Close
Faqja 2 prej 3 FillimFillim 123 FunditFundit
Duke shfaqur rezultatin 11 deri 20 prej 25
  1. #11
    i/e regjistruar Maska e Harudi
    Anëtarësuar
    08-09-2004
    Postime
    622
    27.4.05
    Rikardson: SHBA po punojnë ngushtë për reformimin e proceseve në Kosovë


    Ndihmëssekretarja e Mbrojtjes së SHBA-së, Mira Ricardson, deklaroi sot në Prishtinë, se SHBA-të, janë duke punuar ngushtë me partnerët evropian për reformimin e proceseve dhe krijimin e institucioneve demokratike në Kosovë. Ajo tha se, udhëheqësit e Kosovës duhet punuar shumë në përmbushjen e standardeve dhe krijimin e marrëdhënieve të mira me pakicat sidomos me atë serbe.

    Ndihmës-sekretarja e Mbrojtjes së SHBA-së, Mira Ricardson, tha sot në Prishtinë, se udhëheqësit e Kosovës duhet punuar shumë që të përmbushin obligimet ndërkombëtare, plotësimin e standardeve për Kosovën që do të hapin rrugën e bisedimeve për statusin final të saj. Ajo tha se SHBA-së, janë duke punuar ngusht me partnerët evropian për reformimin e proceseve në rajonin e ballkanit përfshirë këtu edhe Kosovën, për faktin që sipas saj, kjo pjesë është shumë e rëndësishme për Evropën. Këto komente, Ndihmës Sekretarja e Mbrojtjes së SHBA-ve, Mira Ricardson, i bëri në Prishtinë, pas një takimi që zhvilloi me kryeministrin e Kosovës, Bajram Kosumi.

    “Unë inkurajova kryeministrin por edhe udhëheqësit tjerë politik në Kosovë që të punojnë shumë në implementimin e standardeve dhe të punojnë për marrëdhënje të mira me të gjitha komunitet në mënyrë të vecantë më atë të pakicës serbe”, tha Mira Ricardson.



    Në jemi duke punuar ngusht me partnerët tanë evropian me NATO-on dhe partnerët në kombet e bashkuara që të ndihmojmë reformimin e proceseve dhe krijimin e institucioneve demokratike në rajonin e ballkanit përfshirë këtu edhe Kosovën. Por, ne mund të pranojmë se shumë punë janë në duart e juaja. Ne jemi këtu për t’iu ndihmuar por, në fund të fundit e ardhmja e kosovarëve është në duart e tyre”, tha Mira Ricardson. Ajo tha se, tash për tash, SHBA-së, nuk kanë plan të reduktimit dhe as të shtimit të trupave të saja në Kosovë, mirëpo, cdo vendim që do të merret për këtë cështje sipas saj do të merret së bashku në këshillin e NATO-os.

    Kryeministri i Kosovës, Bajram Kosumi, ndërkaq, tha se, ai nuk e konsideron të nevojshme shtimin e trupave të KFOR-it në Kosovë tash kur mund të hapen bisedimet për statusin e Kosovës.

    Ndihmës Sekretarja e Mbrojtjes së SHBA-së, gjatë qëndrimit të saj në Kosovë do të takojë edhe krerët ndërkombëtar dhe udhëheqës tjerë vendor. Ajo inkurajoi qytetarët e këtushëm për krijimin e një klime të qetë dhe tha se në një mjedis demokratik ka vend për të gjith qytetarët e Kosovës.



    Bekim Shehu

    Radio DW
    Pijetoret janë vendet ku çmenduria shitet me shishe! (Uendell Filips)

    Lista e injorimit: Llapi

  2. #12
    i/e regjistruar Maska e Harudi
    Anëtarësuar
    08-09-2004
    Postime
    622
    MOORE:"HARTUESIT E (PSEUDO) SHTETEVE HIBRIDE"



    Patrick MOORE, analist i radios Evropa e Lirë



    RADIO EVROPA E LIRË
    Në këtë çast në qarkullim janë dy propozime për statusin e Kosovës. Ai i Grupit Ndërkombëtar të Krizave që është mirëpritur në Prishtinë dhe ai i Komisionit Ndërkombëtar për Ballkanin, ndaj të cilit në Kosovë ka hezitime. A do të thotë kjo se aktualisht në bashkësinë ndërkombëtare egzistojnë dy opsione për Kosovën?

    PATRICK MOORE
    Grupi Ndërkombëtar i Krizave në mënyrë të qartë rekomandon pavarësinë, duke i nxjerrë, sipas meje, konkluzionet drejtpërdrejt nga marsi i vitit 2004 dhe kërkesa për të lëvizur shpejt. Komisioni Ndërkombëtar për Ballkanin ka sugjeruar diçka që çon drejt një protektorati evropian, që nuk do të jetë plotësisht sovran. Kjo që ka sugjeruar ky komision është një lloj shteti tepër i çuditshëm dhe çon në pyetjen se çfarë fshihet në të vërtetë pas kësaj. Do të doja të përmendja gjithashtu se nëse shihet përbërja e këtij komisioni, vetëm dy personalitete në të janë figura të shquara. Një është zoti Amato, ish kryeministër i Italisë, tjetri është ish presidenti i Gjermanisë Wajceker, por asnjë prej tyre nuk është i njohur si veçanërisht miqësor ndaj Shteteve të Bashkuara. Anëtarët e tjerë të komisionit nuk janë personalitete të këtij kalibri. Këta janë njerëzit që na dhanë jo vetëm Bosnjën e Marrëveshjes së Dajtonit, por edhe shtetin hibrid të Serbisë dhe Malit të Zi. Ndoshta do ishte më mirë që në vend të krijesave shtetërore nga Brukseli, t'i lemë njerëzit që janë të përfshirë të vendosin vetë për fatin e tyre mbi bazën e vetëvendosjes dhe vullnetit të shumicës. Ky do ishte një model demokracie dhe jo një model kolonializmi. Duhet garantuar që të drejtat e10 % të popullsisë pakicë të mbrohen, por në të njëjtën kohë kjo nuk mund të përdoret si një justifikim për t'i mohuar të drejtat themelore të 90 % të popullsisë.

    RADIO EVROPA E LIRË
    Liderët kosovarë kërkojnë rolin prijës të Shteteve të Bashkuara në bisedimet për statusin final të Kosovës, duke thënë se Uashingtoni ka kapacitet dhe kredibilitet për të zgjidhur këtë çështje. Cili është komenti juaj?

