ANGLI/ Martesa që u bë realitet pas një historie dashurie 36-vjeçare nuk i ngjante një dasme mbretërore

Kamila i zë vendin princeshës Diana
E dashura e përhershme bëhet vetëm Dukeshë


--------------------------------------------------------------------------------

Nga Londra Muhamed Veliu

Princi Çarls i Anglisë u martua dje me të dashurën e tij prej 36 vitesh, Kamila Parker Boules. Bashkëshortja e princit, gruaja e dytë më e rëndësishme në familjen mbretërore, do të marrë tashmë emrin Dukesha e Kornuellit.

LAJMI

Më në fund ata janë në kranët e njëri tjetrit, ashtu siç e kishin dëshiruar, që nga dita e parë e njohjes. Princi i Uellsit, Çarls dhe Kamila Parker Boules dje janë kurorëzuar burrë e grua, pas një sage të vërtetë dashurie, që zgjati plot 36 vjet. Martesa midis tyre nuk ishte aspak e përmasave mbretërore, si ajo mes Çarlsit dhe Diana Spencer. Edhe pse princi vendosi të martohet për të dytën herë, princesha Diana, bashkëshortja tij e parë, do të mbetet mbretëresha e zemrave për miliona britanikë. Ajo vazhdon të jetë një ikonë e shekullit të 20-të, ndërkohë që popullariteti i saj eklipsoi martesën e djeshme të tij me Kamilën. Vetëm 20,000 mijë anglezë nga e gjithë Anglia pushtuan qytezën Uindsor ku u zhvillua ceremonia private e kurorëzimit të tyre, në zyrën lokale të martesave njësoj si të gjithë qytetarët e zakonshëm. Formalitet e nënshkrimit në regjistrin e martesave zgjatën vetëm disa minuta, për t'ia lënë radhën ceremonisë së bekimit të çiftit në kishën brenda kështjellës, ku ndodheshin 800 të ftuar. Vetë Mbretëresha Elisabeta II bashkë me bashkëshortin, princin Filip kanë qënë të pranishëm në ceremoni. Mbretëresha e veshur me një kostum dhe kapele të verdhë ishte ulur në rreshtin e parë në krah të nipërve të saj, princit Ëilliam dhe Harri, shumë të gëzuar nga martesa e dytë e babait me Boules. Princi i veshur me një kostum martese dhe bashkëshortja e tij veshur me një fustan të gjatë ngjyrë gri, të qëndisur me ornamente të verdha kanë hyrë në kishë të shtrënguar krah për krah. Ata janë betuar përpara altarit të kishës se do t'i qëndrojnë besnik njëri-tjetrit. Menjëherë pas përfundimit të riteve fetare të martesës, me unaza në duar, tashmë të kurorëzuar burrë dhe grua ata kanë lënë kishëzën për t'u takuar me publikun nga i cili kanë marrë urime dhe shtrëngime duarsh.Princi ka falenderuar të pranishmit me fjalët "Faleminderit shumë që keni ardhur". Çifti mbretëror ka zgjedhur Skocinë për muajin e tyre të mjaltit. Pas martesës me princin trashë-gimtar, Kamila është femra e dytë më e rëndësishme në dinastinë e familjes mbretërore angleze, pas mbretëreshës Elisabeta II. Ajo do të quhet Dukesha e Kornuellit, ndërsa ende nuk është e qartë nëse ajo do të jetë mbretëresha e ardhshme e Anglisë.