Shkurt 22, 2005
Sir Norman Wisdom, ditëlindje me humor, lot dhe "lamtumirë skenë!"
Pitkini 90-vjeç, s'harron Shqipërinë
Përshëndetja e veçantë për shqiptarët
--------------------------------------------------------------------------------
Nga Londra Muhamed Veliu
Gazeta Shqiptare
Sir Norman Wisdom, legjenda e humorist anglez, ka festuar të premten në mesditë 90-vjetorin e lindjes. Emra të shquar të artit, kinematografisë dhe humorit anglez janë mbledhur në një ceremoni madhështore në "Royal Lancaster Hotel" në qendër të Londrës, për t'i uruar 90-vjetorin Norman Wisdom-it, i cilësuar nga media angleze si "heroi i shqiptarëve". I ftuar nderi në këtë ceremoni festive ka qenë edhe ambasadori shqiptar në Britaninë e Madhe Kastriot Robo, i cili ka pasur rastin, për herë të parë, që të takohet me aktorin, dhe ku ka marrë vlerësime dhe konsideratë të lartë nga ana e tij për Shqipërinë.
Ceremonia
Pitkini, veshur me një konstum blu të errët, kollare jeshile, edhe ato momente kur të gjithë e prisnin në ceremoni nuk ka harruar të bëjë humor. Me një hyrje ektravagante, duke vrapuar, dhe me një mimikë tipike që e ka shoqëruar ndër vite, përkulet dhe falënderon të gjithë miqtë e ftuar, të cilët për minuta me radhë kanë duartrokitur ardhjen e tij. Mes emocionesh të rastit, i prekur, ai ka derdhur lot nga ajo pritje madhështore që iu rezervua me hyrjen në skenë. Më shumë se 400 të ftuar patën nderin që, krahas festimit të ditëlindjes, të kishin mundësi për herë të fundit të shijonin "live" batuat e Pitkinit, pasi kjo ceremoni festive përkonte me dhënien fund të karrierës së gjatë 50-vjeçare në skenë të Sir Norman Wisdom-it, siç edhe ai vetë e njoftoi vitin e shkuar.
Të ftuarit
E gjithë veprimtaria madhështore për nder të tij u organizua nga një fondacion bamirës që drejtohet nga njerëz të medias angleze, i quajtur "The Grand Order of Water Rats". Ndër të ftuarit e shumtë ishin dhe Dame Vera Lynn, Angela Rippon, magjistari me famë Paul Daniels dhe ish-aktorja e teledramës më të ndjekur angleze "Coronation Street" Denise Welch. Shumë prej tyre janë ngjitur në skenë duke përshëndetur Pitkinin. Komiku Ken Dodd do të shprehej: "Ai është legjendar. Një njeri i mrekullueshëm. Ai gjithmonë ka vendosur zemrën e tij dhe shpirtin brenda së qenit një njeri shakaxhi, një kloun i vërtetë". Auf Wiedersehen tha: "Ndihem i nderuar, po fluturoj nga gëzimi që jam sot këtu. Sir Norman përpara syve të mi është një legjendë. Ai ka një zemër prej floriri". Ndërsa aktori i telenovelës "Coronation Street" Bill Tarmey, që luan rolin e Jack Duckworth-it, do të shtonte: "Për mua ka qenë një kënaqësi e veçantë të punoja me të. Ai është i shkëlqyeshëm. Ka një gjë të veçantë, e cila ka bërë për vete çdo njeri në të gjithë botën".
"Norman shprehu mirënjohje për shqiptarët"
Ambasadori Robo takohet me Pitkinin
Organizatorët e veprimtarisë në "Royal Lancaster Hotel" nuk kanë harruar që në axhendën e ngjeshur të Pitkinit të rezervojnë një takim me ambasadorin e Shqipërisë në Mbretërinë e Bashkuar Kastriot Robo. "Artisti mbahej në mënyrë perfekte. Sir Norman shprehu falenderim dhe mirnjohje për shqiptarët tregon Robo për Gazetën Shqiptare, duke shtuar se "Ishte një takim shumë emocional për mua. Ishte hera e parë që takoheshim. Sir Norman ishte shumë i prekur nga vlerësimi që vazhdon ti bëhet në Shqipëri". Më tej Robo gjatë bisedës, nuk e fsheh gëzimin që përjetoi gjatë veprimtarisë festive, kur gjatë diskutimeve nuk u harrua të përmenden lidhjet e komikut me vendin që ai përfaqëson në Londër. "Ndjehesh shumë mirë në të tilla ambiente me njerëz të nderuar të kinematografisë kur emri i Shqipërisë dhe shqiptarëve përmendet për mirë. U emocionova jashtë mase kur dy nga kineastët anglezë bënë një ftesë publike për të vizituar vendin tonë", tregon Robo, i cili gjatë veprimtarisë ka përshëndetur Sir Norman me rastin e ditëlindjes, madje duke e falenderuar dhe i uruar shëndet në emër të të gjithë admiruesve të tij në Shqipëri.
Krijoni Kontakt