    PATRICK MOORE
    Ky është një mësim që ne e kemi mësuar herë pas here në ish-Jugosllavi, fillimisht në konfliktet në Kroaci dhe Bosnje dhe më vonë në konfliktin e Kosovës. Gjithashtu duket të jetë mjaft e qartë që në mesin e kosovarëve në terren, pra njerëzve që jetojnë aty, dominon bindja se Shtetet e Bashkuara të Amerikës bëjnë atë që thonë dhe nuk vijnë me shpikje hibride si puna e Brukselit, që mund të çojë në një zgjidhje që nuk është ajo që do shumica e popullsisë.

    RADIO EVROPA E LIRË
    Këtë javë një analist i gazetës "Guardian", tha se "nëse Kosova mbetet në vakum, kjo do të ishte fitore për Millosheviqin", për të shtuar se "Gjermania dikur kampione e çështjes së Kosovës, tani ecën në drejtim të kundërt". A qëndron ky pohim dhe pse?

    PATRICK MOORE
    Po, do të ishte një fitore për Millosheviçin, gjithashtu për Tadiçin dhe Koshtunicën të cilët treguan aftësi të jashtëzakonshme në manipulimin e votuesve serbë për këtë çështje, në vend që të merren me problemet reale të Serbisë e që janë krimi, korrupsioni dhe varfëria. Strategjia që ndjekin këta politikanë është që me çdo kusht të fusin hundët dhe të ndikojnë në çështjet në Kosovë, ndonëse e kanë humbur të drejtën me ato që kanë bërë në vitin 1998-1999. Ata me siguri do kërkojnë ndarje apo një lloj administrimi të përbashkët, por nuk mendoj se edhe vetë ata janë të bindur se do mund të kthehen prapa në kohët e vjetra të administrimit të drejtpërdrejtë dhe vrasjeve masive. Një herë pyeta një eskpert serb shumë të mirënjohur për Ballkanin:"Çfarë do të bëni nëse një ditë zbuloni se (sërish) qeverisni 2 milionë shqiptarë që nuk ju duan"? Ky person më pa me një shprehje çudie në fytyrë, që tregonte se këtë mundësi madje as ai nuk e konsideronte serioze.
    Sa i përket Gjermanisë, duket se po lëviz tani drejt orientimit pro-serb të Francës. Ky është një rezultat i riorientimit të politikës së jashtme gjermane, larg balancës, larg të qënit zëdhënës i popujve më të vegjël të Evropës, që Gjermania e kishte zhvilluar nën drejtimin e Helmut Kohlit, dhe larg lidhjeve të ngushta me Uashingtonin që kancelarët gjermanë kanë patur që nga koha e Adenauerit e deri tek Kohli, por tash drejt një aleance të plotë me Francën. Diçka tjetër që duhet të kujtojmë është që devotshmëria ndaj Bashkimit Evropian është bërë si punë religjioni në vetvete në disa qarqe të politikanëve e intelektualëve gjermanë.

    Intervistoi: Melazim KOCI
    RFE
    Pijetoret janë vendet ku çmenduria shitet me shishe! (Uendell Filips)

    Lista e injorimit: Llapi

  3. #13
    i/e regjistruar Maska e Harudi
    Anëtarësuar
    08-09-2004
    Postime
    622
    E hënë, 2. Maj, 2005


    E. HASANI: DALLIMET MES BE-SË DHE SHBA-VE QËNDROJNË NË HAPAT DREJT STATUSIT DHE JO TEK NATYRA E TIJ


    Enver Hasani, Profesor i të Drejtës Ndërkombëtare në UP


    RADIO EVROPA E LIRË
    Zoti Hasani, ka mbetur më pak se një muaj nga dita kur pritet të bëhet vlerësimi i përmbushjes së standardeve në Këshillin e Sigurimit. Çfarë mendoni se do të jetë ky vlerësim?

    ENVER HASANI
    Gjykuar sipas asaj që është bërë publike dhe sipas prononcimeve të UNMIK-ut, del se do të ketë në parim një vlerësim pozitiv të standardeve, mirëpo mbetet të shihet. Unë nuk po gjykoj se si është gjendja në terren, por po gjykoj në bazë të asaj që është politikë e UNMIK-ut dhe mesa kuptoj unë ka një prirje për ta vlerësuar pozitivisht çështjen e standardeve.

    RADIO EVROPA E LIRË
    A do të hapë kjo rrugën për përcaktimin e statusit?

    ENVER HASANI
    Sigurisht që po meqënëse është bërë si të thuash plotësimi i standardeve, dhe një raport pozitiv i standardeve është paraqitur si kusht për fillimin e bisedave për statusin e Kosovës.

    RADIO EVROPA E LIRË
    Ndërkohë zoti Hasani, Grupi i Kontaktit pati përjashtuar disa opsione për statusin e Kosovës. Si do të ndikojnë përjashtimi i atyre opsioneve në përcaktimin e statusit?

    ENVER HASANI
    Unë mendoj se ato që janë përjashtuar si opsione nuk kanë qenë se kanë qenë diçka si opsione që qarkullojnë, apo si diçka që ka mundur të ndodhë me Kosovën dhe unë nuk besoj se ato esencialisht e kanë ndryshuar atë që është ditur më parë përsa i përket kaheve të statusit të Kosovës, nga do të lëvizë ai. Nuk mendoj se ka ndryshim esencial. Ajo që duket këtu si ndryshim thelbësor është vetëm interpretimi i politikanëve të Kosovës, të cilët po i interpretojnë deklaratat e Grupit të Kontaktit për konjukturat e tyre të tregut politik të brendshëm në Kosovë.

    RADIO EVROPA E LIRË
    Shefi i UNMIK-ut Petersen ka thënë së fundi se nuk dihet kush do ta ketë rolin kryesor në përcaktimin e statusit, ndërsa institucionet dhe liderët politikë të Kosovës kanë kërkuar që roli udhëheqës t'u mbetet Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Cili është mendimi juaj për këtë?

    ENVER HASANI
    Prioritizimi i rolit udhëheqës është një çështje që mbetet të shihet. Sido që të jetë është shumë e sigurtë se pa ndërmjetësimin dhe pa pjesëmarrjen amerikane, është e pamundur zgjidhja e problemeve të Ballkanit dhe ajo është parë jo vetëm tani, por gjatë tërë shekullit të kaluar. Mendoj se kjo është çështje jashtë çdo diskutimi. Tani është problemi i hapave konkretë, kush do të futet në lojë i pari, i dyti, i treti, se si do të jenë dinamikat e ndërmjetësimit. Kjo mbetet të shihet, por pa ndërmjetësimin e SHBA-ve nuk mund të flitet për ndonjë sukses.

    RADIO EVROPA E LIRË
    Cili do të jetë roli i vendeve të Bashkimit Evropian? A do të veprohet me një politikë unike të Bashkimit Evropian, apo edhe në këtë plan mund të vërehen ndarje?

