LSI: Aleancë me PS, kur të pastrohet nga të korruptuarit
Shekulli
TIRANË- Kryetari i grupit parlamentar të LSI-së, Sabit Brokaj, është shprehur dje se kjo parti nuk bën aleancë me PS-në, për sa kohë ajo nuk pastrohet nga elementët e korruptuar. Brokaj është shprehur i hapur për aleanca paszgjedhore me partitë e majta. Një ditë më parë, sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Gramoz Ruçi, është shprehur se më parë do të shihet rezultati i zgjedhjeve për të vendosur edhe për ndonjë aleancë me LSI-në, duke mos e mbyllur plotësisht shtegun e një aleance të tillë. “Ne kemi deklaruar se synojmë fitoren. Në këtë kuptim, nëse ne e realizojmë këtë objektiv për të cilin luftojmë dhe kemi siguri se do ta arrijmë, thënia e Ruçit natyrisht nuk mund të përfshihet në qëndrimin tonë. Në rast tjetër, do ndjekim përsëri një princip bazë që ne nuk mund të bëjmë asnjë koalicion me përfaqësues të korrupsionit, të monopoleve. Është jashtë filozofisë sonë, është në kundërshtim me principet tona një bashkëpunim dhe një koalicion i tillë”,- deklaroi dje Brokaj. Ruçi u shpreh se PS-ja nuk përjashton bashkëpunimet paszgjedhore me partitë e majta apo ato të qendrës, të deklaruara si të tilla. “Lidhur me aleancat me parti të përveçme, me parti të qendrës apo të majta, unë nuk kam asnjë arsye të paragjykoj askënd, se nuk e di se kush do rezultojë, e cikluar apo e ricikluar, në zgjedhjet që do të zhvillohen gjatë muajit korrik”,- tha Ruçi.
Krijoni Kontakt