Përparim HALILI
Jo vetëm pas 29 Nëntorit 1944, por edhe disa kohë përpara kësaj date triumfuese për komunistët, por thellësisht dëshpëruese e shkatërruese për kundërshtaret e "Pushtetit popullor", shumë ish-krerë të njohur anti-komunistë dhe elementë përbërës aktivë të klasës së tyre qeveritare e pasurore, me bindjen e plotë, se komunizmi do të ushtronte goditje të pamëshirëshme fizike mbi ta, u detyruan të largohen jashtë kufijëve të Shqipërisë, në kërkim të mundësive për t'u mbrojtur, pse jo dhe për t'u organizuar në një moment të volitshëm, sepse ikja e tyre masive dhe e bujëshme për t'i shpëtuar hakmarrjes, nuk presupozonte heqjen dorë të mërgatës anti-komuniste, nga veprimtaria intensive për të rrëzuar regjimin komunist shqiptar.
Ku shkuan ata që nuk ishin pjesë e fitores së vitit 1944?
Largimi masiv i përfaqësisë së njohur politike antikomuniste shqiptare, të cilën Enver Hoxha nuk pranoi ta bënte pjesë të fitores së Luftës Antifashiste, madje e quajti "tradhëtare", pati si destinacion shtetet perëndimore, kjo sipas preferencave mbështetëse që ata kishin në këto vende, por dhe sipas mundësive të çastit për të shpëtuar e për të gjetur shtigje të lira arratisjeje. Po ku shkuan? Fillimisht u vendosën në Itali, Greqi, Egjipt, Jugosllavi, në Gjermaninë Perëndimore, Angli, Francë etj. Ata u vendosen në këto shtete, ngaqë siç dihet, në ato vite, domonimi Anglo-Amerikan në këto shtete ishte tepër i madh, madje mbështetës e mbrojtës në favor të elementëve dhe grupeve anti-komuniste. Sipas një marrëveshjeje të njohur ndërkombëtare, fillimisht të arratisurit politikë shqiptarë, por edhe ata të ish-vendeve të Lindjes, ku pas Luftës së Dytë Botërore u instalua komunizmi, u sistemuan në kampe ekzilantësh politikë, qëndra grumbullimi këto, që ishin nën kujdestarinë e shoqatave bamirëse UNRA dhe IRO.
Për 1100 të arratisurit politik shqiptarë të zbarkuar në Itali, shërbyen si strehë kampet e "Santa Fare Jessi", "Benial" dhe "Santa Maria di Leuca". Ndërsa për afro 450 të arratisurit që zbarkuan në Greqi, si qëndër kampi u bë qyteti Lavros. Sipas të dhënave të asaj kohe, ata u pranuan për t'u strehuar atje, por nuk u trajtuan mirë me kushte për fjetje, ushqim dhe veshje. Një pjesë e të aratisurve u rikthyen pas amnistisë false, të shpallur prej pushtetit komunist në vitin 1956, por që u dënuan me burgje, internime, pushkatime. Ndërsa pjesa më e madhe e të arratisurve që nuk u kthyen dhe 220 krerët e njohur antikomunistë të cilët nuk përfituan nga kjo "amnisti", qëndruan në ekzil, duke u organizuar për të vazhduar që jashtë kufijëve, luftën kundër pushtetit komunist të Enver Hoxhës. Si u realizua ky projekt?
I bashkoi fati i njëjtë, por i ndau lufta për pushtet politik
Pas disa muajsh të jetesës së tyre në kushte tepër të vështira nëpër kampe, pothuajse krejt të barktisur e të lodhur, në kërkim të mundësive të reja e të kompletuara akomoduese e intreguese, mbi 1100 emigrantët që ndodheshin në Itali, u përqëndruan dhe krijuan një komunitet politik anti-komunist në Kalabri, në Komunën Rexhio Emilia. Ky shembull, nxiti edhe ekzilantët që ndodheshin në shtetet e tjerë, të cilët nisën të braktisin kampet e të organizohen. Fill pas këtij përqëndrimi, nën një petk optimizmi e vllazërie njerëzish me të njëjtin fat, ekzilantët politikë nisën veprimtarinë e tyre, duke u organizuar në parti dhe grupime politike, të "parcelizuar" sipas bindjeve tradicionale, fillimisht në partitë "Balli Kombëtar" dhe "Legaliteti".