    ENVER HASANI
    Jo nuk besoj që ka. Për çështje të statusit nuk ka dallim të madh në të dy anët e brigjeve të Atlantikut. Dallimi u referohet hapave konkretë dhe cilësisë së statusit përfundimtar të Kosovës, por jo statusit si të tillë, natyrës së tij, finales së statusit. Prandaj në këtë drejtim unë nuk shoh se mund të ketë dallime dramatike, as brenda për brenda Bashkimit Evropian.

    RADIO EVROPA E LIRË
    Zoti Hasani, a kanë institucionet e Kosovës një platformë të qartë për t'iu qasur fazës së përcaktimit të statusit të Kosovës?

    ENVER HASANI
    Mendoj se po të kishte patur do ishte bërë publike, por nuk besoj se mund të thuhet se ka diçka të qartë, të prekshme në këtë drejtim.

    RADIO EVROPA E LIRË
    Pse nuk e kanë? Cilat janë arsyet?

    ENVER HASANI
    Unë mendoj se institucionet e Kosovës dhe lidershipi kanë qenë të hendikepuar këto 5-6 vite për dallim nga pala serbe dhe bashkësia ndërkombëtare, si akter i krizës këtu. Kanë qenë të hendikepuar, sepse që pesë-gjashtë vjet po përpiqen të krijojnë institucionet për të mbajtur mirëqënien e popullit të Kosovës, për t'u kujdesur për përditshmërinë e popullit të Kosovës, ndërkohë që këtë problem nuk e kanë patur as institucionet ndërkombëtare UNMIK-u e aq më pak Serbia. Prandaj nuk janë marrë me atë çështje dhe rrjedhimisht tani ka një disponim të një pjese të madhe të spektrit politik, që çështja e dialogut duhet të jetë e njëjtë me çështjen e ndërtimit të institucioneve të Kosovës, përkatësisht që vota e lirë duhet të jetë pikë referimi. Mendoj që aty kjo çështje është legjitime, sepse politika është marrje e rrezikut dhe çdokush merr rrezik mbi bazën e llogaritjeve momentale që i bën qoftë si pasojë e votës që ka, qoftë në bazë të një mendimi që mund t'i duket se është më mirë për politikën e atij subjekti politik, Dhe ajo është legjitime mendoj, edhe pse për qëndrueshmërinë e procesit politik, mendoj se pjesëmarrja e të gjithë akterëve të skenës politike, përfshirë edhe ata që nuk janë sot në skenën politike, por persona, individë, shoqëri apo institucione me ndikim, do të ishte më mirë, sepse do të krijonte një lloj stabiliteti më afatgjatë.

    RADIO EVROPA E LIRË
    Pikërisht për këtë, për çështjen e një konsensusi të gjërë, apo të një platforme unike për çështje të rëndësishme si statusi, është folur shumë kohët e fundit. Si e shihni ju një qasje të tillë?

    ENVER HASANI
    Unë thashë që kjo është politikë dhe në politikë përveç korrjes së përfitimeve, apo arritjeve, që ka ai që merret me të, egzistojnë edhe rreziqet dhe kjo është pyetje që duhet t'i përgjigjen politikanët. Unë mendoj se stabiliteti afatgjatë që të venë gjërat mirë, parakusht i çdo dialogu është që palët që nënshkruajnë zotimin, të jenë të afta për t'i zbatuar. Ato janë të afta kur kanë kohezivitet brenda për brenda. Me fjalë të tjera, pala shqiptare për të zbatuar atë që nënshkruan, duhet të jetë kohezive si strukturë dhe e njëjta gjë vlen për palën serbe apo për bashkësinë ndërkombëtare. Prandaj krijimi paraprak i këtij koheziviteti është mendoj i rëndësishëm dhe pa këtë kohezivitet procesi politik mund të degjenerojë, mund të bëhet i dhunshëm, nuk vete si duhet procesi ose marrëveshja që arrihet si rezultat i dialogut e kështu me rradhë. Këtu ka një hezitim për dialogim nga pala kosovare, sepse çdo mbyllje e dialogut ka për pasojë lëvizje tektonike në spektrin politik kosovar. Domethënë do të krijohet një konfiguracion krejt i ri politik. Prandaj edhe dialogu shihet këtu nga ana e palës kosovare, një pjese të madhe të spektrit politik si humbje e pozitave aktuale. Prandaj edhe ka hezitime edhe sa i përket futjes në dialog, por edhe sa i përket formatit të dialogut dhe numrit të pjesëmarrësve.

    RADIO EVROPA E LIRË
    Nga pikëpamja e një njohësi edhe të politikës ndërkombëtare, edhe të procedurave në të cilat po hyn Kosova në përcaktimin e statusit, si mund të reflektohet mungesa e një platforme për t'iu qasur kësaj faze?

    ENVER HASANI
    Ajo reflektohet në cilësi të statusit të Kosovës. Mospërgatitja është normale sikur dhe në punë, sikur ky është një lloj provimi, provim para Kosovës, para gjeneratave që vijnë pas nesh. Sa më dobët të përgatitet njeriu, aq më keq do të dalë edhe statusi i Kosovës, do të vuajë, do të na përvidhen dispozita të marrëveshjes përfundimtare, që më vonë do të interpretohen siç na kanë ndodhur me Rambujenë.

    Intervistoi Rrahman Paçarizi
    RFE
    Pijetoret janë vendet ku çmenduria shitet me shishe! (Uendell Filips)

    Lista e injorimit: Llapi

  4. #14
    i/e regjistruar Maska e Harudi
    Anëtarësuar
    08-09-2004
    Postime
    622
    Ndihmës Sekretari i Shtetit, Burns do të flasë sot në Senat mbi statusin e Kosovës

    Uashington
    19-05-2005



    E lënë pak mënjanë për shkak të luftës në Irak dhe çështjeve të tjera, gjendja në Kosovë ka zier përbrenda gjatë viteve të fundit me diskutime shumë të pakta mbi të ardhmen e satusit të saj përfundimtar.

    Por administrata e Presidentit Bush, e shqetësuar nga kjo ngecje, po kërkon t’u japë përsëri shtytje përpjekjeve për zgjidhjen e këtij problemi me anë të një strategjie që ka për synim të rifillojë negociatat nën kujdestarinë e Kombeve të Bashkuara, ndoshta brenda këtij viti.

    Plani amerikan, rezultat i këshillimeve intensive me aleatët evropianë, do të përvijohet sot nga Ndihmës Sekretari i Shtetit për çështje politike, Nikolas Burns, gjatë një seance të komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për marrëdhënie me jashtë.

