Thoma Simaku – Katër Premiera në Katër Vende të Evropës
Orkestra e Radio-Televisionit të Ljubljanës “mban iso” shqiptare në Ditët e Muzikës Botërore në Zagreb
Vepra simfonke Hyllus e kompozitorit shqiptar Thoma Simaku është zgjedhur nga Juria Ndërkombëtare dhe do të përfaqësojë Shqipërinë në Festivalin “Ditët e Muzikës Botërore” që zhvillohet në Zagreb nga 15-24 prill 2005. Premiera e saj do të jepet nga Orkestra Simfonike e Radio-Televizionit të Ljubljanës nën drejtimin e dirigjentes angleze Sian Edwards më 21 prill në sallën qëndrore të Zagrebit - Lisinski Concert Hall. Në programin e koncertit, për këtë vepër Simaku shkruan: “Titulli i veprës rrjedh nga fjala ilire Hylli. Tashmë është mjaft i njohur fakti që Ilirishtja është një nga gjuhët më të vjetra të Evropës, dhe shqipja moderne është pasardhsja e vetme e saj. Hyllus është muzikë pa fjalë, d.m.th. nuk ka nevojë për përkthim, por karakteri i veçantë i veprës qëdron në kërkimet për një ‘bashkë-ekzistencë’ muzikore midis modalitetit të muzikës shqiptare dhe idiomave moderne të muzikës bashkëkohore. Në këtë drejtim, përvec tingullit simfonik të orkestrës, vepra kërkon që instrumentistët të mbajnë edhe iso!”
Më 30 prill 2005 në Sallën e Bibliotekës Mbretërore Den Sorte Diamant në Kopenhagë do të jepet premiera e koncertit për Violinë Réflexions de la Croix III nga violinisti londinez Peter Sheppard Skaerved dhe Sinfonietta e Kopenhagës nën drejtimin e dirigjentit danez Franz Rasmussen. Kjo premiere vjen vetëm disa muaj mbas eksekutimit në Danimarkë të veprës Soliloquy, për të cilën gazeta qendrore e Kopenhagës Politiken shkruajti: “Në veprën e Simakut, në një mënyrë të shkëlqyer, katalogu i gjërë ekspresiv i violinës është transformuar në një intensitet dramatik ku çdo gjë ka kuptim.”
Premiera e Kuartetit Nr. 3 Voci Celesti, e cila u zgjodh ndërmjet 157 konkurrentëve nga vende të ndryshme të botës, u dha nga Rubinstein Quartet më 14 shkurt 2005 në Sallën a Filarmonisë së Varshavës në Festivalin Lutoslawski, që mban emrin e kompozitorit polak me famë botërore.
Në të njejtën ditë, në Angli, në katedralen St. Paul në Huddersfield u dha premiera e veprës “Radius për 11 harqe” e kompozuar me porosi të grupit Goldberg Ensemble nga Manchester, i cili e ekzekutoi atë në pesë qytete të Anglisë. Për këtë pjesë gazeta qëndrore e Londrës “The Guardian” (28 Shkurt 2005) shkruajti: “Duke bashkuar aspektet moderne dhe antike të shprehjes muzikore, shpërthimet kulminante të veprës arritën një efekt të mahnitshëm”.

Pergatiti Merita Bajraktari McCormack, e-mail jmrome94@aol.com, Zagreb 7 prill 2005