Në kampet italiane psh, në muajin Dhjetor 1948, Partia "Balli Kombëtar" arriti të kishte mbi 200 anëtarë, ku liderë kryesorë u zgjodhën individët e njohur Mit'hat Frashëri, Mehdi Frashëri, Hasan Dosti. Organizime të tilla politike u bënë nga ballistët edhe në Greqi, ku u krijua organizata "Grushti Ballist", drejtuar nga Abaz Ermenji, Hamit Matjani etj. Po kështu në Egjipt, u çfaqën me përfaqësim politik përkrahësit e njohur të Mbretërisë Shqiptare, Abaz Kupi, Zenel Shehu etj, të cilët rithemeluan "Partinë e Legalitetit" në emigracion. Në përbërje të kësaj partie, Fiqiri Dinoja, ish-Kryeministër i Qeverisë së Regjencës, krijoi një degë në Itali. Po kështu, krerë të tjerë të njohur të ideve nacionaliste anti-komuniste, si Kol Bib Mirakaj (ish-Ministër i Brendshëm i Qeverisë së Regjencës, Ernest Koliqi dhe Ismail Vërlaci, krijuan partinë "Blloku Indipendent". Ndërkohë, nën drejtimin e Seit Kryeziut, një grup të arratisurish nga familje të njohura shqiptare, krijuan grupimin "Partia Katundare". Nën drejtimin e Ismail Bej Vërlacit u krijua partia "Blloku Indipendent", ku figura kryesore ishin edhe Mustafa Kruja e Ernest Koliqi.
Kjo nismë, u pasua nga krijimi i partisë "Grupi i Kosovës", me drejtues Xhafer Devën. Kështu ndodhi në të gjithë qytetet e shteteve ku kishte të arratisur politikë shqiptarë. Pas krijimit të organizatave politike, me krijimin e kushteve të përshtatëshme ekonomike, ekzilantët iu rikthyen synimit të tyre vendimtar: luftë për përmbysjen e pushtetit komunist në Shqipëri. Ata hartuan plane të shumta për rrëzimin e Enver Hoxhës dhe rikthimin si fitimtarë në atdhe. Cila ishte veprimtaria e tyre anti-komuniste në mërgim? Ku dhe si e zhvilluan aktivitetin? Cilat ishin mardhëniet mes krerëve të grupeve e partive politike? Si do të përgatitej e realizohej përmbysja e regjimit komunist në Shqipëri?. Cili ishte bilanci i përpjekjeve të tyre?
Takimi i Kajros: Dështon krijimi i "Krahut ushtarak"
Grupet politike të emigracionit shqiptar nëpër botë, vazhdonin të shkëmbenin mesazhe bashkimi e bashkëpunimi dhe të ndërmerrnin iniciativa për të realizuar këtë ëndërr e synim historik të tyre. Një hap të tillë e bëri në vitin 1948, "Partia e Legalitetit" e cila ndodhej me qendër në Egjipt. Nëpërmjet një qarkoreje, krerët legalistë u kërkuan grupeve e partive shqiptare të emigracionit në vende të ndryshme të botës, të uleshin sa më shpejtë në bisedime, për të bërë bashkimin e të gjithëve në idenë dhe qëllimin e vetëm: Përmbysje të komunizmit në Shqipëri. Pas njohjes me këtë kërkesë, pati miratim unanim dhe optimizëm të madh në rradhët e emigracionit. Në funksion të kësaj nisme bashkimi, u vendos që në 12 Gusht 1948, të realizohej në Kajro, takimi me të gjithë drejtuesit e partive, të grupeve e shoqatave politike, kudo ku ato vepronin nëpër botë.
Platforma e kësaj mbledhjeje kishte objekt kryesor, krijimin e një Qeverie të Përbashkët Anti-komuniste në Emigracion (QPAE), si dhe ngritjen urgjent të Krahut të Armatosur Ushtarak, i cili në momentin e planifikuar, do të vepronte me dhunë për përmbysjen e pushtetit komunist në Shqipëri. Sipas projektit legalist, ky "Krahë i Armatosur Ushtarak", mund të vepronte me sukses, nëse do të kishte një shtab drejtues dhe në krye një figurë kryesore. Këtë post, legalistët propozuan t'i besohej vetëm Abaz Kupit. Gjithashtu legalistët, kërkuan të pranohej platforma e tyre, që pas përmbysjes së komunizmit, në Shqipëri të rivendosej Mbretëria.