    Zëdhënësi i Departamenti të Shtetit, Riçard Bauçer, tha se zoti Burns do të mbajë edhe një fjalim tjetër mbi Ballkanin nesër në Qendrës Wilson.

    Në këto dy fjalime apo deklarata, tha ai, zoti Burns do të spjegojë strategjinë tonë për zgjidhjen e statusit të ardhshëm të Kosovës. Kjo do të bëhet në përputhje me objektivat e nxitjes së qendrueshmërisë rajonale dhe të mbrojtjes së të drejtave të qytetarëve të Kosovës, sidomos të pakicave. Kjo është një çështje që Shtetet e Bashkuara kanë diskutuar gjerësisht me miqtë dhe aleatët e tyre.

    Hollësitë e planit amerikan ende nuk janë bërë të ditura, por gazeta Washington Post shkruante në numrin e saj të djeshëm se plani përfshin emërimin e një të dërguari të Kombeve të Bashkuara për të vlerësuar nëse Kosova është e gatshme për fillimin e bisedimeve mbi statusin përfundimtar.

    Nëse vlerësimet janë pozitive, theksoi zoti Bauçer, dhe zyrtarët amerikanë sugjerojnë se ato duhet të jenë pozitive, Kombet e Bashkuara do të fillojnë negociatat për të përcaktuar nëse Kosova të bëhet e pavarur, të mbetet pjesë e Serbisë apo t’i jepet një status tjetër.

    Komuniteti ndërkombëtar nuk i ka filluar bisedimet për statusin përfundimtar, duke pritur përparimin e Kosovës në përmbushjen e një liste standardesh lidhur me çështje të tilla si vetëqeverisja, kthimi i refugjatëve dhe mbrojtja e të drejtave të pakicës serbe.

    Në një konferencë shtypi, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit tha dje se Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e tyre evropianë kanë arritur në përfundimin se përmbushja e këtyre standardeve dhe negociatat mbi statusin përfundimtar të Kosovës mund dhe duhet të fillojnë njëri pas tjetrit:

    “Ne, Kombet e Bashkuara dhe të tjerët, theksoi zoti Bauçer, kemi vazhduar punën në përpjekje për të krijuar një gjendje më të qendrueshme përmes përmbushjes së të ashtuquajturve standarde të demokracisë, të qeverisjes së mirë, trasnparencës dhe kthimit të mirëpritur serbëve dhe të tjerëve në shtëpitë e tyre. Por ky proces mund të ecë deri në një farë shkalle pa përkufizimin e statusit. Njerëzit që ndodhën në atë gjendje kërkojnë të dijnë në fund të fundit se ku do të jetojë, se pjesë e kujt do të jenë.”

    Zoti Bauçer tha se Washingtoni nuk mund të parashikojë rezultatin e bisedimeve mbi statusn përfundimtar të Kosovës, por Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre kërkojnë që çështja të zgjidhet në mënyrë që rajoni i Ballkanit të stabilizohet dhe të gjejë të ardhmen e tij në Evropë dhe në insititucionet euro-atlantike.

    Ish diplomati i administratës së Presidentit Klinton, Riçard Holbrooke, figurë kryesore në arritjen e marrëveshjeve të Dejtonit që u dhanë fund luftimeve në Bosnje, paralajmëroi muajin e kaluar se gjendja në Kosovë nuk ishte e qendrueshme dhe se trupat e Natos do të duhet të qendrojnë atje për një kohë të pacaktuar nëse nuk përshpejtohen përpjekjet për një marrëveshje mbi statusin përfundimtar.

    Zoti Holbrooke parashikoi se Kosova dhe në fund të fundit edhe Mali i Zi do të shkëputen nga Serbia dhe të bëhen të pavarura, por se nën një skenar të tillë Serbia do të ketë një të ardhme të ndritshme si anëtare e Bashkimit Evropian së bashku me pjesët e tjera të ish Jugosllavisë.

    Gazeta Washington Post thotë se administrata e Presidentit Bush do të gërshetojë përpjekjet e saj diplomatike për Kosovën me një paralajmërim për Serbinë se zhvillimi i marrëdhënieve normale me Shtetet e Bashkuara dhe Naton varet nga kapja e ish udhëheqësve të serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiç dhe Ratko Mlladiç.

    VOA
    Pijetoret janë vendet ku çmenduria shitet me shishe! (Uendell Filips)

    Lista e injorimit: Llapi

  5. #15
    i/e regjistruar Maska e Harudi
    Anëtarësuar
    08-09-2004
    Postime
    622
    Strategjia e Uashingtonit për procesin e statusit përfundimtar të Kosovës
    Isabela Çoçoli
    18-05-2005



    Nënsekretari amerikan i shtetit për çështje politike, Nicholas Burns i tha sot një komisioni të Kongresit se Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e tyre kanë përcaktuar disa parime mbi të cilat duhet të bazohet zgjidhja e statusit përfundimtar të Kosovës por pa paragjykuar se cili do të jetë ai. Zoti Burns paraqiti sot strategjine për procesin e zgjidhjes së këtij statusi:

    Në deklaratën e tij zoti Burns thotë se Kosova është ndoshta çështja më e vështirë që ka mbetur e pazgjidhur në Ballkan. Shtetet e Bashkuara, tha ai, besojnë, ashtu si edhe vetë palët e interesuara, se statukuoja e tanishme e statusit të pazgjidhur të Kosovës as mund të vazhdojë më dhe as është e dëshirueshme sepse le të hapur mundësinë e përsëritjes së dhunës.

    Zoti Burns tha se Presidenti Bush dhe Sekretarja e Shtetit Kondoliza Rajs e caktuan si një ndër përparësitë kryesore rolin udhëheqës të Shteteve të Bashkuara në përpjekjet ndërkombëtare për të stabilizuar Ballkanin, për t’u siguruar se konfliktet e viteve 90 nuk do të përsëriten si dhe për të sjellë autorët e këtyre akteve para drejtësisë.

    "Ne duhet të përfundojmë punën për sheshimin e konflikteve që nuk i ka lejuar vendet e Ballkanit të shënojnë përparim politik dhe ekonomik ashtu si fqinjët e tyre. Ne dhe aleatët po hyjmë në një fazë të re në politikën tonë ndaj Ballkanit, një fazë që synon të përshpejtojë integrimin e këtij rajoni në familjen evropiane dhe institucionet euro-atlantike. Sekretarja Rajs, tha zoti Burns, më ka kërkuar të shkoj në Serbi, Mal të Zi dhe Kosovë si dhe në Bosnjë në fillim të muajit të ardhshëm për të ritheksuar angazhimin e Shteteve të Bashkuara për të ndihmuar në zgjidhjen e problemeve të rajonit si dhe për të nxitur udhëheqësit vendorë të bëjnë përparim më të madh në në çështjet e pazgjidhura," tha nënsekretari amerikan i shtetit.

