Sot 539 vjetori i vdekjes së Heroit tonë Kombëtar
Botohet pema gjenealogjike e pasardhësve të Skënderbeut
Plot 539 vjet më parë, më 17 janar 1468, në moshën 63-vjeçare vdiq Heroi ynë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Gjergj Kastrioti Skënderbeu, Heroi Kombëtar i shqiptarëve, ka hyrë prej kohësh në radhët e atyre personaliteteve të shquara të shekujve të kaluar, për të cilët historiografia evropiane nuk ka reshtur kurrë së shkruari për ta. Kjo edhe për shkak se Heroi ynë Kombëtar ishte një nga pengesat kryesorë të ndalimit të invazionit të turqve drejt Evropës. Në përvjetorin e vdekjes së tij, gazeta "Tirana Observer" boton pemën gjenealogjike të Skënderbeut, që nga i ati i tij, Gjon Kastrioti, e deri te pasardhësit e fundit që jetojnë sot në Itali.
Pasardhësit
Djali i vetëm i Skënderbeut, Gjoni ose Xhovani, siç i thonë në Itali, pas vdekjes së të atit, ende i ri, jetoi në domenin e vetë mbi Gargano e më pas, nga 1485, kur lulëzon qyteti i Shën Pjetrit në Galatina në tokën e Otrantos, vendoset atje, ka titullin dukë, duke i shtuar dhe atë të kontit të Soletos. Ai u martua me Irena Brankoviç Paleologu, pasardhësja e fundit e familjes perandorake të Bizantit dhe patën shumë fëmijë, mes të cilëve Konstandinin, peshkop në Insernia, Ferdinandin, që qeveriste domenin feudal të Kastriotëve dhe Marien, grua e kulturuar që njihte shkëlqyer letërsinë greke e latine. Ferdinandi u martua me Adriana Acquaviva-n, vajzën e dukës së Nardosë, patën shumë fëmijë si Erinën, Pardon, Akilin e Xhovanin. (Gjonin)…, me titullin baron dhe nga kjo degë familjare pati pasardhës deri në fund të vitit 1700. Ndërsa nga Akil Kastrioti rrjedh dega tjetër familjare e Kastriotëve, të cilët u shpërngulën në Napoli në vitet 1700 dhe janë atje deri në ditët tona. Biri i Pardos, Konstandini, shpërngul rezidencën e vetë në Copertino. Ndërsa në fund të viteve 1600 Aleksandër Kastrioti Skënderbeu u shpërngul në Leçe, pasardhësit e të cilit jetuan atje deri në vitin 1700.
Trashëgimtarët e fundit
Nga mesi i viteve 1800, më i madhi i fëmijëve të kësaj linje familjare, një tjetër Aleksandër, u shpërngul në Ruffano, Leçe, ku është dhe sot rezidenca princërore e Kastriotëve të Skënderbeut. Përfaqësuesit e tanishëm të kësaj linje familjare janë Alessandro Castriota Scanderbeg, mjek në Romë dhe i vëllai i tij, Guilio, jurist i administratës.
Instituti i Historisë përkujton Skënderbeun
Me rastin e 539-vjetorit të vdekjes së Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, Instituti i Historisë organizon sot në orën 11 në sallën e konferencave të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë një sesionin përkujtimor. Në këtë sesion do flasin historianët më të mirënjohur të vendit. Gjithashtu me rëndësi është edhe botimi i librit "Skënderbeu dhe Evropa", ku do të përfshihen referatet e mbajtura në konferencën ndërkombëtare që u zhvillua në dhjetor 2005 me rastin e 600-vjetorit të lindjes së Skënderbeut. Rreth librit do të diskutojnë studiuesit Kasëm Biçoku dhe Dritan Egro.
Krijoni Kontakt