Ndërsa grupet e tjera pjesëmarrëse e pranuan variantin e paraqitur nga legalistët, mungesa në mbledhje e kryetarit Mit'hat Frashëri, i bëri ballistët të mos e votonin këtë platfromë. Pasi u njoh me këtë projekt, kreu i ballistëve e kundërshtoi hapur, duke e konsideruar "pa asnjë vlerë këtë bashkim". Për këtë mospranim, kryeballisti Frashëri paraqiti si motiv, "kushtet e vështira në të cilat ndodhej politika anti-komuniste në emigracion". Qëndrimin kundërshtues të "Ballit Kombëtar" e mbështeti dhe partia "Blloku Indipendent", krerët e së cilës, vetëm pak orë pas përfundimit të mbledhjes së Kajros, anulluan votën e hedhur në favor të idesë së legalistëve. Për këtë anullim të deklaruar prej krerëve indipendentë, pati reagim nga delegacioni përfaqësues i kësaj partie, i cili si kundërvënie, nuk u kthye më në Itali.
Përfaqësimi në Takimin e Kajros
Përfaqësuesit në delegacionet e partive politike antikomuniste të emigracionit shqiptar, në mbledhjen e zhvilluar në Kajro, në 12 Gusht 1948, ishin si më poshtë:
“Partia e "Legalitetit": Abaz Kupi, Hysen Selmani, Hiqmet Delvina, Sali Myftiu
"Partia "Balli Kombëtar": Ali Bej Këlcyra, Abaz Ermenji, Koço Muka
"Partia "Blloku Idipendent": Mustafa Kruja, Ernest Koliqi, Nexhmedin Qerolli
"Partia "Grupi i Kosovës": Bajzit Buletini, Xhafer Deva
Lëvizja "Frashëri" për bashkimin e ekzilit politik
Ndërsa kreu ballist Mit'hat Frashëri e refuzoi nismën e legalistëve, të hedhur në takimin e Kajros për bashkim dhe bashkëpunim, 8 muaj më pas, ishte po Mit'hat Frashëri, i cili hodhi të njëjtën ide. Sipas komenteve të shtypit shqiptar, që botohej ato vite në emigracion, ky qëndrim u cilësua si "egoizëm" i drejtuesit të "Ballit Kombëtar", me qëllimin për të marrë e për të mbajtur "medaljen e idhtarit të bashkimit të partive anti-komuniste në emigracion". Këtë qëllim, Mit'hat Frashëri e nisi me një vendim të përcaktuar në Kongresin e Parakohshëm të Partisë "Balli Kombëtar", mbajtur në Romë, në muajin Shkurt 1949. Ideja e tij ishte, që fillimisht të bashkoheshin grupet e përçara balliste, për të dhënë kështu, shembullin konkret të bashkimit të emigracionit politik. E para që përkrahu idenë bashkuese, të ashtuquajtur "Lëvizja Frashëri", ishte Partia "Katundare". Mbështetje e dhanë dhe legalistët, të cilët në rastin konkret, ndryshe nga ballistët në Takimin e Kajros, nuk manifestuan asnjë shenjë hakmarrjeje, ose xhelozie. Kështu, kryeballisti Mit'hat frashëri, arriti të impononte platformën e tij të bashkimit, duke e mbyllur me sukses këtë lëvizje.
Në konkretizim të kësaj ideje, në 26 Gusht 1949, ballistët organizuan në Paris, takimin e partive anti-komuniste të emigracionit shqiptar. Në mënyrë unanime, në këtë takim u miratua, u krijua e u shpall "Komiteti Shqipëria e Lirë". Në vijim të tendencës së tij, Mit'hat Frashëri, mundi të zgjidhej kryetar i këtij komiteti, ndërsa si anëtarë kryesie u zgjodhën përfaqësues nga të gjithë partitë dhe grupimet. Mirëpo, megjithë bujën që i dhanë, "Komiteti Shqipëria e Lirë" nuk u ngrit në asnjë moment, në nivelin e qëllimeve për të cilin u krijua. Madje në të shumtën e kohës, ky komitet nuk funksionoi si vepruari, duke mbetur një "komitet kukull" dhe pa asnjë vlerë, pa mundur të aktizonte veprimtarinë e forcave anti-komuniste në emigracion. Ky dështim i dukshëm e dëshpërues për emigracionin, që kërkonte dhe priste organizimin e kryengritjes për përmbysjen e pushtetit komunist, i ktheu kohët mbrapa, veçanërisht në aspektin e konflikteve, të cilat megjithë takimet e shumta për pajtim dhe bashkim, nuk u eleminuan.