    Për të arritur sukses në përpjekjet në Ballkan, Shtetet e Bashkuara, vazhdoi zoti Bërns duhet të punojmë energjikisht për të ndihmuar popullin e Kosovës për forcimin e sigurisë, pajtimin ndëretnik dhe paqe në vitin 2005. Nëse nuk merret në shqyrtim çështja e statusit në periudhën afat-shkurtër, ka rrezik të humbasim shumë nga arritjet që janë shënuar në Ballkan gjatë 10 viteve të fundit.

    Zoti Burns tha se nuk do të jetë e lehtë të arrihet një marrëveshje lidhur me statusin e ardhshëm të Kosovës. Beogradi ka paraqitur pozitën e tij ku kërkon që Kosovës t’i njihet më shumë se autonomia, por më pak se pavarësia. Popullsia shqiptare e Kosovës këmbëngul për pavarësi të menjëhershme dhe pa kushte. Gjetja e një kompromisi ndërmjet këtyre qëndrimeve do të jetë një sfidë e vështirë.

    Zoti Burns vazhdoi më tutje se Grupi i Kontaktit ka dhënë pëlqimin e njëzëshëm që vlerësimi i standardeve të bëhet këtë verë dhe ka shprehur mbështetjen që vlerësimi të bëhet nga zoti Kai Eide. Ky vlerësim, tha ai, do të shqyrtojë jo vetëm plotësimin teknik të standardeve por edhe çështjet më të mëdha politike. Vlerësimi, tha zoti Burns, do të kërkojë 6-8 javë dhe pastaj do të duhen disa javë të tjera për të hartuar raportin , i cili shpresohet se do të jetë përfunduar nga fundi i kësaj vere. Shpresohet, tha zoti Burns, që Grupi i Kontaktit dhe Kombet e Bashkuara të takohen këtë vjeshtë për të shqyrtuar rezultatet e vlerësimit të standardeve dhe për të vendosur nëse do të fillojnë bisedimet për statusin përfundimtar. Nëse rezultati është sa duhet pozitiv, Shtetet e Bashkuara do të kërkojnë një fillim të shpejtë të bisedimeve për statusin.

    Zoti Burns tha se Shtetet e Bashkuara mendojnë se procesi duhet të udhëhiqet nga një figurë e lartë politike evropiane, e emëruar nga OKB-ja në konsultim me Grupin e Kontaktit. Shtetet e Bashkuara, tha ai, do të ofrojnë një diplomat të lartë amerikan si zëvendës të tij dhe sekretarja e shtetit Rice po shqyrton kandidaturat e mundëshme për këtë post.

    Nënsekretari i shtetit Burns tha se për të ruajtur rolin e Shteteve të Bashkuara si lehtësues të zgjidhjes, ato dhe partnerët e tyre nuk paragjykojnë se cili do të jetë rezultati i bisedimeve për statusin, por siç tha edhe ju, kanë përcaktuar disa nga parimet bazë mbi të cilat duhet të gjendet zgjidhja. Ai tha se në këtë aspekt është përjashtuar një kthim në situatën përpara marsit 1999. -Ndër këto parime, tha zoti Burns, është se ky status përfundimtar duhet të bazohet mbi multi-etnicitetin, duke respektuar plotësisht të drejtat e njeriut, përfshirë të drejtën e kthimit të të gjithë të zhvendosurve. -Se ky statutus duhet të japë garanci kushtetuese për mbrojtjen e pakicave. -Ai duhet të përfshijë masa konkrete për mbrojtjen e trashëgimisë historike dhe kulturore dhe të përmbajë mekanizmat e duhur për luftën kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit.

    Zoti Burns tha gjithashtu se veç kësaj, Grupi i Kontaktit u ka deklaruar palëve se statusi i Kosovës nuk duhet të vendoset nga asnjëra prej palëve në mënyrë të njëanshme dhe as të rezultojë nga përdorimi i forcës. Ai shtoi se kufijtë e tanishëm të Kosovës nuk do të ndryshohen, as përmes ndarjes territoriale e as përmes një bashkimi të ri të Kosovës me ndonjë vend tjetër pas zgjidhjes së statusit. Gjithashtu tha ai, duhet të garantohet se Kosova do të vazhdojë të zhvillohet në mënyrë të pandërprerë si nga pikpamja politike ashtu edhe ekonomikisht.

    Zoti Burns tha se Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e tyre presin që prania ndërkombëtare civile dhe ushtarake në Kosovë do të vazhdojë edhe pas zgjidhjes së statusit për të garantuar zbatimit e tij të plotë si dhe për të vëzhguar gjendjen e pakicave.

    Roli i Beogradit në këtë proces, theksoi nënskretari amerikan i shtetit, duhet të jetë angazhimi i vazhdueshëm dhe konstruktiv. Çdo vonesë e panevojshme ose pengesë do të na bënte të rishikonim rolin e Beogradit. "Ne, tha zoti Bërns, i bëjmë thirje Beogradit të mbështesë serbët e Kosovës për t’u kthyer në Parlament dhe për të rifilluar pjesëmarrjen e tyre në institucionet dhe jetën politike në Kosovë, duhe i dhënë fund izolimit të imponuar nga Beogradi". Cilido qoftë statusi përfundimtar i Kosovës, Beogradit do t’i duhet të pranojë ndryshime krahasuar me situatën para vitit 1999. Procesi për përcaktimin e statusit përfundimtar të Kosovës u jep mundësi Shteteve të Bashkuara të ndihmojnë Serbinë të kthehet në gjirin e Evropës ku i takon të jetë, tha nënsekretari amerikan i shtetit Nik Bërns.

    VOA
    Pijetoret janë vendet ku çmenduria shitet me shishe! (Uendell Filips)

    Lista e injorimit: Llapi

  6. #16
    R[love]ution Maska e Hyllien
    Anëtarësuar
    28-11-2003
    Vendndodhja
    Mobil Ave.
    Postime
    7,708
    Nuk do njëri që kosova të jetë e pavarur. Mali i Zi siduket po kujtohet se nga i ka origjinat e vërteta me deklaratat e ish ministrit të jashtëm të ish jugosllavisë, i cili rrezikon 40 vjet burg për tradhëti tashmë.

