthyer, noteruar dhe legalizuar në ambasadën tonë në shtetin e banimit.
Dokument rezidence në Shqipëri (vetëm Leje Qëndrimi, e lëshuar nga Ministria e Rendit Publik sipas rasteve të parashikuar në ligj, për 5 vjet, 3 vjet ose 1 vit).
Akti i pronësisë së banesës në Shqipëri, ose kontrata e qirasë.
Kontratë pune për të punësuarit, vërtetim nga zyra e tatimeve për të vetëpunësuarit apo investitorët, ose vërtetim pensioni. Dokument për të ardhurat.
Dëshmi penaliteti nga Ministria e Drejtësisë e Shqipërisë, si dhe në shtetin nga vjen. Marrëveshje para noterit e të dy prindërve për dhënien e shtetësisë së fëmijëve të mitur
DOKUMENTET QË DUHEN PËR TË RIMARRË SHTETËSINË SHQIPTARE
Kërkesë drejtuar Presidentit të Republikës me arsyete aplikimit, adresën, numër të mundshëm telefoni, e firmosur.
Çertifikatë e lindjes.
Marrëveshje para noterit e të dy prindërve për rifitimin e shtetësisë së fëmijëve të mitur Çertifikatë e trungut familjar.
Çertifikatë lindjeje për prindërit e aplikantit (ose vdekjeje).
Deklaratë noteriale për mosaplikimin në ndonjë shtetësi tjetër ose shkresa e refuzimit të ndonjë shtetësie tjetër.
Vërtetim i banimit, lëshuar nga njësia administrative ku banon.
DOKUMENTET QË DUHEN PËR TË HEQUR DORË NGA SHTETËSIA SHQIPTARE:
Kërkesë e vetë personit (e firmosur) Çertifikatë e gjendjes civile shqiptare me fotografi
Premtim shtetësie i lëshuar nga shteti i huaj, bashkë me përkthimin e noteruar zyrtarisht dhe i legalizuar në ambasadën tonë në atë shtet. (origjinal)
Dëshmi Penaliteti nga Ministria shqiptare e Drejtësisë.
Vërtetim nga Prokuroria e Rrethit që nuk është nën hetim (në Shqipëri).
Vërtetim nga Gjykata e Faktit që nuk është nën gjykim (në Shqipëri).
Dokument nga Zyra e Përmbarimit (në Shqipëri). Çertifikatë martese, nëse është i martuar, marrë aty ku ka kryer martesën
Çertifikatë e trungut familjar atje ku banon,( nëse mund të lëshohet nga shteti i huaj), bashkë me përkthimin e noteruar zyrtarisht dhe e legalizuar në ambasadën tonë në atë shtet (origjinal)
Dokument rezidence, atje ku banon, bashkë me përkthimin e noteruar zyrtarisht, i legalizuar në ambasadën tonë në atë shtet (origjinal) Vërtetim banimi nga qendra administrative ku figuron banor (në Shqipëri).
Marrëveshje para noterit e të dy prindërve për heqjen e shtetësisë së fëmijëve të mitur. Faturat përkatëse të veprimeve në ambasadë dhe komisariat.
Burimi www.president.al