Mustafa Kruja, kundërshton paqen e ballistëve
Pas grindjeve, drejtuesit e "Ballit Kombëtar", Mit'hat Frashëri e Hasan Dosti, kërkuan "paqe e bashkëpunim vëllazëror". Iniciativa e re e ballistëve për bashkim, u kundërshtua prerë dhe ashpër, nga kreu i partisë "Blloku Indipendent", Mustafa Kruja, mbështetur nga Ernest Koliqi, Kol Bib Mirakaj dhe Ekerem Libohova. Këtë kundërshtim, Mustafa Kruja e shoqëroi me një plan për shkatërrimin e partisë së ballistëve, duke synuar rrëzimin nga postet, të drejtuesve të saj. Mirëpo plani "Kruja" u dekonspirua dhe si kundërpërgjigje ndaj tij, ballistët organizuan zgjedhje të parakohëshme, duke mbajtur në krye të partisë, figurat e njohura Mit'hat Frashëri, Hasan Dosti, Lec Kurti, Abaz Ermenji, Ali Bej Këlcyra, Qazim Prodani, Vasil Andoni, Halim Begeja.
Kjo masë "mbrojtëse" e ballistëve nuk e ndali luftën e ashpër ndërpartiake, të nisur mes palëve, por edhe brenda tyre. Këtë e dëshmon episodi i mëposhtëm: Në një mbledhje të zhvilluar në 13 Shtator 1948, në momentin kur po fliste Ali Bej Këlcyra, përfaqësuesit e partisë "Blloku Indipendent", krijuan rrëmujë dhe nxitën grindjet, duke qëlluar me domate të prishura. Rrëmuja degjeneroi në përleshje gjakatare me 5 të vrarë dhe 30 të plagosur. Nëse nuk do të kishte ndërhyrë policia, do të kishin vdekur shumë të tjerë.
Grindje, atentate dhe vrasje për poste
Po të shfletosh gazetën e të arratisurve politikë "Shqipëria e Lirë", që botohej asokohe në Itali, njihesh me fakte të shumta, të ilustruara me shembuj e fotografi, të cilat tregojnë, se partitë dhe grupet politike të krijuara në mërgim, në vend që të mundësonin bashkimin e tyre në një front, krijuan debate, luftë për poste, përçarje, grindje, përleshje fizike, madje edhe atentate e vrasje ndaj eksponentëve të partive. Ja disa fakte:
- Në qershor vitit 1948, në Kampin Shqiptar të Rexhio Emilias në Itali, vritet me atentat, kreu i njohur ballist Vizhdan Risila, ish Prefekt i Vlorës gjatë periudhës së pushtimit fashist.
- Në shtator të vitit 1948, Zenel Cani vret Shaqir Prezën, një tjetër personazh i njohur në qarqet e emigracionit politik shqiptar.
- Në tetor të vitit 1948, Mehmet Kahramani, në tentativë për vrasje, plagos Ago Agajn.
- Në nëntor të vitit 1948, një grup ballistësh, organizuan atentat kundër Ismail Bej Vërlacit, kreut të Partisë "Blloku Indipendent".
Sipas dokumenteve, në gjyqin e organizuar në Shqipëri, Llukman Luftiu, drejtues kryesor i grupit të Et'hem Çakos, kapur gjatë një zbarkimi si "diversant", midis të tjerash, ka deklaruar: "Në emigracion, në të arratisurit politikë shqiptarë, kishim shumë grindje për poste dhe pushtet mbi partitë". Kjo deklaratë dhe shumë të tjera si kjo, dëshmonin luftën për pushtet politik, zhvilluar mes krerëve e grupeve që vepronin në emigracion, gjë që krijonte grindje, përleshje dhe vrasje mes individëve e grupeve.
Përçarjet "prodhuan" 60 parti dhe 80 grupe politike
Nga "Balli Kombëtar" lindën 34 grupe dhe 21 parti balliste kundërshtare. Por punët nuk shkuan ashtu siç duhej për realizimin e planeve që ishin hartuar në emigracionin anti-komunist shqiptar. Më së fundi, mijëra nacionalistë të shpërndarë nëpër botë, që prisnin të ktheheshin "fitimtarë" në atdhe, kuptuan se gjithçka po shuhej. Për ta u tretën shumë shpejtë ëndrrat, dëshirat, projektet, tratativat dhe vendimet e shumta për bashkimin në një front të vetëm, me synimin për të luftuar me propagandë dhe forca ushtarake të organizuara, pushtetin shqiptar të pas vitit 1944. Partitë politike dhe krerët e tyre u rikthyen në pozicionet e vetmuara, duke rinisur mosmarrëveshjet, grindjet, përçarjet, përleshjet brenda dhe midis partive. Dështimi i veprimtarisë së lëvizjes "Komiteti Shqipëria e Lirë", krijoi konflikte dhe përçarje edhe brenda gjirit të Partisë "Balli Kombëtar". Kreu ballist Mit'hat Frashëri, po i humbiste pozitat dominuese në parti. Kjo dukej e kuptohej qartë, mbasi ai nuk mund të kontrollonte më situatën e rëndë që po krijohej me shpejtësi brenda partisë. Filluan të lindin franksionet dhe kundërvëniet ndaj njëri-tjetrit. Mes drejtuesve kryesorë nisën etiketimet reciproke, si "tradhëtarë e spiunë të komunistëve" dhe akuzat për "shitje të interesave të luftës kundër komunizmit". Individë të shumtë në nivelet e larta të partisë, nuk po pranonin platformat e lidershipit të partisë.