  7. #17
    i/e regjistruar Maska e Harudi
    Anëtarësuar
    08-09-2004
    Postime
    622
    23. Maj, 2005 21:29 CET



    LONDËR
    Të dërguarit ndërkombëtarë kanë shqyrtuar sot në Londër, se çfarë progresi ka bërë Kosova drejt ndërtimit të demokracisë dhe mbrojtjes së pakicave. Mbledhjen e sotme të Grupit të Kontaktit që u mbajt me dyer të mbyllura, Zyra e jashtme britanike e ka përshkruar si shqyrtim të gjendjes para takimit të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, për Kosovën që do të mbahet më 27 maj.
    Në Grupin e Kontaktit bëjnë pjesë Shtetet e Bashkura, Bashkimi Evropian, Britania, Franca, Gjermania, Italia dhe Rusia.

    RFE

    Ndërsa BBC-shqip-njofton:


    Botuar: E hënë, 23 maj 2005 - 19:59 CET

    Petersen: Vlerësimi i standardeve sipas planit


    Petersen: OKB-ja do të vazhdojë me vlerësimin e standardeve
    Në Londër është mbajtur një takim i koordinatorëve për Ballkanin të Grupit të Kontaktit për të bërë një harmonizim të fundit të anëtarëve të këtij grupi, para mbledhjes të Këshillit të Sigurimit të OKB-së në Nju-Jork, më 27 maj, për të diskutuar raportin politik dhe teknik të përmbushjes së standardeve.
    Kreu i UNMIK-ut, Soren Jessen-Petersen, i cili mori pjesë në takim, tha për BBC-në se të gjitha vendet e Grupit të Kontaktit u angazhuan që të ruhej rendi i ditës dhe kalendari për vlerësimin e standardeve.

    Ilir Nishku bisedoi me kreun e UNMIK-ut, Soren Jessen-Petersen.

    BBC: Cilat janë disa nga konkluzionet e këtij takimi?

    Jessen-Petersen: Konkluzoni kryesor ishte se Grupi i Kontaktit u takua dhe konfirmoi angazhimin e tij për t'iu përmbajtur rendit të ditës dhe kalendarit që vendosën shtatorin e kaluar lidhur me rrugën për të ecur përpara në Kosovë.

    BBC: Ka njoftime se Rusia ka kërkuar shtyrjen e fillimit të procesit të vlerësimit të standardeve. A do të jetë kjo një pengesë në takimin e Këshillit të Sigurimit në fund të këtij muaji për t'i hapur dritën e gjelbër procesit të vlerësimit të standardeve para fillimit të bisedimeve për statusin?

    Jessen-Petersen: Jo, sepse siç jua thashë ata qëndruan të bashkuar lidhur me atë që ranë dakord shtatorin e kaluar, dmth që të vendosim prioritete për zbatimin e standardeve, të kemi takime tremujore për të vlerësuar përparimin dhe nga mesi i vitit 2005 të kemi një rishikim të përgjithshëm të zbatimit të standardeve dhe pastaj të pasohet, nëse ai është pozitiv, me fillimin e bisedimeve. Dhe ata e konfirmuan këtë angazhim në takimin e sotëm, që do të thotë të gjithë anëtarët e Grupit të Kontaktit.

    BBC: Ka njoftime se kryeministri i Kosovës Bajram Kosumi u ftuan në takimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, por ai refuzoi të shkojë për arsye se nuk do të lejohej të fliste në takim. Cili është komenti juaj lidhur me këtë çështje?

    Jessen-Petersen: Komenti im është se unë do të doja ta kisha kryeministrin dhe delegacionin e tij me mua. Por dua të them se në këtë fazë kaq kritike, nëse ai nuk mund të flasë para Këshillit të Sigurimit dhe ai nuk mundet, pasi ai nuk do të autorizohet nga Këshilli, unë e kuptoj se nuk do të ketë kuptim për të, vetëm të rrijë i ulur atje. Gjithashtu, në kohën kur ai është përfshirë në vendosjen e dialogut me kryeministrin serb do të ishte e papërshtatshme që ai të fliste para Këshillit të Sigurimit. Pra, unë e kuptoj qëndrimin e tij.

    BBC: Kohët e fundit ka patur replika midis udhëheqësve serbë dhe kosovarë lidhur me mbajtjen e bisedimeve të mundshme midis tyre. Cili është komenti juaj?

    Jessen-Petersen: Është e rëndësishme që ata të takohen dhe të fillojnë të flasin me njëri-tjetrin, sepse Serbia dhe Kosova janë fqinj dhe fqinjët duhet të kenë marrëdhënie me njëri-tjetrin. Kështu që duhet të flasin dhe mendoj se sa më shpejt të flitet për zhvillimin e bisedimeve dhe jo lidhur me atë se ku do te zhvillohen bisedimet, aq më mirë. Kryeministri Kosumi ka thënë se pranon të takohet me kryeministrin Koshtunica, por tani duhet të vendosin për ditën dhe se ku të takohen. E rëndësishme është që ata të jenë dakord dhe të fillojnë bisedimet. Po ashtu, edhe presidenti Tadiç dhe Rugova. Është e rëndesishme që ata të ulen bashkë sa më shpejt. E gjithë kjo është pjesë e krijimit të besimit. Pra, shpresoj se si në anën e Tadiçit e Koshtunicës ashtu edhe nga Rugova dhe Kosumi do të përqëndrohen në rëndësinë e fillimit të bisedimeve.
    Pijetoret janë vendet ku çmenduria shitet me shishe! (Uendell Filips)

    Lista e injorimit: Llapi

  8. #18
    i/e regjistruar Maska e Harudi
    Anëtarësuar
    08-09-2004
    Postime
    622
    E mërkurë, 25. Maj, 2005

