Një parakalim makine është bërë shkak i sherrit midis shoferit të Nanos, Astrit Zaçe, dhe dy vëllezërve
Grindja, dy vëllezër rrahin shoferin e kryeministrit Nano
Llambi Kallço
DURRËS- Një parakalim i gabuar i automjetit ka qenë shkaku i grindjes mes dy vëllezërve dhe shoferit të Kryeministrit, Fatos Nano. Shoferi i kryeministrit është qëlluar me grushta, madje është transportuar dhe në spitalin e Durrësit , ku dhe ka marrë mjekimin e nevojshëm. Burime të policisë së Durrësit thanë për gazetën se ngjarja ndodhi në pasditen e djeshme, në rrugën automobilistike në afërsi të fshatit Romanat të Durrësit. Astrit Zaçe, që udhëtonte me makinën personale, me familjen e tij, është grindur me dy vëllezër për shkak të një parakalimi të gabuar. Grindja me fjalë është shoqëruar me përdorimin e forcës dhe shoferi Zaçe që ka bërë rezistencë, nuk ka mundur të përballojë dy vëllezërit Azuni.
Ngjarja
Ka qenë ora 17:00 e ditës së djeshme, kur shoferi i kryeministrit, Astrit Zaçe, që ishte duke udhëtuar me makinën personale, së bashku me familjen, është bërë objekt i një grindjeje. Sipas hetimeve të policisë së Durrësit, që shkoi menjëherë në vendngjarje, motivet e sherrit ishin krejtësisht banale. Gjithçka ka ndodhur pasi shoferi Zaçe ka parakaluar në një kryqëzim pranë fshatit Romanat të Durrësit, makinë në të cilën udhëtonin dy vëllezërit F.dhe S.Azuni. Si pasojë, këta të fundit kanë bërë debat me shoferin e kryeministrit Nano. Sipas burimeve, në vendngjarje të dy palët nuk i kanë lëshuar rrugë njëri- tjetrit, gjë që është shoqëruar me goditje grushtash. Po sipas burimeve nga vendngjarja, shoferi i kryeministrit ka pësuar dëmtime në fytyrë.
Policia
Policia që ka shkuar menjëherë në vendngjarje ka shoqëruar vëllezërit S.dhe F.Azuni. Burime të komisariatit të Durrësit kanë qenë tepër të rezervuara në lidhje me këtë ngjarje. Gjithsesi burimet zyrtare konfirmuan për gazetën se bëhet fjalë vetëm për një sherr banal. Ndërkohë, burimet nuk bënë të ditur nëse do të nisë apo jo procedim penal në lidhje me këtë çështje.
18/04/2005
Krijoni Kontakt