Grindjet dhe përçarjet, u thelluan akoma më tepër pas vdekjes së dyshimtë të kreut të "Ballit Kombëtar", Mit'hat Frashëri. Ai u gjet i vdekur në një hotel, në Neë York dhe për këtë vdekje, nuk u dha asnjë version i saktë, megjithëse fillimisht u tha, se "Mit'hat Frashëri ishte viktimë e bashkëpunimit mes Sigurimit Shqiptar dhe KGB, si shërbim i posaçëm, i kryer prej agjentit të mirënjohur të KGB, anglezit Kim Filbi". Ky version fillestar, që më pas u la në heshtje të plotë, u paraqit për shkakun se superagjenti Kim Filbi, njihej edhe si bashkëpunëtor i ngushtë dhe aktiv i Sigurimit Shqiptar, që kishte kontribuar makisimalisht për eleminimin e shumë krerëve të emigracionit politik, duke organizuar e njoftuar lëvizjet e tyre në shtetet e botës, por edhe duke dekonspiruar desantimin e shumë grupeve të armatosura, që dërgoheshin në Shqipëri prej Misionit Anglo-Amerikan, në vitet 1945-1956. Vdekja misterioze e Mit'hat Frashërit, krijoi përçarje akoma më të mëdha brenda partisë "Balli Kombëtar", duke rikthyer luftën e egër për kontrollin e drejtimit të saj. Pas grindjeve dhe përleshjeve mes grupeve balliste, Partia "Balli Kombëtar" u nda në dy pjesë. Grupi që drejtohej nga Hasan Dosti, krijoi Partinë "Balli i Ri Kombëtar", ndërsa grupi që drejtohej nga Ali Bej Këlcyra, krijoi Partinë "Balli i Vjetër Kombëtar". Afro tre muaj më pas, duke parë konfliktet që po shtoheshin, Hasan Dosti ndryshoi emrin e partisë që drejtonte, nga Partia "Balli i Ri Kombëtar", në "Partia Agrare Demokratike e Ballit Kombëtar". Po kështu veproi dhe Xhafer Deva me Partinë "Grupi i Kosovarëve", duke i ndryshuar emrin, në "Partia Irendentiste". U krijuan edhe 21 parti të tjera balliste, të dala nga lidershipi edhe anëtarësia e partisë "Balli Kombëtar" në Itali, Greqi, Gjermani, Francë, Angli, Austri, Egjipt, Australi, Amerikë etj. Nga kjo lojë përçarëse nuk shpëtuan as legalistët, të cilët filluan të krijojnë parti e grupe të tjera legaliste kundërshtare. Kjo luftë përçarëse, vazhdoi deri sa krerët e njohur të ekzilit politik, u kërcënuan, vdiqën, u vranë dhe u zhdukën fizikisht. Projekti anti-komunist i ekzilantëve politikë shqiptarë për përmbysje me dhunë, pësoi goditje edhe për shkakun, se partitë politike tradicionale anti-komuniste në emigracion, u shkërmoqën nga përçarjet, duke u ndarë në afro 60 parti të tjera politike, me nga 10, 20 e 30 anëtarë. Të plakur e të lodhur nga vitet dhe nga grindjet e për më tepër, nga marrazi i dështimit të plotë përballë pushtetit absolut të Enver Hoxhës, ekzilantët vazhduan ta luftonin komunizmin vetëm me propagandë dhe urrejtje, ndjenjë kjo, që percipitoi në një ndarje të thjeshtë politike mes dy palëve kundërshtare, ku njera qeverisi në Shqipëri, ndërsa tjetra shpresonte pushtet jashtë dhe larg kufijëve. Përpjekjet 45 vjeçare në emigracion për të rrëzuar regjimin komunist në Shqipëri, rezultuan të pafuqishme. Pas dështimit, krerët dhe pjestarët aktivë të kësaj beteje, u shpërndanë në shtete të ndryshme, në kërkim të rehatisë dhe parajsës individuale.
Ndryshe
E Merkure, 05 Shtator 2007
Krijoni Kontakt