    KRYEMINISTRI DHE LIDERËT POLITIKË OPOZITARË PAJTOHEN ME VLERËSIMET E GK


    Rrahman Paçarizi, Prishtinë


    Shefat e zyrave të vendeve anëtare të Grupit të Kontaktit kanë kërkuar sot nga qeveria dhe opozita e Kosovës, që të punojnë së bashku për ta shfrytëzuar sa më mirë kohën e mbetur për përmbushjen e standardeve. Këto deklarata shefi i zyrës gjermane në Prishtinë, Jurgen Engel, i ka bërë në emër të kolegëve të tij, pas takimeve që ka pasur me kryeministrin e Kosovës Bajram Kosumi dhe liderët e dy partive më të mëdha opozitare, Hashim Thaçi e Veton Surroi. Zoti Engel tha se ky ishte një mesazh i përmbledhur drejtuar si pushtetit, ashtu edhe opozitës:
    "Ajo që i themi shqyrtim i thellësishëm i standardeve është shumë afër, ka mbetur shumë pak kohë, prandaj të gjithë duhet të punojmë së bashku dhe ta shfrytëzojmë këtë kohë për të bërë sa më shumë përparim që të jetë e mundur," tha zoti Jurgen Engel, duke paraqitur qëndrimet e Grupit të Kontaktit nga mbledhja e të hënës mbajtur në Londër, ku ndër të tjera Kosova qe kritikuar lidhur me mospërparimin e duhur në standardet që kanë të bëjnë me pakicat.
    Kryeministri i Kosovës Bajram Kosumi, ka falënderuar Grupin e Kontaktit për vlerësimet e bëra:
    "Unë fillimisht dua të falënderoj anëtarët e Grupit të Kontaktit për mbledhjen e suksesshme që kanë bërë. Ka qenë një mbledhje e vështirë, e rëndë, por me përfundim të suksesshëm për qëndrimet që kanë miratuar në atë mbledhje dhe për vlerësimin e mirë që kanë dhënë për mbarëvajtjen e procesit në Kosovë".
    Sidoqoftë, kryeministri Bajram Kosumi tha se përmbushja e standardeve është synim më vete i Kosovës dhe jo vetëm për të përmbushur kërkesat e ndërkombëtarëve:
    "Standardet nuk i marrim si një tabelë ku duhet të ketë pluse e minuse, si diçka që bëhet sot dhe harrohet për një kohë të shkurtër. Standardet paraqesin disa prej vlerave dhe parimeve themelore të demokracisë dhe lirive njerëzore dhe këto vlera ne synojmë t’i perfeksionojmë për një kohë të gjatë".
    Në anën tjetër liderët opozitarë kanë mbështetur qëndrimet e Grupit të Kontaktit dhe kanë kërkuar nga qeveria që të bëjë më shumë për të përmbushur kërkesat e Grupit të Kontaktit. Hashim Thaçi, kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, e quajti demarsh për qeverinë vlerësimin e Grupit të Kontaktit lidhur me standardet, vetëm pak ditë para shqyrtimit teknik dhe politik të standardeve që do të bëhet të premten në Këshillin e Sigurimit:
    "Demarshi i paraqitur sot nga Grupi i Kontaktit për standardet dhe natyrisht të drejtuar te përfaqësia qeverisëse në Kosovë, nuk është i mirëpritur për rrethanat e reja të krijuara. Natyrisht se ne kemi pritur përparim më të madh, por sido që të jetë, përpjekjet e qytetarëve të Kosovës, përpjekjet pozitive të spektrit politik në të ardhmen, do të vlerësohen pozitivisht. Pra edhe përmbushja e standardeve dhe vlerësimi i tyre në aspektin teknik dhe në atë politik".
    Zoti Thaçi ka vazhduar të kritikojë pozitën për shkak të, siç ka thënë ai, mospërparimit në fushë të funksionimit të institucioneve demokratike. Ndërkaq, edhe kryetari i partisë Ora, Veton Surroi ka përkrahur vlerësimet e Grupit të Kontaktit:
    "Qëndrimi i Orës rreth këtyre pikave ka qenë i përkrahjes. Siç e dini ne e kemi përkrahur publikisht procesin e kthimit dhe të lirisë së lëvizjes të minoriteteve, në këtë rast të serbëve dhe do të vazhdojmë ta përkrahim edhe qeverinë, edhe institucionet e tjera si TMK-ja, që ndihmojnë procesin e kthimit."
    Kryetari i partisë së dytë opozitare, Veton Surroi, tha se duhet qartësuar edhe puna e decentralizimit dhe duhet bërë të njohur se me sa komuna do të hyjë Kosova në vitin 2006. Sidoqoftë, që të dyja partitë opozitare kanë premtuar ndihmën e tyre konstruktive për qeverinë, me qëllim të përmbushjes së standardeve të theksuara nga Grupi i Kontaktit.

    RFE
    Pijetoret janë vendet ku çmenduria shitet me shishe! (Uendell Filips)

    Lista e injorimit: Llapi

  9. #19
    i/e regjistruar Maska e Harudi
    Anëtarësuar
    08-09-2004
    Postime
    622

    Bajram Kosumi, të gjitha shikimet drejt OKB-se.

    25.05.2005

    Çfarë presin institucionet e Kosovës dhe pala serbe nga seanca e KS të OKB?


    Bajram Kosumi, të gjitha shikimet drejt OKB-se.


    Kryeministri Bajram Kosumi, këshilltari i presidentit Muhamet Hamiti dhe lideri serb Oliver Ivanoviq shprehen të bindur se Kosova do të marrë dritën jeshile për hapjen e procesit të zgjidhjes së statusit përfundimtar.

