Nesër në Prishtinë mblidhet Grupi i Kontaktit Plus
Prishtinë, 14 qershor - Nesër në Prishtinë mblidhet Grupi i Kontaktit Plus, i cili do të ketë disa takime me drejtuesit më të lartë insitucionalë e politikë të Kosovës. Në këto takime do të marrë pjesë edhe Kai Aide, i dërguari i Kofi Ananit, i cili është caktuar për vlerësimin gjithëpërfshirës të standardeve.
Gazeta "Zëri" duke cituar burime ndërkombëtare në Prishtinë, shkruan se diplomatët nga Grupi i Kontaktit do të kenë takime të veçanta me zyrtarët më të laatë të Kosovës: Presidentin Ibrahim Rugova, Kryeministrin Bajram Kosumi dhe Kryeparlamentarin Nexhat Daci, ndërkaq takimin e dytë me drejtuesit e partive opozitare, si dhe një takim tjetër me përfaqësuesit serbë.
Në këto takime pritet të bëhet vlerësimi i zhvillimeve më të rëndësishme ndërmjet dy takimeve të Grupit të Kontaktit sidomos i dy çështjeve: përmbushjes së standardeve prioritare dhe i reformimit të pushtetit lokal.
Takimet organizohen nga Zyra amerikane, ndërkaq qeverinë amerikane do ta përfaqësojë Çarls Inglish, drejtor për çështje të Evropës Juglindore në Departamentin e Shtetit, kurse veenet e tjera në Grupin e Kontaktit do të përfaqësohen nga drejtorët politikë të ministrive të jashtme.
Kosova Home Page
Krijoni Kontakt