    Të premten (me 27 maj) në OKB do të mbahet për Kosovën një prej seancave më të rëndësishme të Këshillit të Sigurimit, që nga viti 1999 e deri më sot. Në këtë takim do të vendoset nëse Kosova i ka plotësuar standardet e parashikuara, për hapjen apo jo të procesit për zgjidhjen e statusit përfundimtar.
    "Pres një vlerësim pozitiv të mbarë procesit në Kosovë - në veçanti sa i përket standardeve dhe për të drejtat e minoriteteve. Në këto dy fusha janë shënuar progres dhe zhvillime të shumta. Çdo muaj mund të shihen dallimet: këtë vit është më mirë se vjet, ndërsa këtë muaj situata është shumë më pozitive se një muaj më parë. Mendoj se KS duhet të reflektojë këto zhvillime pozitive". Kështu shprehet kryeministri i Kosovës Bajram Kosumi në një intervistë kushtuar pritjeve të Qeverisë së Kosovës nga seanca e Këshillit të Sigurimit të OKB. Përfaqësuesit i deputetëve serbë i "Listës për Kosovë e Metohi", Oliver Ivanoviq, poashtu është i bindur se Këshilli i Sigurimi do t'i japë dritën jeshile fillimit të procesit për zgjidhjen e statusit përfundimtar të Kosovës.
    "Jam i njoftuar me fragmente të të dyja raporteve, të cilat do të prazentohen në Këshillin e Sigurimit: të kryeadministratorit Petersen dhe sekretarit të përgjithëshëm të OKB, Kofi Anan. Më duket se ata të dy i kanë harmonizuar qëndrimet. Prandaj pres që vlerësimi të jetë relativisht pozitiv - por i mjaftueshëm që në fund të vitit të hapet procesi për zgjidhjen e statusit përfundimtar të Kosovës."
    Me tone të ngjashme shprehet edhe zëdhënësi i presidentit të Kosovës, Muhamet Hamiti: "Në seancën e radhës do të njihet progresi që është arritur në Kosovë, drejt zbatimit të standardeve prioritare. Do të pranohet fakti se ka ardhur koha që të zgjidhet statusi i Kosovës. Përfaqëseusit e institucioneve të Kosovës dhe serbëve të atjeshëm janë të një mendimi, sa i përket pritjeve për vlerësimet e Këshillit të Sigurimit, por jo edhe për nivelin e realizimit të tetë standardeve të parashikuara.
    "Nuk mendoj se Kosova i ka realizuar standardet e parashikuara dhe nuk e besoj se së shpejti mund t'i realizojë ato. Kur them së shpejti, mendoj brenda shtatë, tetë apo dhjetë vjetësh. Ka vetëm disa tendenca pozitive në disa lëmi. Megjithatë, është e qartë se në vjeshtë do të hapet procesi i zgjidhjes së statusit përfundimtar. Kjo për faktin se Evropa dhe bota janë të lodhura me problemet në Kosovë. Ato do t'i bartin kompetencat në duart e institucioneve vendore dhe në këtë mënyrë do të lirojnë një pjesë të madhe të kapaciteteve civile dhe ushtarake të angazhuara në këtë mision", thotë Oliver Ivanoviq.
    Për dallim prej përfaqësuesit serb, kryeministri i Kosovës Bajram Kosumi pohon: "Standardet në pjesën më të madhe janë plotësuar. Prej tetë standardeve të parashikuara, janë caktuar disa më prioritare dhe në masë të madhe janë plotësuar. Një pjesë e standardeve janë në proces e sipër. Ndërkohë që ekzistojnë edhe disa standarde të cilat nuk janë bazike, por janë standarde të larta politike. Realizimi i tyre nuk mund të bëhet për disa muaj ose për një vit, por zgjatë me vjet të tëra. Mirëpo edhe procesi për realizimin e tyre ka filluar".
    Për gjithë kompleksitetin e disa prej standardeve paralajmëron edhe zëdhënësi i presidentit Rugova. "Nëse standardet shikohen si kusht absolut, atëherë me siguri që nuk mund të realizohen në tërësi. Një pjesë prej tyre as shtetet e BE nuk do të mund t'i realizonin sot. Mirëpo këto standarde ne i shohim si kusht në synimet tona për anëtarësim në strukturat euroatlantike", thotë Muhamet Hamiti. Tetë standardet për Kosovën, të paraqitura prej ish - kryeadminstratorit të Kosovës, diplomatit gjerman Mihael Shtajner, ndër tjerash parashikojnë: demokratizimin e vendit dhe krijimin e instituiconeve demokratike, përmirësimin e kushteve ekonomike, decentralizimin e pushtetit, transformimin e TMK-së, sigurinë dhe lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe në veçanti minoriteteve, kthimin e përsonave të zhvendosur dhe dialogun me palën serbe. Dy prej çështjeve më delikate janë pikërisht kthimi i të zhvendosurve dhe dialogu me palën serbe.
    Kohët e fundit janë intensifikuar takimet e grupeve të punës për të ashtuquajturat çëshjte teknike. Ndërsa maujin e fundit ka pasur iniciative të ndryshme edhe për takime në nivelin më të lartë, mes presidentëve të Serbisë dhe Kosovës Rugova dhe Tadiq si dhe kryeministrave Kosumi dhe Koshtunica.
    Kryeministri Kosumi pohon se është i gatëshëm për takime me secilin përfaqësues të Serbisë, pra edhe me Koshtunicën. Mirëpo jo të debatojë edhe për çëshjten e statusit përfundimtar të Kosovës.
    "Jo, ky nuk ëshë problem mes dy vendeve. Kjo është çështje e popullit të Kosovës. Qytetarët e Kosovës, me vullnetin e tyre duhet të vendosin se si do të duket Kosova në të ardhmen. Kjo është e drejtë e tyre demokratike. Ky vendim nuk është e drejtë e asnjë presidenti apo kryeministri të Serbisë", thotë ai.
    Presidenti i Serbisë Boris Tadiq dhe kryeministri Vojisllav Koshtunica pohojnë pikërisht të kundërtën: se Kosova është pjesë e pandashme e Serbisë. Qëndrimet diametralisht të kundërta për çështjen e statusit janë edhe një prej pengesave kryesore, që vështirësojnë dialogun e drejtëpërdrejtë dhe konstruktiv mes përfaqësuesve të Beogradit dhe Prishtinës.

    Bahri Cani

    DW-shqip

    p.s.
    Këshilli i Sigurimit i OKB-së do ta diskutojë të premten (27 maj) raportin me vlerësimin politik dhe teknik të implementimit të standardeve në Kosovë në tremujorin e fundit.
    Besoj se edhe nesër do të kemi mundësi të përcjellim drejtpërdrejt diskutimet në KS të OKB-së nëpërmjet RTK-së!
    Pijetoret janë vendet ku çmenduria shitet me shishe! (Uendell Filips)

    Lista e injorimit: Llapi

  10. #20
    i/e regjistruar Maska e Harudi
    Anëtarësuar
    08-09-2004
    Postime
    622
    Kai Eide, i dërguari i posaçëm për shqyrtimin e standardeve për Kosovën

    03-06-2005

    Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Kofi Annan bëri të ditur sot se ka emëruar ambasadorin e Norvegjisë në NATO, Kai Eide si të dërguarin e posaçëm të OKB-së për shqyrtimin e përparimit të zbatimit të standardeve në Kosovë. Zyra e shtypit e zotit Annan e konfirmoi vendimin për Zërin e Amerikës. Një vlerësim pozitiv do t’i hapte rrugën diskutimit të statusit të Kosovës.

    Vendimi i zotit Annan, vjen pas mbledhjes së Këshillit të Sigurimit javën e kaluar, i cili miratoi rekomandimin e sekretarit të përgjithshëm që shqyrtimi i zbatimit të standardeve të fillojë këtë verë.

    Zoti Eide, është ekpert për Ballkanin dhe ish-përfaqësues i posaçëm i OKB-së në Bosnje. Washingtoni është shprehur se dëshiron që komuniteti ndërkombëtar të hedhë hapa më të shpejta për zgjidhjen e statusit të Kosovës.
    VOA
    Pijetoret janë vendet ku çmenduria shitet me shishe! (Uendell Filips)

    Lista e injorimit: Llapi

Faqja 2 prej 3 FillimFillim 123 FunditFundit

Tema të Ngjashme

  1. Dr. Ibrahim Rugova - Presidenti i parë i Republikës së Kosovës
    Nga Albanino në forumin Elita kombëtare
    Përgjigje: 2055
    Postimi i Fundit: 27-11-2014, 11:11
  2. Adem Demaci: Eksperimenti politik ndërkombëtar me Kosovën
    Nga ARIANI_TB në forumin Çështja kombëtare
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 20-04-2006, 18:39
  3. Kush jane vrasesit?
    Nga Brari në forumin Çështja kombëtare
    Përgjigje: 17
    Postimi i Fundit: 10-03-2004, 21:54

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •